E diele, 13.10.2024, 12:19 PM (GMT+1)

Mendime

Romeo Hanxhari: Mitet e të tjerëve

E hene, 05.01.2009, 05:11 PM


Mitet e të tjerëve

Nga Romeo Hanxhari*

Debati për librin e austriakut Schmidt mbi Skënderbeun, më ngacmoi fort kujtesën lidhur me çuditë e historive të miteve në këtë mjedisin tonë të uruar ballkanik. Më kujtoi pikërisht diçka që më ka mbetur në mendje dhe më ka bërë të mendohem shumë. Më kujtoi fjalët e nacionalistit Emir Kusturica përpara 1 milioni nacionalistëve serbë.

Aq të çuditshme fjalë, sa që i fiksova në origjinal: “Koju mi mitu propadamo? Kosovsku mitu!”, që shqip ishte “Cilit mit i përkasim ne? Mitit të Kosovës!”. Këto fjalë në serbisht ia tha ai të gjithë kombit serb dhe gjithë botës nëpërmjet EuroNews-it të nesërmen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mitingun e madh anti-Kosovë të serbëve në Beograd.

Më goditën fort këto fjalë. I kam vërtitur gjatë në kokë. Thosha: si ka mundësi që këta serbët, me gojën e një figure kaq të njohur publike, e pranokan botërisht që i besokan dhe luftokan për ...një mit? Kosova për ta është “një mit”. Miti i Kosovës, miti i “Kosovës si djep i Serbisë”. Asgjë më shumë se sa një mit.

Pra, mendoja, diçka që jo domosdoshmërisht ka të bëjë me të vërtetën. Dhe, edhe pasi iu drejtova fjalorëve, sërish konfirmova që “një mit”, me pak fjalë qenka thjesht “një sajesë, e cila dalëngadalë bëhet aq popullore sa që e besojmë si të vërtetë”. Kaq thjesht. Ata pra, fqinjët tanë serbët, besojnë në një mit, dhe nuk e vrasin mendjen për këtë.
 
Përkundrazi, qenkan aq të zotë sa që e sjellin vërdallë gjithë botën, vetëm sepse si ushqim u kanë dhënë një gënjeshtër. Çudi! Dhe imagjino sikur në anën e tyre mos të kishin një sajesë, por një të vërtetë…

Pra ata qenkan në rregull me veten… Po ne këtej, shqiptarët, ç’bëjmë? Ne kemi të vërtetat historike në anën tonë, dhe megjithatë jemi aq mazohistë me veten tonë. Sërish çudi! Fjala vjen, ne kemi një tokë që e kemi jetuar pa ndërprerje që në fillimet e kohës, dhe sa pak bëjmë që t’ia tregojmë botës këtë.

Kështu, kishave shqiptare katolike të kosovarëve të shekullit 16-17, të cilat serbët i kthyen në kisha të tyret, nuk jemi në gjendje t’ua ndriçojmë historinë. Nuk kemi dokumente ndoshta? Ndoshta, por jo vetëm. Ajo që s’kemi, ndoshta është bindja që të tjerët e kanë: që të betonojnë të vërtetat e tyre.

Ne në fakt i dorëzojmë tonat, na erodohen ato si toka që marrin lumenjtë. Fjala vjen, sërish, kemi figura të cilat i kanë bërë nder vetes dhe kombit, dhe sa pak bëjmë t’u japim vendin që u takon. Kështu, shyqyr që Nënë Tereza pati mirësinë ta pranonte me gojën e saj që ka gjak shqiptar, se ndryshe ne as do kishim qenë dot në gjendje ta mbronim prejardhjen e saj të provokuar nga sllavët.

E njëjta gjë edhe për Skënderbeun. Ndërkohë që të tjerët na e lakmojnë, ne e bëjmë hasha. Disa shqiptarë duan të na e paraqesin si tradhtar dhe jo si hero, ndërkohë që disa të tjerë shkojnë deri atje sa ta zbulojnë si sllav. Kështu që, në këto përsiatje e sipër, mendoj: “mos vallë po krijojmë kushtet që, edhe këto pra pak figura të admiruara që na kanë mbetur, t’i dorëzojmë?”. Ashtu, lehtë e lehtë siç i dorëzohet toka ujit?

E pra, përpjekjet për pasurimin e dijes sonë historike janë të lavdërueshme, sepse kemi mangësi, dhe merita e z. Klosi shkon në këtë drejtim. Por, fakt është që, shpeshherë, bazuar në këtë nevojë tonën, një pjesë e “të diturve tanë” demonstrojnë një tendencë çuditërisht banale mazohiste për të na “zbuluar” se paskemi admiruar vlera të rreme dhe se paskemi nderuar njerëz të pamerituar. Zot ruaji shqiptarët nga mendtë e kokës, që të dinë t’i venë festen e duhur asaj koke!

Unë nuk jam historian, veç dashnor i historisë, ndaj dhe as dua dhe as pretendoj të sjell të reja shkencore në debatin e shëmtuar mbi Skënderbeun. Përcolla vetëm një refleksion mbi faktin se si ne shqiptarët rrezikojmë t’i rrëzojmë përtokë të vërtetat tona, dhe se si fqinjët tanë guxojnë t’i ulërijnë fort të pavërtetat e tyre. Thjesht një thirrje që të na bëjë më të kujdesshëm. T’i mbrojmë të vërtetat tona të paktën aq fort sa ç’mbrojnë të tjerët sajesat e tyre. Do të mjaftonte.

*Dr.Romeo Hanxhari, Universiteti i Tiranës /Titulli i plotë: “Mitet e të tjerëve ... dhe të vërtetat tona”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora