Mendime
Valter Ibrahimi: Komuniteti shqiptar në Austri është një komunitet elitar
E marte, 03.02.2009, 08:17 PM
Valter Ibrahimi: Numri i komunitetit shqiptar në Austri është 2541 persona, përgjithësisht i arsimuar shumë mirë dhe i integruar
Komuniteti shqiptar në Austri është një komunitet elitar
Nga Albert Zholi
Kërkesës së gazetës Telegraf për një intervistë ekskluzive Ambasadori shqiptar në z. Valter Ibrahimi ju përgjigj menjëherë. Në këtë intervistë ai flet për numrin e emigrantëve shqiptarë në Austri, lidhjet e tyre me ambasadën, me atdheun, integrimin në jetën e vendit ku punojnë, problemet si dhe aktivitetet e shumta që organizojnë.
Punësimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme
Mars 2006-në vazhdim Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Austrisë
Tetor 2006 - Shkurt 2008 Ambasador i Republikës së Shqipërisë jo me qëndrim në Republikën e Sllovenisë
Janar 2006-Mars 2006 I ngarkuar me punë nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Austrisë
Dhjetor 2002-Janar 2006 Drejtor për Integrimin Evropian
Tetor 2002-Dhjetor 2002 Kryetar i seksionit për Kanadanë dhe Amerikën Latine
Gusht 2002-Tetor 2002 Kryetar i Seksionit për marrëdhëniet me SHBA-në
Korrik 2000-Gusht 2002 Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Pragë, Republika Çeke
Gusht 2001-Prill 2002 I dërguar me punë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke
Janar 1998-Korrik 2000 Bashkëpunëtor për marrëdhëniet bilaterale ne tryezën amerikane për marrëdhëniet bilaterale me vendet e Amerikës së veriut(SHBA,Kanada dhe Meksikë)
Z. Ambasador, sa kohë keni si përfaqësues zyrtar i shtetit shqiptar në këtë vend dhe cilat ishin problemet kur ju morët në dorëzim detyrën?
Në pozicionin e Ambasadorit të Shqipërisë në Austri, kam që në 15 mars 2006. Datat e paraqitjes së kredencialeve të para nuk harrohen, pasi këtu fillon dhe karriera e Ambasadorit. Por më duhet të saktësoj se, fillimisht detyrën pranë Përfaqësisë sonë diplomatike në Vjenë/Austri e mora, më 16 janar 2006 si i Ngarkuar me Punë, pasi për arsye të ndryshme teknike niveli i përfaqësimit nuk ishte në nivel Ambasadori. Ishte një moment shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet me Austrinë, e cila më 1 janar të atij viti mori presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Ishte një mision i rëndësishëm dhe një nga arsyet që u dërgova me urgjencë në cilësinë e të Ngarkuarit me Punë ishte se, prej disa vitesh e deri në atë moment unë mbaja detyrën e Drejtorit të BE-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më pas nga strukturat drejtuese të Qeverisë u propozova për postin e Ambasadorit, e cila u konfirmua me unanimitet nga Komisioni i Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë dhe u dekretua më pas nga Presidenti i Republikës. Kur mora detyrën, ashtu siç edhe e paraqita edhe në Komisionin e Politikës së Jashtme, axhendën time e mbështeta mbi dy linja kryesore të politikës sonë të jashtme: atë afatshkurtër, që lidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë me bashkëpunimin me Presidencën austriake të BE-së dhe ku një vend të veçantë zinte mbyllja e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit, nënshkruar në qershor të atij viti; dhe afat-mesme e afat-gjatë, që lidhej me marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe të bashkëpunimit me Austrinë, duke pasur parasysh afatin e shërbimit në këtë vend. Në aspektin afat-mesëm dhe afat-gjatë axhenda ishte shumë më e gjerë dhe më pranë punës normale të një përfaqësie diplomatike. Mund të përmend këtu: nevojën për intensifikimin e dialogut politik midis dy vendeve, nëpërmjet kontakteve në të gjitha nivelet dhe realizimit të vizitave të ndërsjella; zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik; përpjekjet për riaktivizimin e marrëveshjes për poseduesit e pasaportave Diplomatike dhe atyre të Shërbimit; forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë edhe ato që lidhen me çështjet e drejtësisë dhe të rendit; promovimin e vlerave historike, kulturore, artistike dhe e potencialeve ekonomike të Shqipërisë në Vjenë; mbështetjen për diasporën shqiptare në Austri; etj.
Si janë aktualisht marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe vendit ku ju kryeni aktualisht detyrën?
Marrëdhëniet me Austrinë janë dhe vlerësohen si të shkëlqyera. Ato kanë një lidhje të veçantë historike dhe pas vitit 1990 këto marrëdhënie u ridimensionuan, duke iu përgjigjur më së miri ndryshimeve në Evropën pas rënies së murit të Berlinit dhe hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore.
Marrëdhëniet aktuale me Austrinë janë shumë dimensionale: politike, ekonomike e kulturore. Marrëdhëniet politike janë në kulmin e tyre më të mirë, pasi kemi një kuadër ligjor shumë të gjerë bashkëpunimi, shkëmbime periodike të vizitave të ndërsjella në nivele të larta zyrtare, bashkëpunim institucional shumë intensiv mes institucioneve homologe të dy vendeve, mbështetje të hapur nga Austria për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Schengen, etj. Ndërsa në nivel ekonomik, vlen të theksohet se Austria është një nga vendet me investime direkte shumë domethënëse në Evropën Lindore dhe Juglindore, të cilat llogariten në masën 44 miliardë Euro. Një përqindje e këtyre investimeve ka ardhur edhe në Shqipëri, përmes kompanive prestigjioze austriake në fusha të ndryshme si: në tregun financiar, përmes Raiffeisen International Bank, që në një farë mënyrë rriti kredibilitetin për investimet e huaja në tregun shqiptar; të Sigurimeve, përmes kompanive UNIQA dhe Vienna Insurance Group; në fushën e turizmit, ku një nga kompanitë pioniere si ROGNER, krijoi infrastrukturën e parë të huaj të hotelerisë në Tiranë; në fushën e infrastrukturës, përmes kompanive gjigante STRABAG, Alpine Mayerider, etj.; energjisë, përmes prezencës së EVN dhe Verbund; Dhoma Federale Ekonomike e Austrisë, tashmë ka hapur një zyrë përfaqësimi në Tiranë; dhe lista është shumë e gjatë. Po kështu mund të vlerësoj si shumë të mirë edhe bashkëpunimin kulturor dhe atë arsimor. Sot shumë artistë shqiptarë performojnë në qendrat dhe institucionet kulturore të Austrisë, me mbështetje të veçantë të strukturave shtetërore ose jo austriake. Gjithashtu, ka një bashkëpunim të ngushtë në fushën e arsimit, ku Austria ka dhënë një kontribut shumë të vyer për zhvillimin e sistemit arsimor, veçanërisht në zonat veriore dhe ato verilindore. Ka bashkëpunim institucional mes Universitetit të Tiranës dhe atij të Vjenës, mes Universitetit të Shkodrës e atij të Gracit, e shumë projekte të përbashkëta.
Për emigrantët shqiptarë në Austri ka informacion të pakët. Sa është numri i emigrantëve shqiptarë në këtë vend dhe cilat janë lidhjet tuaja me këtë komunitet?
Komuniteti shqiptar në Austri mund të klasifikohet në dy kategori, ai me origjinë nga Republika e Shqipërisë, për të cilën Përfaqësia ka obligime zyrtare institucionale dhe ai me origjinë nga trevat e tjera shqiptare jashtë kufijve, nga Kosova, Maqedonia apo dhe Mali i Zi. Sipas vlerësimit të zyrës së statistikave të Austrisë, më 1 janar 2007, numri i komunitetit shqiptar në Austri është 2541 persona, nga të cilët më shumë se gjysma e tyre mbajnë ende shtetësinë shqiptare, pra që nuk janë natyralizuar. Kjo shifër paraqet vetëm numrin e personave nga Shqipëria që janë legalisht të regjistruar në Austri. Ka dhe dy kategori të tjera personash që jetojnë në Austri: studentët shqiptarë, të cilët vlerësohen në rreth 500 vetë; si dhe një numër emigrantësh të paregjistruar, ndryshe thënë ilegalë. Numri i tyre mendohet të jetë jo domethënës, pasi mënyra e organizimit shtetëror austriak e bën të pamundur një prani të madhe të emigrantëve ilegalë. Ndërsa komuniteti shqiptar me origjinë nga trevat e tjera, në mungesë të statistikave, por sipas përllogaritjeve të shoqatave të ndryshme, vlerësohet në rreth 45-50 mijë persona. Lidhjet me komunitetin shqiptar kryesisht mbahen përmes kontakteve të shpeshta dhe bashkëpunimit intensiv me shoqatat e ndryshme dhe krerët e tyre të gjitha trevave. Vlerësoj se është një komunitet që ka dëshirë të mbajë kontakte të ngushta me Ambasadën dhe të marrë pjesë në aktivitetet e ndryshme që Përfaqësia organizon, pa llogaritur këtu pritjen me rastin e Festës Kombëtare. Ka një numër të konsiderueshëm shoqatash shqiptare kryesisht me orientim ose organizim laik kulturor, por edhe politik, fetar apo studentor. Por të gjitha demonstrojnë një karakter të theksuar kombëtar e patriotik.
Cilat janë problemet kryesore të komunitetit shqiptar në këtë vend?
Komuniteti shqiptar në Austri me origjinë nga Republika e Shqipërisë, është një komunitet mund të them me plot gojën elitar, përgjithësisht i arsimuar shumë mirë dhe i integruar mirë në jetën shoqërore të Austrisë. Ky komunitet përbëhet në masën më të madhe të tij nga intelektualë që punojnë në institucione austriake apo ndërkombëtare me seli në Austri, por edhe artistë të fushave të ndryshme që me talentin e tyre janë pranuar të performojnë apo ekspozojnë artin e tyre në institucionet kulturore prestigjioze të Austrisë. Problematika kryesore e tyre mendoj se është integrimi i plotë në vendin ku ata jetojnë e punojnë. Ky integrim ka një aspekt të dhimbshëm për këtë komunitet, që në masën më të madhe lidhet me domosdoshmërinë e heqjes dorë prej nënshtetësisë shqiptare dhe marrjen e nënshtetësisë austriake. Them i dhimbshëm, pasi sipas dijenisë time, askush nuk dëshiron ta lërë nënshtetësinë shqiptare, por meqenëse Austria e njeh dyshtetësinë vetëm për raste shumë speciale, për të arritur një integrim sa më të mirë janë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia shqiptare. Jo pa keqardhje. Sigurisht, ka edhe probleme të tjera dytësore, por që nuk mund të konsiderohen si shqetësime, por thjesht si probleme me karakter administrativ, që sipas specifikave mundohemi t’ia zgjidhim përmes shërbimit tonë konsullor.
A ka gazeta shqip në këtë vend dhe cilat janë problemet që ato trajtojnë?
Në dijeninë time nuk ka gazeta shqip që botohen nga komuniteti shqiptar në Austri. Ndoshta për shkak të numrit të vogël të tyre. Por ky komunitet në mënyrë periodike ndjek shtypin shqiptar të botuar në Zvicër, që vjen rregullisht edhe në Austri. Por sigurisht, në ditët e sotme edhe për komunitetin shqiptar në Austri është shumë më e thjeshtë, komode dhe e shpejtë ndjekja e shtypit të përditshëm shqiptar përmes internetit. Shpesh, komuniteti shqiptar në Austri është pjesë e një vlerësimi pozitiv që bëhet në shtypin vendas, veçanërisht artistët, por edhe në shtypin shqiptar.
Çfarë aktivitetesh keni realizuar me qeverinë e vendit ku ju punoni për të prezantuar kulturën dhe historinë shqiptare?
Austria dhe Vjena në veçanti kanë një lidhje shumë të veçantë me kulturën dhe artin, veçanërisht atë muzikore, por kanë dhe një ndjesi shumë të veçantë për kulturat dhe artin e prodhuar nga vendet e tjera. Vjena konsiderohet si nga kryeqytetet kryesore botërore për kulturën dhe artin që prodhon dhe konsumon, krahas Parisit, Romës e Londrës. Në këto kushte, sigurisht edhe Përfaqësia jonë, me gjithë mundësitë modeste financiare, mundohet që të organizojë, të bashkëpunojë me institucionet e ndryshme në Austri, apo të nxisë mbështetjen e artistëve të ndryshëm shqiptarë. Këtu mund të sjell në vëmendje: organizimin e disa ekspozitave me piktorë shqiptarë me banim në Austri, si Fatmir Velaj, Agim Peqini, etj.; mbështetjen e iniciativës së aktores së njohur shqiptare Eva Alikaj për vënien në skenë të shfaqjes Lola Blau, që u vu edhe në skenën shqiptare; bashkëpunimin dhe kontributin e Përfaqësisë për një prezantim sa më të mirë të shkrimtarëve të njohur shqiptarë, si Ismail Kadare, Mimoza Ahmeti, Fatos Kongoli, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, etj.; prezantimin e vlerave historike, turistike dhe atyre gastronomike të vendit tonë; botimin e edicioneve speciale për Shqipërinë me mbështetjen e biznesit austriak; etj.
Aktivitetet kanë qenë të shumta e të larmishme dhe gjej rast të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që i kanë mbështetur, institucionet austriake, shoqatën e miqësisë Austri-Shqipëri, biznesmenët shqiptarë me banim në Austri, biznesi austriak që ushtron aktivitete në Shqipëri, etj.
Cila ka qenë dita më e vështirë juaja si ambasador në këtë vend dhe pse?
Është e vështirë të përcaktohet “dita më e vështirë” për një ambasador, i cili punon dhe jeton në një vend, ku marrëdhëniet dypalëshe vlerësohen si të shkëlqyera. Nuk kam mundur të fus në memorien time ende një “ditë realisht të vështirë” në kuptimin e saj të plotë për një diplomat. Por sigurisht ka ditë të vështira. Për mua ato kanë qenë kryesisht të lidhura me organizimin e vizitave të ndryshme të ndërsjella, apo edhe e aktiviteteve të ndryshme, ku shpesh gjërat marrin kthesa të çuditshme dhe të paparashikuara, për të cilat duhet improvizuar e vepruar shpejt dhe në mënyrë efiçente.
A jeni ambientuar me mënyrën e jetesës, klimën, ushqimin, e vendit ku punoni?
Personalisht jam person që ambientohem shpejt, por fatmirësisht shoh se edhe familja ime, bashkëshortja dhe dy fëmijët janë ambientuar më së miri. Kryesisht, jashtë shtetit, për periudha të gjata, kam shërbyer në vende me dimër më të ashpër se në Tiranë, si në Bukuresht, Pragë dhe së fundi në Vjenë. Vjena ka një klimë pak më ndryshe se ajo e Tiranës, një dimër më të ashpër por një verë më të freskët, por gjithashtu ka infrastrukturë shumë të zhvilluar në funksion të një jete shumë komode për qytetarët. Kur flasim për Vjenën, nuk duhet të harrojmë se është një qytet me traditë imperiale dhe hija e perandorisë më të zhvilluar e më liberale reflektohet sot jo vetëm në arkitekturën dhe rregullin në çdo gjë dhe kudo, por edhe në jetën e social-kulturore. Reflektohet në zakonet dhe traditat e qytetare. Reflektohet në art e kulturë, por reflektohet edhe në gastronomi. Kam bindjen se jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për diplomatë të tjerë të huaj, përfshirë edhe ata të vendeve të mëdha, jeta në Vjenë është diçka ndryshe dhe me shumë “klas”. Është një qytet që ofron një jetë shumë intensive diplomatike, kulturore dhe artistike. Por jo vetëm Vjena, por e gjithë Austria e ofron një ambient të tillë, ku në mënyrë të veçantë spikat Salzburgu, qyteti i Moxartit, etj., etj. Është e vështirë t’i përshkruash me pak fjalë atë se çfarë ofron jeta në Vjenë dhe përgjithësisht në Austri, pra edhe nevojën për t’u përshtatur në mënyrën më të mirë të mundshme me këtë jetë. Sa për ushqimin, duhet të dini se ai ka një rëndësi të veçantë për diplomatët dhe konsiderohet si pjesë organike e punës protokollare dhe suksesit të tij diplomatik. Vjena, përveç ambienteve shumë të veçanta e mbresëlënëse nga ana arkitekturore, e jashtme dhe e brendshme, ofron dhe një kulturë kulinare tradicionale shumë interesante, veçanërisht në atë të ëmbëlsirave dhe prodhimeve bio. Por aktualisht Vjena ofron dhe një mundësi zgjedhjeje të shumëllojshme gastronomike. Në Vjenë nuk mungon kuzhina e mrekullueshme dhe e shijshme mesdhetare në nivelin më të lart të saj, por gjen dhe atë aziatike, të Amerikës së Jugut, etj.
A shfaqen në mënyrë të hapur shenja racizmi ndaj emigrantëve në këtë vend dhe cili ka qenë reagimi juaj?
Austria është një vend relativisht i vogël në qendër të Evropës dhe trashëgimia e saj historike ka bërë që të jetë dhe qendra e Perandorisë Austro-hungareze. Kjo ka bërë të mundur që kultura dhe etni të ndryshme të bëhen pjesë e jetës së sotme austriake. Ndoshta kjo është dhe arsyeja kryesore, përveç zhvillimeve moderne demokratike, që bën të mundur kultivimin e një shoqërie të hapur. Sigurisht, si në çdo vend tjetër edhe në Austri ka dhe grupe apo parti të vogla që kanë qëndrime ekstreme lidhur me emigracionin e huaj. Shpesh kjo bëhet pjesë e retorikës politike në periudha zgjedhore, por që nuk ka mbështetje të gjerë apo efekte direkte përgjithësisht mbi emigrantët e huaj në Austri, apo në veçanti për ata me origjinë shqiptare. Strukturat shtetërore dhe ato të shoqërisë civile janë në nivel të tillë që absorbojnë edhe qëndrimet ekstremiste. Masat e marra për integrimin ekonomik, kulturor e arsimor të emigrantëve në jetën austriake janë për t’u admiruar.
Ditët e veçanta të gëzuara
Ditët më të gëzuara si diplomat dhe si Ambasador i kam më lehtë t’i evidentoj. Mund të sjell në vëmendje dy prej tyre: e para ishte dita kur u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizimit -Asociimit, për të cilën edhe unë isha munduar të jepja kontributin tim modest, si pjesë e grupit negociator shqiptar, që nga fillimi i negociatave për të; dhe e dyta ishte 27 dhjetori 2006, dita kur m’u dorëzua nota e palës austriake, me anë të së cilës njoftohej kthimi në normalitet i marrëveshjes dypalëshe për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në vitin 1992 dhe bllokuar, për arsye të ndryshme, në mënyrë të njëanshme nga pala austriake, në shtator 1997. Ishte një ditë e gëzuar, pasi pas një pune intensive disa vjeçare dhe kontributin tim për rreth një vit, ajo u kurorëzua me sukses në fund të vitit 2006. Ishte një surprizë dhe një dhuratë e bukur në fund të vitit, pasi njoftimi m’u bë gjatë një takimi të veçantë me personat përgjegjës të palës austriake, më 27 dhjetor 2009, bile dhe nota mban të njëjtën datë. E konsideroj një ditë të gëzuar pasi jo vetëm kurorëzoi me sukses një nga objektivat e mia, por edhe për efektin shumë pozitiv dhe optimist që ofroi në funksion të procesit të lehtësimit të regjimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Një ditë pune në zyrë
Për një diplomat dita e punës jashtë shtetit ndryshon me atë që bën kryesisht në qendër, pra në Ministri. Edhe për mua funksion kjo logjikë. Ndoshta e keni dëgjuar dhe nga shumë të tjerë, por është e vërtete se dita e punës së një Ambasadori, pra e një diplomati, fillon dhe mbaron me informacion. Informacion i marre nga dhe nëpërmjet burimeve te ndryshme, përpunim apo transmetim të tij sipas specifikave, etj. Një ambasador dhe një diplomat i mire e fillon ditën me informacionin e shtypit, që rëndom quhet dhe ushqimi shpirtëror i mëngjesit. Sigurisht, termi informacion është shume i gjerë, por puna e përditshme e një diplomati, përfshire dhe ambasadorin fokusohet çdo ditë në disa drejtime, të cilat më kryesoret janë: aktiviteti diplomatik, i cili lidhet me informacionin, mesazhet, takimet, angazhimet, etj; aktiviteti protokollar, i cili në një vend si Vjena është shume i gjere dhe intensiv dhe që në më të shumtën e rasteve shfrytëzohet nga diplomatet ne funksion te aktivitetit diplomatik; si dhe aktivitetet te tjera, me karakter dytësor, menaxherial dhe administrativ.
box
Atdheu dhe lidhjet me të
Sigurisht, që më mungon. Më mungojnë shumë gjëra, familja, miqtë, klima, ushqimi, jeta përgjithësisht e zhurmshme alla mesdhetare, por gjithsesi, profesioni që kam zgjedhur më jep mundësi të jem në kontakt të vazhdueshëm e të përditshëm me vendin. Janë lëvizjet e shumta të njerëzve në dhe përmes Vjenës, kontaktet e përditshme telefonike dhe elektronike, ndjekja e lajmeve përmes sinjaleve satelitore, etj., etj., të cilat në njëfarë mënyre ma plotësojnë këtë mungesë.