Mendime
Drama e fshehur e Nënë Terezës
E merkure, 25.02.2009, 12:59 AM
(Mbi botimin e shkrimit bazuar në bisedën me vëllanë e Nënë Terezës, më 1979. Po e ribotojmë në kohën e krisur të muxhahedinëve të Kosovës dhe fantomave forumit Çamëria që lehin kundër shqiptares më të famshme në botë)
Nga Pandeli Pasko Kuteli
Para do kohe ndesha një shkrim të veçantë: për herë të parë Z. Lazër Bojaxhiu, vëllai i Nënë Terezës, rrëfente për familjen e vet. Bisedën e zhvilloi gazetari Gaetano Salimbeni në dhjetor 1979 dhe e botoi në revistën javore ‘Gente’ (Njerëz). Pra menjëherë mbas dhënies së çmimit Nobel Nënë Terezës. Megjithëse i shkruar sot e 14 vjet më parë shkrimi jep të dhëna me shumë inetres. Me përjashtim të ndonjë pasaktësie të vogël të gazetarit përsa i përket kornizës historike, shkrimi jep të dhëna të rëndësishme për jetën e familjes Bojaxhiu dhe për formimin shpirtëror të Nënë Terezës. Me interes të veçantë është dëshmia për herë të parë e disa të vërtetave të dhimbëshme.
E para është ajo mbi shkatërrimin e mirëqenies të familjes së Nënë Terezës mbas helmimit të të atit, Nikoll Bojaxhiut, helmuar si thuhet në shkrim, për arësye politike.
E dyta – murgeshës së përvuajtur, që pati ndihmuar sa e sa të varfër dhe iu pat gjendur mbi krye në çastin e fundit sa e sa të uriturve e të sëmurëve, Shqipëria i pat mohuar të drejtën njerëzore për t’i ndenjur mbi krye nënës së vet në çastet e fundit.
Jo me më pak interes historik janë dëshmitë e përkatësisë katolike dhe bashkëjetesës së thjeshtësisë me gjendjen e mirë ekonomike të familjes. Nga rrëfimi kuptohet se familja Bojaxhiu është një nga të parat e Shkupit; kjo del edhe nga njoftimi për ndërtimin e Teatrit të parë të këtij qyteti nga Nikollë Bojaxhiu. Thjeshtësinë dhe themelin e fortë familjar e fetar e tregojnë harmonia në familje, kushtimi i kohës dhe ndihmat për të varfërit, thënia e përbashkët e ruzareve e respektimi i rregullave fetare.
Nga rrëfimi i çasteve të jetës së përditëshme e sidomos të atyre më të vështira ngrihet lart figura e Nanë Drandes: shembulli i parë i Gonxhes së re në rrugën e përkushtimit ndaj më të varfërve të të varfërve. Shkrimi ka ditur të paraqesë mirë edhe aspekte të tjera të veprimtarisë së Nënë Terezës. Në pak fletë autori nxjerr në pah vrrullin e madh shpirtëror të Nënë Terezës, fuqinë e mirësisë dhe dashurisë të saj.
Për herë të parë flet Lazër Bojaxhiu, vëllai i misionares të nderuar me çmimin Nobel për paqen
NËNË TEREZA, IME MOTËR
Lazër Bojaxhiu jeton prej tridhjet vitesh në Palermo: u largua nga Shqipëria në kohën e fashizmit, mbas pushtimit italian dhe ka qenë i dënuar me vdekje si ‘kriminel’ nga një gjykatë në Tiranë. – “Prej kohe e kam respektuar dëshirën për përmbajtje të Nënë Terezës” thotë, “por tani vendosa të flas: bota duhet të njohë mizorinë e regjimeve komuniste” – “Megjithë ndërhyrjet e politikanëve të gjithë kombësive pranë qeverisë shqiptare nëna jonë vdiq pa mundur ta përqafojmë edhe një herë as unë e as ime motër”. – “Nënë Tereza i ka falur, por është mirë që të gjithë ta njohin dramën tonë”.
nga Gaetano Salimbeni, në bazë të bisedës me Z. Lazër Bojaxhiu në Palermo, dhjetor, 1979; botuar në GENTE (NJERËZ) – dhjetor 1979 (n. 52) dhe janar 1980 (n.1) (Përktheu shqip dhe pajisi me shënime Pandeli Pasko Kuteli)
Ka një dramë të fshehtë në jetën e Nënë Terezës të Kalkutës, të cilën nuk e ka ditur asnjeri dhe mbi të cilën ajo nuk ka dashur të flasë kurrë. Nuk mundi të përqafojë edhe një herë nënën plakë në shtratin e vdekjes. Është një dramë që e ka jetuar në heshtje duke e ndarë vuajtjen me të vetmin njeri që i ka mbetur nga familja: me të vëllanë. Pikërisht i vëllai na e zbulon këtë. “E di se Nënë Terezës nuk do t’i pëlqejë t’i lexojë këto gjëra nëpër gazeta”, thotë Lazër Bojaxhiu. “Ajo ka qenë gjithnjë aq e përmbajtur e madje edhe është drojtur të flasë për familjen e vet. “E ç’janë ankthet tona të vogla përpara tragjedisë së miliona qenieve njerëzore të cilët vdesin çdo ditë për bukë?” më thosh gjithnjë. Për vite të tërë ia kam respektuar këtë dëshirë përmbajtje dhe ia kanë respektuar sidomos politikanët të cilëve Nënë Tereza u fliste për nënën e saj duke u kërkuar të bënin diçka. Dhe këta ishin Kenedë-t dhe De Golë-t. Asnjeri nuk ia doli dot. Ja, shkruaje këtë: motrës të vogël e të përulur e cila u pat ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashurisë dhe solidaritet njerëzor aq shumë njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndrojë mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe kjo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar duke shtrënguar në kraharor një fotografi të vjetër të njomur me lotë. Shkruaje: kështu vdesin në një vend komunist, në Shqipëri”.
Lazër Bojaxhiu, qytetar shqiptar, 71 vjeç jeton prej tridhjet vitesh në Palermo, ku është drejtor i degës siçiliane tënjë enti farmaceutik. Është refugjat politik. La Shqipërinë nën fashizëm mbas pushtimit italian dhe ishte oficer në ushtrinë italiane. Një gjykatë e Tiranës e ka dënuar me vdekje si ‘kriminel’; pra në se kthehet – e vrasin. Nëna e tij vdiq në Tiranë më 1974. Ishte 83 vjeçe.
E FSHEHTA E TMERRSHME
“Dua së pari të sqaroj një pikë” thotë vëllai i Nënë Terezës. “Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë si shkruajnë nga pak gjithë gazetat e botës.. Keqkuptimi ka ardhur nga që Shkupi, qyteti ku jemi lindur, më parë ishte shqiptar dhe pastaj i kaloi Jugosllavisë. Po ne të gjithë vazhdojmë të flasim shqip dhe motra ime (e cila di edhe anglisht dhe pak frëngjisht) letrat m’i shkruan shqip.” “Andrallat për familjen tonë”, kujton Zoti Lazër “filluan pikërisht nga kjo luftë mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë për zotërimin e Kosovës, krahinës ku ndodhet Shkupi dhe që nga sipërfaqja është më e madhe se gjithë Shqipëria e sotme. Babai ynë Nikoll Bojaxhiu, i cili ishte tregtar i kamur dhe kishte edhe një sipërmarrje ndërtimi (pat ndërtuar teatrin e parë në Shkup), ishte i angazhuar edhe politikisht: kuptohet, përpiqej për të drejtat e popullsisë së Kosovës, e cila ndjehej dhe dëshëronte të mbetej shqiptare. Është e qartë se kur erdhën jugosllavët iu desh të vuante gjithë llojet e shpagimit dhe hakmarrje. Vdiq i helmuar më 1919, gati 46 vjeç. Dhe është e qartë, edhe pse nuk thuhet në asnjë çertefikatë mjekësore, u helmua nga jugosllavët”.
Më 1919, vitin e vdekjes së Nikoll Bojaxhiut, e ardhëshmja motër Tereza (emri i pagëzimit të së cilës është Gonxhe, përkthyer italisht Agnese – Anjeze) ishte 9 vjeç me që pat lindur më 27 gusht 1910; Lazri, vëllai ishte 11 vjeç dhe 13 vjeç motra e madhe Agata (vdekur më 1976, dy vjet mbas së ëmës, edhe ajo e vetme dhe e dëshpëruar). Është pikërisht kjo drama të cilën motër Tereza e jetoi në heshtje për shumë vite: vdekja e nënës dhe motrës. Lazër Bojaxhiu nuk do të dëshironte të shtonte gjë tjetër asaj që pat thënë: “E di se po hap një plagë ende të pambyllur në zemrën e Nënë Terezës dhe që do të mund të mbyllet me vështirësi, por është e nevojshme që njerëzit ta dinë si është vdekja në këtë vend. Në se vendosa ta zbuloj të fshehtën e tmerrshme (mund ta kisha bërë qysh në Oslo gjatë ceremonisë të dorëzimit të çmimit Nobel nënë Terezës), e bëj veç për këtë: dëshëroj që popujt e gjithë botës t’i hapin mirë sytë”.
“TË KALLURA NË DHE TË GJALLA”
Quhej Drande (emër lule – drandofile) nëna e Agatës, Lazrit e Gonxhe Bojaxhiut. “Ish një grua me karakter të jashtëzakonshëm”, kujton i biri. “Shkatrrimi ekonomik që pësuam mbas vdekjes së babait nuk e ligështoi. Nuk mundi të rifillojë veprimtarinë e dëmtuar, por filloi menjëherë një veprimtari tregtare me mjaft t’ardhura: atë të qilimave, qëndisjeve dhe prodhimeve të tjera të artizanatit vendas, që lulëzonte në gjithë vendin. Fundja, u bë nënë e babë bashkë. Dhe këtë punë vazhdoi ta bëjë për shumë vite, sa kohë që familjes iu desh puna e saj. Pastaj lufta (lufta e dytë botërore), shkatrrimi i dytë. Nga Shkupi nëna dhe motra që tashmë kishin mbetur vetëm, mbasi Goxhja ishte tashmë në Indi dhe unë në Itali, u shpërngulën në Tiranë. Dhe atje, me ardhjen në fuqi të komunistëve mbetën “të kallura në dhe të gjalla”. Kufijtë u mbyllën pa asnjë mundësi komunikimi me ne për të paktën dhjetë vjet. Pastaj, më në fund, një shenjë jete me një letër e cila më mbrriti në Itali, në Palermo. Iu përgjigja, ju dhashë lajme për mua e për Nënë Terezën. Ishte gjë e madhe që po mund të komunikonim. Ato na shkruan përsëri. Por egjimi komunist i Tiranës nuk toleron t’u shkruash më shumë se një letër në muaj të dashurve të tu që ndodhen jashtë shtetit dhe përveç kësaj, letrat si në dërgim ashtu edhe në mbrritje duhet të kalojnë nëpërmjet censurës së Shtetit”.
Nënë Tereza (kështu e quan i vëllai apo thjesht “nëna”) i pati hedhur ndërkohë themelet e asaj që do të shndrrohej në “organizatën ndihmëtare më frytdhënëse në botë”. Vetëm me forcën e saj të madhe që ish forca e dashurisë. “Përballë kësaj motre të përulur me zemër aq të madhe”, pat thënë Indira Gandi, “të gjithë ndjehemi të vegjël e të turpëruar nga vetja jonë”. Tashmë Nënë Terezës i hapeshin gjithë dyert: Kenedi, De Goli, mbreti Gustav Adolf i Suedisë, ishin jo vetëm përkrahës të veprës, por edhe miq të saj. Dhe atyre Nënë Tereza mundi t’u drejtohet për t’u kërkuar t’i shkëpusë motrën dhe të ëmën nga një rregjim i pamëshirshëm, i cili ua bënte të dëshpëruar vetminë.
“U takuam në Romë më 1960” kujton Lazër Bojaxhiu.
“Nënë Tereza kthehej nga Shtetet e Bashkuara dhe unë që nuk e shihja prej kaq vitesh pata dëshirë të shkoj e ta përshëndosh në aeroport duke u përzier me turmën e vogël të motrave që po e prisnin. U përqafuam gjatë-gjatë, me dashuri, po askush nuk na njohu për vëlla e motër: ajo aq e vogël dhe e hajthme, unë të paktën dyfish i gjatë. Me mua ishin edhe ime shoqe dhe ime bijë që nuk e kishin takuar asnjëherë. “I thashë: “Nënë, duhet të bëjmë një gjë për këto gra të mjera që rrojnë aty në Shqipëri”. M’u përgjegj: “Ki besim, tani diç mund të bëj. Kam shumë miq në gjithë botën që mund të më ndihmojnë”. “Ndenjëm katër ditë në Romë” kujton përsëri i vëllai. “Unë në hotel, ajo në kolegjin e motrave. Rrinim bashkë disa orë në ditë, hanim drekë në hotel dhe një herë edhe në kolegjin ku qëndronte. Ajo kish shumë punë, takime në çfarëdo orë. Nuk arrita të kuptoj kurrë ku e kishte aq forcë një grua e vogël me pamje aq të brishtë. Ajo thosh gjithnjë: “E kam nga Zoti këtë forcë”. I ktheheshim bisedës për nënën. Shkruajtëm bashkë nga Roma. “Shiko se do t’ia dalim ta nxjerrim nga Shqipëria”, vazhdonte të më siguronte. Dhe unë mendoja si do t’u përgatisja një qoshe në shtëpinë time në Palermo, ku mund të vendoseshin e të jetonin më në fund të qeta. Në Palermo Nënë Tereza do të mund t’i takonte shumë lehtë.
“GËNJESHTËR”
“Kaluan vite, u takuam edhe herë të tjera, përsëritëm të njejtat biseda, ndërsa letrat që vinin nga Shqipëria kishin gjithnjë e më shumë ankth. “Dua t’u shoh përpara se të vdes: është e vetmja lutje që i bëj të madhit Zot”, shkruante nëna. “Në jetë”, më thoshte më pas Nënë Tereza në një nga takimet tona, “kam arritur gjithë ç’kam dashur vetëm me forcën e dashurisë; por ama ka pengesa të cilat mjerisht dashuria nuk arrin ende t’i kapërxejë”. E hidhte fjalën tek përpjekiet e bëra nga Kenedi, nga De Goli, nga mbreti Gustav Adolf i Suedisë, të cilat dolën të kota.
“Di se në veçanti ministri i atëherëshëm i jashtëm francez Kuv dë Myrvil pat bërë hapa konkrete ndaj kolegut të vet të Tiranës: Shqipëria, asohere aleate e Kinës, synonte të hapej me drojtje ndaj Perëndimit dhe qeveria frënge dukej e prirur për të filluar dialogun. A nuk ishte pra rasti më i mirë për të zgjidhur çështjen e nënës dhe motrës të motër Terezës! “Por as kësaj here nuk u arrit ndonjë gjë. Ministri i jashtëm frëng pati këtë përgjigje nga kolegu i tij shqiptar: “Zonjat Drande dhe Agata Bojaxhiu nuk janë në gjendje fizike që lejon një udhëtim jashtë shtetit”1). Ishte gënjeshtër. Nëna dhe motra nuk ishin të sëmura, nuk kishin rënë në shtrat. E vetmja sëmundje e tyre ishte vetmia, dëshpërimi. Dhe vdiqën të dyja të dëshpëruara: nëna më 1974, motra Agata pas dy vitesh”.
“TË DISH TË FALËSH”
Kujtime të tmerrëshme, të cilat na u shfaqën në mënyrë dramatike edhe në mbrëmjen e ceremonisë për dorëzimin e Nobel-it në pallatin e madh të Stokholmit. “Isha gati duke i nxjerrë në shesh të gjitha me gazetarët”, thotë Lazër Bojaxhiu. “U bllokova nga buzëqeshja e Nënë Terezës. Ajo është gjithnjë e prirur ndaj faljes dhe i tashmë i ka falur”. Ju buzëqeshi të gjithëve motra e përulur, e cila as në ceremoninë zyrtare nuk hoqi dorë nga nga sari i saj i bardhë prej pambuku me anë ngjyrë qielli, kapur në supe me një kryq. I buzëqeshi mbretit të ri të Suedisë (nip i mikut të saj të madh Gustav Adolf), u buzëqeshi dinjitarëve të Oborrit, anëtarëve të Akademisë, duke i falenderuar për nderin e madh që i patën bërë. “E di mirë” e saktësoi “se ky nuk është çmim për mua, se gjithë këto miliona nuk di fare ç’t’i bëj, meqë gjithnjë kam jetuar në varfëri, po është për punën time, dhe për punën time këto miliona nuk mjaftojnë. Sidoqoftë unë do t’i shpenzoj shpejt, i kam bërë tashmë programet; e di se të tjera do të vijnë nga gjithë bota”. Nuk pranoi as drekën zyrtare. “Paratë që keni shpenzuar për darkë, në se doni, mund t’ua jepni fëmijëve të mij”. Ia dhanë. Dhe doli nga skena buzëqeshur, si pati hyrë. Vëllait (dhe mbesës që e shoqëronte) para se të ndahen i tha: “Dashuria, kujtoje, do të thotë edhe, dhe mbi të gjitha, të dish të falësh”.
PJESA E DYTË
KUR IME MOTËR ISH 18 VJEÇ
“Në këtë moshë Gonxhja vendosi të bëhet murgeshë: u nis për Irlandë dhe mbas një viti ishte në Indi me emrin motër Tereza.” – “Shembulli i nënës sonë ishte pa tjetër vendimtar për thirrjen që ndjeu Gonxhja: që kur ishte vajzë ndihmonte të varfërit, iu shpinte përditë për të ngrënë”. “Nënë Tereza”, thotë i vëllai Lazër “i ka falur vrasësit e prindërve tanë, ndërsa unë nuk di në se do të mund t’i fal ndonjëherë. Ajo ka forcën e madhe të dashurisë që e mban, në saje të së cilës ka kapërxyer aq shumë çaste të vështira dhe fituar aq shumë beteja. “Të duash, kujtoje mirë o vëllai im” më thosh gjithnjë “ do të thotë edhe të dish të falësh”. Ma tha edhe mbrëmjen kur i dhanë Çmimin Nobel në Stokholm dhe unë pyes veten në se do të mund ta kem atë forcë. Do t’i kërkoj ndihmë asaj në se do që edhe unë t’i fal...” Për Nënë Terezën e Kalkutës janë shkruar shumë libra: për punën që bën sot e 40 vjet “në mes të më të varfërve të të varfërve të botës”; për shtëpitë që ka hapur, të cilat nga Italia u shtrinë në gjithë kontinentet, për fjalimet që mban, letrat, meditimet, mësimet. Por ne kemi ditur shumë pak për jetën e saj. “Nënë Terezës nuk i pëlqen të flasin për të” kanë thënë gjithnjë biografët. “M’u lut të mos bëj asgjë që do të përfundonte si biografi”, ka shkruar englezi Malkolm Magerixh (Malcolm Muggeridge) në parathënien e librit Një gjë të bukur për Zotin.
“JETA E KRISHTIT”
Askush nuk ka cekur ndonjëherë “të vërtetat e tmerrshme” të cilat Nënë Tereza i ka ruajtur në zemrën e vet për kohë të gjatë, duke vuajtur në heshtje: vdekja tronditëse e babait, i helmuar nga jugosllavët dhe fundi i dëshpëruar i nënës të cilën rregjimi komunist shqiptar nuk e lejoi të përqafonte bijtë para vdekjes. Për këtë për herë të parë foli i vëllai për revistën tonë. Dhe tani për shumë biografë do të jetë mbase më e vështirë të kuptojnë ku e gjen forcën e vet kjo “motër e jashtëzakonshme e vogël e cila është zhytur aq shumë në tiparet e të përbashkëta të njerëzimit sa që është identifikuar me vuajtjen njerëzore”. “Sipas meje bota sot është e pështjelluar dhe vuan shumë”, ka thënë shumë herë Nënë Tereza duke iu folur misionareve të dashurisë, urdhër i krijuar prej saj më 1950 “sepse në vatrat e shtëpive dhe në jetën e familjes ka me të vërtet pak dashuri. Nuk kemi kohë për fëmijët, nuk kemi kohë për njëri tjetrin, nuk kemi kohë as t’i gëzohemi njëri tjetrit. Mendoj se në se do të mundnim veç t’i sillnim përsëri në jetën përditëshme atë jetë që bënin Krishti, Maria dhe Josifi në Nazaret, në se do t’i bënim shtëpitë të tona tjetër Nazaret, në botë do të mbretëronin dashuria dhe gëzimi...”.
___________
1) Pjestarë të shërbimit diplomatik amerikan, francez, suedez e sidomos shqiptar të asaj kohe mund të japin dëshmi historike për negociatat e rastit; pala shqiptare e shërbimit të jashtëm dhe e mbikqyrjes së brendëshme mund të japë të dhëna të drejtpërdrejta, p.sh. nga dhe si erdhi urdhëri për të lejuar letërkëmbimin, për ta ndërprerë e sidomos për të mos lejuar largimin e dy grave të gjora.. (sh.p.)
Nazareti i Nënë Terezës ish Shkupi, një qytezë e krahinës shqiptare të Kosovës, e cila i kaloi Jugosllavisë më 1909, pak para se ajo të vinte në jetë.. Në familjen e saj kish dashuri dhe gëzim e jo varfëri Nazareti. Babai, Nikoll Bojaxhiu, ishte tregtar i kamur lënde ndërtimi; nëna, e cila quhej Drande (emër lule në Shqipëri), vinte edhe ajo nga një familje në gjendje të mirë: Agi (italisht Agata), e madhja; Lazër, i vetmi mashkull dhe Gonxhe (italisht Agnese), e ardhmja Nënë Terezë. Gonxhja lindi më 27 gusht 1910, vëllai më 1908, motra më 1906.
TË SHTATË JETIMËT
“Një familje jashtëzakonish e lumtur”, kujton Nënë Tereza. “Unë nuk mund ta harroj nënën time. Zakonisht ishte gjithnjë shumë e zënë me punë, tërë ditën. Po kur afrohej mbrëmja kish zakon të kryente me ngut punët për të qenë gati të presë tim atë. Atëhere nuk kuptonim dhe qeshnim e madje edhe bënim pak hoka. Sot nuk mund të mos sjell nëpërmend butësinë e dashurisë që ndjente për të ime ëmë: sido që të bëhej ajo ishte gjithnjë gati për ta pritur buzagas... Ishte një grua e dashuruar, shumë bujare, me parime të shëndosha katolike...”. Shkupi atëhere ishte shumica muslimane; kishte shumë ortodoksë: shumë të pakët katolikët. “Ne” tregon Lazër Bojaxhiu “ishim ndër të paktët katolikë të qytetit. Ishte një kishëz dy hapa nga shtëpia jonë: nëna na çonte në meshë që të tre, gati përditë në mëngjes në orën kur babai dilte për të shkuar në punë. Dhe në mbrëmje, sapo errej, mblidheshim të gjithë në sallonin e madh ku rrinim dhe thoshim ruzaret2) me të. Shpesh kish edhe të afërm që i prisnim në një shtëpi tjetër, ë cilën e ndante nga e jona një kopësht i madhme shumë lule dhe pemë. Edhe miqtë tanë, të përpiktë, vinin çdo mbrëmje për të thënë ruzaret me ne. “Dhe nëna, me gjithë punët e shtëpisë, gjente kohë edhe për të shkuar e vizituar të sëmurët në qytet, për t’u çuar veshje të varfërve. Shpesh shkonim edhe ne fëmijët. “Ju jeni me fat” na thosh gjithnjë nëna: “keni shtëpi të bukur, bukë e veshje, po nuk duhet të harroni se ka shumë njerëz që vuajnë për bukë dhe fëmijë që nuk kanë me se të vishen dhe kur sëmuren nuk kanë as barna për t’u mjekuar”.
“Gonxhja”, vazhdon më tej tregimi i vëllait “nuk linte t’i ikte as edhe një nga këto vizita ditore. Ishte një grua e varfër e ve që rronte me shtatë bijtë e saj, gati të gjithë të vegjël, në një dhomë të errët e të ndyrë dhe ishte e sëmurë rëndë. Ne fëmijëve na ndahej zemra më dysh kur i shihnim të gjithë atje, grumbull mbi një shtrat të vetëm të madh, që ish një lloj shtroje mbulesash të lerosura e të ronitur. Veç një dhomë për tetë krijesa me një birucë për guzhinë dhe madje pa banjë, ndërsa ne kishim sejcili dhomëzën e vet të bukur, madje kishim edhe vaskë banje me ujë që vinte drejtpërdrejt nga rubineti (gjë e rallë atëhere për Shkupin). Gonxhja, kur dilte nga shkolla, shkonte gjithnjë tek këta fëmijë të varfër para se të vinte në shtëpi dhe kthehej mbasdite për të ngrënë zemër me ta: kuptohet se zemrën e çonte ajo. Kur më pas kjo e gjorë vdiq, më kujtohet se të shtatë fëmijët rronin në të vërtet në shtëpinë tonë”.
“JETA IME E RE”
Po edhe për Bojaxhijtë erdhën ditë të trishtme. Fërkimet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë mbas kalimit të krahinës së Kosovës në Jugosllavi nuk pushonin. “Im atë, i cili merrej edhe me politikë”, tregon vëllai i Nënë Terezës “i pat mbrojtur pa u tundur të drejtat e kësaj krahine shqiptare për të mbetur e bashkuar me vendin amë, por më pas iu pat dashur të dorëzohet përballë trupave të Beogradit dhe shpagimeve e hakmarrjeve të padronëve të rinj. Sipërmarrja e tij falimentoi, familja jonë filloi të vuajë dhe më në fund jugosllavët e vranë duke e helmuar. Një mbrëmje babai u kthye në shtëpi dhe e kapën dhimbje therëse. E shtruan në spital, po nuk patën s’t’i bënin. Vdiq mbas pak orësh.” Ishte viti 1919. Nikoll Bojaxhiu ishte gati 46 vjeç. Të tre fëmijët ishin 13, 11 e 9 vjeç. Ishte nëna ajo që i shpëtoi nga varfëria duke filluar një tregti qilimash, qëndizmash dhe të prodhimeve të tjera të artizanatit të vendit.
“Gjithë ne fëmijët” kujton Lazër Bojaxhiui, “jepnim një dorë, por pa lënë mbas mësimet. Shkonim mjaft mirë në shkollë. Të tre ndiqnim shkolla jo katolike, por Gonxhja kalonte një pjesë të madhe të kohës së lirë në famulli, të cilën e drejtonin jezuitët”.
Si e kujton vëllai Gonxhen e këtyre viteve? “Kujtoj shumë mirë” thotë Zoti Bojaxhiu “për Gonxhen nëntë vjeç. Ishte bufe dhe e rrumbull, e shëndetëshme, e rregullt, e arësyeshme, madje tepër serioze për moshën e vet. Ishte e vetmja nga të tre që nuk merrte fshehtaz marmelatë. Po ndonjëherë, siç ish e mirë dhe bujare, më në fund më ndihmonte, sepse i vetëm nuk ia dilja dot të ngreja kapakun e enës së madhe të vendosur lart mbi një murin në dhomën e bukës. Unë isha grykës i madh marmelate dhe ëmbëlsirash. Shpesh ngrihesha edhe natën për të llupur ndonjë gjë dhe ajo m’i ndjente hapat në korridor e vinte e gjente në guzhinë apo në dhomën e bukës dhe më kujtonte se mbas mesnate nuk duhej as të pija dhe as të haja ndonjë gjë sepse të nesërmen në mëngjes duhet të kungoheshim. Asohere ishte i detyruar agjërimi i plotë, i cili u hoq
veç para pak kohe. Unë, të them të drejtën nuk u kushtoja rëndësi këtyre rregullave, por ajo trishtohej. “Krishti”, më thoshte shpesh, “duhet pritur me nderim të madh dhe duhet të përgatitemi ta presim me dinjitet, edhe duke bërë sakrifica”. Unë bëja sikur e dëgjoja, po edhe natën e mëpasme shkoja përsëri në guzhinë. Por duhet ta them se nuk më tradhëtoi asnjëherë. Më donte me gjithë shpirt, edhe se disa herë i sillja telashe. Kujtoj se kur nëna na jepte urdhër ne fëmijëve të pastronim këpucët dhe unë nuk doja, vetë ajo pastronte edhe të miat”.
_____________
2) Ruzaret – tek katolikët, thënia me zë apo me mend e disa lutjeve: tre grupe nga pesë ‘Të falem o Mri’ që thuhen dhjetë herë e që paraprihen sejcili grup nga një ‘Ati Ynë’, nga një ‘Lëvdue kjoft Ati’ dhe nga një prej ‘shenjave’. Numurimi i lutjeve bëhet me ‘ruzare’, shpesh të përgatitura nga petalet e trëndafilit.(sh.p.) Si i lindi thirrja për misionare? E kujton vetë Nënë Tereza në shkrimet e saja: “S’di të them në se në pjekjen e thirrjes sime ka pasur më shumë ndikim shembulli i nënës sime dhe dashuria e saj për të varfërit apo prania ime e parreshtur në famullinë e jezuitëve. Është e sigurt se mendimet e para më erdhën kur sapo pata mbushur dymbëdhjetë vjeç. Por ama nuk fola me njeri. Vazhdova të studioj dhe përfundova liceun. Dhe kur isha tetëmbëdhjetë vjeç ia thashë të gjitha nënës. “Në se ky është vullneti i Zotit’, më tha kjo grua shenjtore “unë nuk do të kundërshtoj”. Ishte një jezuit në Shkup që më foli për herë të parë për Kongregacionin irlandez të “Abacisë së Loretos” që e kish qendrën në Rathfarnham, pranë Dublinit. Pra u nisa për Irlandë. Ishte 28 nëntor 1928 dhe prej tri muajsh kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeç. Veç një vit më pas isha në Indi”.
Rishtare në Darjeeling, pranë Kalkutës, Goxhe Bojaxhiu përmbush kushtet dhe dërgohet të japë mësim në “Shkollën e Mesme të Shën Marisë” të Kalkutës. Tashmë është motër Tereza. “Është jeta ime e re” i shkruan e lumtur nënës. “Kolegji ynë është i shkëlqyer, në mes të një kopështi shumë të madh, mes vllajash me lule, pemë e shatërvane me currila uji. Më pëlqen të jap mësim. Kam këtu përgjegjësinë e një shkolle të tërë dhe aq shumë vajza, të cilat më duan shumë. Më vjen keq se nuk jam me ju. Po edhe ti shumë e dashur nënë duhet të jesh e lumtur: Gonxhja jote e vogël është e lumtur”.
Shumë shpejt do të heqë dorë nga ky oaz paqe. “Duke udhëtuar një ditë me tren dhe duke dalë pastaj në mbrëmje nëpër rrugët e Kalkutës”, do t’i shkruajë një ditë nënës “u kujtova se thirrja ime e vërtetë ishte t’u shërbej të varfërve. Një mbrëmje eca gjatë. Eca pa u ndalur fare derisa nuk mundja më. Atëhere kuptova më mirë se deri në çfarë shkalle raskapitje duhet të mbrrijnë ata që janë me të vërtetë të varfër, gjithnjë në kërkim të pak ushqimi, barnash, çdo gjëje... Kujtimi i qetësisë materiale që gëzoja në Kuvendin e motrave të Loretos m’u shfaq para sysh si tundim. U ndjeva e pafuqishme ndaj thirrjes së re. Krishti më donte atje. Dhe nuk pata mëdyshje ta ndjek vullnetin e tij”. Do të kalojnë shumë vite përpara se Nënë Tereza të mund t’i kushtohet krejtësisht e pavarur thirrjes së re dhe përfundimtare. Leja për të lënë Urdhërin e Motrave të Zonjës Tonë të Loretos i mbrriti nga Roma vetëm më 8 gusht 1948. Më 21 dhjetor të po këtij viti hapet shkolla e parë e saj në rrethinat e Kalkutës; mbas një viti Qendra e parë e grumbullimit të njerëzve që ndodheshin në prag vdekjes në një papafingo të dhuruar nga një zonjë europiane e cila jetonte atje; dhe më 7 tetor 1950 themelon Kongregacionin e ri të “Misionareve të Dashurisë”, i cili vetëm mbas 15 vjetësh, më 1965 do të ketë miratimin papnor.
LETRAT E SAJ
Po sidoqoftë, për të filluar punë Nënë Tereza nuk pret miratimin papnor. “E kam shtëpinë time të re” i shkruan nënës më 1950 “dhe është shtëpia e të varfërve: jo e të varfërve, por e atyre më të varfër ndër të varfërit; e atyre të cilëve njerëzit nuk duan t’u aviten nga frika e ngjitjes së sëmundjeve dhe erës së zhulit, nga që janëtë mbuluar me mikrobe dhe insekte; e atyre që nuk shkojnë të luten, mbasi nuk mund të dalin nga shtëpia të zhveshur; që nuk hanë, mbasi nuk kanë më forcë të hanë, që rrëzohen rrugëve, edhe pse e diinë se po vdesin, dhe përbri të cilëve të gjallët ecin pa ju kushtuar vëmendje: e atyre që nuk qajnë më, se nuk kanë më lotë”. Gëzimi kushtimit ndaj të tjerëve është titulli i një libri shkruar nga një spanjoll, ku janë përmbledhur fjalimet, meditimet, mësimet e kësaj motre të përulur dhe të vogël, e cila mahniti dhe mallëngjeu gjithë botën me përkushtimin e saj, me dashurinë e saj për të varfërit, me vrrull jetësor të jashtëzakonëshëm (“Ma ka falë Zoti forcën”, thotë), që fshihen pas pamjes jashtësore të një karakteri në dukje të brishtë e të pambrojtur. Por pjesë të meditimeve të saj i gjejmë edhe në letrat që Nënë Tereza u ka shkruar njerëzve të familjes.
Ja disa nga më domethënëset: “Pa vuajtje puna jonë do të ishte një veprimtari shoqërore, një veprimtari shumë e mirë dhe e dobishme, po nuk do të ishte punë e Krishtit. Ne duhet të shelbojmë jo vetëm varfërinë materiale, po edhe mjerimin shpirtëror. Dhe duhet ta marrim parasysh sepse vetëm duke u bashkuar fort me të varfërit mund t’i shelbojmë, duke futur Zotin në jetën e tyre, duke i bartur e çuar ndaj Zotit...”.
“Dashuria është arma jonë: dashuri për të gërbulurit, për pleqtë, për ata në prag të vdekjes, për të paralizuarit: për ata që nuk kanë asgjë dhe që nuk duhen nga asnjeri...”.
“Krishti nuk do të na pyesë çfar kemi bërë, por me sa dashuri i kemi bërë veprimet tona...”. “Ka barna dhe mjekime për çfarëdolloj sëmundje. Por nuk ka duar të mira që t’u shërbejnë dhe zemra bujare që të dashurojnë dhe nuk besoj se do të mund të mjekohet ndonjëherë sëmundja e tmerrshme e të mos ndjerit të dashur nga dikush..”.
“Sot më duket se të gjithë kemi rënë pre e një furie të tmerrëshme, stërmundohen për të arritur synime gjithnjë e më të larta dhe për të grumbulluar pasuri gjithnjë e më të mëdha dhe gjëra të tjera. Fëmijët kanë pak kohë t’u kushtojnë prindërve dhe prindërit kanë pak kohë t’i kushtojnë njeri tjetrit me pasojë që në familje zhduket gëzimi për të jetuar...”.
“Në botë ka shumë urrejtje, shumë luftra. Nuk do t’ia dalim dot t’i mposhtim urrejtjen dhe luftrat me pushkë dhe as me bomba, dhe as me ndonjë tjetër armë që shkakton plagë: do t’ia dalim mb’anë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqe vëllazërimi”. “Herët e para kur më jepnin çmime mbeta shumë e habitur. Nuk dija t’i pranoja apo jo. Por mbrrita në përfundim se duhet t’i pranoja çmimet në emër të më të varfërve të të varfërve si nderim ndaj të varfërve”. Në se do të duhet të meditosh gjatë mbi këto fraza të diktuara nga zemra e një motre të vogël e të përulur e cila pesëdhjet vjet më parë e la familjen e vet për të krijuar një tjetër edhe më të madhe, atë të miliona qenieve njerëzore të cilët bota nuk i pranon, të cilët rrëxohen përdhe, vdesin rrugëve dhe njerëzit që kalojnë as që ndalen për t’u hedhur sytë.
Dëshmi e krezmimit të Nënë Terezës, nga Pandeli Pasko Kuteli
Në materialet e çështjes së lumnimit të Nënë Terezës pranë Kongregacionit për Çështjet e Shenjtërimit gjendet edhe një dëshmi e rëndësishme për jetën e Nënë Terezës në vitet e para të saj, kur ajo ishte thjesht Goxhe Bojaxhiu. Është dëshmia e krezmimit. Fotokopja e kësaj dëshmie u paraqit në Romë në javën e festimeve të lumnimit të Nënë Terezës në një ekspozitë fotografike në mjediset e famullisë të Shën Antonit. Me që nuk lejohej fotografimi, po paraqes përmbajtjen me fjalë dhe disa komente.
Në krye të dokumentit shkruhet serbokroatisht “Çertefikatë Pagëzimi”, por më pas kuptohet se bëhet fjalë për krezmim, i cili është një sakrament të cilin katolikët e bëjnë mbas sakramenteve të pagëzimit dhe kungimit. Krezmimi ripohon (angl. confirmation) përkatësinë ndaj fesë së krishtere. Pra ky dokument vjen mbas atij të pagëzimit, i cili duhet të ketë qenë bërë zakonisht menjëherë mbas lindjes, pra qysh më 1910. Dokumenti në fjalë është lëshuar më 11 korrik 1928 dhe mban emrin e klerikut që e vërteton: B. Bukovic, i cili mendojmë se është i njejti p. Bukovic i përmendur si prift mbase slloven që shërbente në Shkup në këtë periudhë (D. Lush Gjergji, ‘Nëna jonë Terezë’, Zagreb, 1980). Nga sa ështëpasqyruar nëpër libra të ndryshëm mbi Nënë Terezën si dhe nga paraqitja dokumetare e fotografike e jetës të së Lumes në ekspozitën e famullisë të Shën Antonit në Romë, duket se ky është nga të paktat dokumenta të njohura. Kisha katolike e Shkupit “Zemra e Krishtit”, ku sipas autorëve të ndryshëm ka qenë pagëzuar Nënë Tereza, u shkatërrua nga tërmeti i 26 korrikut i vitit 1964, pa folur për bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo kishë ishte relativisht e re, mbasi një kishë e vjetër katolike kishte mbetur nga ana tjetër e Vardarit, ndërsa shumë kisha të tjera katolike të zonës ishin shndruar prej kohe në kisha ortodokse e në xhami. Shkupit i pat mbetur vetëm qendra e ipeshkvisë katolike dhe një kuvend. Meqenëse Shkupi nga një qendër e katolike u pat shndruar në një zonë kufitare të katolikëve, kuptohet se edhe humbjet në dokumeta kanë qenë vërtet të mëdha e me pasoja të rënda sidomos për komunitetin shqiptar në përgjithësi dhe atë katolik në veçanti. Sa më sipër tregon edhe vështirësinë e kërkimeve në fushën dokumentare dhe ngre rëndësinë e një shqyrtimi të hollësishëm të dokumentit në fjalë. Në dokumentin e krezmimit thuhet:
Sakrament sv. Potvrde je primila dne 26 novembra 1916 od nabiskupa Lazar Mieda u Skoplju.
Pra shqip (jo në shqip): Sakramentin e krezmimit e mori më 26 nëntor 1916 nga arqipeshkvi Lazar Mjeda në Shkup. Dhe më tej: Kuma joj je bila Tada Simon Shirokes. Pra shqip: Kumbarë e saj ishte Tada e Simon Shirokës.
Në fund shënohet se kjo është një dublikatë e origjinalit e cila do të jetë xjerrë nga rregjistri i famullisë.
Komente
Dokumenti është tepër i shkurtër për komente të gjata, por ne e lejohemi të shënojmë sa më poshtë. Data e lëshimit të dublikatës së dokumentit tregon se ai ishte i domosdoshëm për rrugën e jetës së ardhëshme që do ta shndrronte të renë Gonxhe Bojaxhiu në motër e më pas në Nënë Terezë të njohur nga gjithë bota. Pa u mbushur pesë muaj nga marrja e këtij vërtetimi, më 28 nëntor 1928 ajo do të nisej drejt Abacisë së Loretos në Irlandë. Edhe dokumenti në fjalë duket se është nxjerrë nga arkivat e misionareve. Dokumenti përforcon dëshminë e vëllait të Nënë Terezës, Lazar Bojaxhiu në shkrimin e Gaetano Salimbenit (Gente, n.52, 1979, n. 1, 1980) se Gonxhja e vogël shkonte në kishën katolike (pra shqiptare) përpara se t’i vdiste i ati, Nikoll Bojaxhiu më 1919 e madje kishte edhe kumbare katolike. Emri i kumbares Tada e Simon Shirokës flet për për lidhjet e familjes me pakicën katolike, pra shqiptare, në Shkup.
Mbiemrat shkodranë të kumbares - Shiroka e të arqipeshkvit - Mjeda flasin për lidhjet e forta mes katolikëve të Shkupit dhe atyre të Shkodrës. Në librin e tij ‘Ipeshkvija Shkup-Prizren nëpër shekuj’ (‘Drita’, Zagreb, 1992, f. 203) Dr. Dom.. Gaspër Gjini shkruan se: ‘Me arqipeshkvin Mjeda përfundon vargu i arqipeshkëve të Shkupit. Me Konkordatin midis Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Serbisë, i cili u nënshkrua në Romë më 24 qershor të vitit 1914, dioqeza e Shkupit u desh të bëhet sufragane e arqipeshkvisë së Beogradit’. Pa fjalë se ky ndryshim administrativ ndikoi negativisht në mbijetesën e elementit katolik shqiptar në dioqezën e Shkupit dhe ashtu si vëren i njejti autor, pakësoi numurin e besimtarëve katolikë dhe të famullive katolike të sapokrijuara në këtë zonë në dhjetvjeçarët e fundit të sundimit turk. Thellimet e studimit të ipeshkvisë Shkup-Prizren dhe të marëdhënieve fetare, politike e shoqërore mes njerëzve në krahinat përreth të saj gjatë shekullit të XX janë me shumë interes, mbasi në këtë treva ndërthurej jeta e besimtarëve të dy feve, të tri etnive dhe të shumë më tepër nën-ndasive fetare. Ato do të ndihmojmë për të kuptuar më mirë mjedisin ku u rrit dhe ku u brumos Nënë Tereza me dashuri për njerëzit e çfarëdo feje. Atëhere edhe Çertefikata që po paraqesim dhe dokumenta të tjera do të mund të interpretohen në një dritë të re. Këto punime presin të kryhen nga studjues të rinj seriozë dhe të pandikuar nga ideologji partiake e fetare dhe as nga ngushtësi përkatësish etnike.