Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Marsi i Lirisë
E diele, 12.03.2023, 07:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Shfryejnë
me fjalët më të pista kundër të drejtës së grave për të pasur fëmijë edhe pa
qenë të martuara, dhe këtë e bëjnë duke përdorur teknologjinë e krijuar nga një
gjeni i lindur jashtë lidhjes martesore. Ky është Steve Jobs.
Kjo
është joparimore nga ana juaj zotërinj rojtarë të traditës mesjetare që e
përbuzë "kopilin". Prandaj, që të jeni konsekuent në qëndrimet tuaja,
hidheni teknologjinë e kopilit Jobs dhe kthehuni në shpellat ku zë fill tradita
juaj. Vetëm atëherë do t'u marrim seriozisht.
Dhe
derisa ju të na lajmëroheni nga shpellat, ne do të vazhdojmë të jetojmë duke
shijuar artin e një kopili tjetër, që e ka emrin Leonardo da Vinçi, dhe të
organizojmë jetën tonë politike sipas parimeve kushtetuese, të vendosura nga
një kopil tjetër, i cili quhet Aleksandër Hamilton, themelues i Shteteve të
Bashkuara të Amerikës.
___________
Marsi,
në mitologjinë romake, ishte Zoti i luftës. Pas Jupiterit, ai adhurohej më së
shumti nga romakët. Viti në kalendarin e tyre fillonte me festat kushtuar atij,
pra me 1 mars. Kjo është arsyeja pse ende sot muaji që në kalendarin romak
ishte muaji i dhjetë, ndërsa në tonin muaji i dymbëdhjetë, quhet dhjetor.
Prapa
kësaj mitologjie, qëndronte cikli i stinëve, prej të cilit varej dinamika e
shoqërive të lashta. Me marsin fillonte pranvera, moti ngrohej, rrugët
thaheshin dhe kështu ushtritë mund të niseshin në fushatat e tyre, ndërsa
kryengritësit të ktheheshin në strehët e tyre të sigurta, mes maleve të
mbuluara nga bimësia e re.
Marsi
është muaji i luftës edhe në historinë tonë. Është marsi i fillimit të
kryengritjeve të Skënderbeut ( Kuvendi i Lezhës). Është marsi i kryengritjeve
të mëdha të Kosovës gjatë historisë. Është marsi i Adem Jasharit dhe i UÇK- së.
Është marsi i intervenimit të NATO's. Është marsi gjatë të cilit ne për herë të
parë e ndjemë afrimin e lirisë.
___________
Duke
e vra Adem Jasharin e familjen e tij, e duke e kthy në tokë të djegur truallin
e saj, Serbia llogariste që ta shuaj njëherë e përgjithmonë ëndrrën tonë për
liri. Metodë e njohur kjo e të gjithë tiranëve që nga fillet e historisë
njerëzore. Por llogaria e tiranit të Beogradit kësaj radhe doli krejtësisht
gabim. Sepse aty, në Prekaz, tanimë ishte mposhtur frika nga vdekja, pra ishte
hedhur hapi i parë drejt çlirimit. Ky hap mbante emrin e Adem Jasharit. Dhe aq
i madh ishte ky hap, sa më nuk do të kishte kthim prapa. Me asnjë çmim.
___________
Dikush
e publikoi këtë fotografi në rrjetet sociale. Një polic po qëndron para
shtëpisë së Adem Jasharit. Automjeti i blindur më tutje më përkujton se kjo fotografi
është bërë të dielën, pra me 8 mars, kur tanimë sulmi i policisë kishte mbaruar
dhe gazetarët e parë kishin filluar të hynin në Lagjen Jasharaj.
Shtëpitë
në kodrën përballë janë shtëpitë e lagjes time. Prej andej ne e kishim parë
gjithë ngjarjen e atyre tri ditëve. Ky automjeti i blinduar atë ditë të diele
për një kohë të gjatë ishte endur arave rreth e rrotull në kërkim të të
vrarëve. Dikur e patën gjetur kufomën e Isak Halilit nga Dubovci, i cili ishte
vrarë tek Livadhi i Hanit. Isaku bashkë me vëllain e tij Sadikun kishin ardhur
nga Dubovci për t'u ndihmuar të rrethuarve. Ishin qëlluar nga policët që kishin
zënë pozicionet në arat sipër livadhit. Pas një këmbimi zjarri, Isaku kishte
mbetur i vrarë në vend. Sadiku i plagosur ishte tërhequr drejt shtëpive tona me
të rënë nata. E patën sjellur në odën e Xhemajl Ismajlit të mbështjellur me një
batanije. Ishte hera e parë që shihja një të plagosur në atë gjendje. Askush
nuk besonte se do t'u mbijetonte plagëve, por ai mbijetoi. Mbijetoi, si për ta
përmbushur atë porosinë shekspiriane, të cilën na e kujton At Zef Pllumi : Rrno
për me tregue!
___________
Kur
bandat paramilitare serbe filluan plaçkitjet dhe vrasjet e shqiptarëve nëpër
shtëpitë e tyre, Ahmet Delia mblodhi Prekazin, e u tha: S'kemi barot, por do
t'luftojmë me sakica; unë as nuk iku as nuk dorëzohem kurrë! Dhe ashtu ndodhi.
Shumë
vite më pas në një kafe në Skenderaj një polic po i kërcënohej plakut Nebih
Meha, babës së Tahir Mehes: Ti plak po endesh në sheher e djalin n'mal! Kemi me
ardhë një ditë n'Prekaz me ju lidhë tanve. Plaku ia ktheu: Ti mundesh me ardhë,
po se di a kthehesh má. Dhe ashtu ndodhi.
18
vite më pas Shaban Jashari u tha miqve në kullën e tij: Nuk e lshojmë
Prekazin.K'tu do t'luftojmë deri t'vdesim. Dhe ashtu ndodhi.
Ky
ásht kodi i vjetër i këtij katundi. Kodi i Kuçit legjendar.
___________
8
Marsi është ditë e mirë për biznesin. Sidomos për biznesin e vogël. Shitësit e
luleve fitojnë më shumë para në këtë ditë, se në çdo ditë tjetër të vitit. Edhe
marketet e çokollatave. Edhe parfumeritë dhe argjentaritë. Edhe dyqanet e
rrobave. Edhe restorantet mund të kenë bilanc ditor më të mirë se ditëve tjera.
Llafazanët e politikës në këtë ditë nuk e lëshojnë rastin për t’u dukur sa më
perëndimorë dhe për të shitur moral mbi barazinë gjinore në portale, studio
televizive e tryeza institucionale. Pastaj, me të kaluar kjo ditë, gjërat
rikthehen menjëherë në “normalitetin” e 364 ditëve të tjera të vitit, ligjin e
të cilave e bën patriarkalizmi i rrënjosur thellë në mendjet dhe zemrat e burrave
që nga koha e largët e mesjetës. Për pasojë gratë vazhdojnë të jetojnë më
diskriminimin gjinor në çdo hap që hedhin. Vazhdojnë të jenë viktimat kryesore
të dhunës në familje dhe të gjuhës së egër të turmave digjitale në rrjetet
sociale. Vazhdojnë të paguhen më pak se burrat për punët e njëjta dhe në
gjykata të mos e marrin drejtësinë e njëjtë me burrat. E të tjera, e të tjera.
Pra, thënë me pak fjalë, vazhdojnë të jenë qytetare të rendit të dytë. Kështu
kalojnë ditët, deri në 8 Marsin e radhës, pra deri në shfaqjen e radhës të
hipokrizisë mashkullore.
___________
Momenti
kur Selia e Shenjtë në Romë dekretoi liturgjinë dhe botimin e librave në gjuhën
shqipe, ásht momenti kur fillon historia e vërtetë e shkollës shqipe. Arsyeja
ásht fort e qartë: Libri nënkupton shkollimin. Nuk mund të ketë kulturë libri
pa pasur një nivel shkollimi.
Pra
nuk mund të flasim për vitin 1887 si pikënisje e shkollës shqipe. Pikënisja
ásht plot tre shekuj ma herët. Komunistët e dinin fort mirë kët' fakt, por
armiqësia me Vatikanin nuk ua lejonte ta pranonin e ta bënin pjesë të teksteve
të tyne të historisë. Ky fakt nuk e pakëson aspak peshën e madhe të rilindasve
shqiptarë, që derdhën djersë e gjak për 7 marsin e vitit 1887.
___________
Fotografia
e parë, në mbarim të klasës së parë, bashkë me gjithë klasën dhe mësuesin tonë
të parë Sadik Mehën. Ishte rregull që fotografitë të bëheshin në këtë pjesë të
oborrit të shkollës. Arsyeja: duhej të përfshihej në fotografi edhe busti i
Azem Bejtës, emrin e të cilit e kishte dhe ende e ka shkolla fillore e
Prekazit. Në fotografi unë jam i treti nga e majta, në rreshtin e parë, ulur.
Viti 1986.
___________
Në
njërën anë ekonominë prodhuese e kemi më të keqen në Europë, ndërsa në anën
tjetër jemi bërë me qendrën më të madhe tregtare në Europën Juglindore,
Prishtina Mall.
Në
njërën anë e kemi kushtetutën më liberale në Ballkan dhe jo vetëm, ndërsa në
anën tjetër politikën e parlamentin plot me tipa që të kujtojnë milicinë morale
të Iranit.
Në
njërën anë në sondazhe dalim si një ndër popujt më optimistë, ndërsa në anën
tjetër para ambasadave nuk kanë të sosur rrjeshtat e të interesuarve për të
marrë një vizë largimi nga Kosova.
Mund
të listojmë dhjetëra shembuj të tillë kontradiktash, por mjaftojnë këta të tre
për të treguar moçalin e falsitetit dhe improvizimit, në të cilin jemi zhytur
deri në grykë.
___________
Fillimi dhe fundi brenda
një date
Me
11 Mars 1981 në Kosovë shpërthejnë demonstratat e studentëve me kërkesën
"Kosova Republikë". Më pas këto demonstrata shfrytëzohen nga elitat
serbe për ta vënë në skenë ultranacionalizmin serb. Ky ultranacionalizëm e
sjell në fuqi Sllobodan Millosheviqin, i cili, pasi udhëheq masakrën kundër
popujve tjerë të ish-Jugosllavisë, vdes si kriminel lufte në qelinë e tij në
Hagë. Pikërisht me 11 mars 2006, në 25 vjetorin e demonstratave të pranverës
1981.
___________
Patriotizmi,
lufta dhe paratë
Dy
vjet pas fillimit të kryengritjes kundër sundimit osman, grekët kishin mbetur
pa para, të nevojshme për të financuar luftën. Me ndihmën e poetit anglez
Bajronit dhe deputetëve filogrekë në Parlamentin Britanik, më në fund Londra
ishte pajtuar t'u jepte kryengritësve një kredi të majme. Ardhja e kredisë ngjalli shpresat se tani
situata në terren do të përmirësohej në favor të grekëve, por në fakt ndodhi e
kundërta. Komandatët menjëherë filluan abuzimet. Ata dërgonin lista të fryra të
ushtarëve të tyre në qendrat ku ndaheshin paratë. Nëse dikush kishte 100
ushtarë, ai dërgonte një listë me 1000 emra. Pastaj nisën akuzat reciproke për
vjedhje mes gjeneralëve dhe rajoneve të ndryshme. Krejt kjo në fund përfundoi
në një luftë të hapur civile. Grekët e harruan armikun e përbashkët kundër të
cilit ishin ngritur dhe filluan të masakronin njëri tjetrin nën akuzat për
padrejtësi në shpërndarjen e parave angleze. Natyrisht edhe shumë shqiptarë
ishin pjesë e kësaj drame, sepse kishte shumë shqiptarë në të dy kampet
ndërluftuese. Madje një numër i konsiderueshëm i komandantëve të kryengritjes
greke ishin po ashtu shqiptarë. Të tillë ishin edhe disa nga gjeneralët osmanë
që udhëhiqnin fushatën për shtypjen e kësaj kryengritjeje.
Histori
e treguar nga Mark Mazower në librin e tij "Revolucioni grek 1821 dhe
Krijimi i Europës Moderne".
___________
Dimrin
po e kalojmë me Big Brother.Verën me vajtje-ardhjet në det.Na duhet me gjetë
diçka të ngjashme edhe për vjeshtën dhe pranverën, që ta arrijmë idealin
kombëtar të lumturisë në katër stinë.
___________
Në
romanin distopik "Fahrenheit 451" të shkrimtarit amerikan Ray
Bradbury librat mblidhen dhe digjen, ngase leximi i tyre i privon njerëzit nga
lumturia, të cilën ua siguron injoranca. Sepse qysh nga tregimi biblik i
Zanafillës e dijmë se injoranca është kusht për të qenë i lumtur. Pse tek e
fundit ky privilegj t'u përkas vetëm kafshëve?
Ma
kujtoi këtë ky kamion i mbushur me libra duke ecur nëpër rrugën që kalon
pikërisht afër Universitetit të Prishtinës. Mënyra se si janë hedhur librat në
kamion, na lë të kuptojmë se fati i tyre duhet të ketë qenë i njëjtë me fatin e
librave në Fahrenheit 451.
___________
15
milionë vizitorë deri me tash në Prekaz. Kierkegaard ka të drejtë: diktatori
vdes dhe sundimi i tij merr fund, martiri vdes dhe sundimi i tij fillon.