Mendime
Sadik Bejko: T’i kesh zili apo t’i mëshirosh spiunët?
E enjte, 22.01.2009, 07:47 PM
T’i kesh zili apo t’i mëshirosh spiunët?
(Drejtuar F. Lubonjës për Hapja e dosjeve… Korrieri, 5. 6. 2004)
Nga Sadik Bejko
1. Pa kandra e pa spiunë mos ne lëntë zoti
Të thuash të vërtetën historitë me spiunë janë shumë intriguese. Kjo është një shenjë se qytetërimi ynë nuk bën dot pa ta, ua ka nevojën dhe ua ka aq shumë, sa për ta ka shkolla, ka arkiva, ka buxhete të majme, pa ka filma dhe libra, ka heronj, lavdi e tradhti ndryrë e përzier pazgjithshëm. Pa shmangshëm, na delka se, siç është kjo jeta jonë e mbidheshme, ashtu, a pothuaj e njëllojtë, na qenka dhe ajo e nëndheshmja, veçse me densitetin e përmasat e saj na bën mirë që na i ngjeth e na i prish mendjet e gjumin herë pas here. Ne i kemi pështirë ata, po dhe ata marrin hak: të pështirë jeni ju, thonë, dhe nuk ka njeri që e di më mirë se ne, sa të pështirë që jeni. Lufta e ftohtë, por sidomos diktaturat komuniste e bënë spiunllëkun një punë me shumë rëndësi dhe për më tepër një “çështje të gjithë popullit”. Ne sot i kemi ata aq me shumicë, sa ç’ka buburreca, furrtaria apo minj me bisht një metër të gjatë në kuzhinat, në sallat e operacionit dhe në banjat e spitaleve tona sot e gjithë ditën, sidoqë mjekët, mbas punës në shoqëri me kandra të tilla pranë e pranë, e kanë hak ta pinë një xhin me 10 dollarë copën në Sherraton. Aty më tej mund të gjesh politikanët, por dhe bosët e gazetave dhe të ekraneve tona. Në bodrumin e ndërgjegjes së shoqërisë sonë mund t’i gjesh të gjitha llojet e kandrave, edhe nga ato më ngjitëset, edhe nga ato me viskozitet kalbësire, po edhe ato me bishtin ngjethës e më të gjatë nga ai që përmendëm. Por kur këto kandra të lejojnë luksin, së paku, të Sherratonit, pse t’i ngasësh të mjerat? Të kanë faj? Për më tepër, janë brenda teje dhe nuk i sheh njeri. Po me spiunët ç’kanë, xhanëm? Duhet të jesh i zoti, për të qenë spiun.
2. Sa keq që s’na bënë të tillë!
Kur unë këmbëngul se kjo nuk është e vërtetë, miku im më thotë: shiko Shqipërinë sot. Sa për Shqipërinë, po, kjo vazhdon të jetë qind për qind e vërtetë. Kandrat e spiunllëkut këtu janë majmur. Me të vërtetë ndihesh keq që nuk ke qenë dot spiun. Do të ishje dikushi, i pasuruar, i preferuar, elitar… Pa le që kauzën e hafijellëkut ngrihen dhe ta mbrojnë kaq e kaq koka të mëdha e të ndritura.
Po ka që edhe që të mbrojnë. Një mikut tim, i thotë një prift nga Gjermania Lindore se ne të Lindores na gjeti halli. Nuk na i pranojnë në punë pronarët në Gjermaninë Perëndimore ata si fëmijtë tanë që nuk qenë spiunë të Stazit. Ju jeni përbindsha, u thonë, ju nuk keni ditur të bini në ujdi me jetën. Si mund të jetosh, kur nuk di të biesh në ujdi me kohën? Ju nuk meritoni të jeni njerëz se për ca skrupuj të qelbur keni marrë më qafë veten, keni shkatërruar familjen. Shkoni të hani parimet. Me ju as sot nuk punohet.
Kur unë këmbëngul se kjo nuk është e vërtetë, miku im më thotë: shiko Shqipërinë sot. Sa për Shqipërinë, po, kjo vazhdon të jetë qind për qind e vërtetë. Kandrat e spiunllëkut këtu janë majmur. Me të vërtetë ndihesh keq që nuk ke qenë dot spiun. Do të ishje dikushi, i pasuruar, i preferuar, elitar… Pa le që kauzën e hafijellëkut ngrihen dhe ta mbrojnë kaq e kaq koka të mëdha e të ndritura.
3. Sofistë dhe denonciatorë
Me apori e me sofistikë ju problemin e spiunëve e quani një problem vetëm të së djeshmes. Me taktikën e sulmit ndaj Kadaresë ju dhe të tjerë doni ta shmangni vëmendjen nga boshti i problemit. Njihet vreri juaj dhe i një takëmi të pinjojve të diktaturës ndaj Kadaresë. Por vetëm se jeni kundër Kadaresë (dhe ju do të mbronit të gjithë djajtë me brirë veç ta dëmtonit shkrimtarin Kadare) ndaj në thelb po i mbroni spiunët? Problemi i spiunëve ta bën muu përpara syve, por nuk do ta shohësh. Spiunë e ish-spiunë janë ndër shokët tuaj, i keni në kokë të mediave. Dhe se janë media të tilla, me hipoteka në kohën e qepës, me njerëz që u mbajnë erë prapanicave të qelbura të politikës për të përfituar si të lyer e të zhyer që janë, ndaj në Shqipëri, nuk mund të ketë opinion publik të vërtetë e të ndershëm. Ti, mundet, si socialist idealist, je në parim kundër hapjes së hipotekave të pro nave dhe të dosjeve. Ti je që krimi të mbulojë krimin dhe, po të mundemi, të bëjmë ndonjë operacion të vogël në sipërfaqen e së sotmes. Ky lloj ideali socialist marksist që të karakterizon ty, mundet, edhe të mbron ty. Është e drejta jote të jesh i tillë a si të duash. Kjo po, dhe jo ato shtërzimet teorike që vijnë si makiazhe e si salcëra sipër përmbajtjes së atij shkrimi të pështirë: thërret në ndihmë dhe Shekspirin dhe Gëten, për të mbrojtur spiunllëkun. Aferim, more shekspirolog i hafijellëkut! Nga ana tjetër, jo vetëm PD-ja, edhe avokat Bezhani, edhe kush ka pasur mundësi, dosjet i kanë hapur e i kanë përdorur. Edhe ju Lubonjët për vete, po kështu. Mandej dosjet e mëdha ju i mbroni, se do të dëmtonin ata që sot janë të rëndësishëm për ju, se, siç deklaroi avokat Ngjela, ata janë “pasuri kombëtare”, se në rrethet pranë elitës dhe pushtetit janë shumë njerëz të tillë me peshë. Dosjet për gjynahqarët, për ata që kanë dalë nga loja, janë të hapura. Përfliten në Pazar me zë të lartë, siç pëshpëriten me zë të ulët për ata që janë me rëndësi. Të vijmë te problemi tjetër, pse të hapen dosjet e shkrimtarëve, se më shumë dëm kanë bërë veprat e shkrimtarëve, apo spiunimet e tyre. Ja dhe një shmangie shumë elegante nga problemi e shokut Fatos.Të merremi vesh: në shoqëri të tilla ideokratike, po të mos bashkëpunoje artistikisht me shtetin, nuk mund të ishje shkrimtar. Ti ke qenë në një familje që ka ngrënë bukë duke qenë në krye të propagandës më të lartë të Partisë. Ti e di që në atë kohë kështu ishte. Ti na njeh Gëten, mos njohësh ku mbusheshin me supë sahanët e familjes tënde. Për atë lloj letërsie që u bë atëhere dhe që është e hapur e në dritë të diellit, mund të diskutohet. Veç në kandarin e vlerave cilat peshojnë? Ato vepra që shkrimtarët i kanë bërë për të hedhur lumin, apo ato që i zhysin me kokë në komunizmo-nacionalizmo-simulimin tënd. Në se ju zoti Lubonja do të kërkoni pastërtira absolute, shiko tek vet ja se dhe ti mund të kesh ndonjë tekst të botuar që mund të ribotohet në të ardhmen te Antologjia e Servilizmit (një antologji të tillë sapo e kanë botuar në Beograd) dhe jo te Antologjia e Plagëve ku sot boton bashkë me shokun Visar Zhiti. Letërsia është letërsi, në është e mirë, unë e lexoj atë, le ta ketë shkruar Mao Ce Duni, apo më i persekutuari dhe më i poshtëruari prej tij. Shkrimtarët që kanë qenë shkrimtarë, të tillë mbeten edhe po të zbulohet se kanë qenë spiunë. Pak shkrimtarë dhe artistë kanë qenë spiunë, sadistë, kanë bërë punë të fëlliqura dhe janë me emër në historinë e latërsisë botërore? Por… Ata shkrimtarë, gazetarë e të tjerë që bashkëpunuan prapë me shikun a me shirin a me shishin, kanë mbetur në lojë edhe sot e gjithë ditën. Kanë përfitime. Bëjnë dëm të madh në të sotmen. Njerëzve të këtij kallëpi, ajo puna e dosjeve u djeg shumë e më shumë, të tillët ti del dhe i mbron, në mos qofsh - unë kurrë nuk e besoj - dhe vetë ndër ta. Neve që na kanë spiunuar, e ndiej më që prapë na spiunojnë. Unë i di dhe pi kafe me spiunët e mi. Sigurisht, ka që nuk i di dhe nuk do t’i di kurrë.
4. Hyzmeqarë të vjetër në shërbim të ri
Që politika nuk është për t’i hapur dosjet, dihet. Sa herë që bëhen zgjedhje tek ne, aparati i vjetër thirret prapë në lojë, shumë prej tyre i gjen në qendrat e votimit. Që spiunët e vjetër të fuqishëm janë prapë në shërbim dhe kjo dihet. Që dalin dhe i mbrojnë dosjet disa si ti ose dhe të tjerë njerëz koti, ja, kjo, dhe e gjithë pseja e kësaj, ende e tëra nuk thuhet. Mirë, dihet, ti ke inat me Kadarenë, je marksist në thelb dhe i del në mbrojtje të shkuarës për arsye ideologjike dhe emocionale; mirë zonja e bukur Hoxha që ka mbetur pa metelik dhe është hedhur në mediatikë se “mamaja” e ka lënë me gisht në gojë, pa një kokërr leku nga trashëgimia monetare e udhëheqësit të madh dhe të paharruar të popullit - i poshtri ia paska pasur edhe ai me hile Lilianës! Mirë dhe Baleta që është antijugor dhe anti Kadare i shpallur me ferman, pa është i përfolur pak dhe për “stilolapsi n” e tij - pastaj kush ia var vrangallen: ai gërr e gam e ka me të gjithë… Mirë, e mirë, e mirë… (T’i lëmë emrat e tjerë që duket ashiqare që janë fundërri e vozës së vjetër në shërbim të ri). Por e gjitha kjo të ngjan se ka një regji. Sa të thuash të hapen dosjet, mijëra heronj e alabakë ngrihen dhe bëhen barrikadë. Si burra të qëmotit. Pse? Në prapavijë, ish bosët e Sigurimit janë të fortë ende. Janë të gjallë, bëjnë nga një libër në vit kundra atyre që i kanë patur kundërshtarë për vdekje. Bëjnë shantazh tek të vjetër e të rinj. Vit për vit ata do të nxjerrin nga varrezat e paeksploruara të së kaluarës ndonjë kufomë, a ndonjë zë për ta ndëshkuar prapë të sotmen. Dikur na doli Trebeshina me zërin më të egër të mundshëm, një ish-themelues i Sigurimit të shtetit ky. Mandej na u fut në lojë dhe A. Pipa, dhe ky me një lloj dosjeje, siç flitet, si garanci për arratisjen. Tani, së fundi, na del dhe një libër për Bilalin e ndjerë. Dhe këtë mbase e fëlliqën, se Dritëroi thotë do të flasë p ër të mbas vdekjes, Fadil Paçrami e lë të nënkuptuar që dhe Bilali i ndjerë mund ta ketë kafshuar karremin e së keqes(?). Një profesor, kulturolog e kritik në Akademinë e Arteve thotë: po, ai bashkëpunonte me shtetin(?). Cili do të jetë viktima shkrimtar nesër? Ti nuk i hap dosjet, por avantazhin (shantazhin) e kanë në dorë ata. Kjo loja me spiunë nuk është kaq e thjeshtë. Nuk është as një çështje e natyrës kulturologjike, morale, humanitare. Shoqëria e sotme, aq e egër, nuk e çan shumë për pallavra të tilla. Ka shumë tentakula të së djeshmes që, kur të duan, e zënë për fyti të sotmen dhe e helmojnë për vdekje. Siç e kanë zënë. Të jetë Fatos Lubonja një mbrojtës i tipit idealist dhe humanist, shekspirilogist, për një kalbëri të tillë?
5.Ta drejtosh vendin me spiun; e me institucone?
Në një poezi të rinisë së tij, dramaturgu i famshëm suedez Ibsen shkroi për anijen që lundronte duke mbajtur një kufomë në hambarin e saj. Kufomabërësit janë gjallë dhe kufomat në anijen tonë janë me peshën e pamatë dhe me helmin e tillë që përditë po e kalbin shoqërinë tonë. Por disa njerëz që janë mësuar me këtë erë mbytëse, e quajnë fatkeqësi çlirimin nga barrët e mortit dhe të kalbjes. Politikanët tanë kanë qejf të flirtojnë me këto kufoma. Mjerimi u mbetet atyre intelektualëve, të tillët si Fatosi, që duke shtërnguar muskujt, sikur të ishin gladiatorë të arenave, na dalin për natë e na grijnë moral në arenat e mediave të sotme, por… aman, ju lutem, ju kam xhan, me të djeshmen e sigurimit mos na ngatërroni. Dhe mirë e kanë. Kjo është punë, mbase jo me mend, por me shumë e me shumë leverdi. Ç’të bëjnë ata, të dalin kundër vetes?
Kjo që thamë për atë anijen me kufomën në hambar, mund të shfaqë anën morale të problemit. Intelektualët shqiptarë thonë arkivat e huaja (shih Fe dhe kombësi në Shqipëri nga Dela Roka) tradicionalisht nuk janë shquar për vlera morale. Vetëm se nuk bëhet më fjalë për moral, kur kufomat nuk janë në hambar, por drejt e në timonin e anijes. Të gjithë ata që flasin se do të ndodhë ndonjë tragjedi shekspiriane po të hapen dosjet e ndiejnë se tragjedia nuk do të jetë vetëm morale. Është tragjedia e një mënyre të menduari, e një mënyre se si është drejtuar shteti, tragjedia e shumë njerëzve që janë të punësuar te djalli dhe që vazhdojnë të jetojnë kështu e jo ndryshe. Specialistët e vjetër të shërbimeve të diktaturës as që mund ta mendojnë se punohet edhe ndryshe, ndaj japin alarmin. Të gjitha shoqëritë, siç e thamë në krye të këtij shkrimi, kanë nevojë për shë rbime të këtij lloji. Por ama është shoqëria që i thërret dhe i drejton këto shërbime dhe jo e kundërta. Në shoqërinë tonë gjërat janë me kokëposhtë. Shërbimet a njerëzit e shërbimeve drejtojnë shoqërinë dhe shtetin. E në se gjërat vihen në vend, vërtetë nuk do të kemi kaos, por fundin e kaosit. Në Shqipëri ndodh që shefi i shërbimeve kërcënon kryeministrin e vendit, përdor median dhe bëhet gati t’i rrëzojë qeverinë.
Në Shqipëri shërbimet janë shtet brenda shtetit. Për këtë është punuar me kohë. Kryeredaktori i gazetës Zëri i … i thoshte një gazetari të sapopunësuar si i tillë: “partisë nuk i shërbehet vetëm duke bërë shkrime në gazetë, as se bën tregime dhe libra të bukura. Sa ka, edhe më të zotë nga ti, që dinë të bëjnë shkrime”. Në librin Vajza e Agamemnonit, rrathë-rrathë na jepet gjithë hierarkia e diktaturës, me intelektualët, politikanët, ushtarakët në atë që vlerat në atë shoqëri nuk ndaheshin vetëm për anën e dukshme të personit, por dhe për atë të paduks hmen. Për këtë absolutisht më shumë. Dypunësimin e kanë shpikur që më parë. Edhe monarku Zog kishte praktikën e kuadrove-spiunë, personalisht të tijtë. Pra nuk mund të ishje dikushi pa bërë dhe punën e hafijes, pa një gradë shoqërore të dukshme dhe një gradë tjetër në botën e hambareve të padukshme, botë e ferrit që të mbante në këmbë më tepër se kjo e dritës së ditës. Kjo praktikë e diktaturës u ndoq edhe në këto vite: ta drejtosh vendin me spiunë, jo me institucione. U rekrutuan me të shpejtë njerëz të dypunësuar, në hambar dhe në arë, u përdorën të vjetrit që nuk e kishin hall të konvertoheshin nga dy dhe tre herë (me PP, me PS, me PD, prapë me PS, edhe andej, edhe këndej, etj). Shiku i Berishës u dogj. Shishi desh rrëzoi Nanon. Kur thuhet të marrë fund kjo praktikë dhe të bëhemi një shoqëri serioze, atëhere dalin kasnecët e bodrumit e thonë se do të përmbyset bota. Në fakt një përmbysje e tillë e çliron dhe e emancipon shoqërinë, shtetin. Ne do të kemi më pak kuklla që fijet u a lëvizin duart e shtrigjëra të ferrit, do të kemi personalitete ndër gazetarët, shkrimtarët, profesorët, avokatët, politikanët, do të kemi një shoqëri që nuk drejtohet nga bodrumet e saj, por nga mendimi i lirë dhe i pavarur i vullneteve të çliruara. Në një vend me krizën e personalitetit nuk ka opinion publik të vërtetë. Në një vend pa opinion publik gjërat i mbeten politikës dhe ajo i bën punët çorap siç po i bën prej vitesh në Shqipëri. Por zërat që vijnë nga ferri, në një shoqëri që ende nuk do të dalë nga ferri i vetes, gjithmonë do të jenë të frikshëm dhe veçanërisht të rrezikshëm.
Komentoni
Artikuj te tjere
Hysni Bytyci: Kur mungojnë faktet mbretërojnë shpifjet
Ajet Nuro: Lamtumirë Bush, mirësevjen Obama!
Dhimitër Dishnica: Kosova dhe Çamria
Islam Dizdari: Kumtese ne Universitetin e Shkodres mbi mësuesin e nderuar Kolë Ashta
Jetimët në Shqipëri të harruarit nga shteti
Xhafer Leci: Dhembje dhe krenari për simbolin e lirisë dhe pavarësisë
Ilir Çumani: Kthimi i një dashurie të humbur...
Baki Ymeri: Maqedonia Multietnike dhe Albano-Maqedonia
Xhevat Rexhaj: Ushtria e shtetit më të ri me popullatën më të re ne botë
Afrim Krasniqi: Një President që duhet nderuar
Xhevat Rexhaj: Faleminderit Presidenti i SHBA-së George W. Bush
Ilir Çumani: Mirënjohje...
Pendesa europiane për holokaustin boshnjak
RaiUno: Skënderbeu, heroi i shqiptarëve dhe i Evropës
Eugjen Merlika: Dekomunistizimi, dosjet, dëmshpërblimet
Arben Llalla: ''Trimëria'' mashkullore e BDI përpara Skënderbeut
Xhevat Rexhaj: S'mund të pajtohem se ka vdekur Ibrahim Rugova
Besnik Kryeziu: Është e domosdoshme hapja e dosjeve edhe në Kosovë (Dhe një sqarim nga Redaksia ZSH!)
Adnan Abrashi: Dilemat rreth zgjedhjeve - ''Më e vjetër veja se pula''?!!
Edmond Dragoti: Jemi në momente dëshpërimi ekonomik dhe shpirtëror