E enjte, 18.04.2024, 09:13 PM (GMT+1)

Mendime

Berat Buzhala: Heronj, të kujt?

E merkure, 07.01.2009, 11:00 PM


Berat Buzhala
Berat Buzhala
Heronj, të kujt?

Nuk pranoj që për merita t’ua rrahim gjoksin komunistëve tanë, e për krime ta godasim Jugosllavinë. Për ta ditur rolin e secilit komunist në shtetin monstrum të Jugosllavisë, unë do të doja të hapeshin ato dosje.

Nga Berat Buzhala*

Kah fundi i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, partizani Shaban Polluzha, që udhëhiqte Brigadën e Drenicës, ishte urdhëruar që të nisej për në frontin e Sremit. I trembur se pas largimit të tij forcat e përziera serbo/jugosllave do të intensifikojnë dhunën kundër popullatës lokale në Drenicë, ai kishte vendosur që të mos lëvizte prej rajonit të tij, ani pse gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore ishte rreshtuar drejt. Kundër aksit të së keqes të asaj kohe, që ishte Gjermania. Me 25 janar të vitit 1945, forcat jugosllave, në mesin e të cilave edhe shqiptarë, nisën operacionet për asgjësimin e Brigadës së Shaban Polluzhës. Në gjysmën e dytë të shkurtit, vritet Shaban Polluzha dhe një numër shumë i madh i civilëve. Kur ka ndodhur krejt kjo kasaphane, Shef i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave ka qenë një serb, kurse zëvendës ishte shqiptari Fadil Hoxha. Më vonë, Fadil Hoxha është shpallur Hero i Popullit. Më vonë, Kosova filloi luftën kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Të ndihmuar edhe prej NATO’s, arritëm të çlirohemi. Pas çlirimit, vdes Fadil Hoxha. Forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të transformuara në Trupa Mbrojtëse të Kosovës, këtë Hero të Popullit të shpallur s’e di saktësisht prej kujt, e varrosin me nderime të larta.

Unë nuk kam ndonjë personazh timin konkret që më ndjek prej periudhës së komunizmit, mirëpo ankth imi kanë qenë dhe vazhdojnë të mbetën këto dy figura të historisë sonë. Ndonjëherë e pyes veten, e ndonjëherë të tjerët, se si është e mundur që si popull më shumë i kemi bërë nderime Fadil Hoxhës sesa Shaban Polluzhës. Me dijeninë e Fadil Hoxhës, janë vrarë ata njerëz të pafajshëm. Me dijeninë e Fadil Hoxhës, nga Kosova janë shpërngulur sikur kafshë qindra-mijëra shqiptarë të Kosovës për në shkretëtirat e Turqisë. Me dijeninë e Fadil Hoxhës, janë bërë edhe shumë krime të tjera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Dhe, prapë, si është e mundur që ai të varrosej me nderime ushtarake, kurse në anën tjetër një shqiptar i ndershëm – po e përsëris partizan – të harrohet krejtësisht?

Për hir të këtyre padrejtësive ndaj disa figurave historike, them që nëse edhe nuk i hapim dosjet, duhet ta shkruajmë drejt ketë pjesë të historisë. Duhet të tregojmë drejt se Jugosllavia nuk ka sunduar në Kosovë vetëm prej vitit 1974 deri në vitin 1981. E as komunistët shqiptarë të Kosovës nuk ishin pjesë e këtij sistemi vetëm gjatë kësaj periudhe kohore. Ata, pra, kanë qenë edhe gjatë kohës së Rankovicit, edhe gjatë kohës së Titos, e edhe gjatë asaj të Milosevicit. Duhet ta bëjmë të qartë se Jugosllavia, edhe ajo e Titos, nuk ka emër tjetër pos diktaturë. Duhet ta bëjmë të qartë se funksionarët që kanë shërbyer në atë periudhë kohore, kanë qenë pjesë e diktaturës. Me një fjalë, kanë qenë diktatorë të vegjël, që po t’u jepej mundësia - edhe Tito do të skuqej prej bëmave të tyre.
Nuk e di a e mbani mend qëndrimin e Heroit të Popullit, Fadil Hoxha, rreth demonstratave të vitit 1981?

Heroi i Kombit Shaban Palluzha
Nëse keni harruar, po rikujtoj: “Bira e minit, 300 qese”. Dhe, një tjetër pak më e rëndë për djemtë e vitit 81’: “Ata janë plehu i Kosovës”. Nëse dikush provon ta justifikojë ketë qëndrim të Hoxhës, me arsyetimin se demonstruesit e asaj pranvere të përgjakshme ka mundësi të kenë qenë të manipuluar prej UDB a Jugosllavisë, atëherë edhe më keq për Hoxhën. Ai ka qenë vetë UDB’ja dhe vetë Jugosllavia. I bie që ai vetë i paska gatuar këta skenarë ogurzinj. Të mos harrojmë se Hoxha e ka zëvendësuar Titon si Kryetar i Kryesisë së Federatës. Ndoshta, për ketë arsye, vlen të dihet çka shkruan në ato dosje të mallkuara, sepse nuk besoj që gjitha fatkeqësitë kundër shqiptarëve qenkan bërë prapa shpinës së tij. Historia e tij tregon se nuk ka pasur arsye të punohet pas shpinës së tij. Ai fare lehtë është bashkuar me ta, sa herë ka pasur nevojë.

Po e përmend kaq shpesh Fadil Hoxhën, sepse besoj që ai ishte baba i gjithë klasës së lartë politike komuniste të shqiptarëve të Kosovës. Sa për mua, nuk dallojnë shumë në nuanca Hoxha, Bakalli, Vllasi dhe të tjerët. Për Mahmut Bakallin jepen lëvdata se paska qenë burrë i mirë, se paska dhënë dorëheqje pas demonstratave të vitit 1981. Kjo i bie që Azem Vllasi paska qenë tradhtar. Sa për mua, në ketë drejtim asnjë dallim nuk ka. Nëse demonstratat e vitit 81 Vllasi i paska quajtur kundër-revolucionare, Bakalli heshti. Larg qoftë që Bakalli a kushdo tjetër prej këtyre komunistëve të dilnin në mbrojtje dhe në krye të demonstratave. Meqë ishin të ditur, madje sipas Baton Haxhiut, edhe idealistë, atëherë patriotike do të ishte sikur t’u prinin dhe ta menaxhonin më mirë kaosin dhe revoltën e grumbulluar.

Mirëpo, tek këta komunistë as I-ja prej idealizimit nuk ka ekzistuar.
Shumica ishin llaskucë dhe pakurrizorë.

Kush i udhëhoqi revoltat kundër Bashkimit Sovjetik në Poloninë e vitit 1956? Komunistët. Kush udhëhoqi revolucionin në po ketë vit në Hungari? Çka ndodhi në Çekosllovaki në vitin 1968? Pra, gjithandej nëpër vendet e bllokut komunist, ishin vetë komunistët që protestonin, arrestoheshin, vriteshin dhe rrëzoheshin prej pushtetit prej diktaturës sovjetike. Por, ata ishin komunistë të vërtetë. Ishin idealistë, kurse protestonin në mbrojtje të idealeve të tyre të tradhtuara prej komunistëve sovjetikë.

E tek ne, cili funksionar u burgos a u arrestua, për gjysmë shekulli?
Asnjë. Sepse, asnjë ideal në mendjen e tyre nuk e kanë pasur.

Nëse Jugosllavia ka qenë e tërbuar, komunistët tanë e kanë ulur bishtin. Nëse Jugosllavia është zbutur një grimë, këta tanët e kanë tundur bishtin. Mirëpo, asnjë për be, kurrë për kaq dekada, nuk i doli përpara dhunës që është zhvilluar kundër shqiptarëve në Kosovë. Për më keq, vetëm kanë mundur ta rëndojnë gjuhën, herë pas here.

Nuk kuptoj pse Batoni provon që gjithë mëkatin e Jugosllavisë komuniste t’ua hedhë ca mjeranëve deputetë të vitit 1989, që paskan votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese. Ky ishte fundi. Madje, askush prej liderëve perëndimorë, për fatin tonë të mirë, nuk ra në ketë kurth të Milosevicit. Edhe sot e kësaj dite, të gjithë thonë se ndryshimi i Kushtetutës në vitin 1989 ndodhi me dhunë. E vërteta është se ata deputetë mjeranë, të atij Kuvendi, po imitonin paraardhësit e tyre. Frikësoheshin se po i fusin në burg dhe besonin se Jugosllavia ishte një krijesë që kurrë nuk shembet. Prandaj, bënin koncesione, koncesione e koncesione. Prandaj, ata nuk kishin trohën e idealizmit në mendjen e tyre. Dallimi i deputetëve të vitit 1989 dhe atyre që kishin lodruar në Kosovë, dekadat e kaluara, ishte faktori Milosevic dhe rrënimi i komunizmit në Lindje. Ndryshe, nuk kam parë ndonjë rezistencë që klasa politike komuniste e Kosovës ndonjëherë i ka bërë shtetit jugosllav. Krejt çfarë kanë bërë, janë marrë me lojëra të ndyra me njëri-tjetrin. Mahmut Bakalli me Azem Vllasin, Fadil Hoxha me Kolë Shirokën, Ali Shukria me dreqin, Sinan Hasani me të birin. E kështu me radhë.

Në kurthin e komunizmit dhe zhvillimit të vendit tonë asokohe, më duket se ka rënë edhe Halil Matoshi. Ai i aplaudon rrugëve, shkollave dhe spitaleve të ngritura, e për ketë meritorë i bën komunistët kosovarë. Por, nuk është kështu. Nëse ata qenkan meritorë për zhvillimin, atëherë ata janë njerëzit përgjegjës edhe për vrasjet dhe burgosjet e asaj kohe. Prandaj, them se këta tanët janë vetëm llaskucë dhe asgjë tjetër. Krejt çka kanë provuar këta tanët të bëjnë – ishte ta ndërtoni një shtëpi në lagje të bukura të Prishtinës, mundësisht edhe një vilë në Brezovicë. E pjesa tjetër e popullit, le të jetonte siç ishte e shkruar në Beograd.

Hapja e shkollave, pra, nuk është meritë e komunistëve tanë, por e politikës jugosllave, sikurse që për vrasjet e kryera në Kosovë nuk besoj se janë përgjegjës direkt këta shkrumat tanë – përveç në raste të izoluara – por politika e Jugosllavisë.
Dikush e lavdëron edhe largimin e ferexheve, hapjen e universiteteve, fabrikave, e çka jo tjetër.

Mirëpo, sërish mendoj se kanë qenë politika mbarëjugosllave, ku këta tanët kanë shkuar sikur “muça mas daive”. Kanë qenë ca palaço injorantë, që kanë ecur me inercion. Nëse politikë jugosllave ka qenë deportimi i shqiptarëve në Turqi, këta tanët kanë thënë “da”. Nëse politikë jugosllave ka qenë hapja e universiteteve dhe edukimi i qytetarëve, këta prapë kanë thënë “da”.
Pra, nuk pranoj që për merita t’ua rrahim gjoksin komunistëve tanë, e për krime Jugosllavisë.

Edhe Batoni edhe Halili e kanë gabim kur përmendin emra të spiunëve individualë, kur flasin për komunistët jugosllavë. Dy persona që kanë përmendur Haxhiu dhe Matoshi, në kolumnet e tyre për çështjen e komunizmit, kanë pasur shefa. Shefat e tyre mbajnë përgjegjësi për arrestimet ose ndjekjet e këtyre dy publicistëve.
Batoni qorton Ilir Mirenën – i cili në kolumnen e tij përmendi emra të përveçëm, e vetë e zuri ngoje një emër, që hipotetikisht ka mundur t’i marrë urdhrat po nga ata persona për të cilët foli Iliri.

Mua nuk më ndjek hija e personave konkretë. Më ndjek hija e Jugosllavisë, të cilën më duket se e falendërojmë sa herë që nuk na ka vrarë, kurse e arsyetojmë se herë që na ka vrarë.

Hapja e Universitetit, Akademisë, shkollave dhe spitaleve, nuk ka qenë privilegj për ne, por detyrim për shtetin. Nëse në ndonjë periudhë kohore nuk na paskan vrarë, nuk duhet t’i falënderohemi, por duhet ta shajmë sa herë që na ka vrarë.
Për ta ditur rolin e secilit në shtetin monstrum të Jugosllavisë, unë do të doja të hapeshin ato dosje. E ata që në fletët e këtyre dosjeve i kanë të vizatuara krimet, nuk do të më dhimbseshin po t’i lironin pozitat që mbajnë sot. Ka të tillë, me siguri.

*Kryeredaktor i gazetës “Express”, Prishtinë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora