E shtune, 20.04.2024, 03:01 AM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: Flet ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë

E hene, 05.01.2009, 05:13 PM


Flet ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt 
 
Tre detyrat e politikës shqiptare, lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi, zgjedhje të lira

Nga Albert Zholi
 
Kërkesës së gazetës “Telegraf”, për një intervistë ambasadori i Republikës Feederale Gjermane në Republikën e Shqipërisë, z. Bernd Borchardt ju përgjigj menjëherë. Në këtë intervistë ekskluzive z. Bernd Borchardt, flet për marrëdhëniet Gjermani-Shqipëri, ditën e ardhjes në Tiranë, problemet qe has sot shoqëria dhe ekonomia shqiptare, krizën ekonomike botërore, rolin e statusit aktual të Kosovës, ambientimin me Tiranën dhe ndalet në mënyrë të veçantë tek detyrat që ka përpara politika shqiptare në vitin 2009.

Z. Ambasador si janë aktualisht marrëdhëniet Shqipëri- Gjermani dhe kryesisht ku konsistojnë ato ?

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Një gjë e tillë dëshmohet më së miri edhe përmes shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë: Kryeministri Berisha vizitoi në tetor 2008 Berlinin me ftesë të kancelares gjermane Merkel, presidenti i Bundestag-ut Gjerman Dr. Lammert ishte gjithashtu për disa ditë në Shqipëri në maj të vitit që sapo lamë pas. Veç kësaj qeveria federale mori në tetor 2008 një vendim të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe: Ne i kemi rritur më shumë se dyfishi fondet për bashkëpunimin për zhvillim. Kështu Gjermania, këtë vit ka vënë në dispozicion të Shqipërisë më shumë se 90 milion euro për projekte të përbashkëta. Fondet e vëna deri tani në dispozicion nga Gjermania për zhvillimin e Shqipërisë arrijnë në mbi 800 milionë euro. Krahas shkëmbimit të vizitave kemi pasur edhe një shkëmbim kulturor intensiv dhe të kënaqshëm . Gjej rastin të kujtoj këtu aktivitetet e zhvilluara me rastin e „Tetorit Gjerman“, në kuadër të së cilit ne prezantuam kulturën gjermane , po edhe eksperiencën tonë me kapërcimin e së kaluarës komuniste.

Para se të vinit në Shqipëri si e njihnit atë dhe cilat ishin përshtypjet tuaja të para për të pasi zbritët në Rinas?

Kur mbërrita në Rinas, më 30 korrik 2007, mbeta i impresionuar nga aeroporti shumë modern dhe më pas gjatë rrugës për në qytet nga zhvillimi kolosal që kishte pësuar Tirana gjatë 11 vjetëve që nga vizita ime e fundit në vitin 1996. Autostrada, shumë biznese dhe një aktivitet i gjerë në fushën e ndërtimit: Të gjitha këto në atë kohë ishin vetëm në fillimet e tyre. Gjithashtu edhe gjatë shëtitjeve të shumta nëpër qytet kam parë ndryshimin e madh që nga viti 1996. Por nga ana tjetër kam pasur rastin të udhëtoj edhe në shumë pjesë të tjera, në zonat rurale të Shqipërisë. Aty mund të shihet mjaft qartë, se ç'detyra të mëdha e presin ende vendin tuaj.

A ju kishte shkuar ndërmend më parë se një ditë do të vinit në Shqipëri dhe si e pritët këtë emërim?
Në vitet 1998/99 kam qenë zv/shef i misionit të OSBE-së në Kosovë dhe pavarësisht nga situata e vështirë kam punuar me dëshirë aty. Asokohe konstatova, se më pëlqente rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe prandaj i kërkova ministrisë së Jashtme të më dërgonte sërish me shërbim në këtë rajon. Kështu, kur erdhi vendimi për dërgimin tim në Tiranë, u gëzova shumë.

Cilat janë të veçantat që keni parë tek populli shqiptar dhe a jeni ambientuar me Shqipërinë?


Te Shqipëria më pëlqen shumë kombinimi i elementeve të kulturës mesdhetare me ato ballkanike. Në këtë aspekt Shqipëria është krejt ndryshe nga pjesët e tjera të Ballkanit që kam njohur. Kjo ndjesi shumë veçantë e të jetuarit që unë perceptoj këtu, më pëlqen dhe bën që të ndihem shumë mirë në vendin tuaj.

Cilat vende kryesore të Shqipërisë keni vizituar dhe mund të na përcillni përshtypjet tuaja për to?

Kam udhëtuar shumë nëpër Shqipëri. Një destinacion i rëndësishëm mbetet Korça dhe Pogradeci, ndër pikat kyçe të bashkëpunimit për zhvillim gjermano-shqiptar. Veç këtyre kam vizituar dhe rajone të tjera në jug dhe veri të vendit. Gjatë këtyre udhëtimeve mbetem gjithmonë i mahnitur nga bukuria e natyrës së vendit tuaj, nga ndryshimet e mëdha mes rajoneve të veçanta dhe sidomos nga mikpritja shumë e madhe, e cila është kudo karakteristike.

Klima e Tiranës, ambientet e saj, ushqimi tashmë a janë bërë praktike dhe të pranueshme në jetën tuaj. Pra a i jeni përshtatur Tiranës në të gjitha detajet e saj?

Në pjesën më të madhe të vitit, klima e butë, mesdhetare e Tiranës më duket mjaft e këndshme. Por në verë, herë pas here për mua, si një njeri që vjen nga veriperëndimi i Evropës, është shumë nxehtë. Ashtu si shumë nga kolegët e mi jam i impresionuar nga restorantet e shumta të mira të kryeqytetit. Më së shumti është kënaqësi të shkosh diku për të ngrënë këtu. Ajo që më duket shumë e lodhshme këtu, është të ngasësh makinën: Rregullat e qarkullimit në Ballkanin Perëndimor ja vështirësojnë pak të ngarët e makinës një europiano-perëndimori.

Aktualisht në vendin tuaj ka emigrantë shqiptarë, A jeni të informuar me numrin dhe me punën e tyre dhe cilat janë përshtypjet e autoriteteve të shtetit tuaj për këta emigrantë?

Numri i emigrantëve nga Shqipëria që jetojnë në Gjermani është i vogël. Ne vlerësojmë, se në Gjermani jetojnë pothuaj 20.000 njerëz nga vendi juaj. Një numër i tillë i ulët njerëzish bie pak në sy, sidomos kur kemi parasysh mbi 200.000 kosovarët që jetojnë në Gjermani, të cilët flasin të njëjtën gjuhë me ju. Ndërsa, nuk kam ndonjë informacion lidhur me kërkime, apo studime mbi profesionet dhe punën që bëjnë emigrantët shqiptarë në Gjermani.

Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare, a është ajo afër demokracisë së vendeve evropiane në mënyrën e diskutimeve në parlament dhe zgjidhjeve të problemeve që shqetësojnë popullin shqiptar. A është ajo një politikë transparente dhe e standardeve që kërkon BE përsa i përket raporteve të ndërsjella pozitë-opozitë?

Gjatë periudhës së qëndrimit tim këtu Shqipëria ka bërë hapa përpara në zhvillimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Nga ana tjetër mbetet ende shumë për të bërë: Lufta kundër korrupsionit, reforma e sistemit të drejtësisë, realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, janë tre shembuj për të treguar detyrat e rëndësishme, para së cilave gjendet vendi juaj.
 
Cili është mendimi juaj për dy liderët kryesorë të politikës shqiptare Sali Berisha dhe Edi Rama ?

Kryeministri Berisha dhe kryetari i Bashkisë Rama janë dy personalitete të rëndësishme, të cilët mbajnë kontakte të ngushta me Gjermaninë. Këtë gjë unë përpiqem ta mbështes.

Një problem tjetër ai i statusit aktual të Kosovës. A është zgjidhja më e drejtë që i është dhënë aspiratave të këtij populli ndaj të cilit në fund të mijëvjeçarit të dytw është bërë një gjenocid i pashembullt?

Statusi i Kosovës nuk është më një problem. Kosova është një shtet i pavarur, i cili është njohur nga më shumë se 50 shtete. Gjermania e ka njohur Kosovën sipas së drejtës ndërkombëtare, sepse ne jemi të mendimit që pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë për situatën në rajon.

Për një mandat të dytë, a do të rrinit me dëshirë si ambasador në Tiranë?

Në ministrinë e Jashtme Federale nuk njihet sistemi i një mandati të dytë. Ne e ushtrojmë detyrën e ambasadorit në një vend të caktuar për një periudhë 3-4 vjet.

Bota po kalon një krizë ekonomike të paparë, si ajo e vitit 1930, cilat janë shkaqet dhe a ka ndikuar kjo krizë ne vendin tuaj?

RFGJ-ja është prekur ndjeshën nga kriza financiare globale, e cila po e prek dukshëm ekonominë. I trembemi faktit, se arritjet ekonomike të vendit tonë në vitin e ardhshëm do të bien në mënyrë të ndjeshme. Qeveria federale gjermane po përpiqet të përballojë situatën nëpërmjet programeve për ekonominë, apo masave të tjera.

A njihni ndonjë personalitet të letërsisë shqipe dhe mendimi juaj për të dhe letërsinë shqiptare? -Cilat janë aktivitetet që ka kryer ambasada juaj në Tiranë dhe me cilin Institucion ka bashkëpunuar?

Përgjigje: Kam lexuar disa libra të shkrimtarëve shqiptarë, të cilët janë përkthyer në gjuhën gjermane, ose angleze. Më pëlqejnë shumë veprat e Kadaresë, Kongolit, apo Lubonjës. Ambasada gjermane në Shqipëri përpiqet të krijojë një rrjet të gjerë bashkëpunimi. Kjo vlen si për sektorin politik, ekonomik dhe kulturor, ashtu edhe për atë të bashkëpunimit për zhvillim. Atij që ka interes për aktivitetet tona, do t'i sugjeroja të vizitonte faqen tonë të internetit www.tirana.diplo.de. Aty do të gjeni një panoramë të aktiviteteve tona në kuadër të „Tetorit Gjerman“ të cilin sapo e lamë pas.

Ku e kaloni fundjavën, po pushimet verore?


Në fundjavë, nëse e kam të mundur, shkoj të bëj shëtitje dhe ekskursione me një grup shqiptarësh dhe ndërkombëtarësh, Tirana Hash House Harriers. Kur e kalon pjesën më të madhe të javës në zyrë, si unë, ky është një shpërblim i shkëlqyer. Kështu, përmes ekskursioneve kam mësuar ta njoh dhe vlerësoj mjaft mirë rajonin përreth Tiranës. 
 
Si ju duket gjuha shqipe?


Gjuha juaj është shumë e vështirë, por di që edhe gjuha ime është shumë e vështirë për t'u mësuar. Kam mësuar pak shqip. Më mjafton sa për të pyetur për rrugën, për të porositur në restorant apo kur duhet të blej diçka. Por, për fat të keq nuk jam në gjendje të zhvilloj një debat politik në gjuhën tuaj. 
 
Mbrëmjet ku i kaloni zakonisht?

Jeta sociale në Tiranë është shumë intensive, çka bën që unë si përfaqësues i Gjermanisë të jem shpesh i ftuar në darka ose aktivitete të tjera. Kur jam “i lirë” darkave, parapëlqej të kaloj një mbrëmje të këndshme me bashkëshorten time në shtëpi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora