Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Thikë mu në zemër të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane!
E hene, 30.01.2023, 08:00 PM
THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
Nga Frank
Shkreli
Let them fly high and undisturbed,
please! -- Lëri të fluturojnë lartë! Mos
ua prishni qetësinë, ju lutem! – Si dy Shqiponja motra të pandara!
Në fillim të muajit të kaluar, pikërisht me 9, Dhjetor,
2022 kisha shkruar një artikull modest,
me pikëllim në zemër, në përmbyllje të 100-vjetorit të marrëdhënieve
amerikano-shqiptare –Ja linku për lexuesit të cilëve mund tu ketë shpëtuar pa
lexuar. Frank Shkreli: 100-vjetori i mardhënieve shqiptaro-amerikane mbyllet për faqe të zezë, pothuaj me një “non-grata” | Gazeta Telegraf
Por, sot 6-7 javë pas botimit të këtij artikulli dhe pas
shumë shkrimeve të tjera kritike, në të cilat kam shprehur zhgënjimin tim
personal se si janë trajtuar këto marrëdhënie, sidomos, gjatë viteve të
fundit. Thënja e famshme e Ibrahim
Rugovës,”Marrëdhënie të përjetshme midis shqiptarëve dhe Shteteve të
Bashkuara…”, po testohet rëndë, sa më përket mua dhe shumë
shqiptaro-amerikanëve që i konsiderojmë ato si të shënjta dhe të pa prekshme.
Ditët e fundit, bota shqiptare, bota amerikane dhe pothuaj mbarë bota mësoi nga
mediat amerikane, shqiptare dhe botërore se në përfundimin e 100-vjetorit të
marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ato na qenkan në një gjëndje shumë më të
rendë se ç’mendonim, megjithë propagandën nga zëdhënës të dy palëve, që u
munduan gjatë gjithë vitit të kaluar t’i paraqisnin ato si më të mirat në botë,
midis dy shteteve: bazuar në “vlera të përbashkëta” dhe “krah për krah”.
Unë nuk dua të futëm në procesin gjyqësor të rastit të
ish-zyrtarit të lartë të FBI-së -- Byrosë Federale të Hetimeve të Shteteve të
Bashkuara -- Charles McGonigal, i arrestuar të shtunën që kaloi nga autoritetet
amerikane se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente
shqiptare, si dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri. Unë nuk kam asnjë dyshim se drejtësia
amerikane do t’i dalë deri në fund kësaj afere fatzezë për marrëdhëniet midis
dy vendeve tona. Për këtë unë nuk kam asnjë dyshim. Vetëm durim se mund të jetë
një proces i gjatë. Por si do të trajtohen
nga sistemi shqiptar i drejtësisë – shtetasit shqiptarë, deri në nivelet më të
larta të politikës atje, që mund të jenë të përzier në këtë skandal të
marrëdhënieve dy-palëshe – kjo është një pyetje tjetër.
Sidoqoftë, mua nuk më intereson aspak fati i cilitdo
qoftë person -- amerikan ose shqiptar – të cilët mund të jenë përzier në këto
vepra penale, qoftë në Amerikë ose në territorin shqiptar. Këta do korrin,
çfarë kanë mbjellur për veten e tyre.
Shoh se media shqiptare po e trajton këtë skandal si një “soap opera”,
si një serial televiziv me karaktere melodramtaike, pa marrë parasysh dëmet që
mund të ketë shkaktuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane por edhe në
përspektivat e antarësimit të Shqipërisë në organet euro-atlantike.
Megjithëse është heret në procesin e zhvillimeve
gjyqësore, ky skandal ka implikime politike, gjeostratagjike dhe ekonomike
ndërkombëtare – por mbi të gjitha prekë në zemër marrëdhëniet
shqiptaro-amerikane, në 100-vjeçarin e vendosjes së tyre. Varësisht se cili do
jetë përfundimi i këtij procesi gjyqësor, ky skandal ka mundësi të jetë një
thikë në zemër të këtyre marrëdhënieve prej një shekulli – për një kohë
afatgjatë. Ndonëse unë besoj se këto
marrëdhënie, siç jam shprehur shpeshëherë – janë marrëdhënie të cilat janë
çimentuar popull me popull, për një shekull dhe nuk varen nga individë as
organizata, të cilës do palë qoftë që vendosin interesat e tyre personale e
politike mbi këto marrëdhënie. Unë jam i bindur se pas këtij skandali,
marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të cilat i kemi konsideruar si të veçanta, të
pakën fillimisht, nuk do jenë më të tilla në Kongresin amerikan as në
Washingtonin zyrtar dhe as në radhët e popullit amerikan.
Marrëdhëniet historike midis dy kombeve tona, si
përfundim i këtij skandali sot për sot – sidomos ç’prej shembjes së Murit të
Berlinit dhe çlirimit të Kosovës -- mund të konsiderohen si në nivelin më të
ultë, në një krizë serioze të pa parë këto 30-vitet e fundit. Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë --
por edhe të gjithë shqiptarëve, përshir Kosovën -- dhe Shteteve të Bashkuara
nuk do jenë më si ishin deri më tani.
Kam drojë se sot për sot, marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Kombit
amerikan janë në pikën më të ulët që mund të imagjinohet – në pikën ku i duan
ato marrëdhënie armiqët shekullor të Kombit shqiptar -- në mos jo armiqësore,
atëherë të pakën të ngrira dhe jo miqësore.
E veçanta e këtyre marrëdhënieve u shit, kohët e fundit, në parkingun e
një restoranti në Nju Jork për 225-mijë dollarë. Uroj që të gjithë, nga të dy palët,
pjesëmarrës në këtë skandal, të marrin përgjegjësitë që u takojnë për gjëndjen
e krijuar në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si pasojë e këtij krimi. Por
edhe elementë të politikës shqiptare në përgjithësi -- pozitë ashtu edhe opozitë
– të marrin përgjegjësitë që i takojnë kësaj klase politike për situatën e
krijuar nga ky skandal dhe jo vetëm, në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ashtuqë
këto marrëdhënie të vendosen në nivelin që meritojnë ato dhe që kërkon miqësia
historike midis dy kombeve tona. Skandali i kohëve të fundit, nënkupton një
mosmirënjohje të thellë, një ligështi shpirtërore.
Ndërkohë që liderët shqiptarë në Tiranë argumentojnë me
njëri tjetrin se kush është më “pro-amerikani” dhe kush është i shpallur
“non-grata”, bota shkon përpara. Por për
fat të keq, tash e tutje, çdo gjë shqiptare do të konsiderohet me dyshim në
Washingtonin zyrtar. Se si Shqipëria do merret me këtë skandal në zhvillimin e
marrëdhënieve dy palëshe në të ardhëshmen dhe si drejtësia shqiptare do e
trajtojë atë skandal, pa marrë parasysh se kush është i përzier në të,
sigurisht që do të vendosë se ç’drejtim marrin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane
në të ardhmen e afërt dhe afatgjatë. Arrestimi, javën që kaloi nga autoritetet
amerikane, i ish zyrtarit të lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles
McGonigal, i akuzuar se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve
inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri,
është një vepër penale e pa precedencë, jo vetëm në marrëdhëniet
shqiptaro-amerikane, por edhe më gjerë. Mediat amerikane thonë se Charles
McGonigal mund të jetë zyrtari më i lartë në historinë e FBI-së që përballet me
akuza të tilla aq serioze, penale.
Të gjithë e dimë se sa mirënjohës janë shqiptarët ndaj
ndihmës së Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për mbështetjen e pa kursyer
amerikane në tavolinat e diplomacisë ndërkombëtare por edhe në fushë-betejën e
luftës për çlirimin e Kosovës. Shqiptarët kurrë nuk do e harrojnë këtë ndihmë –
pa marrë parasyshë se individë të caktuar nga cilado palë qofshin – mund të
pengojnë përkohësisht zhvillimin normal të këtyre marrëdhënieve dhe madje t’i
kërcënojnë ato seriozisht në favor të kauzave të ulta personale e
partiake. Duke besuar me shumicën e
shqiptaro-amerikanëve dhe shqiptarëve kudo –se marrëdhëniet midis Kombit
shqiptar dhe Kombit amerikan – janë të pazevëndsueshme për mbijetesën dhe
përparimin e Kombit shqiptar – megjithë
këto ditë të vështira, unë mbetem optimist se marrëdhëniet, historikisht,
miqësore shqiptaro-amerikane midis dy kombeve tona, të cilat i kanë mbijetuar,
për pothuaj një gjysëm shekulli -- njërit prej regjimeve më të egra e më
barbare në botë -- diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, do e tejkalojnë edhe
këtë krizë. Besoj gjithashtu me optimizëm se pasi të ketë folur drejtësia
amerikane në lidhje me këtë çeshtje, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të
vazhdojnë të zhvillohen në të mirë të dy popujve tanë dhe të paqës në Ballkan
dhe në botë!
Këto marrëdhënie midis dy kombeve tona, që deri më sot
ishin ndër më të mirat në botë midis dy kombesh – janë produkt i punës së rëndë
prej dekadash të 4-5 brezave shqiptaro-amerikanësh të cilët për më shumë se
100-vjet i kanë kultivuar, i kanë ruajtur si sytë e ballit e i kanë promovuar
ato në Washington dhe anë e mbanë Amerikës ku jetojnë shqiptarë, duke siguruar
mbështetjen e patundur dhe të sinqert të Washingtonit zyrtar dhe politikës
amerikane, në përgjithsi, për interesat dhe për të drejtat dhe liritë kombëtare
të shqiptarëve. Si rrjedhim, nuk besoj se komuniteti shqiptaro-amerikan do të
lejojë që këto marrëdhënie të nepërkëmben në këtë mënyrë duke renë viktimë e
krimeve për interesa personale e partiake të disa personave të pa skrupuj që
nuk ndalohen para asnjë veprimi sado i paligjshëm të jetë ai. Besoj se komuniteti
shqitaro-amerikan do të gjejë mbështetjen edhe të Washingtonit zyrtar, ashtu si
gjithmonë në të kaluarën, për t’i sjellur marrëdhëniet e shënjta dhe të
pazevëndsueshme amerikano-shqiptare në vendin që u takon – në “Miqësi të përherëshme me Shtetet
e Bashkuara”, siç është shprehur dikur i ndjeri Ibrahim Rugova.
Jo se në të kaluarën nuk ka pasur probleme në
marrëdhëniet dy palëshe, disa prej të cilave i kam venë në dukje, nga koha në
kohë, por skandali i ditëve të fundit është vërtetë një kërcënim serioz, jo
vetëm ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, pasi në të diktohen
edhe ndërlikime ndërkombëtare, por përben kërcënim edhe për sigurinë kombëtare
të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nga influencat e huaja – sidomos ruso-kineze --
në trojet shqiptare, për të cilat kam paralajmëruar vite më parë. Mbetet për tu parë, por në këndveshtrimin
tim, me një keqardhje të thellë, më duhet të konstatoj se ky skandal -- që
drejtësia amerikane po e trajton tani si vepër penale serioze -- përbën një
thikë në zemër të këtyre marrëdhënieve miqësore një-shekullore midis dy vendeve
tona. Kjo duhet të shqetsojë të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo që
janë. Do të këshilloja që pjesa tjetër e
këtij akti kriminal – ndonëse mund të jetë e pashmangshme -- të mos trajtohet
si një “soap opera”, me karakterë melodramatikë, sepse nuk është e tillë, por
t’i lihet në dorë drejtësisë -- e kam fjalën për drejtësinë amerikane!
Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin shqiptar në këtë kohë
të vështirë!
Let them fly high and undisturbed,
please! -- Lëri të fluturojnë lartë! Mos
ua prishni qetësinë, ju lutem! – Si dy Shqiponja motra të pandara!