Mendime
Afrim Krasniqi: Shqipëria midis Gazës dhe Preshevës
E marte, 30.12.2008, 01:34 PM
Shqipëria midis Gazës dhe Preshevës
Nga Afrim Krasniqi
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë nxori pardje një deklaratë për ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme. Si institucioni kryesor kushtetues për ndjekjen dhe zbatimin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar ky veprim buron nga praktika e shprehjes së qëndrimeve lidhur me ngjarje e zhvillime në botë, prandaj edhe zakonisht qëndrime të tilla nuk përbëjnë lajm të parë dhe nuk tërheqin vëmendjen e opinionit publik. Por në dallim nga kjo traditë, deklarata e fundit e MPJ tërhoqi vëmendjen për disa arsye.
E para, ajo erdhi nga një shtet që nuk ka lidhje direkt me ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe nuk ka peshë specifike në organizatat ndërkombëtare që kanë përgjegjësinë e analizës dhe qëndrimeve ndaj këtij rajoni. Mendimi se një deklaratë e tillë mund të jetë sugjeruar nga ndonjë shtet i rëndësishëm perëndimor bie poshtë nëse shohim diferencën në detaje dhe qëndrime midis deklaratës së MPJ të Shqipërisë dhe qëndrimit zyrtar, psh, të SHBA-ve.
SHBA dhe shtetet europiane perëndimore dënuan dhunën dhe fajësuan për ngjarjet kryesisht organizatën ekstremiste Hamas. Në deklaratën e MPJ shqiptare përkundrazi mbahej një qëndrim asnjanës dhe përgjegjësia konsiderohej e njëjtë për dy palët.
E dyta, deklarata formalisht ishte e hartuar me shprehje standarde, pa ndonjë mesazh thelbësor, por me shumë detaje kundërthënëse. Të tilla janë psh, shprehjet “konflikti i armatosur”, “gjetën vdekjen mbi 200 persona dhe u plagosën qindra të tjerë”, apo “palët do të dinë të përmbahen duke iu rikthyer bisedimeve dypalëshe”, etj.
Se cila janë palët është shumë e vështirë për tu përcaktuar sepse në rastin konkret kemi shtetin irzaelit, autoritetin legjitim palestinez dhe organizatën terroriste Hamas. Dy të parët janë mbështetës të paqes dhe bisedimeve, e treta ka thyer armëpushimin dhe është kundër çdo zgjidhje diplomatike. Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira me shtetin izraelit dhe autoritetin palestinez, por nuk ka marrëdhënie dhe nuk mbështet palën tjetër në konflikt, organizatën ekstremiste të Hamas.
Kështu, derisa merret përsipër për të hyrë dhe dhënë këshilla për një konflikt që vjen nga një histori e gjatë dhe e komplikuar do të kishte qenë e udhës që mesazhi i shtetit shqiptar për “palët” të mos ishte i njëjtë, pasi as shtetet kryesore europiane, SHBA, vendet e tjera të Lindjes së Mesme dhe vetë qytetarët dhe media lokale e zonës së konfliktit nuk i trajton të tilla.
E treta dhe që mendoj se mbetet edhe më e rëndësishmja është përcaktimi i prioriteteve të politikës së jashtme nga ana e diplomacisë shqiptare. Javën e kaluar forcat speciale të policisë serbe ndërmorën një aksion të dhunshëm dhe deri diku politik, kundër popullsisë shqiptare në Preshevë.
Një numër i madh shqiptarësh u arrestuan, u dhunuan dhe aksioni u mediatizua ndërkombëtarisht përmes medias dhe makinës së propagandës serbe. Beogradi pretendoi se kishte arrestua terroristë shqiptarë përgjegjës për rrëmbimin dhe vrasjen e disa dhjetëra e qindra serbëve, një akuzë me pasoja negative për imazhin shqiptar në botë.
Ndaj këtij akti të pastër politik të autoriteteve serbe, të cilat përdorën metodat e vjetra të arrestimeve, bastisjeve, dhunimeve dhe skenarëve për fajësim kolektiv të shqiptarëve, pati një reagim të ashpër dhe të menjëhershëm nga autoritetet politike shqiptare të Preshevës, dhe nga të gjitha autoritetet e partitë politike shqiptare në Kosovë. I vetmi zë që mungoi për ditë të tëra dhe që u dëgjua vetëm dje, një ditë pas deklaratës për Lindjen e Mesme, ishte zëri i shtetit shqiptar dhe faktorit politik e diplomatik të Tiranës zyrtare.
Partitë e Tiranës që bëjnë nga 3-4 konferenca shtypi në ditë për cështje krejt të parëndësishme, nuk gjetën kohë dhe argument për të folur rreth asaj që po ndodh në Kosovën Lindore. Qëndrimi i partive është zgjedhje e tyre, ato kanë përgjegjësi morale përpara Kushtetutës, por heshtja e institucioneve zyrtare është krejt e pavend.
Ministria e jonë e Jashtme, e cila gjen kohë dhe argument, që në një ditë pushimi të hartojë deklarata për ngjarjet në Lindjen e Mesme, çuditërisht nuk gjeti kohë në asnjë nga katër ditët e fundit të shprehë një qëndrim zyrtar për ngjarjet në Preshevë. Zyrtarisht opinioni publik deri dje pasdite nuk e dinte cili është qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj aksionit policor dhe ofensivës politike serbe kundër komunitetit shqiptar të Preshevës apo kundër shtetit e territorit të pavarur të Kosovës (një pjesë e të akuzuarve ishin nga Lipjani, Kosovë).
Nëse shteti shqiptar dyshonte se të arrestuarit janë fajtorë mund ta thoshte mendimin dhe provat përkatëse. Nëse shteti shqiptar vlerëon se të arrestuarit janë viktima politike për shkak të kombësisë së tyre, gjë që e thonë liderit politikë shqiptarë të Preshevës, Tetovës dhe të Prishtinës dhe vetëm tre ditë pas tyre reagoi edhe MPJ, atëherë kjo duhej thënë hapur dhe zyrtarisht. Por heshtja, injorimi i ngjarjes dhe për më tepër, nxitimi për të konsideruar më prioritare një zhvillim tjetër politik krejt jashtë hapësirave dhe interesave shqiptare, natyrisht lë shije të hidhur.
Qytetarët dhe opinioni publik shqiptar, me gjithë ndjenjat e larta të solidaritetit për paqen në botë, është para së gjithash i interesuar për paqen në rajon dhe sidomos për mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të vetë shqiptarëve. Ky është edhe një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar.
Në të kaluarën komuniste diplomacia shqiptare nuk reshti së foluri për vëllezër rusë apo kinezë dhe për miq nga Kosova. Këto qëndrime ishin të kuptueshme për një regjim që erdhi në fuqi përmes marrëveshjeve politike që pranonin heshtjen ndaj politikave represive antishqiptare në Kosovë. Në realitetin e sotëm kur kemi një shtet demokratik shqiptar, sjellje të tilla të njëjta me të kaluarën, janë thjeshtë të papërgjegjshme.
Shqiptarët dhe shteti shqiptar vlerësohen për rolin aktiv në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, por kjo lëvdatë nuk e cenohet, përkundrazi plotësohet, nëse shteti shqiptar bën dallimin midis asaj që përbën politikë fqinjësie dhe stabiliteti dhe asaj që vazhdimisht përbën politikë konflikti dhe provokimi ndaj paqes dhe stabilitetit. Në fund të fundit, shteti shqiptar duhet vazhdimisht të flasë që ta dëgjojnë shtetasit e tij, bashkëkombësit e tij dhe sidomos shtetet mike e partnere, si dhe media botërore.
Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme për ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe mungesa e disa ditore e deklaratës për ngjarjet në Preshevë lanë shije të hidhur për diplomacinë shqiptare dhe sidomos për seriozitetin dhe ndjenjën e përgjegjësisë së vetë shtetit shqiptar.
Shqetësimi shtohet nëse i kthehemi retrospektivës dhe shohim se kështu është vepruar edhe në rastin e shpalljes së planit të Ban Kin Moon për Kosovën, në rastin e padisë serbe ndaj Kosovës, në rastin e votimit në OKB për rezoluten serbe, në rastin e akuzave të Del Pontes për zhdukjen e serbëve në Mat, apo në rastin e zhvillimeve problematike para e paselektorale në Maqedoni dhe të arrestimeve paraelektorale në Malin e Zi, etj.
Ministria e Jashtme ka një përvojë rastesh pozitive, ka diplomatë me cilësi dhe aftësi të provuar, ka kapacitete moderne informimi dhe reagimi, por siç duket, (në rastin më të mire), asaj i mungon mekanizmi që bën lidhjen e këtyre aseteve për të kryer siç duhet detyrën për të cilën e ngarkon programi i qeverisë, Kushtetuta, strategjia kombëtare e sigurisë dhe për të cilën, ajo paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.