E marte, 22.06.2021, 05:40 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Shkreli: Shqiptarizmi kur na nevojitet, ndërsa osmanlia në shpirt!

E diele, 11.01.2009, 05:02 PM


SHQIPTARIZMI  KUR NA NEVOJITET, NDËRSA OSMANLIA NË  SHPIRT!

Nga Kastriot Shkreli, Pejë

Shpeshherë kam lexuar shkrime të ndryshme , mendime të pseudoshqiptarëve që me plot gojën e quajnë vetën shqiptar e në anën tjetër, mundohen, me shkrimet e tyre t’i rrënojnë themelet mbi të cilat qëndron drejt kulla shekullore e kombit tonë. Kulla-kala e pa mposhtur ndër shekuj nga armiqtë e kombit tonë,të cilët në forma të ndryshme  janë munduar që të na fshijnë nga faqja e dheut duke na quajtur me emra të ndryshëm , duke i përvetësuar vlerat tona kulturore dhe historike si dhe duke u munduar që kështu të na zhdukin identitetin tonë kombëtar. Por , ne , përveç dëmeve të mëdha që na kanë shkaktuar, për fat të mirë ,  prapë kemi qëndruar gjer tani duke u falënderuar disa kokave te ndritura të kombit tonë që sadopak kanë vën në pah rrezikun që po na kanosej. Ata me tërë forcën , me intelektin e tyre dhe sakrificën sublime, kanë mbrojtur qenien shqiptare dhe duke ju falënderuar atyre,  ne sot e quajmë vetën shqiptar dhe mburremi për këtë .

  Kombi ynë kaloi nëpër shumë luftra dhe ishte para zhdukjes si komb që nga koha e ilirve me tradhëtinë që iu bë në luftën e Trojës, helenizimi i Ilirisë,barbarizmat e përjetuar nga pushtuesit tjerë të një pasnjëshëm, romakët,bizantinët e në fund edhe turqit e sllavët.Të gjithë këta nuk menduan mirë për ne , si komb, por me forma të ndryshme u munduan të na zhdukin identitetin tonë ,duke shkatërruar e plaqkitur gjithë çka ishte pasuri kulturore e shpirtërore e kësaj popullate , një kohë të gjatë zot të këtyre territoreve.

   Kjo bëri që pasuria kulturore dhe intelektuale e këtyre trojeve të zhduket e përvetësohet nga armiqtë e ndryshëm. Kurrësesi nuk na lan që sadopak ta konsolidojmë pushtetin dhe t’i mbrojmë këto pasuri në vendin tonë. Mjerisht shumë pak pasuri ka mbetur nga ajo periudhë e robërisë ,vetëm aty këtu nëpër botë të dërguara nga bashkëatdhetarët tanë ose të huajt të ruajtura nga plaqkat e marra në këto troje.Shumë gjurmë lashtësie gjenden nëpër tërë territorin e Shqipërisë etnike ,ndërsa shumë sosh të shkatërruara e të tjerat të përvetësuara nga pushtuesit barbarë .

   Mjerisht, disa edhe të dëmtuara nga ne vet nga moskujdesi , por edhe nga injoranca, mosdija dhe duke i konsideruar ato  si armike(psh kishat e krishtera nga popullata shqiptare e besimit islam). Kjo pakujdesi vazhdon aty këtu edhe sot.

 Këto  dëme i kanë shkaktuar  armiqtë e kombit tonë , të cilët edhe sot e kësaj dite, mundohen të na pengojnë në rrugën tonë  të lirisë ,bashkimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm. Ata i kemi armiq e nuk presim më mirë nga ta,por çka dëshirojnë armiqtë e brendshëm , të cilët ditën vetën e  quajnë  shqiptar e natën mundohen të na rrënojnë kalanë me shkrimet e tyre absurde kundër kombit të tyre. Mos vallë dëshirojnë të krijojnë një komb të ri në këto treva , apo janë argatë të djallit , armiqve të përbetuar të këtij kombi.

Si ka mundësi që njeriu me mendje  në kokë e me gjak shqiptari të mohojë luftërat e trimave të kombit të vet në të gjitha periudhat e gjakimit tonë për lirinë e kësaj toke??!!  Po kush është ai i marrë që  mundohet ta rrënojë  luftën e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut kundër turqve, me të vetmen arsye sepse mbrojti kombin shqiptar e me këtë edhe Europën dhe krishterizmin; sepse ai paska qenë i krishter e kjo po i pengoka atij turku shqipfolës i besimit islam.

   Po ata pseudointelektualë duhet të gjurmojnë kush  kanë qenë të parët e tyre e me siguri nëse mund ti gjejnë do të dalin se kanë qenë vëllezërit e Skënderbeut që ai e urren, të krishterë. Prandaj, turri anti-krishterë,  kudoqoftë ai, ka njëfarë arsyetimi, ndër shqiptarë është çmenduri. Është njësoj si ta fyesh, ta sulmosh gjyshin e stërgjyshin tënd!
    Po sa të paguajnë more i mjerë që shet e përbaltë figurën më sublime të mbrojtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve???!!! Rrënimi i kësaj figure don të thotë rrënimi i Shqipërisë etnike, zhdukja e jonë si komb! Mohimi i Gjergj Kastriotit si shqiptar  dhe baltosja e tij qon ujë në mullirin e armikut tone, Serbisë. Ajo kishte dëshiruar ta përvetësonte Skënderbeun, ashtu siç ka përvetësuar shumë monumente historike dhe kulturore duke u sherbyer me falsifikime , mashtrime dhe gënjeshtra dhe duke vën në funksion edhe Akademinë e shkencave , e cila pandërprerë punon në këtë drejtim.

Ata Kosovën e konsiderojnë si  djep të Serbisë ,zemër etj. Një luftë e  bërë nga popujt e Ballkanit kundër turqve në Fushë- Kosovë , ku humbi koalicioni ballkanik dhe u shkatërrua ushtria serbe në tërësi ,Serbia këtë e përvetësoi dhe e  shndërroi në fitore të saj ! Kështu , Serbia këtë humbje e  mitizoi  aq shumë , sa edhe vet pjesëmarrësit të asaj beteje, po të ngjalleshin,  do të habiteshin!!! Nga pakujdesia apo injoranca jonë përvetësoi  monumente dhe manastire që sot mburret se janë të saj .

Po të mos ishte Gjergj Kastrioti  dhe lufta e tij , i cili mbrojti   Shqiperinë, Europën  dhe krishterizmin,  a do të kishte sot komb shqiptar ? A do të kishte sot Shqipëri ? A do ta kishim sot Kosovën e lirë?  Jo , kurrë nuk do ta kishim ! Populli shqiptar do të përfundonte i tëri  në Anadoll e jo në Europë. Dhe si të tillë , ne sot do ishim anadollakë ! Po të ishte Skënderbeu serb, siç kanë pretenduar dhe pretendojnë ta nxjerrin edhe sot armiqtë e kombit tonë , a do të kishte Shqipëri ? Jo! As Kosovë e as komb shqiptar!

Nostalgjia e disa individëve, e shprehur  kohëve të fundit për osmanizimin e kombit tone, është e habitshme  dhe shqetësuese ! Jetojmë në kohërat  e luftës së kombit tonë për liri  të copëtuar dhe i ndarë në  pesë shtete. Edhe vet Turqia moderne do ta dënonte këtë ide anakronike të individëve të caktuar .Kjo është një njollë e zezë për kombin tonë .Mendoj se kësaj së keqe duhet thënë : Stop! Sa më parë aq  më mirë për kombin tonë .

Një komb apo shoqëri duhet  t’i vlerësoi vlerat e veta në raport me lirinë, që janë shenjat e identifikimit të tij ,letërnjoftimi i tij ( i mirë apo i keq ) me të cilën ai popull paraqitet  përpara popujve të tjerë. Ai që ka  marrëdhënie të turbullta me robërinë, do ta dëshmoj pak a shumë me raportet e trubullta edhe me lirinë.Një zhvlerësim i këtyre dëshmive të lirisë,do të na vënte në bankën e turpit si komb ,si kombi i vetëm në Europë që duke shkel ligjin moral të njerëzimit,e modifikon identitetin e vet për të marrë atë të kohës së robërisë . Mbeturinat e lëna si kopil te dera e shtëpisë sonë  nga armiqtë e kombit tonë duhet hedhur në plehërat e historisë! Ketë e kanë bërë shumë kombe europiane menjëherë pas çlirimit nga zgjedha osmane , ketë duhet bërë edhe ne .Më mirë sot se kurrë !

Historia e Gjergj Kastriotit ka qenë e do të mbetet përjetë një histori pozitive për ne shqiptarët dhe për botën e civilizuar të krishter, të tërë  Europës së cilës i takojmë .Me të , ne dhe nipërit tanë, do të identifikohemi dhe krenohemi para bashkësisë së popujve të Europës. Për ketë ne jemi të nderuar  sepse jemi nipërit e të madhit Gjergj Kastriotit, jemi pjesë e Europës duke  shpresuar se do të jemi të denjë si pjesë e saj e pandashme, në bashkësi  me kombet e tjera.

Nostalgjia për kohërat e shkuara të robërisë shekullore tregon për moslirimin ende nga robëria; ndjenjë e keqe  që ta humb identitetin, të çnjerëzon, s’ke më ideal,ta humb karakterin, të poshtëron...Je skllav i së kaluarës ,  pa  vlera njerëzore.

Ata që mendojnë se janë anadollakë le t’i bashkohen atyre në Anadoll,nëse i pranon Anadolli , gjë që unë dyshoj ,  sepse edhe ata janë kundër fundamentalizmave  islamikë dhe nuk dëshirojnë që të kenë  të tillë në gjirin e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora