Kulturë
Kujtim Mateli: Dimensioni kombëtar i letërsisë përmetare
E hene, 30.01.2023, 07:53 PM
Dimensioni kombëtar i letërsisë përmetare
Nga
Kujtim Mateli
Letërsia
përmetare është e njohur në të gjitha trojet shqiptare. Naim Frashëri, i njohur
nga shqiptarët si Poet Kombëtar tregon se shkrimtarët e kanë patur Naimin si
frymëzim për veprat e tyre, kurse shqiptarët kanë marrë prej tij dritën e
fjalës dhe shpirtin luftarak. Përmetarët, si pasardhës të denjë të Naimit,
nxorën një numër të madh shkrimtarësh dhe artistësh me rrezatim në të gjithë
hapësirën e trojeve shqiptare. Letërsia përmetare mbështetet mbi katër shtylla
të fuqishme artistike të përfaqësuara nga katër autorët më të rëndësishëm të
saj. Dy nga këto shtylla qëndrojnë në bregun e djathtë të Vjosës dhe që janë
Naim Frashëri dhe Kasëm Trebeshina, kurse dy të tjerat në bregun e majtë:
Bardhyl Londo dhe Sejfulla Malëshova i cili njihet në letërsi si Lame Kodra.
Letërsia përmetare, falë përmasës kombëtare që mbartëte letërsia e tyre, është
e njohur dhe e dashur nga shqiptarët kudo që ata ndodhen: në trojet shqiptare
apo në Diasporë. Veçori e letërsisë përmetare është se të gjithë autorët
përmetarë kanë në krijimtarinë e tyre diçka nga madhështia e vargut të Naimit
dhe ëmbëlsia e vargut të Londos, nga vargu luftarak i Malëshovës dhe karakteret
e spikatura të Trebeshinës. Ndikimi i këtyre autorëve te shkrimtarët e tjerë
përmetarë është i dukshëm dhe kjo ka bërë që letërsia përmetare të jetë
kryezonjë e letërsisë shqipe. Rrethi i Përmetit përbëhet nga disa krahina të
rëndësishme, njëra prej tyre është dhe krahina e Dëshnicës që shtrihet në
veriperëndim të rrethit të Përmetit dhe që ka si kryeqendër qytetin e Këlcyrës.
Në
këtë libër të ri “Dyzet shkrimtarët e Dëshnicës” po e veçoj letërsinë e krijuar
nga autorët dëshnicarë nga pjesa tjetër e autorëve përmetarë, vetëm për efekt
studimi, pasi letërsia e plotë përmetare mund të kërkojë të përfshihet në tre
libra. Letërsia dëshnicare i ka fillesat e veta qysh në mesin e shekullit të
kaluar me shkrimtarin e madh Kasëm Trebeshina dhe në vijim: Belul Arapi, Bujar
Elmazi, Ylli Hoxhaj, Kujtim Halili, Zenel Anxhaku, Lumo Kolleshi, Sadik Murraj
etj. Zhvillimin e saj të vrullshëm e ka sidomos pas vitit 2000, pra në fillim
të këtij Mijëvjeçari. Ajo shënoi arritje si në anën sasiore ashtu edhe në atë
cilësore. Krijuesit dëshnicarë kanë marrë pjesë në konkurset letrare që janë
zhvilluar në të gjitha trojet shqiptare, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme
gjatë këtyre viteve. Po ambicja e tyre i ka kapërcyer edhe kufijtë e trojeve
tona duke marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare dhe përsëri poezia dëshnicare
ka qenë e vlerësuar me çmime. Mund të themi se në ditët e sotme letërsia dëshnicare
është bërë pjesë e qënësishme e letërsisë që zhvillohet në trojet tona.
Dëshnica numëron 40 autorë me libra artistikë e studimorë për letërsinë, ku
kryen e vendit e zë poezia. Krahas letërsisë ka rreth 30 studiues të tjerë
dëshnicarë, që me studimet e tyre i janë kushtuar truallit të Dëshnicës, ku
dominojnë monografitë për figura të njohura, fshatrat dhe fiset e tyre
Shkrimtari
dhe artisti nuk është i mbyllur në krijimtarinë e tij brenda një hapësire të
ngushtë ku punon dhe jeton. Çdo shkrimtar, duke dhënë një kontribut të çmuar
për vendin e vet, e ka si synim të tij që këtë pasuri ta përcjellë jashtë këtij
kuadrati, për ta bërë të njohur veten dhe vendin e tij në rrafshin global. Duke
qënë se shkrimtari dhe artisti, me gjuhën e artit, komunikon me të gjithë
banorët e planetit Tokë, me universin e tij shpirtëror, gjithçka që krijon nuk
është pronë as e tij, as e vendit që përfaqëson. Ajo ka vlerë universale.
Ç`kuptim do të kishte që mirësinë që vjen prej kësaj hapësire globale, poeti ta
mblidhte për vendlindjen apo atdheun e tij, kur bota që e rrethon, e ruan ende
atë tiparin e egër që njerëzimi e ka patur që në fillimet e tij. Një vend i vetëm, sado fuqi politike dhe
ekonomike të ketë, nuk do ta bëjë dot botën më të mirë. Ndryshimin në këtë botë
nuk e sjell dot një vend i vetëm sado i madh që të jetë, madje as një kontinent
i vetëm. Ndaj shkrimtari dhe artisti nuk i drejtohet vetëm vendit të tij dhe
kontinentit ku bën pjesë. Ai i drejtohet cilitdo qytetari të kësaj bote,
pavarësisht se ku ndodhet: në Lindje apo në Perëndim. I drejtohet cilitdo
qytetari të kësaj bote, pavarësisht besimit fetar, pavarësisht ngjyrës së
lëkurës, pavarësisht pasurisë materiale që zotëron.
Shkrimtarët
dhe artistët kërkojnë ta ndajnë në mënyrë të barabartë me qytetarët e kësaj
bote pasurinë e tyre shpirtërore. Kjo botë bëhet e bukur dhe e mirë, kur
luftojmë të gjithë për të. Letërsia i bën njerëzit të jenë më të dashur me
njëri-tjetrin, më të bukur në shpirt, më të kthjellët në mendime. Në
krijimtarinë e tyre artistike, shkrimtarët dhe artistët dëshnicarë ia kanë
arritur me sukses që të bëhen zëdhënës të banorëve të krahinës sonë, që me
krijimtarinë e tyre i kanë dhënë dhe i japin shumë dhe letërsisë në rrafshin
kombëtar.
Veçori
e letërsisë së shkrimtarëve dhe artistëve dëshnicarë është krijimi i një
letërsie që pasqyron realitetin e kohës në të cilën jetojmë. Të gjithë e kanë
të drejtën e tyre të predikojnë atë çfarë ata mendojnë se është më e mira për
veten e tyre dhe për shoqërinë ku jetojnë. Një klerik apo besimtar mund të
predikojë se duhet të jesh i mirë dhe të bësh të mira në këtë botë që të mund
të pranohesh në parajsën e botës tjetër. Një politikan mund të predikojë se X
forcë politike do të bëjë këtë apo atë mrekulli. Pra, njerëzit mund të
predikojnë atë që ata mendojnë se është e realizueshme në të ardhmen. Arti nuk
mund të predikojë gjëra misterioze, të pakapshme, që mund të realizohen një
ditë apo dhe mund të mos realizohen. Arti i drejtohet jetës reale, atë të cilën
jetojmë. Shkrimtari shikon, vrojton, analizon, e prek realitetin me shqisat e
tij dhe bindet se ka depërtuar në vërtetësinë e këtij realiteti, se e ka prekur
këtë realitet dhe është i gatshëm të vërtetojë nëpërmjet një vepre artistike
për vlerat reale.
Një
vepër nuk mund të quhet artistike, nëse brenda saj gjejmë synime të caktuara që
grupime të ndryshme të një shoqërie kërkojnë të realizojnë. Cilësia kryesore e
shkrimtarëve dhe artistëve është se ata e thonë të vërtetën edhe kur ajo i
dëmton interesat e tyre personale. Ajo që për njerëzit e zakonshëm mbetet
mistike dhe e mjegulluar, procesi krijues i shkrimtarit bën kalimin nga
realiteti fizik në atë estetik, e zbardh pamjen dhe ai së mirës i thotë e mirë
dhe së keqes i thotë e keqe; liderit i thotë lider e mashtruesit i thotë
mashtrues. Krijuesi shpreh atë që ka parë në përthyerjen e tij estetike. Këtë cilësi bazë të një krijimi artistik, e
kanë shprehur në veprat e tyre edhe shkrimtarët e artistët e krahinës së
Dëshnicës.
Veçori
tjetër e letërsisë së shkrimtarëve dhe artistëve dëshnicarë janë nivelet e
larta cilësore. Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm që e paraqesin dhe e mbrojnë
një realitet të caktuar duke përdorur gjuhën e folur apo ligjërimin bisedor,
krijuesi e lartëson gjuhën e folur duke e ngjitur në një shkallë të caktuar ose
e thënë me fjalë të tjera: e kthen ligjërimin bisedor në një ligjërim artistik.
Një realitet i caktuar, i kthyer në imazhe poetike apo karaktere njerëzorë, ka
ndikim shumë herë më të madh se një realitetit i treguar në nivelin e
ligjërimit bisedor. Ngjitja nga niveli i ligjërimit bisedor në atë artistik,
nuk është dhunti e njerëzve të zakonshëm, kjo është dhunti e atyre njerëzve që
quhen shkrimtarë dhe artistë.
Kjo
ngjitje kërkon punë dhe vullnet, kërkon talent, kërkon përkushtim që
shkrimtarët dhe artistët e bëjnë gjatë gjithë jetës së tyre. Ndaj dhe kjo punë
kolosale që shkrimtari dhe artisti e zhvillon në heshtje, larg zhurmës dhe
bujës së jetës së përditshme, kërkon të ekspozohet mirë dhe të vlerësohet. Duke
paraqitur disa nga veçoritë që karakterizojnë letërsinë e shkrimtarëve dhe
artistëve dëshnicarë, jam i bindur se në të ardhmen do të kemi të tjera krijime
artistike që do t`u bëjnë jehonë trojeve shqiptare, disa prej cilësive speciale
që shqiptarët kanë trashëguar në shekuj dhe që kanë qenë themelet mbi të cilat
është ngritur dhe ruhet identiteti ynë kombëtar duke i vendosur këto vlera, me
dinjitet, në hapësirën tonë të përbashkët globale. Duke e parë këtë shtrirje të
letërsisë dëshnicare në kohë dhe hapësirë ia vlen që lexuesi të njihet herë pas
here me profilin krijues të këtyre autorëve.