E enjte, 28.03.2024, 05:53 PM (GMT)

Mendime

Edmond Dragoti: Jemi në momente dëshpërimi ekonomik dhe shpirtëror

E shtune, 17.01.2009, 12:33 PM


Edmond Dragoti
Edmond Dragoti
Edmond Dragoti: Shqipëria do ta përjetojë krizën botërore në mënyrë kaotike, duke pritur zhvillime të paparashikuara të ekonomisë
 
Jemi në momente dëshpërimi ekonomik dhe shpirtëror

Nga Albert Zholi

Edmond Dragoti është një nga psikologët më të njohur shqiptarë. Dhe pse kjo shkencë njihet pak në atdheun tonë, përpjekjet e tij dhe të kolegëve kanë bërë që dalëngadalë psikologjia të hyjë në familjet shqiptare si një risi jetësore e domosdoshme. Në këtë intervistë ai flet jo vetëm për ndikimin e krizës ekonomike në jetën ekonomike të shqiptarëve, vetvrasjet, por edhe për politikën, raportet e tij me të, ëndrrat e parealizuara, problemet e rinisë së sotme, por edhe për domosdoshmërinë e psikologut në familje.
 
Jeni një nga psikologët më të njohur shqiptarë. Shqipëria ka hyrë në krizë, duke iu bashkëngjitur krizës botërore. Sipas gjykimit tuaj ku mund t’i vërejmë elementët e krizës në Shqipëri?

Natyrisht, duke qenë një vend i vogël Shqipëria është vendi, që mund ta ndjejë më shumë ose më pak se vendet e tjera, krizën financiare botërore. Kjo duhet parë në të dyja aspektet. Së pari, ekonomia e një vendi të vogël është më fleksibile, ndryshon shpejt, dhe reagon e përshtatet menjëherë me ndryshimet e faktorëve të jashtëm. Por kjo ndodh vetëm nëse ajo do të ishte një ekonomi e strukturuar qartë dhe e stabilizuar, nëse tregu nuk do mbartë edhe elementë të kulturës tradicionale dhe nuk do ndikohej nga faktorë informalë e të paparashikuar. Në kushtet e një zhvillimi kaotik, Shqipëria do ta përjetojë krizën botërore në mënyrë kaotike, duke pritur zhvillime të paparashikuara të ekonomisë, që do të ndikohet më shumë nga dështimet dhe lëvizjet politike, se sa nga ritet tradicionale dhe inferiore të tregut vendas. Mendoj se ndikimet e politikës dhe ekonomisë do të jenë të lidhura me njëra tjetrën dhe do të ndikojnë njëra tjetrën. Në skenën politike priten trazira dhe konflikte të pashmangshme, shtyrje afatesh, mosnjohje rezultatesh, refuzime ndërkombëtare, bojkotime dhe manipulime vendase, protesta dhe demonstrime, që do shoqërohen me rrënim ekonomik, rritje të informalitetit në ekonomi, inflacion të lekut, ndërtime pa leje, konflikte pronash dhe varfërim e papunësi të mëtejshme. Një krizë e tillë do të transferohej më tepër në familjet dhe individin shqiptar, duke pakësuar shpresën dhe alternativat për të ardhmen, duke shtuar dhunën dhe krimet në shoqëri, duke e zvarritur më tej tranzicionin e kulturës dhe jetesës sonë.

Prej disa ditësh është rritur numri i vetëvrasjeve në Shqipëri. Mendoni se këto vetëvrasje kanë lidhje me krizën ku ka hyrë Shqipëria apo janë statistika të përngjashme me shoqëritë e tjera perëndimore?

Vetëvrasjet aktuale në Shqipëri janë të lidhura drejtpërdrejt me krizën dhe depresionin, që po kalon shoqëria jonë. Jemi në momente dëshpërimi ekonomik dhe shpirtëror. Dhe kjo ndihet më tepër në reagimet individuale, kur shumë njerëz e kanë të pamundur të gjejnë një dritë në tunelin e errët të shoqërisë së sotme, kur pesha e dështimit ekonomik shoqërohet dhe rëndohet më tej me paaftësinë për të mbijetuar në kushtet e mungesave totale shoqërore, shpirtërore, ekonomike dhe civile. Tensioni shoqëror në rritje transferohet në kriza individuale dhe familjare, që shpesh konvertohen në vetëvrasje. Shqipëria historikisht ka zënë vendet e fundit në nivelin e vetëvrasjeve, por sot përjeton dukuri të panjohura më parë, që shpesh janë tipike vetëm për vendin tonë. Si p.sh, vetëvrasjet në botë ndodhin kryesisht tek burrat dhe të moshuarit, ndërsa në vendin tonë rastet më të shpeshta janë tek gratë dhe të rinjtë.

Sa ndikon kriza botërore në besimin e njerëzve. A mendoni ju se mund të flasim për Shqipërinë si një vend në depresion?

Papunësia, të ardhurat e ulëta, pensionet inferiore, pamundësia e familjes për tu përshtatur me kulturën individualiste të tregut të lirë, korrupsioni galopant qeveritar, madje edhe kriza e opozitës politike, superprodhimi i mashtrimit dhe gënjeshtrave politike, absorbimi i pakët i kulturës qytetare, rritja e konsumit të kulturës tradicionale të hakmarrjes e gjakmarrjes, transferimi dhe shpërndarja totale e dhunës nga familja në shoqëri, në politikë, në biznes dhe në qeverisje kanë sjellë pakësimin dhe shuarjen e alternativave të mbijetesës. Në kushtet kur hajduti thërret “kapeni hajdutin”, është e pamundur të ruhet besimi në rritjen dhe suksesin e shoqërisë. Prandaj shoqëria jonë po konsolidon më tej rënien shpirtërore, humbjen e shpresës dhe perspektivës shoqërore, rrënimin ekonomik të individit, krizën e kulturës kolektive në kushtet e tregut të lirë dhe anksiozitetin që krijojnë mungesat dhe humbjet e vazhdueshme, pa pasur mundësi të ngresh kokë. Kjo situatë rrezikohet më tej nëse depresioni bëhet plotësisht shoqëror dhe i qëndrueshëm.

Shqipëria ka hyrë në vitin e zgjedhjeve. Sipas mendimit tuaj a janë të lidhur shqiptarët me politikën po aq sa ishin në fillim të viteve 90-të. Çfarë ka ndryshuar në besimin dhe aspiratat e tyre?

Shqiptarët janë akoma shumë të lidhur me politikën, sa kohë që kanë paga të ulëta, pensione të papërfillshme, nuk kanë punë apo kanë punë të pasigurt, nuk kanë pronë të mjaftueshme dhe sigurime shoqërore e shëndetësore të pavlershme, që nuk u bëjnë ndonjë punë, që më tepër luftojnë për një shtëpi se sa për të hapur një biznes, sa kohë, që vazhdojnë të kujdesen e të kenë përgjegjësi ekonomike e morale për njëri tjetrin dhe jo vetëm për vete. Por, ndryshe nga interesat politike të fillimit të viteve ‘90-të, që ishin të frymëzuara me idealizmin e shndërrimeve politike, shoqërore dhe ekonomike dhe me shpresën tek demokracia perëndimore, sot shqiptarët kanë më pak ose aspak besim tek politika. Ata janë zhgënjyer prej saj dhe sidomos nga mungesa e sinqeritetit të saj. Megjithatë, mungesat e mësipërme i bëjnë shqiptarët të jenë ende të varur nga politika, si i mbyturi, që kapet pas fijes së kashtës për të shpëtuar.

Ju jeni një nga personalitetet më të njohura në fushën e psikologjisë. Sipas mendimit tuaj sa efekte ka politika e dhunshme dhe tranzicioni i gjatë tek njerëzit e thjeshtë?

Dhuna politike shfaqet dhe zhvillohet më tej edhe në shoqëri, bëhet pjesë e saj, ose politika shërben si justifikim i saj. Ndërkohë, që tranzicioni zgjat pa fund nga vulnerabiliteti, korrupsioni, arbitrariteti, dhe agresiviteti i qeveritarëve; nga përpjekjet personale të politikanëve për të zgjidhur vetëm probleme personale të vetes dhe familjes së tyre dhe jo të shoqërisë. Por më tepër nga paaftësia e drejtuesve të pushtetit dhe për të mobilizuar burimet njerëzore, materiale dhe shpirtërore të vendit. Politika shqiptare ka shumë kohë, që nuk ka drejtues vizionarë. Ata kanë mbetur në kufijtë e fshatit nga kanë ardhur.

Brezi i ri ka evoluar. Por në kohërat e sotme ai po takohet rëndom që në bankat e shkollës me drogën, prostitucionin, luksin e tepërt. Sa e rëndësishme është familja për të riun e sotëm dhe çfarë duhet të bëjë shoqëria me ligjet e saj për ta futur në brazdë rininë e sotme shqiptare.


Duhen studime të tëra për të kuptuar dhe analizuar realitetin e sotëm dhe të nesërm të brezit të ri. Është e vetmja shpresë për ndryshimin e vendit, por që shpesh na lë pa shpresë. Problemet e sotme si droga, prostitucioni, apo luksi i konsumit të gjithçkaje: kohës, parave, lirisë dhe pafajësisë moshore e zgjasin tranzicionin e brezit të ri drejt pjekurisë shoqërore. Të rinjtë e sotëm piqen më vonë se më parë si qytetarë të përgjegjshëm. Ndërkohë që kufijtë e pjekurive të tjera, intelektuale, emocionale dhe seksuale janë ulur më shumë. Problemet e sotme burojnë nga tranzicioni i zgjatur social, politik e ekonomik, por edhe nga konflikti i kulturave kolektiviste dhe individualiste, nga zhvillimi kaotik dhe i paorientuar i shoqërisë, nga mungesa e identitetit të shoqërisë shqiptare dhe si pjesë e papjekurisë së saj qytetare. Vetë shoqëria jonë është në nivelet e demokracisë foshnjore, prandaj edhe rinia është e pasigurt, e hallakatur, e braktisur, e paorientuar dhe e lirë të vuajë mungesën e shpresës dhe të perspektivës së saj. Vetëm duke forcuar zhvillimin shoqëror mund të përmirësojmë edhe brezin e ri.

Kërkesat për luks të tepërt, pasuri duket se janë kërkesat më të zakonshme tek shqiptarët. Por thuhet se paraja nuk sjell lumturi. Sipas mendimit tuaj çfarë e sjell sot lumturinë tek njeriu modern?

Lumturia e sotme lidhet me shumë faktorë, që ndikojnë kushtet e sotme të jetesës. Dhe në rashë të parë, është krijimi i identitetit personal, suksesi shoqëror dhe në karrierë, rritja e të ardhurave dhe një status shoqëror në ngritje. Të jesh i rëndësishëm për veten, familjen dhe të tjerët është një nga nevojat bazë të njeriut të sotëm. Por të jesh i aftë të përshtatesh me sukses me realitetin që ndryshon shpejt, të rritësh dhe të trashëgosh vlerat e vetes është mundësia për të mbijetuar me sukses në shoqëri. Njeriu i sotëm është i lumtur kur matet dhe sfidon vazhdimisht kohën e pamëshirshme dhe realitetin imponues, dhe kur ai ka sukses në këtë përpjekje të përjetshme, atëherë fiton pavarësinë individuale dhe statusin e personit të integruar në shoqërinë e kohës.

Ju jeni ndër të parët profesorë që keni dhënë psikologji. Ç’rrethana ju çuan në studimin e psikologjisë?

Rrethana krejt rastësore dhe të pa menduara më parë. Kështu, i diplomuar në letërsinë dhe gjuhësinë shqipe dhe të huaj, pas një periudhe tre vjeçare si mësues në fshatrat e Skraparit, njohjet dhe kontaktet rastësore më mundësuan kualifikimin pasuniversitar në psikologji. Më pas u përzgjodha për të dhënë psikologji në Universitetin e Tiranës. Ishte një degë, që e doja, që në fillim dhe duke qenë edhe një natyrë optimiste, iu kushtova me shumë dëshirë dhe pasion, duke u zhytur gjithnjë e më shumë në pamundësinë e njohjes së botës sonë.

Drejtoni dhe një institut. Cilat janë rezultatet e institutit tuaj dhe cilat janë rezultatet ndër vite?


Duke drejtuar një organizëm joqeveritar gjithmonë kam pasur kënaqësinë, luksin dhe ndjesinë e punës së pavarur shkencore. Çdo studim, proces trajnimi apo hartimi politikash në Institutin e Studimeve të Opinionit Publik ku punoj unë, është një njohje e mëtejshme e realitetit shqiptar, do të thotë të kuptosh dhe të dish më tepër, pra zhvillon më tej ndjenjën intelektuale. Kemi bërë shumë studime të probleme sociale të shoqërisë sonë të sotme si problemet e drogës, prostitucionit, krimeve, dhunës në familje, të përhapjes së HIV/AIDS-it dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, të reformës në shëndetësi dhe arsim, të emigracionit dhe eksesit shëndetësor, të ndikimeve mjedisore dhe tranzicionit rinor, të gjakmarrjes dhe përkatësive fetare, të integrimit të grave të burgosura dhe sjelljes seksuale të të rinjve, të shëndetit mendor dhe atij riprodhues.

Na flisni pak për veten tuaj. Kush është profesor Edmond Dragoti dhe cilat kanë qenë betejat e ashpra të jetës së tij deri më sot. Përgjithësisht kush ka qenë motoja e jetës suaj?

Kam dashur gjithmonë të mat vlerat e mia personale me vështirësitë dhe sfidat e jetës. Dhe besoj se ia kam dalë me sukses. Është e rëndësishme të jesh sadopak faktor i nevojshëm dhe i rëndësishëm në familje, në grupin e vogël shoqëror apo më gjerë. Sfida e parë e suksesshme në jetën time ka qenë diplomimi në psikologji dhe më pas zgjedhja dhe emërimi si pedagog në Universitetin e Tiranës, në një kohë, që këta tregues arriheshin me shumë vështirësi në vitet ‘80-të. Më pas do të përmend pjesëmarrjen aktive me studentët e mi në demonstratat dhe grevat e vitit 1990 dhe në krijimin e pluralizmit politik, shoqëror dhe kulturor të vendit. Është një ngjarje e madhe historike në jetën e njeriut, që jo vetëm të jetë dëshmitar, por edhe aktor në përmbysjen e sistemit shoqëror e politik të një vendi. Por është akoma më e vështirë dhe historike veprimtaria aktive si aktor i ndërtimit të sistemit të ri politik. Prandaj, që në fillim u përfshiva edhe në jetën politike të vendit, për tu shkëputur tani së fundi prej saj. Në jetën time gjithmonë kam dashur të bëj sa më shumë dhe sa më mirë për veten, familjen, shoqërinë dhe për vendin.
 
A jeni një njeri i lumtur. Kush ka qenë eliziri i lumturisë suaj në jetë?

Duke qenë natyrë optimiste e përjetoj herë pas here edhe lumturinë pjesërisht personale dhe kryesisht shoqërore. Lumturia është një gjë e madhe, zakonisht është ajo, për të cilën luftojmë dhe nuk e arrijmë asnjëherë. Përkundrazi, kur e arrijmë, atëherë ajo nuk ekziston më. Prandaj përpiqem, punoj dhe luftoj vazhdimisht. Është e vetmja mënyrë të ndihesh i gjallë; që mbijeton; që ke sukses; që u përket të tjerëve dhe që ata të përkasin ty; që jep, dhuron, transmeton dhe shpërndan diçka, që u duhet të tjerëve; që, megjithatë, edhe ti rrotullohesh bashkë me botën. Mendoj se të tjerat të bëjnë më pak të lumtur.
 
Vështirësitë e të bërit karrierë

Karriera nuk është e lehtë brenda brezit tënd. Karriera akademike ndryshon edhe nga rivaliteti i tregut të lirë, i biznesit apo i politikës, ku mjafton të jesh agresiv dhe intuitiv për të pasur sukses. Karriera akademike kërkon jo vetëm një volum shumë të madh, selektiv dhe cilësor të informacionit profesional dhe kulturës së përgjithshme, por edhe një praktikë dhe shprehi të realizuara, të arritura dhe cilësore në raportet me shkencën, profesionin, komunikimin, didaktikën, dhe në përgjithësi një orientim të gjerë dhe të thelluar profesional. Duhet të akumulosh vazhdimisht informacion, shprehi dhe shkathtësi profesional duke investuar vullnet, dëshirë, pasion, kohë, emocione dhe durim pa fund. Prandaj investimi në politikë dhe biznes, në shumë raste humbet shumë më shpejt se sa investimi në profesion dhe karrierë.
 
Lidhja me politikën

Kam qenë i lidhur fillimisht me lëvizjen demokratike të viteve 90-të, kam qenë aktiv por edhe idealist, sepse duke qenë intelektual në karrierë, preferova më mirë të jepja më shumë se sa të merrja nga politika. Sot politika ka një natyrë tjetër, është më pragmatiste dhe më pak intelektuale. Si e tillë nuk të jep mundësinë të jesh njëkohësisht politikan dhe intelektual. Duhet të zgjedhësh vetëm njërën prej tyre. Dhe unë kam zgjedhur intelektualin.
 
Pengu në jetë

Natyrisht, që kam. Për shembull, në fëmijëri doja të bëhesha mjek, por kushtet nuk më favorizuan. Dhe vazhdoj të besoj se do të isha bërë një mjek shumë i mirë. Por vazhdimisht kërkoj më shumë nga vetja, i vë vetes qëllime dhe objektiva për ti arritur, dhe kjo më bën të ndihem i plotë. Sapo realizoj një qëllim, gjej një tjetër, dhe i futem përsëri punës për ta arritur.
 
Urimi për gjithë shqiptarët

Do të uroja të gjithë bashkëkombasit e mi të kenë besim tek vetja, familja dhe shoqëria e tyre, se vetëm me punën tonë, së bashku, me dashurinë për jetën dhe me përpjekje racionale dhe të vazhdueshme të zhvillojnë veten dhe vendin. Pra më shumë dëshira, plane, qëllime, punë, para, vullnet, shoqëri, dashuri dhe shëndet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora