E marte, 15.10.2024, 02:16 PM (GMT+1)

Mendime

Berat Buzhala: Vetëvrasja, si sëmundje ngjitëse

E premte, 13.02.2009, 07:37 PM


Berat Buzhala
Berat Buzhala

Vetëvrasja, si sëmundje ngjitëse

Numri i vetëvrasjeve ketë vit ka shënuar rritje dramatike. Dramatike janë edhe raportimet e mediave. Nëse dëshirojmë të ndjekim këshillat shkencore, ne duhet të ndryshojmë qasje. Express do ta ndryshojë politikën editoriale për mbulimin e këtyre ngjarjeve kaq tragjike

Nga Berat Buzhala

Katërmbëdhjetë vetëvrasje për më pak se dy muaj. Mbi tridhjetë tjerë patën vullnet të vetëvriteshin, por dështuan në përpjekje.
Secila vetëvrasje më spektakulare se tjetra.
Dikush hidhet nga kati i nëntë, në mes të kryeqytetit, e trupi i tij u ekspozohet kureshtarëve për katër orë. Një tjetër person hidhet prej pendës së liqenit. Një adoleshent, me revole në dorë shkurton jetën e tij. Një amvise, me acid. Një kryefamiljar, në mënyrë pak më tradicionale, ia mësyn pemës në oborr me konop në dorë.
Dhe kjo nuk ka të ndalur.
Lajmi e mbyt lajmin. Një ditë një vetëvrasje, të nesërmen dy të tjera. Dhe mediat, përfshirë edhe gazetën ku unë jam Kryeredaktor, kemi raportuar sikur për çdo lajm tjetër. Nuk dua të flas për dështimin e organeve kompetente për të dhënë zgjidhje të shpejta për t’u dalë në rrugë këtyre ngjarjeve të dhimbshme.
Ketë herë, dëshiroj të flas pak për dështimin tonë për mbulimin profesional të këtyre ngjarjeve tragjike.
Më duket se fjalëpërfjalshëm e kemi kuptuar fjalën “lajm” në këto raste. Ndoshta, se nuk kemi marrë kritika profesionale prej njerëzve kompetentë. Ndoshta, se ne nuk kemi qenë sa duhet të përgatitur për një katapultim të tillë të numrit të vetëvrasjeve. Mirëpo, pa vullnetin tonë, ndoshta nuk u kemi ndihmuar sa duhet atyre personave që kanë pasur kriza të natyrave të ndryshme. Për më keq, mund të kemi ndikuar që t’i paraqesim vetëvrasjet si një mënyrë për zgjidhjen e problemeve personale. Më duket që njerëzve të dëshpëruar u kemi ofruar, pa vetëdije, alternativa të errëta. E tillë ishte kjo javë dhe java që e kemi lënë pas. Të gjitha gazetat dhe televizionet kanë qenë të stërngarkuara me këtë lloj lajmi.
E di që askush nuk mund të na ndëshkojë për një raportim të tillë. E di që kjo është detyrë parësore e institucioneve dhe enteve gjegjëse të dalin me propozime konkrete për sensibilizimin e problemit.
Mirëpo, po filloj prej vetës dhe gazetës ku unë punoj, që të mundohemi t’u qasemi në mënyrë pak më humane këtyre problemeve.
Hulumtova pak në internet dhe hasa në debate të shumta për “Mediat dhe raportimi për vetëvrasjet”. Të shumtën, këto debate kishin konkluzione uniforme: mos të raportohet për vetëvrasjet individuale.
“Në mes të viteve 1984 dhe 1987, gazetarët e Vjenës kanë mbuluar rastet e vdekjeve të individëve që u kanë dalë trenave përpara, nëpër metro të ndryshme. Raportimet ishin masovike dhe dramatike. Në vitin 1987, u organizua një fushatë ku u jepej vërejtje gazetarëve që raportimet e tyre potencialisht mund të kenë efekte negative dhe u propozua për forma alternative të raportimit. Në gjashtë mujorin e parë, pas kësaj fushate, vetëvrasjet në metro ranë për tetë për qind. Numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve në Vjenë zbriti gjithashtu”, thuhet në një raport për ketë temë, të shkruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në bashkëpunim me dhjetëra institucione të ndryshme.
Në atë raport këshillues për mediat, është raportuar se “vetëvrasja është sëmundje ngjitëse”. Sipas këtij hulumtimi shkencor, është konstatuar se rritet numri i vetëvrasësve në mesin e lexuesve të gazetave, ose shikuesve të televizioneve, kur për vetëvrasjet raportohet në mënyrë specifike dhe në vazhdime. Raporti këshillon që rastet e vetëvrasjeve të mos dalin në ballina të gazetave, ose në fillim të lajmeve, dhe që në storie të mos jepen detaje të shumta se çka e shtyu dikë të kryejë aktin.
Duke e përmendur fillimisht Gazetën Express, mendoj që kemi gabuar rëndë, në vazhdimësi, me mënyrën se si kemi raportuar kohëve të fundit për vetëvrasjet. Këtij gabimi nuk i kanë shpëtuar as gazetat dhe televizionet tjera. Kulmi i gjithë kësaj tragjedie ishte për vetëvrasjen e kryer në qendër të Prishtinës. Gabimi i parë ishte i policisë, së cilës ju deshën katër orë që ta tërheqë të ndjerin prej vendit ku kishte rënë nga ballkoni. Dhe, gabimi i dytë ishte i mediave, që nuk hezituan ta paraqesin rastin më terë fuqinë që kishin.
Prandaj, Express ka marrë qëndrim editorial që radikalisht ta ndryshojë qasjen e raportimit për vetëvrasjet.
1. Storiet për vetëvrasjet nuk do të publikohen tash e tutje në faqen e parë të gazetës.
2. Nuk do të raportohen detajet e kryerjes së vetëvrasjeve.
3. Do të shmangemi maksimalisht për raportimet e rasteve individuale të kryerjes së vetëvrasjeve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon që mediat më shumë hapësirë duhet t’i japin shkallës së numrit të vetëvrasjeve; trajtimin e personave që kanë provuar të kryejnë ketë akt dhe sa të suksesshme kanë qenë ato; të raportohet për mënyrën se si mund të parandalohet një vetëvrasje.
Kosova për 45 vjet ka qenë pakrahasimisht vendi me më së paku vetëvrasje në Jugosllavi. Nuk dua të spekuloj me shifra konkrete, por e di që në Kosovë janë kryer vetëvrasje për disa herë më pak, për kokë banori, sesa janë kryer në Vojvodinë, Slloveni e gjetiu në republikat tjera. Thuhet se në krejt rajonin e Drenicës për 45 vjet të komunizmit nuk ka ndodhur asnjë akt i vetëm vetëvrasjes.
E tash, çka dreqin përnjëherë u shndërruam në popull vetëvrasës? Çka ndodhi që xhevap nuk po mund t’u japim lajmeve për vetëvrasjet?
Nuk jam aspak kompetent që të flas në aspektin sociologjik për ketë dukuri.
Mund të jenë qindra arsyeje që një njeri e cyt ta marrë një vendim të tillë fatal: Traumat e luftës, problemet e shumëfishta sociale, dramat familjare, problemet e dashurisë tek tinejxherët dhe adoleshentët, krizat mendore etj.
Mirëpo, a nuk kanë ekzistuar të gjitha këto probleme prej kur është krijuar njeriu?
Varfëri gjithmonë ka pasur ne ketë vend. Xhelozia nuk është shpikur pas vitit 1999. Dramat sociale e ndjekin secilën shoqëri. Luftërat kurrë nuk janë ndalur.
Por, prapë po them, se si njëri prej njerëzve me jokompetent për të folur për ketë dukuri, unë po tërhiqem prej elaborimit shkencor të fenomenit të vetëvrasjes.
Ajo që dëshiroj tash të them ka të bëjë me mediat dhe raportimin për vetëvrasjet.
Express, tash e tutje, ndryshon qasjen e raportimit dhe fton mediat tjera ta konsiderojnë një hap të tillë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora