Faleminderit
Bajram Çeliku: Dervish Aziz Llokaçi (1898 – 1945)
E merkure, 25.01.2023, 08:56 PM
DËSHMORË PËR SHQIPËRI ETNIKE
DERVISH
AZIZ LLOKAÇI (1898 – 1945)
NGA
BAJRAM ҪELIKU -
BALI
Lindi
në vitin 1898 në fshatin Garanë të Kërçovës, nga një familje e pasur dhe
bujare. Përveç tokës punuese, posedonin edhe dy mullinjë për bluarjen e drithit
pranë ,,Lumit të errtë,, (Tuhinit), të cilët ndodheshin jo shumë larg fshatit
Garanë. Njëri ishte pak më afër Garanës e tjetri në afërsi të fshatit me banorë
të krishterë Llazërovcë. Të parët e tyre dikur moti ishin shpërngulur nga
“Kodra e Kallangoçit”, mbi varrezat e familjes Çeliku, nga fshati Cërvicë.
Sipas
rrëfimit të gjyshit tim Emin Çeliku, por edhe të disa banorëve tjerë më të
vjetër të Cërvicës, kjo ka ndodhur gjatë kohës të sundimit osman. Kohë, kur
shumica e popullatës shqiptare pranojnë konfeksionin islam, e për të fitojnë
tokë pjellore në fushën e Cërvicës, ndërsa ato që nuk pranojnë fenë islame
shpërngulen në Llazërovcë e disa familje tjera shpërngulen në Osoj, në afërsi
të fshatit të sotëm Reshtan. Ishin shqiptarë ortodoks rrëfente gjyshi, por
kurrë nuk e pranuan Fenë Islame, e më vonë u bënë kafshatë e lehtë për serbin e
bullgarin.
Babai
i Dervish Llokaçit quhej Aziz, përveç Dervishit kishte edhe tre djem tjerë:
Islamin, Medinin dhe Shezain, por edhe tri motra Fatimen, Xhylën dhe Tejshen.
Dervish Llokaçi ka pasur vetëm një djal me emrin Imer si dhe katër vajza. Imeri
djali i vetëm i Dervish Llokaçit, kishte dy djem: Dervishin të cilin e pagëzoi
me emrin e babait të tij, e tjetrin Aziz, me emrin e gjyshit të tij, si dhe
pesë vajza. Djemtë e Imer Llokaçit, sot janë të njohur gati në të gjitha trojet
shqiptare si ,,Vëllezërit Dervishi,, ambasadorë të këngës burimore kërçovare.
Rrugën e tyre sot e vazhdojnë edhe djemtë e tyre, Argëtoni dhe Urani, por edhe
nusja e Argëtonit, që vjen nga Struga.
Dervish
Llokaçi, na ishte një trim azgan, trim i vërtetë, rrëfente gjyshi im Emin
Çeliku. Trimërinë e tij e tregoi nëpër shumë luftëra, sa herë që ishte nevoja,
si një komandant i cili dinte se si të udhëhiqet populli, në mbrojtje të
Trojeve tona Etnike. Zhvilloi shumë beteja kundër agresorëve të huaj, dhe
gjithmonë me fitore. Vlen të përmenden betejat mbi fshatin Garanë, kundër
okupatorit bullgar, në vjeshtën e vitit 1943, por edhe gjatë vitit 1944, nëpër
shumë beteja kundër forcave partizane, në përbërje nga serb, malazezë,
maqedonas vendës, por edhe partizanë shqiptarë.
Në
luftën me bullgarët mbi fshatin Garanë, fal taktikës luftarake të tij, fitoi në
një luftë jo të barabartë, ku bullgarët jo vetëm që ishin në numër shumë më të
madh, por edhe me armatim të rëndë. Fal heroizmit të shqiptarëve nga të gjitha
fshatrat e Kërçovës, edhe pse pati të vrarë nga të dy palët, shqiptarët treguan
se janë zot të vatanit. Në këtë betejë ra dëshmorë edhe trimi sypatrembur nga
Cërvica, Nefruz Çeliku, duke vrarë mbi 80 bullgarë, në majë të kodrës mbi
Garanë, e kur iu mbaruan fishekët trimit, i mbeti vetëm një bombë dore. Kur
bullgarët i afrohen trimit sypatrembur me bajonetat në pushkë, për ta shpuar
trimin, Xha Nefruzi, siç që e thërrisnin në Cërvicë, shpërthen bombën e dorës,
duke vrarë vehten por edhe bullgarët që e kishin rrethuar. Komandanti bullgar,
kur e pa se si luftojnë shqiptarët për të mbrojtur Trojet e tyre Etnike, dha
urdhër që ushtria bullgare, të këthehet nga kishte ardhë. Sepse, e dinte mirë
se nëse vazhdon më tutje, trima të tillë do të takonte edhe nëpër shumë vende
të tjera të banuar me shqiptarë.
Dervish
Llokaçi si komandant lufte morri pjesë edhe nëpër disa luftëra gjatë vitit
1944, si në Luftën e Klenoecit afër fshatit Izvor, nëpër disa fshatra të
Kopaçkës, në mbrojtje të fshatrave shqiptarë të Kërçovës, si dhe në ,,Luftën
Ballë për Ballë” për çlirimin e Kërçovës, ku ranë dëshmorë shumë trima shqiptarë
kërçovarë.
Erdhën
edhe ditë të zeza për shqiptarët e Kërçovës, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku,
forca të mëdha partizane, në përbërje nga serb, malazezë, maqedonas vendës, e
Aradha Shqiptare partizane nga Shqipëria, Struga e Dibra, sulmuan Kërçovën nga
të katër anët. Shqiptarët e Kërçovës, nën udhëheqjen e të dy Mefailave me shokë
nga Balli Kombëtarë, luftonin në mbrojtje të Trojeve të tyre Etnike, e me
idealin për të qenë pjesë e pandarë e Nënës Shqipëri, por Nëna tani së bashku
me sllavët e pabesë, ishte këthyer kundër tyre. Luftëra të rrepta, rrëfente
gjyshi zhvilloheshin nëpër të gjitha fshatrat, vriteshin burra të pafajshëm,
gra e fëmijë, digjeshin shtëpi. Fshatarët tërhiqeshin në drejtim të Gostivarit
por edhe atje nuk e gjetën rehatinë, burgoseshin e masakroheshin në varreza
masive, rrallë ndonjëri shpëtoi gjallë.
Kërçova
u shkretua, e disa nga udhëheqësit e brigadave partizane shqiptare dhanë
kushtrimin: ,,E gjithë Europa është ngritur kundër Ballit Kombëtarë, dorzohuni
se luftën e keni të humbur, shpëtoni kokën si të mundeni. Ata që kanë bërë më
shumë vrasje, le të lëshojnë vendin, e ato të tjerët të ruhen e mos kapen nga
pushteti sllav,,. Disa shpëtuan duke ikur në Greqi, Turqi, Amerikë e gjetiu,
por shumica u kapën faj e pa faj, dhe në pranga mbaruan në burgun e Kërçovës,
në oborrin e Tregut të gjelbër, ku shumica e të cilëve pas torturave ndërruan
jetë aty brenda mureve. Ndërsa, një pjesë e madhe e të burgosurve, në pranga u
dërguan “Te gështenjat” afër Osojit, ku në mënyrë barbare u vranë e u futën në
varreza masive, të përgaditura që më parë. Të nesërmen, herët në mëngjes
barbarët sllav mbi varrezat masive hudhin gëlqere të pashuar, e pastaj edhe
ujë, me qëllim të vdekjes së sigurtë.
Një
fat të tillë pësoi edhe Komandanti Dervish Llokaçi. Lufta mbaroi, e ai për një
kohë të gjatë nuk doli nga shtëpia, por një ditë nuk duroi më, ngarkoi qerren
me drithë e u nis në drejtim të mullirit të vet afër fshatit Llazërovcë. U
takua me një fshatarë të atij fshati me konfeksion ortodoks me të cilin
zhvilluan bisedë të ngrohtë, dhe u ndanë secili në punë të vet. “Maqedonasi”,
shkon në fshatin e tij dhe tregon se komandanti Dervish Llokaçi ndodhet te
mulliri. Lajmërohet shtabi partizan dhe shkojnë te mulliri duke e arrestuar e
dërguar në burg, ku pas shumë torturash duke e bërë trupin e tij koskë e lëkur
si që thuhet në popull, dhe Dervish Llokaçi aty ndërron jetë. Familjarët, kur
dëgjojnë për vrasjen e tij te mulliri, shkojnë dhe e marrin trupin e pajetë të
komandantit, dhe e varrosin te varrezat e Biçincës me nderime si që e ka zakon
populli shqiptar. Dervish Llokaçi ndërroi jetë, por vepra e tij atdhetare dhe
ideali i tij për një Shqipëri Etnike, nuk do të harrohet kurrë, nga shqiptarët.
Lavdi
veprës së tij atdhetare, pushoftë në paqë e Parajsë...