E premte, 29.03.2024, 03:37 PM (GMT)

Mendime

Mufail Limani: Mbështetje për Izraelin

E merkure, 14.01.2009, 06:31 PM


Mufail Limani
Mufail Limani
Mbështetje për Izraelin

Kosova, si rast botëror që tronditi themelet e asaj që konceptohet si “sovranitet shtetëror“, në emër të rrezikut të zhdukjes së një populli, ka një obligim specifik që së paku të shprehet e ndjeshme ndaj të gjitha rasteve kur bëhet fjalë për përpjekje të ngjashme

Nga Mufail Limani

Izraeli

Izraeli? Palestina? Pikëpamje themelore kosovare është se bën mirë qeveria jonë që nuk deklarohet. Sepse nga arabët presim numër të mirë të njohjeve; ndërsa edhe nga Izraeli po ashtu presim njohje. Por, përderisa e kuptoj deri diku heshtjen e qeverisë sonë, e cila vazhdon ta ketë pas vetes këtë matematikë dhe këtë perceptim, për vete do ta përshëndesja një deklarim të hapur të Kosovës zyrtare në mbështetje të Izraelit. Për vete, besoj se qeveria e Kosovës do të duhej të mbështeste hapur luftën e Izraelit kundër terroristëve të Hamasit, përderisa ata dhe mbështetësit e tyre e propagandojnë dhe luftojnë të drejtën e ekzistimit të shtetit dhe popullit hebre. Kosova, si rast botëror që tronditi themelet e asaj që konceptohet si “sovranitet shtetëror“, në emër të rrezikut të zhdukjes së një populli, ka një obligim specifik që së paku të shprehet e ndjeshme ndaj të gjitha rasteve kur bëhet fjalë për përpjekje të ngjashme.

Të gjithë shohim pamjet televizive ku civilët palestinezët janë viktima. Por, përgjigja në pyetjen se viktimë e kujt janë ata, ka gjithsesi më shumë se një përgjigje të thjeshtë. Ai rrëfim nuk ka se si të kuptohet pa pasur parasysh edhe deklarimet dhe përpjekjet e hapura të Hamasit, Hezbollahut, Iranit e të tjerëve, që të zhbëhet shteti dhe populli i Izraelit.

Por, përveç aspektit të shfrytëzimi të së drejtës për deklarim në skenën ndërkombëtare, mbështetja zyrtare kosovare për Izraelin do të kishte, besoj, një ndikim të mirë edhe brenda vet shoqërisë kosovare. Kjo do të ishte një shenjë se Kosova përfundimisht është mjekuar nga mentaliteti i të painkuadruarëve, nga titizmi dhe, rrjedhimisht, nga perceptimet e ngulitura antiamerikane e antiperëndimore, të kultivuara në të gjitha shoqëritë ish-komuniste, e edhe në Kosovë.

Demokracia kineze

Në shkrimin e djeshëm, Halil Matoshi e mori rolin e pleqnarit të debatuesve të Express-it, duke u thirrur disi në parimin e përparësisë së ardhmërisë ndaj të së kaluarës. Por, ai dhe pleqnarët e tjerë e bëjnë një gabim elementar: tema e komunizmit, në fakt, nuk është një diskutim i kotë për borën e parvjetme, por pikërisht ardhmëria.

Sepse Kosova ende ballafaqohet me mendësinë dhe praktikat e trashëguara komuniste dhe shembulli eklatant i paragjykimeve tona ndaj Izraelit është vetëm njëri nga ta. Por, pajtohem se është mirë që Hamasi është larg dhe që s’ kemi pse humbim tepër kohë me ngjarjet e atjeshme. Të kthehemi në rrethanat tona.

Si e shoh unë, e vetmja gjë që e dallon këtë sistem të tashëm nga ai komunist është vazhdimi i ekzistimit legal të opozitës. Por, me dy partitë më të mëdha të vendit, të bashkuara në një koalicion që pretendon se përfaqëson Unitetin Kombëtar, edhe vet arsyeja e ekzistimit të opozitës po bëhet gjithnjë e më diskutabile.

Dhe, po qe se PDK-LDK paraqiten në koalicion të hapur ose të fshehur edhe në zgjedhjet e paralajmëruara lokale, mua më duket se do të jemi një hap pranë modelit kinez të demokracisë (sistem njëpartiak + ekonomi tregu). Dhe, tepër larg nga synimet reale pluraliste të Perëndimit. Si e shoh unë, PDK dhe LDK aktualisht e kanë marrë rolin e Frontit të dikurshëm Popullor, që thuhej se mblidhte të gjitha forcat përparimtare, ndërkohë që betejat e kohëpaskohshme për primat brenda atij formacioni mbeten shenja të vetme të jetës politike pluraliste të vendit.
A është kjo gjendje pranim i një realiteti sipëror që projekton veten nga sfera ideale të universit mistik, ose kemi të bëjmë me mbijetesën e mendësisë komuniste?

Fëmijët e Elizabetës

Në shkrimin tim për diskutimin e hapjes së dosjeve të komunizmit, për ta shprehur disi përjetimin tim të kësaj pune, kam sjell shembullin e Elizabetës, e cila është mbajtur dhe abuzuar ne bodrum nga i ati për 24 vjet. Nuk e kam përmendur se gjatë asaj kohe ajo kishte lindur shtatë fëmijë në incest. Dhe, nuk e kam përmendur se mund të jetë e vërtet se të gjithë ne jemi në një mënyrë Fëmijë të Elizabetës. Se mund të jetë që ne të gjithë të jemi fëmijë ose nipa të mendësisë komuniste. Por, për të gjitha ata që nuk e kanë kuptuar pa e thënë, po e them tash- se ata fëmijë duhet të mblidhen rreth Elizabetës, dhe jo rreth monstrumit Jozef Fricël.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora