Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gjeçovi dhe Krasniqi - Apostuj të idesë së Bashkimit Kombëtar
E diele, 29.01.2023, 07:59 PM
AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI - APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
Nga
Frank Shkreli
Federata
Pan-Shqiptare Vatra në bashkpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve
Shqiptaro-Amerikanë, promovojnë 4 vepra të Prof. Besim Muhadarit. Në njoftimin
e përbashkët të këtyre dy organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan,
ftohen dashamirësit e librit dhe publiku i
gjërë që të marrin pjesë (të dielen, më
29 janar 2023 ora 11 AM) në kryeqendrën e Vatrës ku do të promovohet
veprimtaria shkencore e Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit, i Universitetit “Fehmi
Agani” në Gjakovë dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Njoftohet se promovimi përfshin 4 vepra të autorit Muhadri:1. “Shtjefën Gjeçovi
dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”; 2. “Profesor
Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”; 3. “Esencat e
mendimit letrar” dhe 4. Studies on Albanian Literature and Ethnology.
Për
librat e Prof. Besim Muhadrit do të flasin studiuesit shqiptaro-amerikanë: Dr.
Bexhet Asani, Dr. Paulin Marku, Fran Shkreli, Idriz Lamaj, Valdete Cenalia, Pal
Ndrecaj, Adnan Mehmeti dhe Dok. Arjeta Ferlushkaj. Pjesë nga krijimtaria e Profesor Dr. Besim
Muhadrit do të interpretojnë aktorët e komunitetit: Shaban Lajçi dhe Shpend
Gjocaj. Me këtë rast deshta vetëm të
them -- shkurtimisht -- dy tre fjalë për dy prej protagonistëve të këtyre
veprave të Prof. Muhadrit: At Shtjefën Gjeçovin dhe Dr. Rexhep Krasniqin.
***
Përshëndetjet e
mia gjithë ju, miq e dashamirë të letrave shqipe dhe admirues të këtyre dy
pesonaliteteve të mëdha të historisë së Kombit shqiptar. Më duket vetja sikur po bëj një sakrilegj që
të flas për Rexhep Krasniqin në një tubim si ky, në shoqërinë e dy autoriteteve
mbi jetën dhe veprimtarinë e Dr. Rexhep Krasniqit -- kolegut dhe mikut tim,
studiuesit Idriz Lamaj, i cili ka punuar për disa dekada me Dr Rexhep Krasniqin
në Komitetin Shqipëria e Lirë dhe autorit Dr. Besim Muhadri, autor të librave
që po promovojnë sot. Njërin prej këtyre personaliteteve kam pas nderin ta
njoh. Dr Krasniqin e kam njohur, por nuk mund të pretendoj se jam ekspert i
jetës dhe veprimtarisë së tij. E kam admiruar për aq sa e kam njohur – si
njërin prej përfaqsuesve më të denjë të asaj gjenerate patriotësh shqiptarë
anti-komunistë– gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore – të cilët punuan aq
shumë për Shqipërinë, Kosovën dhe për drejtat e të gjithë shqiptarët anë e
mbanë trojeve të veta. Për atë kohë që e kam njohur, në rininë time, në fillim
të 1970-ave, Dr. Rexhep Krasniqi – në atë kohë Kryetari i Komitetit Shqipëria e
Lirë – brezit tim i jepte kurajo për të vazhduar mësimet dhe gjuhën anglisht
dhe na ushqente me patriotizëm, si shumë bashkohas të tij, e për të cilin --
modestësisht - kam shkruar edhe më parë. Frank Shkreli/ Prof. Dr. Rexhep Krasniqi: Bir shpirti i Bajram Currit | Gazeta Telegraf
--
Dihet – megjithse
nuk flitet për kontributet e tija, as nuk shkruhet aq sa duhet për të -- si
përshmebull për rolin e Dr. Rexhep Krasniqit në hapjen e shkollave shqipe anë e
mbanë trojeve shqiptare, por sidomos në Kosovë – si njëri prej të dërguarve të
posaçëm të Ministrit të atëhershëm të Arsimit, Prof. Ernest Koliqit gjatë Luftës
së dytë Botërore. Por dhe përpjekjet e tija gjatë gjithë jetës, përfshir
veprimtarinë e tij në mërgim – në mbështetje të bashkimit kombëtar, të lirisë
dhe të demokracisë për shqiptarët nën regjimet komuniste sllavo-aziatike. Për kontributet e tij të shumta në diasporë
dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte
shprehur Dr Krasniqit falënderimet e veta, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me
28 Nëntor, 1975, duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë, me
këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe
jashtë Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të
papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe
Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e
mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e
tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit në shenjë
nderimi dhe falënderimi, sot më 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të
Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”
Rexhep Krasniqi ka
lënë pas një trashëgimi të pasur, patriotike, kulturore dhe historike edhe me
shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë revistën e njohur “Shejzat” të Ernest Koliqit. Janë, sidomos,
të njohura dhe të dokumetuara shkrimet e tija në organin e Komitetit “Shqipëria
e Lirë” që ai drejtonte, në gazetën, “Shqiptari i lirë”. Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit
Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe
konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjerë,
ku merrte pjesë për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjendjen e
mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asaj kohe. Në këtë rol, Dr.
Rexhep Krasniqi ishte një zëdhënës i përpjekjeve të popullit shqiptar për liri
e demokraci, dnërsa u bënte të nohur audiencave të huaja – sidomos amerikanëve
– cilësitë ezgjedhura të Kombit shqiptar, në krahasim me kombe të tjera. Si përfaqësues i lartë i komunitetit shqiptaro-amerikan
për dekada, Dr Krasniqi gjendej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të
përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte
ndër ata të pakët prej të cilit – personalitetet më të shquara politike të
Evropës dhe të Amerikës – kërkonin këshilla e informacion të besueshëm mbi
gjendjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.
At Shtjefën Gjeçovi –
“Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë,
aq mund t’mêndohet kombi pa gjuhë”. (At Shtjefën Gjeçovi)
Ashtu siç përhapte
gjuhën shqipe Rexhep Krasniqi në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare gjatë
Luftës së Dytë Botërore edhe protagonisti i një libri tjetër që promovohet sot
të autorit Prof. Besim Muhadrit, At
Shtjefën Gjeçovi -- edhe ky një apostull tjetër i bashkimit kombëtar – i
dërguar prej Zotit – ka kapërcyer gryka e male – duke përhapur abetare nepër
Kosovë, në kohën e tij, siç sugjeron edhe kënga popullore: “Të kjofshim falë
Kosova Nanë,/ Burra trima shumë ke dhanë/ Ç’ashtë ky burrë musteqezi,/Plot
me lavd dhe krenari./Plot me lavd e krenari,/nderoi veten e këtë
Shqiptari./ Kapërcen gryka dhe male, /Tuej shpërnda plot abetare./Me
u lanë breznive vepra/ me i harrue kurrë sa të jetë jeta./Ky ashtë
biri i këtij trolli, i thonë për
emën Shtjefën Gjeçovi.
Kështu i
këndojnë rapsodët e Kosovës At Shtjefën Gjeçovit, fratit të maleve, i cili
është vrarë në pritë e në tradhëti nga shovinistët serbë në Zym të Hasit më
1929. Frank SHKRELI/ At Shtjefën Gjeçovi — apostull i bashkimit kombëtar | Gazeta Telegraf. Meshtari dhe atdhetari i njohur nga Kosova, i
cili gjithë jetën e vet punoi për “Atme dhe Fe” -- për nga aktiviteti i
tij patriotik -- ai radhitet me veprimtarët më të dalluar të lirisë
dhe patriotizmit të periudhës së Rilindjes Shqiptare dhe qëndron krah për
krah me burrat më të dalluar të Kosovës dhe të Shqiptarizmit, si Azem Bejta,
Isa Boletini, Hasan Prishtina e tjerë. At Shtjefën Gjeçovi u vra nga dora
mizore e terrorizmit serb, për veprimtarinë e tij si meshtar dhe si
patriot shqiptar. Ai ishte një mishërues i pashoq i atdhetarizmit
dhe i fesë. Dashurinë e vet për të dyja i përdori për të mirën e të gjithë
shqiptarëve kudo dhe në shumë fushë, përfshirë gjuhën dhe kulturën, traditën
dhe arkeologjinë. Përveç kësaj nuk mungoi përkrahja e tij as për
kryengritjen e malësorve kundër pushtetit otoman më 1911, e deri
tek mbështetja e tij për kryengritsit vlonjatë kundër italianëve në vitin
1920. “Secilidò prej nesh, miq dhe
admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të
mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”, është shprehur Faik Konica -Kujtime
Mbi At Gjeçovin. At Shtjefën Gjeçovi,
sipas Faik Konicës, si një folës i shqipës “në vijën më të përparuar
frontale të trojeve shqiptare”, ishte njëri prej stërnipërve të atyre që me
qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, “ndaluan të mbrapsurit e vijës
(së të folurit shqip) më tehu”. Andaj, në këtë rast të pomovimit të
librit të autorit Dr. Besim Muhadrit: Shtjefën
Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke njohur kontributin e tij të
madh në favor të bashkimit kombëtar dhe të kulturës, gjuhës e traditës
shqiptare, le të shpresojmë së bashku me Faik Konicën që, “Emëri i këtíj njeriu
të rrallë do të vejë duke u-rritur” ndër ata pasardhës të cilët me veprat e
tyre do të realizojnë, më në fund, ëndrrën e At Gjeçovit dhe të shumë
bashkohësve të tij, të cilët dhanë jetën për këtë qëllim, ka shkruar Konica.
Librat e Dr. Besim
Muhadrit për At Shtjefën Gjeçovin dhe për Dr. Rexhep Krasniqin janë vepra për
figura të dalluara të historisë shqiptare – vepra historike në vetvete, të
jetueshme përgjithmonë, me të vërtetë të dobishme për të gjithë.
Përshëndes autorin
Dr. Besim Muhadrin për librat që promovohen sot në Vatrën e shqiptarëve të
Amerikës, kushtuar At Shjtefën Gjeçovit dhe Prof. Dr. Rexhep Krasniqit -- dy
prej figurave të respektuara të historisë kombëtare, ndonëse shpesh të harruara
-- me urimin që këto vepra dhe të tjera si këto në të ardhmen, të ndriçojnë
këto dy figura, si monumente të pashterueshme nga koha, brezave të ardhshëm të
shqiptarëve. Ashtuqë, siç është
shprehur edhe Faik Konica për At Shtjefën Gjeçovin për të cilin shpresonte që,
“Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur”. Edhe ne sot shpresojmë këtë, jo vetëm për Gjeçovin
e Rexhep Krasniqin, por edhe për të tjerë si këta burra të shqiptarisë, të
cilët historiografia komuniste është përpjekur t’i zhdukte ose t’i
anashkalonte. Veprat e Prof. Dr. Besim Muhadrit tregojnë se këta janë gjallë
dhe me këto vepra do u ndriçojnë brezave të ardhëshëm. Shumë faleminderit!