E premte, 26.04.2024, 06:52 PM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: 90 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës

E diele, 11.06.2023, 08:00 PM


90 VJET NGA VRSJA E HASAN PRISHTINËS

Vjena ishte vendstrehimi dhe aktiviteti politik i Hasan Prishtinës për disa vite nga jeta e tij

Përkujtim me rastin e 90 vjetorit të vrasjes së tij

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Hasan Prishtina qëndroi herë pas herë në Vjenë së bashku me gruas së tij, Igballen. me ndërprerje duke filluar nga prilli i vitit 1913, kur shpëton nga burgu i Kalemegdanit në Beograd.

Ai e donte jetën aktive në shërbim të çështjes kombëtare, për çka territori i Austro-Hungarisë ishte më i volitshëm se sa vendlindja e pushtuar nga ushtritë armike serbe, bullgare e malazeze. Vjena ishte në atë kohë qendër e refugjatëve  politik shqiptarë,  të cilët  kishin themeluar  grupin politik në Vjenë me emrin ,,Indipendent”, me të cilët Hasan Prishtina takohet. Në kontaktet me Hasan Prishtinën u shqua familja e ushtarakut të lartë Modestus Urban dhe gruaja e tij Marie Urban, me të cilën kishin në pronësi ëmbëltoren në Vjenë, ku ajo punonte. Vjena është vendi ku Hasan Prishtina përjetoj shumë kundërthënie e peripeci nga jeta e tij aspak e lehtë.

Në vitin 1931 ai i shkroi nga Vjena  sekretarit të përgjithshëm te Shoqatës së Kombeve, Enrik Drunandit në Romë, ku pika e parë i kushtohet shkollave shqipe: ”Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private”. Çështjen e arsimit të popullit shqiptar ai e shtronte  më parësoret në shoqëri. Nga ana tjetër Hasan Prishtina prej rilindësit të kohës Josif Bageri,  konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Kurse,  Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i  qendrës kulturore shqiptare “Dija” në  Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin “për shembull ndershmërinë e deputet të Prishtinës,  i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”.

Largpamësia e Hasan Prishtinës u pa me qëndrimin e tij: “Arsimi është shpirti i një kombi” Duke e ditur gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar analfabet ai u angazhua me të gjitha forcat në themelimin e shkollave shqipe dhe arsimimin e shqiptarëve kudo që ndodhën. Dhe, ishte i veçantë në fushën e arsimit kombëtar. ”Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar është i madh dhe nuk mund të gjendet krahasim, jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e popujve tjerë”(Shkruan M. Pirraku, historian). Ai me këmbëngulësinë, oratorinë dhe pastërtinë si deputet i Prishtinës në Parlamentin Turk, bëri që të aktualizohet arsimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe. Me financimin e tij privat ai hap shumë shkolla dhe i ndihmoj shumë nga ato që ishin themeluar më parë. Duke e ditur se Vjena ishte qendër e kulturës, vend fillimi i albanologjisë, mbajti lidhje të vazhdueshme me intelektual që vepronin aty. Në përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe, Hasan Prishtina do shprehej: “Arsimi është shpirti i kombit”, andaj e ndihmoi gjithkund ku ishte nevoja. Shembuj të tillë janë pjesë e përditshmërisë së tij.  Pasi vet e  themeloi orkestrën frymore në Vushtrri, me mjetet e tij materiale, ai dërgoi në Vjenë për të blerë instrumentet muzikore Izet Badivukun, Latif Agë Fonden dhe Abit Novolanin.

”Hasan Prishtina, çështjen e arsimit të popullit e shtronte  më parësoret të shtetit. Në këtë ishte shumë konkret dhe praktik duke u nisur nga vetja. Ai ndanë 5% nga të ardhurat e tij për arsim. Kjo shumë ishte e lartë dhe e siguronte mbajtjen e dhjetë shkollave në Kosovë dhe 60 nxënës nga Kosova në Normalen e Elbasanit”.

Gazeta, Ora e Shqipnisë shkruan rreth patriotit  Hasan Prishtina në artikullin e saj me titull:

Gazeta e kohës “Ora e Shqipnisë”  në Vjenë me 23 prill 1928 shkruan artikullin me titull:  Kuburja e tiranvet e gjoksi i patriotvet!

Artikulli jep të dhëna rreth gjendjes në atdhe nën sundimin e satrapit Ahmet Zogu ku ndiqen e vriten personalitet kombëtare që dhanë shumë për lirinë e vendit. Mes tyre i madhi Hasan Prishtina.  “… kur Presidenti i soçem i Shqipërisë pinte salep ndër hallvaxhitë e Stambolles  e turqit e ri nën maskën e reformave filluen me martirizuar popullin shqiptar me tepër se sulltani I vjetër, Hasan Prishtina, ishte i pari shqiptar që në parlamentin e Turqisë  çoj zanin e tha: “Mekenëse terorizma vazhdon e se nuk u epen të drejtat politike shqiptarvet, unë kam me kenë i pari që kam me marrë në dorë flamurin e revoluconit  kundër qeverisë së turqvet të rin”[1]

,,Ai ishte personaliteti më kryesor dhe më me autoritet në vendosjen e alfabetit.  Në Parlamentin Turk, rreth formë së alfabetit,  do përgjigjet: “Ç’duhet bërë do ta bëjmë, sepse qëllimi ynë është vetëm për fitim të atdheut... .Hasan Prishtina u printe ithtarëve për alfabetin latin. Për këtë sahanlëpirësit e kuzhinës turko-arabe, që për alfabet e merrnin atë arab, Hasanin e quanin spiun të Vjenës. nga rilindësit e kohës siç ishte Josif Bageri, Hasan Prishtina,  konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Lufta e tij njihej edhe jashtë tokave etnike shqiptare, qe nga Amerika e largët.

Hasan Prishtina në Vjenë e ndihmon materialisht botimin e revistës “Djalëria” dhe  një grup studentësh shqiptar të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe materiale.  U ndihmon atyre duke ua hequr të gjitha shpenzimet dhe ishte interesuar për t’ua zgjedhur problemet e shkollimit në tersi” . Akti i tij i shkrimit të testamentit të fundit kur ishte i rrethuar nga tradhtarët e kombit të dërguar nga Zogu, Mbreti i  Pulës, me të cilën tërë pasurinë e tij qe disponoi, qe nga Stambolli, Selaniku, Shkupi, Prishtina, Tirana, Vushtrria, ia lente shkollës kombëtare, tregon se ai ishte apostull i shenjtë i shkollës kombëtare. Kudo që ai shkoi shndriti me punën e tij, qëndrimin e tij prej burri e patrioti, edhe në Vjenë.

Sot me krenari nderohet emri i tij nga të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Emri i tij nderon institucione, rrugë dhe vepra tjera duke frymëzuar brezat e kombit. Ai e kuptoj ndër të parët se dija e një kombi është arma më e fuqishme e tij dhe shkriu të gjithë pasurinë e tij për shkollën, kulturën dhe lirinë e kombit. Lavdi veprës madhore të Heroit të Kombit, Hasan Prishtina!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora