E shtune, 05.10.2024, 10:47 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: PS si Partia e Sigurimit, PD si Partia e Denoncuesit të rebeluar Berisha...

E marte, 03.02.2009, 11:47 PM


PS si Partia e Sigurimit, PD si Partia e Denoncuesit të rebeluar Berisha, dhe ambasada e USA, si Uncovered Sigurimi Advocate       

Nga Kastriot MYFTARAJ

“X” i ekuacionit të çështjes së dosjeve të organeve të diktaturës komuniste, ka marrë një trajtë shumë interesante. Partia Socialiste ka dalë publikisht dhe zyrtarisht si subjekt i interesuar paditës në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit për verifikimin e figurave, i njohur në zhargon mediatik si ligji i dosjeve, duke mbrojtur repartin e Sigurimit të Shtetit që është në kupolën e drejtësisë në Shqipëri, dhe që sot ka mazhorancën në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, pa përjashtuar Avokatin e Popullit. Kështu, Partia Socialiste na jep të kuptojmë se akronimi i saj, PS, duhet lexuar Partia e Sigurimit (të Shtetit). Partia e Sigurimit (PS) kërkon të na bindë se institucionet e drejtësisë në Shqipëri shkatërrohen në rast se nga kupola e tyre largohen oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët mbajnë mbi shpinë arkivolet e viktimave të tyre të pafajshme. A thua se nuk ka të tjerë juristë në Shqipëri që mund t’ i zëvendësojnë ata. Është e qartë, Edi Ramës i ka rënë “gjethja e fikut” e politikës së re dhe PS e tij ka dalë si Partia e Sigurimit. “Politika e re” e Edi Ramës del të jetë aq e vjetër sa teksti manual i saj, libri i Enver Hoxhës “Gjithmonë vigjilentë”, për Sigurimin e Shtetit.
Është një gjë shumë interesante se PS, tash që është kulmuar konflikti për ligjin e “dosjeve”, përdori kundër Berishës armën e dosjeve, duke nxjerrë në parlament me anë të zëdhënësit të grupit parlamentar socialist një gazetë të vitit 2002, ku një ish-i dënuar politik akuzon kryeministrin Berisha se ka dalë dëshmitar i akuzës ndaj tij, në një gjyq të kohës së diktaturës komuniste, ku ai ishte i pandehur për krimin e agjitacion-propagandës. Në rast se ka ndodhur vërtet kështu, çka do të thotë se Berisha ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, atëherë del se akronimi PD duhet lexuar Partia e Denoncuesit (Berisha). Kështu, është krijuar situata kur denoncuesi- bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, Sali Berisha është rebeluar ndaj Sigurimit të Shtetit. 
Në rast se Berisha ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit për dënimin e Hysen Shoshorit, atëherë nga Erion Braçe presim të shohim të tjera dokumente që vërtetojnë bashkëpunimin e Berishës me Sigurimin e Shtetit. PS sigurisht që duhet t’ i ketë këto dokumente në rast se ekzistojnë, se që kur Berisha u bë një nga liderët e PD në dhjetor 1990, ose që kur u bë kryetar i PD në shkurt 1991, kur Sigurimi i Shtetit ishte ende në këmbë i plotfuqishëm dhe kryesohej nga numri 2 i PS së sotme, Gramoz Ruçi, i cili atëherë ishte Ministër i Brendshëm, sigurisht që u bënë kopje të gjithë dokumenteve të tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, në rast se ka qenë vërtet i tillë, duke përfshirë dhe vendimin gjyqësor të dënimit të Hysen Shoshorit. Për këtë vendim më pas është thënë se është grisur, duke u aluduar se këtë gjë e ka bërë Berisha kur ka ardhur në pushtet, por kopjen e tij socialistët duhet ta kishin që më parë në dosjen e tyre speciale për Berishën.
Këtë dosje Gramoz Ruçi duhet ta ketë edhe sot, por deri më sot nuk na është paraqitur asgjë e tillë. Në rast se PS e Edi Ramës ka dokumente kompromentuese për Berishën, të cilat nuk mund të mos i ketë në rast se kanë ekzistuar, atëherë duhet t’ i paraqesë sot, ndryshe do të kompromentohet përfundimisht. Se fakti është që, ndërsa PS ka shpallur hapur se njerëzit e Sigurimit të Shtetit në drejtësi janë nomenklaturë e saj, për Berishën nuk ka arritur të paraqesë si provë për lidhjen e tij me Sigurimin e Shtetit asgjë veç një gazete që doli vetëm dy numra, ku një i dënuar politik që tashmë ka vdekur, pretendon atë që thashë më lart, por pa mundur dot të paraqesë as vendimin e vet gjyqësor, një kopje të të cilit supozohet ta kishte, ose ta kishte marrë kur u lirua, në intervalin prej rreth një viti e gjysmë mes shpalljes së pluralizmit dhe ardhjes së Berishës në pushtet. Kështu, faktet flasin kundër PS të Edi Ramës, aq më tepër që ndër gjykatësit dhe prokurorët që sot mbron PS, ka me siguri disa ndër ata që kanë marrë pjesë në dënimin e Hysen Shoshorit në cilësi të ndryshme si operativë, hetues, prokurorë apo gjykatës. Nëse PS paraqet dokumente se Berisha ka bashkëpunuar në dënimin e Shoshorit, atëherë të dy anët e ekuacionit na dalin të barabarta, duke qenë në të njëjtën anë PS si Partia e Sigurimit dhe në anën tjetër Berisha si bashkëpunëtor i rebeluar i Sigurimit të Shtetit.
“X” i ekuacionit ndërlikohet nga fakti që ambasada e SHBA në Tiranë, si dhe Bashkimi Europian , ky i fundit qartësisht nën influencën e SHBA, janë shprehur kundër ligjit të lustracionit, duke e quajtur atë antikushtetues. Ligji, nga pikëpamja formale është vërtet antikushtetues, por po aq e vërtetë është se është antikushtetuese që instancat më të larta të drejtësisë në Shqipëri t’ i kenë nën kontroll zyrtarët duarpërgjakur të organeve të diktaturës komuniste. Duke thënë SHBA dhe BE se ligji duhet futur brenda kornizave kushtetuese, në fakt po thonë që çelësat e drejtësisë në Shqipëri të mbeten në duart e njerëzve të organeve të diktaturës komuniste, se PS e Edi Ramës nuk dëshiron që ligji të prekë mandatet kushtetuese, me asnjë lloj modaliteti. Ndërhyrja e SHBA dhe BE është e kompromentuar nga fakti se nuk i kërkohet opozitës që të bashkëpunojë për gjetjen e modaliteteve kushtetuese për largimin e këtyre njerëzve nga organet e drejtësisë. Prandaj argumenti juridik që kanë gjetur SHBA dhe Bashkimi Europian është një “gjethe fiku” e mjerueshme për të mbuluar lakuriqësinë e tyre në mbrojtje të kriminelëve të diktaturës komuniste që sot kanë çelësat e drejtësisë në Shqipëri. Me qëndrimin e ambasadës amerikane në këtë çështje, akronimi USA në Shqipëri duhet lexuar: Uncovered Sigurimi Advocate (Avokat mbrojtës i zbuluar i Sigurimit të Shtetit).

Arsyet për të cilat ndodh kjo gjë meritojnë një shkrim, madje një libër më vete, gjë që tashmë është bërë e domosdoshme. Njerëzit e organeve të dhunës së diktaturës komuniste që sot kontrollojnë drejtësinë shqiptare, si dhe institucione të tjera të lidhura me të si Avokati i Popullit, kanë krijuar Boshtin e së Keqes në linjën Gjykatë e Lartë, Gjykatë Kushtetuese, Prokurori e Përgjithshme, Avokat i Popullit, SHISH. Në Shqipëri nuk mund të ketë shtet ligjor sa kohë ekziston ky Bosht i së Keqes. Këtë gjë e di mirë dhe ambasadori amerikan, dhe ambasadori britanik. Nëse Berisha ka denoncuar Hysen Shoshorin, atëherë Berisha nuk duhet të ishte në politikë. Por, Berisha nuk është aq i dëmshëm sa të këqijtë në Gjykatën Kushtetuese, se çfarëdo vendimi apo ligji që të bëjë Berisha, ai mund të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë instanca e fundit. Nëse konsiderohet e pranueshme se ata që kanë punuar në organet e diktaturës së proletariatit (me ligjet e kohës dhe gjykatat e prokuroria qenë organe të diktaturës së proletariatit), nuk duhen penalizuar sot se kanë zbatuar ligjet e kohës, atëherë SHBA dhe Britania e Madhe sot duhet t’ u kërkojnë falje nazistëve që dënuan në Nuremberg dhe të dëmshpërblejnë familjet e tyre se këta nazistë kishin zbatuar ligjet e kohës. Madje në Gjermaninë naziste kishte një ligj që i klasifikonte çifutët si racë e ulët, ndërsa në Shqipërinë komuniste nuk kishte një ligj që të përcaktonte statusin e të deklasuarit. Ish-gjykatësit, prokurorët dhe hetuesit e kohës së komunizmit kanë shkelur ligjet e kohës së kaluar, kur kanë pranuar si premisë të hetimit dhe gjykimit veprime të kryera në bazë të platformës së punës së Sigurimit të Shtetit, e cila nuk ishte një ligj, por një dokument konspirativ i miratuar vetëm nga instancat më të larta partiake. Qëndrimi i ambasadorit amerikan dhe britanik tradhton një linjë politike afatgjatë shumë dashakeqe ndaj Shqipërisë, në Washington dhe London, e cila mbetet e gjitha për t’ u përshkruar dhe që do të jetë impenjimi im kryesor në të ardhmen.
Ajo çka të indinjon më tepër tek qëndrimi amerikan dhe britanik në këtë çështje, është cinizmi i skajshëm, fyes deri në pafundësi. Unë personalisht nuk mund të them se jam persekutuar drejtpërdrejt nga regjimi komunist, por e ndjej veten thellësisht të fyer ku ambasadori amerikan, del dhe thotë në vitin 2009 se çelësat e drejtësisë në Shqipëri duhet t’ i kenë kriminelët e spikatur të organeve të diktaturës komuniste. Këtu ka një arrogancë absolutisht të patolerueshme, që e zhvesh nga çdo lloj legjitimiteti atë që e thotë, qoftë ky edhe ambasadori amerikan, dhe e shndërron në një bandit të rëndomtë, ndaj rrezikut të të cilit ke të drejtë të vetëmbrohesh me të gjitha mjetet e dhunës që mund të arrish të shtiesh në dorë.    
Është shumë acaruese dhe qesharake njëkohësisht, kur edhe qeveria çeke shprehet kundër ligjit për pastrimin e bandës së Sigurimit të Shtetit nga instancat e larta të drejtësisë në Shqipëri, në një kohë që në Republikën Çeke ky pastrim është bërë me kohë. Ky qëndrim i Republikës Çeke tregon se ata tre të supozuarit studentë çekë që janë zhdukur në Alpet e Shqipërisë në vitin 2001, nuk kanë qenë studentë por njerëz të shërbimeve sekrete. Se mendojeni vetë, cili qe ai çek i marrë sa të hynte në Alpet e Shqipërisë, në verën e vitit 2001, në një territor ku kontrolli i shtetit ekzistonte vetëm në letër dhe kur ishin ende të freskëta përshtypjet e të huajve për ngjarjet e vitit 1997-1998, në Shqipëri, aq shumë të mbuluara nga mediat ndërkombëtare. Një Zot e di se çfarë kanë bërë këta çekë trima në Shqipëri, ku ata kanë ardhur në fill pas zgjedhjeve të vitit 2001, dhe pikërisht në kohën kur rezultati i tyre i kontestuar nuk kishte dalë ende zyrtarisht, pra në një situatë të turbullt dhe ogurkeqe pot ë konsiderohet e shkuara e afërt e Shqipërisë para verës së vitit 2001. Logjika elementare të thotë se ata kanë qenë killera ndërkombëtarë, që kanë pasur ndonjë mision, por që janë ndëshkuar për ndonjë arsye. Kjo mund të duket si hipotezë fantastike, por e sigurt është se Republika Çeke qenka më e interesuar se ç’ mendohej për punët e Shqipërisë dhe në një mënyrë dashakeqe. Republika Çeke, për shkak të së shkuarës së saj komuniste, mund t’ ia kishte kursyer Shqipërisë deklaratën për ligjin e lustracionit, duke ia lënë atë që ta bënte dikush në Bruksel, gjë që do të mirëkuptohej në Bruksel.
Si do të zgjidhet ekuacioni i konfliktit për ligjin e lustaracionit në Shqipëri. Berisha do që ligji të rrëzohet nga gjykata kushtetuese që ai të fitojë betejën morale. Berisha që tani e ka fituar betejën morale duke u thënë shqiptarëve se sigurimsat i mbron SHBA prandaj unë kam qenë i detyruar që t’ i mbaj. Berisha e fitoi betejën morale me Presidentin Topi, i cili u vetëkompromentua në mënyrë çuditërisht të panevojshme duke mos e dekretuar ligjin, në një kohë që ligji si me firmën e Topit, si pa firmën e tij, do të shkonte që do të shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti Topi, me qëndrimin që mbajti ndaj ligjit u bë heroi i së majtës, por u dogj në sytë e të djathtëve, të cilët e konsiderojnë ligjin jo të plotë, por ama më të mirë se asgjëja. Nesër kur Berisha të largohet nga politika do të lejë pas një të djathtë thellësisht dyshuese ndaj SHBA, madje armiqësore ndaj tyre. Pasojat e këtij resentimenti mbeten të gjitha për t’ u verifikuar.   



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora