Mendime
Adnan Abrashi: Dilemat rreth zgjedhjeve - ''Më e vjetër veja se pula''?!!
E shtune, 17.01.2009, 08:38 PM
DILEMAT RRETH ZGJEDHJEVE – “MË E VJETËR VEJA APO PULA”?!!
Nga Adnan Abrashi
Përveç aktit të shpalljes së pavarësisë, orientimi më të mëdha i investimeve si prioritet në infrastrukturën rrugore dhe ndërtimin e shkollave të reja edhe nëpër vise të largëta rurale që kaherë nga shoqëria jonë ishin të lënë në harresë, në vitin që e lëmë pas, pa dyshim se janë tregues më pragmatik të suksesit të madh të qeverisjes njëvjeçar të Thaçit dhe PDK-së. Se sa shumë për këto vepra janë mirënjohës banorët e këtyre anëve, na dëshmonë shumë shembuj konkret,
Një deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e PDK-së, një ditë më tregoi për një iniciativë interesante të disa banorëve të një fshati afër Prizrenit, për t’ia ndërtuar atij një përmendore. Dhe...çka ndodhi më pas me këtë iniciativë?
- “Nuk i lash unë”, – më tha në vazhdim deputeti jonë – “sepse ata i këshillova se askujt deri më sot nuk iu është ndërtuar ndonjë përmendore për së gjalli”.
Unë e morra si shembull vetëm këtë rastin konkret të një forme specifike të shprehjes së mirënjohjes për këtë Qeveri, të banorëve të një fshati afër Prizrenit, por, gjatë tërë vitit që e lëmë pas, të gjithë ne ishim dëshmitarë të kësi far promovimeve dhe prerjeve shiritash inaugurues edhe për shumë e shumë rrugë dhe shkolla tjera të reja anë e kënd Kosove.
A thua mundemi ne seriozisht t’i kuptojmë këta njerëz tejet falënderues? Pse ata prore, dëshirojnë t’i ndërtojnë dikujt përmendoren për së gjalli, vetëm e vetëm se ai ka kontribuar si ndërmjetësues në përmbushjen e ëndrrës së tyre të kamotshme: të kenë të asfaltuar disa qindra metra rrugë që lidh fshatin e tyre me qytetin? Ose, sa mundemi ne ta ndjejmë realisht atë krenari njerëzore, dhe ta ndajmë gëzimin tonë të përbashkët me vendasit e këtyre fshatrave, të cilët, me vite resht i kanë dërguar fëmijët nëpër shkolla të improvizuar kontejner, e sot, si obelisk, mu në mes të lagjes së tyre, triumfalisht ngrihet ndërtesa e objektit të ri shkollor, e ndërtuar thuaja me standarde më bashkëkohore?
Sikur po duket, Hashimi jonë po din shumë mirë se çka po bën me këtë punë!
Ku dua të dal me këtë mesele? Mu aty ku dhe “më dhemb dhëmbi”: te shpallja zyrtare e vendimit për mosmbajtjen s zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare këtë vit në Kosovë.
Në fakt, partitë që aktualisht janë në opozitë, me çdo kusht insistojnë për mbajtjen e tyre këtë vit (krahas atyre lokale), dhe si argument të fuqishëm për këtë qëndrim, mbështeten në një klauzulë të Dokumentit të Ahtisarit. Ndërsa, në anën tjetër, pozita e paraprirë nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi, parimisht janë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale këtë vit, por kategorikisht e kundërshtojnë mbajtjen e atyre të përgjithshme. Këta, për këtë qëndrim këmbëngulës, argumentet e veta i mbështesin në dispozitat pozitive të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në fuqi.
Nëse “rimë shtrembët dhe flasim drejtë”, sikur thotë populli, atëherë, pa duhet të pranojmë kurrfarë hile se, edhe pavarësia e Kosovës, por edhe vetë kjo Kushtetutë, janë produkte, apo rezultate të dala nga Dokumenti i Ahtisarit. Andaj, kjo lojë e paqartë interpretuese politike që po ngjan me ligjshmërinë e mbajtjes apo të mosmbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme këtë vit, figurativisht po më ngjason sikur ajo enigmë-batutë: “A është më e vjetër pula apo veja?!”
Bazuar në praktikat e shteteve moderne, në këso konflikte të ngjashme qëndrimesh, kryekëput si meritore do të vlej interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të atij vendi. E, te ne, edhe pse është dashur të bëhet kaherë ashtu, kjo Gjykatë as që është konstituuar fare. Mbase, edhe sikur ajo të ishte konstituuar, prapë se prapë kjo çështje, do të vendosej si gjithnjë: sipas vullnetit interpretues (interesit politik) të të tjerëve - ortakëve në sovranitetin tonë shtetëror dhe mbikëqyrësve të pavarësisë alla “sui generis” kosovar.
Ashtu edhe ndolli!
Po të mbaheshin Zgjedhjet parlamentare këtë vit, në to favorit potencial do të ishte Thaçi me PDK-në
Për momentin, sipas gjitha treguesve faktik në terren, mbajta eventuale e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare këtë vit, më së shumti do t’i shkonte në favor të vetë Hashim Thaçit dhe partisë së tij në pushtet!?
Në rend të parë, kjo parti ka elektorat standard prej 23-27% fanatikësh përherë besnik, të cilët, pa marrë parasysh rezultatet e arritura apo zotimet e paarritura gjatë Qeverisjes së gjertanishme të PDK-së dhe Thaçit, sigurisht do t’ia japin votën. Në këtë kuotë parashikuese, duhet të hyjnë edhe qindra të punësuar sipas përkatësisë partiake nëpër organet e ndryshme administrative të pushtetit dhe mira e mira familijarë të tyre
Më pas, gjithë ato kilometra rrugë të asfaltuara dhe dhjeta e dhjeta shkolla të reja të ndërtuara anë e kënd Republikës së Kosovës, për një vit mandati të kësaj Qeverie, nuk janë vetëm shtigje lidhëse ndërurbane dhe ndërtesa infrastrukturale që pa dyshim neve si shoqëri në përgjithësi, na bëjnë të ecim përpara, por edhe bagazh favorizues për Thaçin dhe PDK-n, që edhe më sigurt ta arrinin fitoren e dytë dhe më të madhe zgjedhore.
Kuptohet, këtë herë më të rehatshme se e para dhe me mandat te palëkundshëm katërvjeçar.
Këtij favori të cekur më sipër për POZITËN, duhet t’i shtohej edhe niveli i paritetit të dobët që po i bën OPOZITA aktuale asaj, e cila, përveç disa furtunave të lehta kritikash që nuk po qojnë aq peshë, më shumë po tregohet si dikush që e ka humbur rrugën në oborr të vetë, se sa që po na ofron ndonjë zgjedhje alternative më të mirë si zëvendësim për këtë gjendje kaotike që po mbretnin sot në Kosovë
Sido që të jetë, na qoftë për hajër!
Më në fund, u vendos ashtu si u vendos. Mu ashtu sikur edhe është pritur të vendoset: Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen këtë vit, kurse ato të përgjithshme parlamentare, në vitin 2011. Këtij vendimi të prerë, me aminin e vetë iu bashkëngjitë edhe shefi i Zyrës Ndërkombëtare në Kosovë (ICO), z. Pieter Feith, i cili, bazuar mu në klauzulat e po këtij dokumenti, është caktuar sot aty ku edhe është.
Por, në lidhje me këtë vendim të mosmbajtjes së zgjedhjeve parlamentare këtë vit, unë në vete ndjej një vegim të çuditshëm, i cili po më shpaloset si disfaror për PDK-në dhe Qeverinë Thaçi Dikush këtë mund ta merr si qesharake. Ama, sido qoftë, unë do ta them haptas atë.
A thua, mos ky prioritet aq i madh investues në ndërtimin e infrastrukturës rrugore (edhe të objekteve të reja shkollore) të kësaj Qeverie, e pritur shumë mirë dhe përkrahur fuqimisht nga një përqindje e madhe e popullatës së Kosovës, që pas 3 viteve (kur priten të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare), ka gjasa që atyre, kjo mund t’ju kthehet si bumerang me pasoja kontra - produktive.
Pse mendoj kështu?
Sepse, ku ta dimë ne se me çfarë kualiteti është bërë ai asfalt i shtruar aq shpejtë gjithandej?!
A thua, çka mund të ndodh pas 3 viteve me bindjet e këtyre njerëzve për Qeverinë, kur, ta zëmë, nëpër këto rrugë të ndërtuara shpejt e shpejt, atëherë fillojnë të hapen gropat dhe gjendja bëhet më zi se sa që ishte më parë (pa asfalt)?!
Jo, jo! Kjo nuk është shaka ...
Të lutem, o Zot! Largoi nga mendja ime këto dyshime të marra....!