Mendime
Hamit Taka: Triada hegeliane dhe "5 Heronjtë e Vigut"
E diele, 08.02.2009, 01:53 PM
Triada hegeliane dhe "5 Heronjtë e Vigut"
Nga Hamit TAKA
Prej ditësh, që nga zhvendosja e monumentit skulpturor "5 Heronjtë e Vigut" nga qendra e qytetit të Shkodrës në periferi, është çelur një reaksion mediatik, i quajtur "popullor", ndaj vendimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Ndërsa unë do të dëshiroja që ky gjykim i njëanshëm të kthehej në një debat intelektual e qytetar, në dobi të kulturës demokratike dhe si një sindromë reale e dekomunistizimit të jetës së vendit.
Skema trinome e vlerësimit
Vlerësimi i personaliteteve dhe i ngjarjeve epokale shpesh kalon nëpër një skemë trinome, si triada e Hegelit. Në filim sundon apoteza-mitizimi, kulti, apologjia. Pas saj vjen apotema, një mohim pak a shumë rrënjësor. Së treti, vjen sinteza e elementeve racionale.
Në historinë tonë të dytë, me pak "maja" e "gropa" (një metaforë e rrezikshme kjo, por sidoqoftë një metaforë), ngjarjet dhe personalitetet patjetër i janë nënshtruar këtij rregulli, mbase me intensitet dhe përmasa më groteske. Kjo për shumë arsye: për shkak të prapambetjes së zhvillimit kulturor, psikologjisë kombëtare, mënyrës administrative të komuniteteve me fise, klane, bajraqe, principata, pashallëqe dhe pushtimet e huaja, sidomos ai i stërzgjaturi osman. Kjo mënyrë administrimi, barbaria e pushtuesve dhe e sundimtarëve vendas, bënte që roli i prijësave, sfidantëve e "komitëve" ndaj pushtuesve dhe sundimtarëve despotikë të linte mbresa të thella dhe të shkaktonte një adhurim mbinjerëzor te komuniteti mediokër, i varfër dhe i nënshtruar, duke u afruar mitin e vlerave morale.
Mitologjia patriotike
Komunitete të caktuara me anë të miteve përcaktojnë themelet e egzistencës së tyre dhe sistemin e vlerave morale. Në vetvete mitet nuk kanë as vlerën e njohurive, as saktësinë historike. Megjithatë ato janë të rëndësishme, sepse japin mesazhe të caktuara për kohë të caktuara. Shpesh vlerën e mesazhit historik miti e fiton për interesa që nuk kanë fare të bëjnë me historinë si shkencë. Në thellësi të kohërave, ai na rrezaton mentalitetin dhe ideologjinë e një kohe të caktuar, domethënien e shndërrimit të figurave historike në personazhe historikë apo monumente kulturore. Vetëm dekonstruktimi i figurave mitike mund të na ndihmojmë në njohjen reale të historisë sonë, veçanërisht atë të periudhës socialiste, e ngritur mbi shtratin e gënjeshtrave infantile.
Mitologjia komuniste
Epoka e komunizmit në Shqipëri, e krahasuar me atë të pushtimit osman, ishte një periudhë boshe, stanjacioni degradues, që ngriu gjithçka, një asketomani kombëtare e ngritur në apoteozë. Si e tillë, mbijetesën e saj do ta mbante vetëm me anën e përpunimit shpirtëror, ku si ushqim do të shërbenin dogmat dhe mitet.
Miti në komunizëm shërbente për homogjenizimin politik të kombit, ta paraqiste atë si një unitet njerëzish me histori dhe qëllime të njëjta (populli) rreth një prijësi legjendar, të rrethuar me armiq të egër, të brendshëm e të jashtëm. Miti i njeriut të ri, i dalë nga truri i biblës komuniste, marksizëm-leninizmi, shërbente për ndarjen nga çdo lloj kulture tjetër dhe izolimin total nga bota. Parajsa biblike ku ëndërronim të arritnin kishte vetëm një rrugë, atë që kishte zgjedhur prijësi legjendar, kundra tërë botës.
Zejet e përpunimit të mitologjisë komuniste, me një mendje tepër diabolike, i mëshoi luftës partizane, si shtylla e dinjitetit kombëtar, e lidhur kjo me mitin e faktorit pjesëmarrës në çlirimin e popujve nga barbaria naziste. Çdo dëshmor u kthye në një mit në krahinat nga vinte. Vendi u mbush me lapidarë, me memoriale, buste, relive e basorelieve, sikur ne të ishim në planetin e marsianëve dhe të mallkuar për t'u lindur, rritur e vdekur nëpër luftra. "Shqiptari e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë", ishte parrulla e ditës, duke na afruar mitin e vlerave morale patriotike. Komunizmi imitoi pikë për pikë Antikitetin në kulturën mitologjike, veçse i hoqi frymën hyjnore dhe i dha frymën delirante të kulteve, të prijësave jo të ngjizur me frymën e shenjtë si Krishti, por të lindur nga barku i nënave shërbëtore të varfëra.
Mozaiku social i Shkodrës
Mozaiku i forcave dhe i interesave politike në vendin tonë është shumë më i pasur dhe më i larmishëm se në kohën e sistemit diktatorial, kur është ndërtuar kompleksi skulpturor "5 Heronjtë e Vigut". Në atë kohë kishim vetëm një forcë politik, Partinë e Punës dhe një interes, atë të kolektivit (të përgjithshmin). Interesat e individit dhe të grupimeve nuk ekzistonin. "Një për të gjithë e të gjithë për një" ishte parrulla e ditës. Udhëheqësi për të gjithë e populli për udhëheqësin.
Qyteti i Shkodrës, me aq pak sa e njoh unë, është qyteti më tipik në Shqipëri, mbase dhe më gjerë, i bashkekzistencës, bashkëveprimit dhe bashkëjetesës së besimeve fetare, forcave dhe interesave politike. Kështu që çdo nxitim dhe anim nga njëra anë, do të sillte prishjen e balancës së bashkëjetesës në harmoninë tradicionale. Nuk është fjala për "harmoninë" e imponimit të dhunshëm si në kohën e diktaturës. Eshtë fjala për një harmoni që buron nga liria dhe kultura demokratike.
Parë nga maja e trinomit vlerësues, "5 Heronjtë e Vigut" janë në stadin e tretë. Periudha e sundimit të ideologjisë komuniste, ku lufta partizane konsiderohej si shtylla e dinjitetit kombëtar, i hiperbolizoi dhe i mitifikoi. Ka kaluar dhe periudha e dytë, ajo e anatemimit, bashkë me proceset e rrëmbyera demokratike. Për shkak të kalvarit të vuajtjeve fizike dhe shpirtërore, ata me siguri nga një pjesë e mirë e shkodranëve janë parë si faktorë në fatkeqësinë e madhe që pllakosi kombin. Por populli shkodran, me një kulturë demokratike më të hershme e më të kultivuar, nuk nxitoi, jo më t'i zvarriste si bustin e diktatorit apo të Stalinit, por as t'i zbriste nga piedestali. Shkodra loce i trajtoi ata si bijtë e vet, të cilët kishin derdhur gjakun për një ideal zhgënjyes dhe nuk ishin fajtorë, se nuk ishin të vetmit.
Duke u nisur nga këto konsiderata, duke parë syçelët realitetin e sotëm, Këshilli Bashkiak, për mendimin tim, ka bërë zgjedhjen më të mirë. Kot e kanë disa nostalgjikë e fanatikë, adhurues të mitit të luftës partizane, të cilët nxitohen shumë kur thonë se "5 Heronjtë e Vigut" janë krenaria e Shkodrës, pasi i kanë vrarë në pritë bajraktarët e veriut, duke shkuar nëpër krahinat e thella, për të rekrutuar partizanë. Kështu ata, dashur padashur, i japin luftës së tyre nuanca të luftës civile dhe nuk luajnë nga llogorja komuniste, mbështetur mbi parimin se atdheu jam unë ose ne dhe ti, ndonëse je shqiptar, zuzar apo bajraktar, po je kundra meje, nuk je atdhetar dhe je armiku im. Aq më tepër, Këshilli Bashkiak i Shkodrës s'mund të konsiderohet i politizuar dhe nuk ka asgjë për t'u alarmuar nga debati, pasi shkodranët kanë diskutuar edhe për bustin e Nënë Terezës, që e njeh gjithë bota si shenjtore dhe çdo shqiptar me bindje jo komuniste krenohet me të.
Nga këndvështrimi i sotëm, "5 Heronjtë e Vigut" zbresin nga lartësia e heronjve legjendarë në ultësirën e personazheve tokësorë, thjesht si aktorë të një lufte të radhës, si gjithë luftrat e kombit tonë. Si të tillë, monumenti i tyre mund të plotësojë interesat e një pale të caktuar, kryesisht të atyre që morën pushtetin më 1944, të përfaqësuar nga veteranët e luftës partizane dhe vendi më i përshtatshëm është atje ku i vendosi bashkia, pranë varrezave të të rënëve, si të barabartë midis të barabartëve. Kush të dojë mund të shkojë sa herë t'u bëjë nderime e të vendosë tufa me lule.
Përsa i përket qendrës së qytetit ajo është diçka ndryshe. Ajo është pika ku duhet të konvergojnë të gjitha interesat dhe simpatitë e qytetarëve. Ajo është pikë bashkimi dhe si e tillë duhet t'u përkasë të gjithëve. Pa u dhënë mend shkodranëve, pas shatrivanit, që tani u gjet si më i përshtatshmi, në të ardhmen atje mund të jetë vendi i një Gjergj Fishte, një Migjeni apo ndonjë tjetri.