Mendime
Elsa Ballauri: Gratë kundër grave
E shtune, 24.01.2009, 01:39 AM
Gratë kundër grave
Nga Elsa Ballauri
Me këtë nuk dua të them se gratë luftojnë kundër grave, as të ngre hipotezën e shumëkërkuar, sidomos nga pala e meshkujve se gratë janë xheloze të njëra-tjetrës. Me pak fjalë do të mundohem të shpjegoj se sa i ndjeshëm është tek ato sindromi i luftës që i kanë shpallur vetes, sidomos në lidhje me raportin social që kanë me burrat dhe po ashtu edhe me pjesën tjetër të familjes dhe shoqërisë.
Përpara pak kohësh, në një emision televiziv dëgjova një nga gratë që merren me problemet e grave se burri mund të ndihmojë në familje …"por jo të fshijë pluhurat"… Pasi dëgjova këtë, m'u duk sikur një turmë e madhe e grave në botë mërmëritën nën zë nga pakënaqësia, sigurisht, m'u duk se edhe një pjesë tjetër, ndofta edhe më e madhe se e para, thanë "Po", njëzëri, ndërkohë që komuniteti i burrave buzëqeshi. Në këtë lloj farse e përfytyrova këtë pyetje dhe përgjigje në dukje të thjeshtë, për marrjen e pluhurave të shtëpisë, por që në thelb tregon se sa gratë e dinë dhe e pranojnë vlerën dhe pozicionin e tyre. Të flasësh për të drejtat e grave në dukje është e lehtë, sidomos kur një autostradë e tillë është ndërtuar prej kohësh, por të dish ta mbrosh këtë të drejtë, ta argumentosh dhe ta çosh përpara përbën një tjetër vështirësi, që në kohët tona moderne, kërkon jo vetëm kurajon dhe vullnetin, por edhe diplomacinë e grave për të përsosur të drejtat e tyre, në disa vende ku ato vërtet janë të konsiderueshme, dhe për t'i fituar edhe më elementaret, në disa vende të tjera ku ato shpërfillen dhe nuk ekzistojnë nëpër axhendat e qeverive përkatëse. Në dukje, shprehja se burrat "nuk duhet të fshijnë pluhurat e shtëpisë", d.m.th, ata mund të ndihmojnë gruan në shtëpi, …por jo deri tek pluhurat, ...duket sa e thjeshtë, aq edhe pa ndonjë rëndësi. Në të kundërt, unë mendoj se kjo shprehje ka një rëndësi shumë të madhe. Pikërisht në të gjej sjelljen e pakontrolluar dhe subkoshiente të grave se ato janë kundër grave. Gruaja kundër gruas është e barabartë me gruaja kundër vetes. Kjo ka një gjenezë të vjetër që vjen nga stër-stërgjyshet e nënshtruara dhe nga stër-stërgjyshët e mësuar me pozicionin e grave të tyre për të qenë shërbëtore të familjes dhe të atyre vetë. Gratë për fat të keq, ndonëse kanë fituar shumë të drejta në botë, madje edhe në Shqipëri, akoma nuk kuptojnë se e drejta e tyre është barazia përpara vetvetes dhe burrit njëkohësisht. Një grua me shumë dëshirë mund t'i fshijë gjithë jetën e saj pluhurat e shtëpisë, por nuk është i njëjtë pozicioni i saj në raport me bashkëshortin nëse qoftë edhe në një rast të vetëm kur ajo nuk mundet ta bëjë këtë punë, i shoqi refuzon ta ndihmojë se "kjo nuk është puna e tij". Në këtë rast, ajo që e bën femrën ende të paqartë në lidhje me të drejtat e saj është pikërisht pozicioni psikologjik që secila pjesë e çiftit zë në familje, apo në bashkëjetesë. Atë ditë kur Rosa Parks, u ndje e lodhur dhe nuk u ngrit nga ndenjësja e gabuar e autobusit ku ishte ulur, kjo s'ishte thjesht një rastësi e një momenti lodhës, por një veprim kundërshtues i akumuluar në subkoshiencën e saj gjenetike. Ai veprim i 1 dhjetorit 1955 në Montgomery të Alabamës ndihmoi rrënjësisht për të shpënë në një nivel tjetër shumë më të përparuar të drejtat civile, sidomos ato të njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës… Kështu është edhe një diskutim i thjeshtë për pluhurat e shtëpisë, nëse ai kuptohet nga përbërësit e tij socialë dhe psikologjikë...
Në luftën që gratë bëjnë për të arritur barazinë e tyre me burrat, ecën paralel edhe lufta që ato duhet të bëjnë për të arritur barazinë me veten e tyre. Paqja dhe mirëkuptimi me vetveten është ajo që do t'i ndihmojë gratë në një tjetër sfidë për të cilën ato po përpiqen kaq shumë dhe gjatë të fitojnë. Përndryshe janë shumë të pashpresa parullat e futjes së gruas në politikë dhe në udhëheqjen e vendit. Një grua që e koncepton veten ende gjysmë skllave, nuk do mund të hapë horizonte për përparimin e të drejtave të grave në një vend dhe sigurisht nëse flasim për këto të drejta, atëherë i referohemi të drejtave të të gjithëve.