E premte, 25.06.2021, 04:02 AM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Komunizmi të pleqnohet

E shtune, 10.01.2009, 11:12 PM


Arbën Xhaferi
Arbën Xhaferi (Foto: Jetmir Idrizi)
Komunizmi të pleqnohet

Në Kosovë, si askund tjetër, ka funksionuar sistemi pozitë-opozitë, komunistë-nacionalistë që përfundoi me fitoren e plotë të nacionalistëve. Në momentin kulmor të antagonizmave etnike në Jugosllavi, përfaqësuesit shqiptarë në sistem kaluan në anën e nacionalistëve. Komunizmi në Kosovë ishte mbulesë për pansllavizmin. Një Këshill i të Urtëve i drejtuar, bie fjala, nga Adem Demaçi do të duhej të merret me komunizmin.
Arbën Xhaferi hyn në debatin për lustrimin e dosjeve komuniste.

Nga Leonard Kerquki & Shpend Limoni

Arbën Xhaferi, një ndër politikanët më të shquar shqiptarë, ka hyrë në debatin për kaluarën komuniste të Kosovës. Në një intervistë për Express, ai disa herë ka bërë thirrje për kujdes, urtësi dhe drejtësi, si në qasje ashtu edhe në vendimmarrje. Por a mund të shikohet kjo periudhë vetëm me dy ngjyra? Bardh apo Zi? “Ka pasur faza që me plot gojë mund të cilësohen si okupim klasik, të përshkuara me vendosje të shtetrrethimit klasik ushtarak, me orë policore, me burgosje masive, likuidime, shpërngulje të dhunshme të popullsisë etj, por ka pasur edhe periudha liberale kur u ndërtuan institucionet administrative, kulturore, shtetërore në përgjithësi. E vërteta është komplekse dhe duhet ta perceptojmë atë me ngjyrime”, thotë Xhaferi.

Express: Në Kosovë, për herë të parë, ka filluar një debat intensiv për të kaluarën komuniste të vendit. Pikë kryesore e debatit është nëse duhet të ketë një Ligj për Lustracionin. A mendoni se është koha e duhur që të miratohet një ligj i tillë?

A. Xhaferi: Para së gjithash mendoj se në vend të fjalës latine “lustarcion” që krijon një lëmsh semantik, duhet të përdoret fjala shqipe “ndriçim” që është shumë më e kuptueshme dhe e përshtatshme për ta kuptuar dukurinë që është bërë, tani vonë, temë debati edhe në Kosovë. Për disa shkaqe, mendoj se vonesa është e arsyeshme. Së pari Kosova kishte brenga më të mëdha, çlirimin, shërimin e pasojave të luftës, ndërtimin e shtetit mbi modelin e sistemeve demokratike shoqërore, shpalljen e pavarësisë etj. Së dyti, analogjia nuk është metodë e pranueshme për zbulim të së vërtetës, prandaj çdo krahasim, analogji me shtetet tjera, pa mëdyshje, është rrugë e gabuar dhe nuk mund t’i ndriçojë faktet. Kosova, si një vend i okupuar nuk ka pranuar me vullnet të lirë ideologjinë komuniste, por ajo, si dhe okupimi i është imponuar me dhunë. Duhet pasur parasysh se okupimi dhe ideologjia komuniste iu imponuan Kosovës në Jaltë, dhe se populli i Kosovës, në mesin e tyre edhe komunistët edhe nacionalistët, objektivisht nuk kanë pasur mundësi ta ndryshojnë këtë vendim, ndonëse paraprakisht, gjatë luftës, në fshatin Bujan (Bunjaj) u pat marrë vendimi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Së treti, në Kosovë u zhvillua një proces historik, që përfundoi me çlirimin e saj, përkatësisht me pavarësinë e saj. Në këtë proces morën pjesë dhe dhënë kontribut pjesëtarët e të gjitha shtresave të popullit, kush më pak dhe kush më shumë. Lufta, UÇK’ja shërbeu si një filtër për pastrimin “e mëkateve” në periudhën e kaluar, kështu që kryengritja, në fakt u shndërrua në pikë pelegrinazhi (haxhillëku). Së katërti kjo çështje është tejet delikate, kështu që, si thotë populli në vend që t’i vëmë vetullat, mund t’i nxjerrim sytë, prandaj lipset shumë kujdes, urtësi dhe drejtësi, si në qasje ashtu edhe në vendimmarrje.

Express: Dihet që disa vende të Europës Lindore, që dikur i takonin kampit komunist, kanë hapur këtë çështje duke miratuar edhe ligjin. Cilat do të ishin efektet, nëse një ligj i tillë do të miratohej nga Kuvendi i Kosovës?

A. Xhaferi: Krahasimi duhet të bëhet ndërmjet Jugosllavisë dhe shteteve të Europës lindore, ngaqë në këto nivele, që ishin bartëse të procesit të ndërtimit të shtetit mbi premisat e ideologjisë komuniste janë marrë vendime që sot sheshazi dolën se bijnë ndesh me humanizmin, me kategorinë e lirive dhe të drejtave të njeriut. Kosova ka qenë, realisht e okupuar dhe nuk ka mundur lirshëm të marrë vendime të kësaj natyre, në përputhje me doktrinën komuniste. Në Kosovë, prej vitit 1945 e deri sa ajo u çlirua më 1999 zhvillohej konflikti mbi baza etnike, më saktë në relacionin e imponimit të një rendi kolonial, hegjemonist serb që fshihej në rrogozin e ideologjisë komuniste dhe rezistencës së shqiptarëve, që zhvillohej vazhdimisht në dy nivele, në atë ideologjik komunist dhe në atë kombëtar. Nomenklatura komuniste kosovare, në emër të pjesëmarrjes në luftën e përbashkët antifashiste, shtronte kërkesa për avancim të statusit të Kosovës, përkatësisht të shqiptarëve në sistem, duke arritur që Kosovën ta ngritë, prej statusit të një rajoni autonom në atë të elementit konstituiv të federatës, ndërkaq lëvizja ilegale kombëtare, në vazhdimësi ushtronte presion mbi përfaqësuesit shqiptarë në sistem që të kërkojnë barazi të plotë me popujt tjerë. Në Kosovë, si askund tjetër, ka funksionuar sistemi pozitë-opozite, komunistë-nacionalistë që përfundoi me fitoren e plotë të nacionalistëve. Them kështu, ngaqë, në momentin kulmor të antagonizmave etnike në Jugosllavi, përfaqësuesit shqiptarë në sistem kaluan në anën e nacionalistëve. Të mos harrojmë se Azem Vllasi në fund pranoi burgun në vend që t’i shërbejë klikës së Millosheviqit. Duke marrë parasysh se Kosovës iu imponua okupimi dhe komunizmi, duke marrë parasysh se në procesin historik që u zhvillua prej vitit 1945-1999, funksionimin komplementar i doktrinës komuniste dhe të asaj nacionaliste si dhe ngadhënjimin përfundimtar të nacionalizmit shqiptar, duke pasur parasysh sfidat e së ardhmes, duke mos harruar në asnjë çast vuajtjet e të gjitha atyre që u dergjën nëpër burgje, humbjet njerëzore, shpërnguljet etj, mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet me urtësi, fillimisht duke krijuar një Këshill të të Urtëve që do ta pleqnonin këtë çështje, të udhëhequr bie fjala nga simboli i rezistencës kombëtare, z. Adem Demaqit. Këtë çështje nuk mund ta zgjidhim si shtetet ish komuniste të Europës lindore, por përmes konsultimeve sa më të gjera me të gjitha shtresat e popullsisë.

Express: Një situatë specifike në rastin tonë është se dosjet ndodhen në Serbi. Sa mund ta rëndojë kjo rrethanë këtë çështje dhe a mund të merren kredibile ato dosje nëse vendoset që të hapen...

A. Xhaferi: Ky rrezik është real, veçmas tani kur është liberalizuar tregu i mediave, kur mbijetesa në tregun e hapur, ku konkurrenca është e pamëshirshme, sigurohet me lajme bombastike, të paverifikuara, të pamoralshme, si në Shqipëri bie fjala. Në shtetet e tranzicionit demokracia zhvillohet në mënyrë kaotike. Karakteristika kryesore e këtij procesi është mungesa e etikës. Demokracia pa etike shpie në kaos, në shthurjen e sistemit të vlerave, në relativizim të gjithçkajes. Serbia tashmë ka hyrë në një proces të përjetësimit të konfliktit me shqiptarët lidhur me Kosovën dhe është e qartë se do të përdorë çdo mjet, pra edhe sajimin e dosjeve. Mirëpo, nuk duhet mistifikuar këtë mundësi, ngaqë, më në fund u pa që rrjeti tyre i “spiunëve” nuk ishte aq i zhvilluar sa flitej. Ata nuk arritën të bëjnë për vete as 2% të popullatës së Kosovës.

Express: Debati, deri më tash, është fokusuar kryesisht në biografinë e udhëheqësve shqiptarë gjatë kohës së Jugosllavisë. Shumica e njerëzve të përfshirë në debat kanë folur me terma bardh ose zi për ta. A mund të gjendet një mes kur flitet për këto figura?

A. Xhaferi: Ta gjesh mesin e artë është shumë vështirë. Grekët antikë e himnizonin masën, mesin e artë. Vetëm popujt e qytetëruar arrijnë ta gjejnë atë. Në mjediset tona, në çdo fushë, politikë, kulturë, sport, fe etj. manifestohet skema bardh e zi. Ende s’jemi në gjendje t’i perceptojmë dukuritë me ngjyrime, me koloritin që ato, në fakt e kanë. Në të gjitha këto fusha manifestohet skema bardh e zi, ose ajo mik-armik, si në fushën e politikës. Ky debat në Kosovë nuk mund të jetë intensiv për dy shkaqe kryesore. Së pari, ngaqë aty nuk u zhvillua një antagonizëm ideologjik, por etnik dhe së dyti, në Kosovë nuk ekziston asnjë parti politike që ndërlidhet me traditën e partisë komuniste, apo socialiste jugosllave. Për shkak të orientimit kombëtar të partive politike kosovare, prej fillimit të tranzicionit, si askund tjetër u bë distancimi i plotë dhe i qartë me të kaluarën. Por, jo vetëm kaq. Sot asnjë parti politike në Kosovë nuk udhëhiqet nga ish anëtarë të nomenklaturës së dikurshme komuniste. Në Kosovë distanca me të kaluarën, për shkak të luftës për çlirim, u bë në mënyrë të natyrshme, prandaj, nëse kjo punë është kryer vetvetiu, atëherë, duke dashur t’i kopjojmë të tjerët mund të hapim një proces që do të shpenzojë energjitë që duhet të fokusohen në ndërtimin e shtetit. Me këtë natyrisht nuk mendoj se duhet të amnistohen spiunët, shpifësit, kriminelët, ideologët antikombëtar, por apeloj për maturi. Në Kosovë, prej fillimit komunizmi është perceptuar si mbulesë e pansllavizmit.

Express: Ka përpjekje që Kuvendi i Kosovës periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe atë të mëhershme, ta shpallë si periudhë të okupimit. Një tentim ky për një lloj distancomi kolektiv nga ajo periudhë. Cili është mendimi juaj rreth kësaj çështje?

A. Xhaferi: Jam i bindur se në Kosovë çfarëdo distancimi nga komunizmi, ashtu si nga pansllavizmi nuk do të çonte pluhur. Në Kosovë nuk ekziston fare antagonizmi ndërmjet komunistëve dhe demokratëve, prandaj në Kuvend mund të nxirren rezoluta, deklarata, ligje lehtësisht për shkaqe që u përmendën më lartë. Sa i përket okupimit, mendoj se problemi është më i ndërlikuar. Ka pasur faza që me plot gojë mund të cilësohen si okupim klasik, të përshkuara me vendosje të shtetrrethimit klasik ushtarak, me orë policore, me burgosje masive, likuidime, shpërngulje të dhunshme të popullsisë etj, por ka pasur edhe periudha liberale kur u ndërtuan institucionet administrative, kulturore, shtetërore në përgjithësi. E vërteta është komplekse dhe duhet ta perceptojmë atë me ngjyrime.

Express: Të arriturat e Kosovës gjatë viteve 1945-1981 a mund të konsiderohen si “dhuratë” e udhëheqësve jugosllavë apo meritë e nomenklaturës së atëhershme shqiptare në Kosovë?

A. Xhaferi: Në Kosovë u zhvillua një proces intensiv antagonist ndërmjet nacionalizmit shqiptar dhe doktrinës komuniste, përkatësisht pansllaviste. Qëndresa shqiptare doli më e fortë se ideologjia e rrejshme komuniste jugosllave. Sa herë që dhuna, represioni sistematik kundër shqiptarëve e zbulonte natyrën pansllave të politikës së autoriteteve jugosllave, aq herë ata detyroheshin që t’i avancojnë të drejtat e ndrydhura të shqiptarëve. Ata kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë. Në momentin kur ata vendosën të mos e bëjnë këtë, të shkojnë deri në fund me idenë që ta çrrënjosin kauzën shqiptare, Jugosllavi u shpërbë. Sa i përket meritës së nomenklaturës së atëhershme shqiptare, mendoj se ata shfrytëzonin pretekstet që i krijonte faktori kombëtar, lëvizja gjithmonë vepruese ilegale shqiptare. Bie fjala pas demonstratave të vitit 1968, filloi liberalizimi në të gjitha fushat që përfundoi si proces me miratimin e Kushtetutës së Jugosllavisë, dhe me avancimin e statusit të Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora