E shtune, 20.04.2024, 03:25 PM (GMT+1)

Mendime

Ferid Selimi: Montimi i proceseve politike në Serbi - synim i tmerrimit të popullatës shqiptare

E hene, 29.12.2008, 10:13 PM


Montimi i proceseve politike në Serbi - synim i tmerrimit të popullatës shqiptare

Serbia është larguar nga Kosova më 12 qershor të vitit 1999, pas nënshkrimit të marrëveshjes me zyrtarë të NATO-s. Mbi bazën e kësaj mund të konstatohet që Serbia nuk ka kompetencë për të arrestuar “kriminel lufte” për etapën kohore kur ajo nuk ka pasur pushtet në Kosovë, pos nëse Kosova kërkon një gjë të tillë.

Shkruan Ferid Selimi

Pamjet tmerruese të arrestimeve sensacionale të disa të rinjve shqiptarë të komunës së Preshevës, lënë të konstatohet që s’ishte asgjë e rastit. Skenari ishte shkruar nëntë vjet më parë. Caqet ishin aty. Duhej vetëm “pipi” i referit dhe të nis loja. Por, kjo “lojë” duhet kujtuar dhe të mbahet mend nga popullata shqiptare dhe joserbe e asaj ane. Duhet dhënë mësim shqiptarëve “të rebeluar”.
Krijohet përshtypja që çdo veprim i pushtetit serb i ndërmarrë ndaj popullatës shqiptare  dhe joserbe, të mbetur në Serbi, nuk bëhet rastësisht. Veprimet e tyre kryhen me një skenar të shkruar që më parë nga njerëz të pushtetit në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë. Asgjë nuk nis rastësisht. Matet mirë e mirë dhe operohet. Kjo u pa edhe të premten e 26 dhjetorit të vitit 2008.
Mësimi më i mirë për të disiplinuar shqiptarët në Serbi është që në paqe, të dërgohen qindra xhandarë, të frikësojnë çdo qenie të gjallë të asaj ane. Jo që arrestimi do të ishte i vështirë, por, duhej trembur popullata shqiptare dhe joserbe e Preshevës. Arrestimin e “kriminelëve të luftës”, (12 qershor-tetor 1999, nuk kishte luftë), mund ta bënin tre deri në pesë policë lokal.
Por, jo, për pushtetin serb kjo nuk ishte e mjaftueshme. Ata duan që me “një të ramë të kenë dy të vramë”. Të montojnë procese politike dhe të tmerrojnë popullatën shqiptare dhe joserbe që jetojnë në Preshevë e Bujanoc, përfshirë gratë, pleqtë dhe fëmijët.
Ajo që pamë në mëngjesin e ditës së premte të 26 dhjetorit të vitit 2008 në Preshevë, nuk ishte asgjë e re dhe e pa njohur për popullatën shqiptare edhe ashtu të vuajtur të asaj ane. Gjëra të tilla ndaj shqiptarëve, nga pushteti serb, kishin ndodh edhe më parë, në etapa kohore të ndryshme.
Nuk harrohen dot:
Nën një: Periudha kohore rreth vitit 1878, kur nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit, me dhunë u shpërngulën mbi treqind mijë shqiptarë.
Nën dy: Vitet 1912 dhe 1913, kur mbretëria e Serbisë së parë, me të kuptuar që Shqipëria po përgatitej të shpallte pavarësinë, kishte ushtruar dhunë të paparë deri më atëherë në popullatën e pambrojtur shqiptare dhe joserbe, duke i shkatërruar dhe duke ua vënë zjarrin të gjitha shtëpive të fshatrave të tërë, në Kosovë dhe rreth kufijve të saj.
Nën tre: Periudha kohore e viteve 1943-1944, kur serbët komunistë-çetnikë kishin bërë të njëjtën gjë ndaj shqiptarëve të mashtruar dh të pakënaqur, në emër të “vëllazërim-bashkimit”.
Nën katër: I njëjti pushtet gjatë viteve 1954-1956, në emër të kinse, çarmatosjes së popullatës shqiptare dhe joserbe në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Bujanoc e Mal i Zi, kishin maltretuar, vrarë e burgosur me mijëra shqiptarë të pambrojtur.
Nën pesë: Viti 1968, kur u persekutuan, u vranë e u burgosën nga i njëjti pushtet serbo-komunist, mijëra shqiptarë të tjerë, vetëm pse kërkuan Universitet në gjuhën shqipe dhe përdorimin e flamurit të tyre kombëtar.
Nën gjashtë: Viti 1981, kur përsëritet i njëjti skenar. Në demonstratat e të rinjve shqiptarë nëpër qendrat e Kosovës, pati shumë të vrarë, të burgosur, të arratisur, femra të dhunuara e shumë e shumë të tjerë të persekutuar. E gjithë kjo në emër të mbrojtjes së “vlerave socialiste”. Shqiptarët ishin dhe janë “fajtorët kujdestar” dhe “prishësit” e rendit socialist në Jugosllavi dhe Serbi.
Nën shtatë: Viti 1989, i njëjti pushtet, me një udhëheqje të re, vazhdoi aksionin patriotik në emër të kombit dhe të shtetit serb, të nisur që në vitin 1878, kur me dhunë u zbrazën mbi 700 vendbanime shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, pasuar në vitin 1937, kur u nënshkrua marrëveshja e fshehtë serbo-turke për të deportuar të gjithë shqiptarët me përkatësi fetare islame në Turqi, por tani  në një formë tjetër: të nxirren nga puna dhe nga trojet e tyre atërore shqiptarët e “rebeluar” të Kosovës. Filmi i njëjtë. Të njëjtit protagonistë: në rolin e xhandarit-pushteti serb, në rolin e të persekutuarit-shqiptarët e pambrojtur.
Nën tetë: Dhjetë vite më vonë, në vitin 1999, ndodh lufta e Kosovës. Serbia e humb atë luftë. Humbësi tërhiqet nga trojet e okupuara dhe detyrohet të kthehet në trojet e veta, mbase për të pritur kohë më të mira për të riokupuar Kosovën.
Nën nëntë: Kur, Kosova më 17 shkurt të vitit 2008, shpall pavarësinë dhe kur Serbia dhe pushteti i saj bindet që s’ka kthim prapa, dhunën dhe terrorin e vazhdon në popullatën e mbetur shqiptare në të dy komunat më jugore të Serbisë: në Bujanoc dhe në Preshevë.
Nën dhjetë: Njëqind mijë shqiptarët e mbetur në Serbi i pengojnë pushtetit serb. Ata duhet larguar nga trojet e tyre shekullore etnike. Por, duhet pasur kujdes. Kështu i mëson akademiku i tyre i njohur dhe nacionalisti Dobrica Qosiq. I tërë elaborati i tij përfshihet në librin e tij të botuar në vitin 2004 “Kocobo”. Lexojeni këtë libër dhe do të bindeni në këtë që po konstatoj. Ai nuk ndalet së këshilluari dhe së mësuari popullin dhe pushtetin serb sesi duhet të veprojnë me shqiptarët. Si duhet zbrazur Serbinë nga shqiptarët. Cila rrugë duhet zgjedhur. Si nuk duhet lënë gjurmë përzënieje etj, etj. Ikja e shqiptarëve duhet kuptuar si largim i natyrshëm për shkaqe ekonomike. Përndryshe, shqiptarët konsiderohen kancer në “tokën” e Serbisë. “Kanceri” duhet eliminuar njëherë e përgjithmonë. Por si? Kjo është çështja. E po për këtë është pushteti dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë. Ata gjithnjë kanë zgjidhje.
Andaj asgjë e jashtëzakonshme dhe e papritur nuk ndodhi në mëngjesin e 26 dhjetorit të vitit 2008. U bastisën shtatëmbëdhjetë shtëpi në Preshevë. U arrestuan dhjetë të rinj shqiptarë. U rrahën, u maltretuan para prindërve dhe para fëmijëve të tyre të dhjetë shqiptarët e arrestuar. Kalon edhe kjo. Jeta është e ndërtuar mbi bazën e durimit. Durimi është arma më e fortë e njeriut. Pas durimit vjen shpëtimi e paqja mbi ne.
Por, ajo që bie në sy është se: dhjetë shqiptarëve të arrestuar u ngarkohet akuza e veprës së kryer (kidnapim dhe vrasje të serbëve dhe joserbëve në rrethinën e Gjilanit) prej 12 qershorit deri në tetor të vitit 1999, kohë kjo kur Serbia kishte humbur pushtetin në Kosovë. Serbia është larguar nga Kosova më 12 qershor të vitit 1999, pas nënshkrimit të marrëveshjes me zyrtarë të NATO-s.
Mbi bazën e kësaj mund të konstatohet që Serbia nuk ka kompetencë për të arrestuar “kriminel lufte” për etapën kohore kur ajo nuk ka pasur pushtet në Kosovë, pos nëse Kosova kërkon një gjë të tillë. Prokuroria e Beogradit, nuk ka ingerenca për të ngritur aktakuzë kundër asnjë personi që veprën e ka kryer në një shtet tjetër dhe së fundi asnjë gjyq në Serbi mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, nuk ka kompetencë as forcë për të gjykuar qytetarë për veprat e kryera në një shtet tjetër, nëse për këtë nuk e kërkon shteti ku është kryer vepra.
Krejt kjo lë të kuptohet që pushteti serb nuk është aq shumë i interesuar për të gjykuar dhjetë apo shtatëmbëdhjetë shqiptarë (qytetarë të shtetit të vet), sa për të frikësuar popullatën shqiptare dhe joserbe, në mënyrë që të lirohet nga “kanceri” shqiptar dhe joserb, duke i shpërngulur nga trojet e tyre etnike shekullore, për të realizuar ëndrrën e kamotshme, krijimin e një shteti etnik serb.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora