Mendime
Baki Ymeri: Shqiptarët dhe Bashkimi i Principatave Rumune në 150 vjetorin e tyre
E shtune, 24.01.2009, 07:13 PM
Shqiptarët dhe Bashkimi i Principatave Rumune në 150 vjetorin e tyre
Më 1859, koloneli Al. I. Cuza dekretoi instrukcionin publik të detyrueshëm dhe e krijoi për herë të parë armatën e rregullt rumune. Deri në atë kohë, ata që e përkujdeseshin për mbajtjen e rendit dhe sigurisë në trojet rumune, ishin arnautët tanë.
Nga Baki Ymeri, Bukuresht
24 Janari është Dita Kombëtare e Bashkimit të Principatave Rumune. Në gjithë vendin zhvillohen manifestime dedikuar ditës së Bashkimit të Moldovës me Banatën, Transilvaninë dhe principatat tjera të këtij vendi të bekuar nga engjëjt. Rumunët e hedhin sot Vallen tradicionale të Bashkimit nëpër kremtime të panumërta që zhvillohen, që nga Timishoara, Bukureshti e deri në Jash të Moldovës. Manifestime të denja u mbajtën sot edhe në Fokshan, Bukuresht e gjetiu. Rumunët e hedhin këtë ditë e Vallen e Bashkimit (Hora Unirii), e përcjellë me hymnin e tyre kombëtar nga i cili u inspirua Asdreni ynë, duke e qëndisur në Bukuresht poezinë Rreth flamurit të përbashkuar, që më vonë do të bëhet Hymni ynë Kombëtar. Ishte insistimi i një profesori rumun dhe i korit shqiptar në Sala Transilvaniei (1907), që Asdreni ta shkruajë një marsh për ta kënduar kori përkatës. I prekur nga ovacionet e dashamirëve: Rroftë Asdreni, marshin Asdren, marshin shqip, marshin shqiptar! Bylbili i Drenovës tërhiqet në një skaj të sallës dhe i sajon vargjet e para, poezi të cilën më vonë do ta kompletojë, duke ia përshtatur variantës rumune të këngës Pe al nostru steag (Mbi flamurin tonë), për të cilën Lasgushi do të shkruajë: “Fjalët e Asdrenit, të ardhuar më pas, nuk bënë veçse t’a shtojnë efektin e këngës me atmosferën e frymës shqiptare që është merita e tij e veçantë”.
Për shpalljen e revolucionit dhe aktin patriotik të bashkimit janë bërë parapregaditje serioze nga njerëz të zgjedhur, qysh para dhjetë vitesh. Nga libri Rumania Masonike (Bukuresht, Editura Tesu, 2005), e autorit me prejardhje hebraike, Te?u Solomovici kuptojmë: “1848. Anëtarë të Komitetit Revolucionar të Bukureshtit, zgjedhin për pregaditjen, shpalljen dhe udhëheqjen e revolucionit, një Komision Ekzekutiv të përbërë nga Nicolae Balcescu, Ion Ghica dhe A.G. Golescu-Negru. Pas vajtjes në misione diplomatike në Konstantinopojë, Ion Ghica zëvendësohet nga C.A.Rosetti. Të gjithë bënin pjesë në frankmasoneri. Pas disfatës së revolucionit, pothuajse të gjithë masonët rumunë vetë/mërgohen dhe veprojnë në lozhat e vendeve ku u strehuan (cnf.OMR.). 1859-1866. Në pregaditjen dhe realizimin e Bashkimit të Principatave, pjesëmarrin masonë rumunë dhe francezë. Udhëheqësi i zgjedhur, Alexandru Ioan Cuza, është edhe ai mason. Ai është përpjekur që përgjatë shtatë vjetëve të zotërimit të tij (1859/1866), të ndërtojë shtetin e ri rumun sipas parimeve masonike. Një historian, Daniel Ligou, shkruan: Nën udhëheqjen e Alexandru Ioan Cuza, në Rumani u krijua një Parlament, u vendos e drejta për votime për çdo kategori sociale. Cuza dekretoi instrukcionin publik të detyrueshëm dhe e krijoi për herë të parë armatën e rregullt rumune.” (f.224). Deri në atë kohë, ata që e përkujdeseshin për mbajtjen e rendit dhe sigurisë në trojet rumune, ishin arnautët tanë.
Bashkimi është një akt patriotik i ekzistencës së një populli.. Ka ardhur koha kur për shqiptarët dhe rumunët e shkuara del ballë për ballë me të tanishmen. Nevoia de unire, thonë rumunët.. Nevoja për bashkim thonë shqiptarët. Pse nuk dimë ti nderojmë heronjtë për çdo ditë e jo vetëm në ditët e kremtimit! Presidenti rumun i falënderoi qytetarët e Fokshanit për mbajtjen gjallë të memorjes ndaj bashkimit të principatave, duke thënë se “Fokshani ka një rol të rëndësishëm ngase din ta mbajë gjallë shpirtin e bashkimit, ngase këtu para 24 janarit funksionuan komitetet më aktive, ngase para Bukureshtit këtu qe pranuar Alexandru I. Cuza me entuziazmin më të madh. Fokshani para bashkimit ishte një vend që i ndante rumunët, ndërsa pas Bashkimit të Principatave i bashkoi jo vetëm përmes njerëzve që e krijuan bashkimin, por edhe përmes atyre që na frymëzojnë. Proklamata e Cuzës ishte: Të na rrojë Rumania ! Ju jeni ata që e doni atdheun dhe që dini ta prëforconi, dhe roli më i rëndësishëm për përforcim i përket klasës politike të sotme”.
Arnauti me kobure |
Masat e para për bashkimin e vendit koloneli Al. I. Cuza i mori menjëherë: bashkimin e taboreve të armatosura, intervenimin që të njihen mes vedi, të këmbejnë armë, uniforma e përvojë. Më 1859 u kry bashkimi i principatave rumune. Kurë do të bashkohen “principatat” shqiptare për krijimin e Shqipërisë së bashkuar! Kjo nuk varet nga kameleonët e Internetit që kultivojnë kultin e përçarjes fetare apo enveristët që shesin patriotizëm elektronik, por kjo varet nga bashkimi i faktorit politik shqiptar. Duke evokuar momentin historik të 150 vjetorit të bashkimit, potencojmë faktin se Moldova ende nuk është e bashkuar me Rumaninë, siç nuk është e bashkuar Kosova me Shqipërinë, edhepse liderët shqiptarë dhe rumunë bëjnë përpjekje të mençura poltike, diplomatike, tregtare, kulturore e turistike, për një unifikim të ngadalshëm e të mirëfilltë. Për realizimin e një bashkimi të madh kombëtar të Moldovës me Rumaninë dhe Kosovës me Shqipërinë, ekziston nevoja e inkorporimit të tyre në gjirin e NATO-s dhe Bashkimit Europian, rast me të cilin shembet vetëvetiu Muri i Berlinit që i ndan këto vende të persekutuara përgjatë historisë nga kolonializmi serb dhe ai sovjetik.
Arnaut 1849 |
Al. I. Cuza - themeluesi i Rumanisë moderne |