Mendime
Namik Selmani: Portat e Bashkimit
E enjte, 05.02.2009, 08:22 PM
Portat e Bashkimit
Nga Namik Selmani
Të rënda. Të admirueshme. Të shumëpritura. Të papritura. Të vështira për t’u hapur. Të domosdoshme. Të ëndërruara. Të kyçura pa e ditur e kush s’e ka çelësin e tyre. Të bukura. Të dhimbshme. Të misterta deri në kufinjtë e një magjie moderne Të…
Të tilla kanë qenë e janë ende këto Porta për kombin shqiptar. Për këta shqipfolës sa të përvuajtur për këtë bashkim, po aq sa edhe në kërkim për “pajtimtarë“ klasikë e modernë për ta sjellë mes vete në rastin më të parë.
Të paktën mesazhi i Bashkimit na dërgon para pesë shekujsh e gjysmë. Nuk ka rëndësi qyteti shqiptar ku ishin trupat, këmbët, veshët e sytë e atyre që e krijuan këtë ndodhi. Këtë bëmë klithmuese. Këtë fabul mendimtarësh. Bëhet fjala për kohën e Skënderbeut. Fabula e Shkopinjve të thyer e të pathyer në duart e djalit, në duart e princërve që hynin e dilnin kokëvarur në atë hapësirë të gurtë kalaje, në dritën e ca shandanëve që nuk shuheshin as ditën e as natën në labirintet e shkallëve e të kthinave, të sallave ku hynin e dilnin miq të largët të ardhur nga Evropa e Lindja, duket se tregohet në njëmijë e një mënyra në kohët moderne. Bash si anglezët, skocezët, francezët që, për të dhënë mesazhin të ardhmërisë së kombeve të tyre, marrin e japin në historitë e mitet e tyre jo vetëm 500 vjet më parë, por edhe shumë e shumë shekuj më thellë. A nuk u krijuan mesazhet filozofike hamletiane e makbethiane, të barazvlefshme edhe për dhjetra shekuj më vonë, nga kronika historike paksa të papërfillshme për kohën kur ato ndodhën??? A nuk ishin vetë fqinjët tanë shumëshekullorë që krijuan vetë mitin e Laookontit për t’u lakuar më vonë në të gjitha kancelaritë e në veprat artistike madhore të të gjithë gjuhëve?
Po të ishte në kohët moderne, mesazhi i Shkopinjve të (pa)thyeshëm në duart e një Mbreti shqiptarësh, do të ishte sensacioni më i madh i radhës për kamerat e mikrofonët e vendit e të botës, për faqet e para me korniza shumëngjyrëshe, për lajmet e para të rubrikave hapëse. Mund të ishte amaneti më i lakmueshëm i një babai për fëmijët e tij, në një shtrat të bardhë me jastëkë të lulëzuar me lulet e bjeshkës e të fushës, pasi ai të ikte nga kjo jetë. Mesazhi aspak i mosarritshëm për brezat e ardhshëm. Grushti i Shkopinjve të Bashkuar ishte e mbeti sa në një gojëdhënë fëminore dhe enciklopedike aq edhe në realitetin social, historik, politik (kur nisi të hidhte këmbë në këtë truall), sa në poezitë e në këngët e shoqëruara me çifteli e tupan, me lahutë e me ison e gjatë klithmuese për bashkim, aq dhe në poezitë e më të mençurve të këtij kombi. “…E t’gjithë si vllazën n’një besë bashkonju”-do të ligjëronte Vaso Pashë Shkodrani në thirrjen e tij si një “Marsejezë” të parakohshme për ne. “Myslimanë e të krishterë jemi keq /të ngrihemi që të tërë/djem e pleq”- do të thërriste kësaj radhe disa vite më vonë tashmë një bir Zagorie si Çajupi. Një Konicë mendjendritur do ta lakonte në formën e vet fabulën e Bashkimit mentar të shqiptarëve. E dimë. Kishte shumë folklorizëm në vargjet e tyre. Mungon i ashtuquajturi element modern i poezisë, i thirrjes, i kërkesës. U rrekën besimtarët e të gjithë feve shqiptare ta bënin atë bashkim të ëndërruar, por shpesh ato mbetën në hullitë e shkopinjve të vëna nga ata vetë apo nga të tjerët në rrotat e hapit të parë. Dikur do ta kishin radhën gjuhëtarët kur më 1908 do të mblidheshin në një qytet me një emër-simbol të vetmisë si Manastiri për të bashkuar shkronjat e një gjuhe për “të mirët e të mençurit breza të mëvonshëm të shqipes”. Dhe ia arritën, edhe pse në tavolinat e një Kongresi si ai i Alfabetit të 100 viteve më parë (një emër si Kongresi deri në atë kohë kishte pasur shijen e një thike pas shpine për këta shqipfolës të urtë) ca vinin nga Veriu i largët e ca nga Jugu. Duke patur në sy abetaret e fëmijëve shqiptarë të të gjithë kohërave që do të vinin. E flisnin aherë kur ende shqiptarët nuk kishin shtetin e tyre. Kur nuk kishin zgjidhur qoftë edhe në formalitet një vulë shteti, një kufi që do t’i bashkonte me evropianët e Evropës plakë. Të asaj Evrope që vetë njëmijë herë ishte bashkuar e njëmijë herë kishte divorcuar me vete, me kufinjtë e saj, me malet e saj, me flamujt e saj, madje edhe mes kombasve të një gjuhe prindërish e gjyshërish.
Kur ne deshëm që aq fisnikërisht të bashkonim trojet, zemrat tona që gjakonin shqip, vendet që frymonin shqip, që këndonin e uronin shqip, saktësisht 100 vjet më parë, ca zëra varrëtarësh, por edhe të gjallësh, klithmuan therësisht kur para Thikës së Gjakut të kufinjve u ndanë njerëzit e një gjuhe, të një gjaku, të një krushqie. Dhe iu gëzuam një 28 Nëntori ku flamuri mund të ngrihej i lirë në disa qytete, në disa brigje, në disa fusha, nga disa ballkone të vegjël shtëpishë, në një kohë që në troje të tjera si të Kosovës e të Çamërisë, ai duhet të futej ndër sepete, ndër këngë, në fund të dyshekëve të vegjël të djepeve të fëmijëve që lindnin e rriteshin më shpejt në këto objekte të lista mes penelave të bardha.
Ca pajtimtarë të huaj sërish herë me avionë të shpejtë, me zëra celularësh e me postën më moderne elektronike, kërkonin të na qetësonin (dhe të na qetësojnë ende) gjakrat e bëra ujë nga kjo thikëndarje kufinjsh, edhe pse në brendësi të qënies së tyre e kuptonin se çfarë po bënin
… Në këtë fillimshekulli të ri Bashkimi na ndjek sërish si një ëndërr, si një flutur që i largohet flakës së një llampe. Na ndjek shumë herë me fuqinë e harbimit. Si një agim që është harruar shpesh nga mjegulla e rënë në male e në gyka. Ca trarë doganash me shkronja të llojllojshme sërish na vënë gjerdhe të lartë me një fjalë të përbashkët para tyre: “SUS! SUS! Ende s’të ka ardhur radha të futesh në oborrin e hyjnorëve ëndërrues . Ende….!” Kërkojmë të na bashkohet kënga . Jo, bre burra, nuk lidhet kënga e nuk e ndalin dot doganat e vulat e pavëna në pasaporta biometrike e në ca karta identiteti të shkruar në dy gjuhë. Si në një këngë himnizuese ku nuk shkon harmonia pa një kthyes, pa një marrës të fortë pa një hedhës e ..pa një iso burrërore që i qëndron si flamur, që e mbështjell këngën si foshnjën edhe e rrit brenda disa minutash. E rrit atë dhe burrëron edhe më shumë këngëtarët. I hidhet këngës kjo iso si një jorgan që e ngroh, që e gjallon, që e përtërin. Sërish Portat e Bashkimit presin që të hapen. A i kemi përgatitur fëmijët për këtë prag tërë dritë? Të mos ndalemi përpara verbit të shurdhërimit e sëmundjes së syrit që nuk e gjen shpejt shtegun e udhës për ku jemi nisur.
Të besojmë ende te hapja. A nuk duhet të bëhemi në kohën e mundësinë e duhur Homerë të vonuar, që, në vend që t’i këndojmë luftrave të reja epikisht, t’i këndojmë paqes që po ndërtojmë ne e të tjerët? Bashkimi është marrëdhënie, është moralizim i demokracisë. Është aspiratë..
Përtej tokës e përtej gardhit të sinorit ku kemi një shtëpi e një kasollkë (në Jug i thonë edhe kalive), përtej qiellit që na është futur në sy brenda kufinjve të vendit ku lëvrijmë këmbët, duart, makinat, le të mbajmë mbi supe cazë më shumë idealizëm. Dëgjojmë ditëve e netëve me një kureshtje e me padurimin e të pambaruarit të kësaj retorike sidomos të politikanëve tanë që ia hedhin fajin njëri-tjetrit për rrugën tonë ende të drizuar, sikur të tjerët ( ata, kundërshtarët e tyre e politikë, por jo gjuhësorë, zakonorë e gjeografikë) e kanë fajin. Pa pasur guximin që në sy ta shohin të vërtetën e trishtë. Që të ecim më shpejt drejt një bote më të mirë. Jo vetëm të një bote e jete ku sofrës të mos i mungojë përditshmëria e mirëqënies, por edhe të një bashkimi të vlerave, të kulturës dikur të gjymtuar. Duket se fabula e Shkopinjve të (pa)thyeshëm do të na ndjekë pas për shumë kohë duke marrë me vete të gjithë epokën skënderbejane mbi supet e saj. Mos ka ardhur koha që të ngrejmë edhe ne pas 550 vjetësh një FABUL të re, pa pasur nevojë që të marrim argatë të tjerë në Lëndinat, shpesh të gjembuara të historisë sonë të re.
Ta krijojmë ne, por edhe të na e thonë të tjerët pa pasur droje se ata na kanë dhënë në duar një Fluger të prishur që na i tregon shumë gabueshëm drejtimin e erërave që sërish fort po fryjnë në këtë fillim shekulli me “një diell që pak po nxeh” në shumë ditë të jetës sonë. Po aq fort edhe po kërkojmë që t’i ndalim ato në furinë e së keqes.
Kur do të bëhemi të gjithë mirëpritës dhe duarhapës të këtyre Portave e në pragjet e tyre të ndajmë ëmbëlsirën e Festës për miqtë e vjetër e të rinj???
Namik Selmani
0692776828
KLITHMUES,~E mb. Që të nxit klithmë gëzimi (habie, frke). Befasi klithmuese.[1]
[1] Fjalë e re (neologjizëm) nga Namik Selmani: “Portat e Bashkimit”.