E enjte, 28.03.2024, 05:22 PM (GMT)

Mendime

Bedri Blloshmi: Zonja Ina Rama, pse nuk i ndiqni penalisht ata që dënuan me falsifikime ish-të përndjekurit politikë

E shtune, 10.01.2009, 03:11 PM


Zonja Ina Rama, pse nuk i ndiqni penalisht ata që dënuan me falsifikime ish-të përndjekurit politikë

Nga Bedri Blloshmi

Kryetarja e akuzës, prej kohësh refuzon t’i përgjigjet letrës time zyrtare, në të cilën kërkohet ngritja e akuzës për të gjithë ata xhelatë të regjimit komunist, të cilët fabrikuan prova e dënuan pa ligj dhjetëra mijë ish-të përndjekur politikë. Me apelin publik, i kërkoj zonjës Ina Rama të japë përgjigje për këtë çështje

Prokurores së përgjithshme të Shqipërisë, Znj.Ina Rama!
Unë që po ju shkruaj jam një person që vuaj qysh prej 31 vjetësh nga pesha e dhimbjes. Familja jonë qysh në vitin 1944 i ka filluar tragjedia me derdhje gjaku. Nga sistemi gjakatarë kemi provuar pushkatime e burgosje, sekuestrime dhe internime. Bota e qytetëruar në të gjitha kohërat kriminelët nuk i ka falur. Sado që të fshihen, sado vite të kalojnë, xhelatët janë nxjerrë përpara drejtësisë madje edhe pas vdekjes. Tek ne ndodh e kundërta, dekorohen. KE mbas shumë përpjekjesh ia arriti të nxjerrë një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit për vendet ish-komuniste ku përfshihet edhe Shqipëria. Parlamenti ynë e ka bërë këtë ratifikim duke e votuar vetëm pjesa e djathtë. Në kuadër të kësaj rezolute për aq më tepër në Shqipëri siç do gjë tjetër dhe në prokurori janë shkelur ligjet e asaj kohë. Konkretisht në gjyqin e montuar e të organizuar nga komiteti i partisë, komiteti ekzekutiv, dega e brendshme dhe gjykata e rrethit të Librazhdit në qershor të 1977.
Tirania gjysmëshekullore ndaj familjes Leka dhe Blloshmi tani vazhdon në inat e mospërkrahje. Ligjet i njoh shumë mirë ndaj e kam konstatuar që kanë shkelur ligjet e kohës së tyre. Kam bindjen e palëkundur - dhe kjo është fakt - se në institucionet tona shtetërore i gjendet njeriut punë dhe jo punës njeriu. Ata që thirren profesionistë nëpër gjykata e prokurori, ne i quajmë xhelatë. Kam siguruar materiale të nevojshme dhe të mjaftueshme për të hapur këtë gjyq, sepse aty janë shkelur ligjet e kohës nga drejtuesit e këtyre institucioneve, të orientuar dhe nga vendi ku buronte e keqja ministria e brendshme. Në këtë gjyq të montuar sipas dëshirës së tyre u dënuan me vdekje dhe pushkatuan dy djem të rinj, dy poetë e mësues, të cilët njihnin dhe flisnin disa gjuhë të huaja. Besoj se ligji i trajton njëlloj xhelatët e çdo kohe. Duhet të keni dëgjuar se nazistët edhe pas 70 e më shumë vjetësh - para e pas vdekjes - i kanë ndjekur këmba-këmbës dhe i kanë ndëshkuar. Ju si prokurore duhet të qëndroni larg keqardhjes. Edhe nëqoftëse mund të zbulohen lidhje miqësie apo biznese të përbashkëta. Ajo karrige nuk duhet të përdoret për shpërdorime të tilla. Mëshira duhet mbajtur fort prej kapistalli, ndryshe do vazhdojë rrugën hataja. Ju po dëgjoni tone të hidhura por edhe një realitet. Nuk do ndahem asnjë çast në rrugën time për të gjetur se ku e ka folenë drejtësia. Zotëruesit e ligjit duhet t’i shembin iluzionet se disa gjëra duhen harruar apo anashkaluar. Ju nuk duhet të mendoni apo gjykoni për të mos i gjykuar asnjëherë vrasësit. Tek ne, ngaqë kemi heshtur, janë ngritur mëkatarët. Jemi të detyruar ta kërkojmë këtë gjykim sepse varret pëshpëritin “shpëtoni te vdekurit, se nata e errët duhet të mbarojë”. Ne të ndëshkuarit padrejtësisht e urrejmë padrejtësinë, se kemi mbetur nën peshën e dhimbjes torturuese dhe shumë larg nga përkrahja e ligjit. Çdo shtytje, heshtje nga ana juaj apo zvarritje do ta konsideroja një gjunjëzim para ligjit.
Sepse e gjithë ajo lukuni kriminelësh kanë shkelur ligjet e kohës se tyre. Në këtë gjyq prej 6 ditësh ne kinemanë e Librazhdit, u dhanë dy dënime me vdekje e u pushkatuan me 17 korrik 1977 Genc Leka, Vilson Blloshmi. Unë nuk do mendoj kurrë se duhet menduar se do t’i fal këta vrasës e shkatërrues të jetës e të familjeve tona. Gjithsesi cilidoqoftë reagimi apo dëshira juaj unë kërkoj një përgjigje zyrtare, për të nisur rrugën në Gjykatën Ndërkombëtare.
Për të provuar që nuk mund të harrojë, dhimbja me ka nxit madje më ka ngelur në mendje disa rreshta të shkrimtarit V. Hygo: “Për ata që kanë humbur njerëzit e tyre, dhimbja mbetet dhe vazhdon e pandryshueshme, si në ditën e parë të humbjes. Sado që kalon koha sado të zbardhen rrobat e zisë, zemra mbetet gjithmonë e zezë”.
Po përsëris, do e përsëris, e nuk do të ndalem derisa juve si prokurore të detyroheni jashtë detyrës tuaj të më ktheni një përgjigje zyrtare, cilidoqoftë reagimi juaj. Kaloi muaji kësaj kërkese. Unë detyrohem ta përsëris.

Kërkuesi
Bedri Blloshmi

Detyrohem ta bëj pubklike këtë letër, për shkak se nuk kam marrë përgjigje zyrtare nga ana e kreut të institucionit të akuzës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora