Mendime
Hajdin Islami: Tani kemi lot gëzimi e jo pikëllimi, të faleminderit Kosovë!
E diele, 15.02.2009, 11:29 AM
Tani kemi lot gëzimi e jo pikëllimi, të faleminderit Kosovë!
Nga Hajdin Islami*
Ditë pas dite e muaj pas muaji atdhedashuria ime për shtetin tim sa vije e rritet tani e kuptoi se çfarë do të thotë të kesh shtet dhe të jesh shtetas i vendit për të cilin shumë breza dhanë jetën dhe kontributin e tyre.
Së bashku me Kosovën edhe unë po rritem dhe po e kuptoi çdo ditë e më tepër rëndësinë që ka shteti për ne. Një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës gjërat kanë filluar të lëvizin për së mbari edhe pse me hapa të ngadalshëm por gëzon fakti se vendi ynë është njohur nga shtetet më të fuqishme dhe më me ndikim në politikën dhe ekonominë botërore. Për mua dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë 17 Shkurti 2008 në mendjet dhe zemrat tona do të jetë dita kur ne jemi tani vërtetë të lirë, tani lotët në sytë tanë më nuk janë lot pikëllimi por lot gëzimi pasi shteti ynë tashmë është në jetë.
Unë që tashmë jam shtetas i Republikës së Kosovës ndjehem i lumtur që pata fatin më të madh gjatë jetës sime që ta gëzojë Pavarësinë e vendit-atdheut tim të dashur Kosovës e cila tashmë ka një status dhe tretman krejtësisht tjetër në botë pasi është shtet i pavarur dhe sovran, tani ne i kemi edhe simbolet tona shtetërore por në asnjë çast nuk harrojmë dhe largojmë nga mendjet dhe zemrat tona flamurin kuq e zi me të cilin jemi rritur dhe edukuar.
Në këtë ditëlindje të parë të shteti tonë u jemi mirënjohës familjeve të dëshmorëve të lirisë, familjeve të të zhdukurve, fëmijëve bonjak, nënave, grave dhe baballarëve të atdhetarëve dhe heronjve tanë gjithëkombëtar, familjeve të komandantëve të UÇK-së, veçanërisht familjes së madhe të Komandantit tonë legjendar Adem Jashari, familjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova, dhe të gjithë atyre që dhanë jetën dhe kontribuuan për këtë që sot ne po e gëzojmë.
Bota e qytetëruar tani është e bindur se Pavarësia e vendit tonë ka sjellë paqe dhe stabilitet në këto hapësira. Atmosfera festive për nderë të kësaj dite në gjithë Kosovën ka filluar të jehojë, Institucionet, rrugët dhe sheshet e qyteteve tona janë stolisur me flamuj si dhe me urime të ndryshme, rreth 450 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës po e presim me padurim ditën e martë të 17 shkurtit 2009 për të defiluar me “Pelerinën Festive” e cila mban flamurin e Republikës së Kosovës dhe mbishkrimin urime 1 Vjetori i Pavarësisë.
*Student në studimet postdiplomike- Master i Mësimdhënies në Universitetin e Prishtinës