Speciale
Syrja Etemi: Kalaja bizantine që numëron grahmën e fundit të jetës
E marte, 24.01.2023, 07:59 PM
KALAJA BIZANTINE QË NUMËRON GRAHMËN E FUNDIT TË JETËS
KALAJA E LESHKËS DHE SLLATINËS
Nga
Syrja Etemi
Leshka dhe
Sllatina(që i përkasin komunës së Tearcës së Pollogut) janë dy vendbanime të
stërmoçme ku përzihen e nakatosen mitet e legjendat me ndodhi, dëshmi e fakte
reale, shpesh të pleksura me inate
e kapriçe tekanjoze, sidomos kur ato
indicojnë në rrënjët e të parëve apo stërgjyshërve të kësaj zone. Eh, sa
argumente të gjetura në nëntokën e këtyre trevave, sa e sa shkrime janë dergjur
e po dergjen akoma në duart e historianëve sllavë - të kurdisur sipas tekave
dhe diktateve të politikave rigjide, për t’i kallaisur mirë e mirë, deri sa t’u përshtaten kabineteve apo
sallave të blinduara, që i quajnë “makedonski arhiv-i”, në të cilët, shqiptarët
nuk kanë qasje, apo injorohen tërësisht.
Kështu, në këtë
katrahurë, të duket sikur të gjitha këto indicje që mëkojnë njëra-tjetrën,
realitetit i japin shtysë legjendat e gojëdhënat e patelehisura, që, më në fund
të fitosh përshtypjen se, e djeshmja e
ikur rishtazi dhe, e sotmja e harlisur
pas së ardhmes, të të duket sikur vagëllohet përpara sysh. Befasisht apo me ndërdije,
për vendbanimin e parë të vjen vërdallë lokaliteti me shumë emra, ku secili të
shpërfaqet më i llastuar se tjetri, më enigmatik dhe më i mistershëm se i pari,
me ç’rast, herë të shushuritë si Oene, herë kumbon si Leaskumcosu, për një
moment Legjan e Legen e në ndonjë rast tjetër si Leshak, Leshki, Leshek, Leshkë, Leshka, Leshok,
e s’di si... Sido që të jetë, çfarëdo pagëzimesh të ngjitur ndër ndërkëmbëza
shekujsh, një gjë është e sigurt: ky vendbanim bashkë me Sllatinën fqinje-ka
një histori shumë të bujshme dhe, në këtë “eglendisje me historinë”, akoma gjen
gjurmë të së kaluarës herë të lavdishme, herë të dhimbshme e, herë
intriguese.
Për qytezën:
Leaskumcos, shënimin e parë e gjejmë në krisovulën e perandorit bizantin Vasili
II të vitit 1019 si Leaskumcosu, për të cilin banorët autokton përdornin
emërtimin Leska, kurse me ardhjen e Sllavëve në Pollog (në periudhën ndërmjet
shekujve IX, X e XI konkretisht në vendbanimin në fjalë) këtë emër e
transkribojnë në Lesh'sk. Me penetrimin e tyre në këtë qytezë, sidomos në anën
e djathtë të lumit të sipërpërmendur, fillon edhe përzierja e ardhacakëve me
popullatën vendase të krishterë, ku një numër i konsiderueshëm familjesh
kalojnë në anën e majtë të lumit dhe këtij lokaliteti (si pjesë integrale të
kësaj qyteze) i rrikthehet emri i mëparshëm Shllishtina, përkatësisht SLLATINA,
si do ta quajë administrata serbe e shek. XIII e XIV.
MESJETA
Nga të gjitha këto
primesa sinjifikante, mund të përfundojmë se Leshka dhe Sllatina nuk kanë
qenë të locuar gjithnjë po në këtë vend
ku gjenden sot, por se si të tillë, këta vendbanime shpesh janë dislocuar ose
"lëvizur", herë në pjesën jugore, e herë në atë veriore apo
veriperëndimore.
Të theksojmë edhe
disa të dhëna për vendbanimin fqinj të Leshkës-Sllatinën. Gjeneza e këtij
vendbanimi (të Sllatinës) fillon nga ana veriperëndimore e pjesës së sotme
rurale ku është kalaja,duke u shtrirë dhe zgjëruar në jug, madje në juglindje
dhe jugperëndim.
D.m.th. në mesjetë
kemi të bëjmë me një vendbanim integral (Sllatinë e Leshkë bashkarisht), me një popullatë
kongruente, e cila ka qenë e organizuar në një sistem urban të jetës në atë
kohë. Për këtë do të paraqesim disa të dhëna nga autorë të ndryshëm.
DIMENSIONET E KALASË SË LESHKËS DHE SLLATINËS
Një brend
sinjifikativ me të cilin mund të identifikohen këto dy vendbanime: Leshkë e
Sllatinë, është KALAJA mbi këto dy
fshatra, e cila gjendet 60-70 m në lartësi të një masivi kodrinor, në rëzën e
Sharrit, e rrethuar në anën verilindore me luginën e lumit të Sllatinës. Qasjen
e ka kah ana perëndimore përmes një ultësire (shtegu) të ngushtë. Muret e
suvatuar (emplekton) përfshijnë hapësirën prej 170 x 160 m. (1.6 ha – hektar).
Në anën perëndimore ka ekzistuar një nekropolë e vogël, kurse në ballë-kulla
(pirgu).
Pamja e kalasë nga
ana e sipërme (nga Sharri)
Në anën lindore ka
patur dy kulla rrethore apo karakolle (sot të shkatërruara nga eksploatimi i
“Oniksit”. (Nuk është e vërtetë se muret dhe karakollet e kalasë janë zhdukur
për nevojat e ndërtimit të kalasë së Tetovës apo të Kalasë së Abdyrahman Pashës
më 1790-1820, siç pandehin pa të drejtë disa kronikanë tendenciozë.)
Pjesa jugore është
e lëshuar në pjerrësirat me mure mbrojtëse, ku ka qenë edhe një kullë e vogël
katrore, me portë në anën lindore.
Në brezin jugor
shtrihej vendbanimi dhe faltoret paleokristiane. Në sh.4 - 6, o.6 km nga
kastrumi çon rruga kryesore kufitare regjionale nëpër Pollog. Dymbëdhjetë
k.m. në veri dhe në lindje çon rruga
kufitare drejt Dardanisë.
KALAJA - kastron
kufitar dhe qendër regjionale; Rekonstruim
i mundshëm i kalasë
Kastrumi ishte
seli kryesore e njësive kufitare,qendër ushtarake dhe administrative e
regjionit të Pollogut. Në sh. XI-XII është renovuar si kala kufitare bizantine
dhe qendër regjionale me emrin: Leaskumcosu.
Përmasat e
brendisë së pirgut
Lartësia e pirgut
është 5-6 m. me hapësirat e brendshme:
5.15.m. x 5.35 m.; trashësia e mureve diku-diku = 2 - 2.20 m. mure këto të
ngritur apo ndërtuar me gurë nga lumi i Sllatinës dhe gurkalaje me malter
apo llaç gëlqeror;
Paraqitja gjeometrike e pirgut dhe mureve
Vrima vrojtuese
nga brenda pirgut
(për shkaqe që i
përmendëm); nën qytetin ka patur strehimore (hambarë) për ruajtjen e drithit
dhe prodhimeve tjera ushqimore; afër kalasë, në anën veri-perëndimore ka
akzistuar edhe një mulli, madje edhe një
farkëtari apo kovaçhanë;
Një zingi e farkëtuar – e gjetur brenda klasasë (22 janar, 2023)
SI KA QENË GJENDJA E KËTIJ LOKALITETI?
Si të gjitha
qytetet, edhe Leshki (i cili ka ruajtur deri në mesjetë karakteristikat
e një vendbanimi urban që nga antika), drejtpërdrejt me feudalizimin e
marrëdhënieve prodhuese e shoqërore, zhvillohet edhe në një qytet mesjetar.
Para se të flasim konkretisht për këtë qytet, është e nevojshme të
shpjegojmë shkaqet, arsyet dhe kushtet e
themelimit të qyteteve në përgjithësi, e pastaj të ndalemi më konkretisht për Leshkin
si qytet, i cili paraqet edhe vazhdimësinë mesjetare të Sllatinës së sotme.
Qytetet krijohen
në vende dhe kushte të caktuara gjeografike dhe historike e shoqërore. Në kohën
e feudalizmit, qytetet i ka themeluar klasa feudale dhe në to kanë jetuar feudalë dhe udhëheqës feudalë. Kështu,
ata, përveç tjerash ndërtonin edhe
tempuj fetar (kisha e manastire, të cilët posedonin pasuri të konsiderueshme) e që shpesh i
ekspozoheshin grabitjeve të shumta, si nga ana e shenjtorëve feudalë, po ashtu
edhe nga armiqtë e jashtëm. Në lidhje me këtë, por edhe në mbrojtje nga sulmet
e jashtme, banorët ishin të detyruar të ndërtojnë vendbanime me mure të trasha
dhe kulla të larta po me kësi muresh. Ato, para së gjithash ndërtoheshin për
nevojat e klasës sunduese në shoqërinë feudale. Qyteti shërbente si pikë
strategjike ushtarake për mbrojtjen nga armiku, por gjithashtu edhe si qendër
për mbajtjen e sundimit më lehtë të popullatës së varur. Qytetet ngriheshin
edhe afër vijave kufitare, si dhe në ato pika që kishin rëndësi të veçantë për
mbrojtjen nga sulmet e jashtme ose për kontroll
të komunikimit. Pollogu gjatë kohë, madje deri më 1282, ka qenë zonë
kufitare në afërsi të kufirit serbo - bizantin. Këtë zonë atëherë e ndante
Sharri, i cili paraqiste një mburojë të mirë për të ndarë të dy shtetet. Në
afërsi të këtij kufiri natyror, rrëzë malit Sharr u ndërtuan qytete nga themeli
e disa edhe u rinovuan. Bizanti në zonat kufitare malore i popullonte me
kolonistë, që pranonin për vete detyra ushtarake. Përveç kësaj, këta banorë të
cilët i mbronin këto zona kufitare dhe rrugët që përshkonin ato, kishin lehtësime të posaçme tatimore.
Kemi theksuar edhe më herët se
përmes Ultësirës së Pollogut kalonte rruga perëndimore, e cila, si pjesë e
magjistrales: Durrës - Konstantinopojë, ajo ndahej në Ohër dhe pastaj vazhdonte
nëpër qytetet: Pollog dhe Shkup. Pollogu, sipas udhëpërshkruesit arab, Idrizit,
ka qenë larg nga Ohri dy ditë udhë. Kurse Marin Barleti, biografi i
Skënderbeut, shkruan për një rrugë tjetër, e cila nga Dibra e Epërme - Strugë, çon për në Pollog. Këtu, në mesjetë, patjetër
se duhet të ketë ekzistuar edhe udha e rrëzës së Sharrit, dhe e cila të ketë
lidhur manastiret në Gostivar, Modriçë dhe Tetovë, dhe përmes Leshkës, për të
vazhduar për në Odër, Kaçanik dhe Kosovë. Në këtë komunikim apo në afërsi, edhe
atë në cep të kodrinës apo në rypin e dytë të mësipërm, janë ndërtuar disa
qytete. Disa syresh kanë qenë pika
transitore për rrugën e cila nga Pollogu çonte për në Malin Sharr e që dilte në Prizren - për në Adriatik. Ky
komunikim i Pollogut me Prizrenin, shpesh vështirësohej për shkak të pasigurisë
së lëvizjes, sidomos stinëve të dimrit për shkak të shtresave të mëdha të
dëborës. Por alternativë tjetër nuk kishte.
Kur jemi te rrugët, vlen të
përmendim këtu edhe faktin tjetër të ekzistimit të komunikimit. Një ndër ta
është edhe rruga që gjarpëronte përgjatë lumit Vardar në Zhelinë dhe nga këtu
vazhdonte për në Shkup. Në disa burime quheshin edhe si udhë lokale, si për
shembull “Udha e Leshkit dhe Podluzhës, Udha e Reçicës dhe Bregit Kuç”.
Në këto vlime ngjarjesh e
zhvillimesh shoqërore dhe kryqëzime rrugësh, po gëlonte e rritej edhe Leshka
edhe Sllatina si vendbanime karakteristike ndër periudha dhe etapa historike...
LEGENI - QYTET QË JETON NË LEGJENDA E GOJËDHËNA
Ndër banorët
rezidentë të kësaj ane, qarkullojnë shumë legjenda e gojëdhëna në lidhje me
paraardhësit e tyre, me vendbanimet e kohërave të thella të historisë, ndër të
cilat spikatet edhe ajo për qytetin e quajtur Legjen. Kështu, sipas këtyre
burimeve, qyteti ka qenë i ndërtuar në afërsi të një vendbanimi shumë të vjetër
e të paidentifikuar, në një gur, i cili lartësohej mbi lumin e sotëm të
Sllatinës, përkatësisht në anën perëndimore të tij, ku shquhet me pjerrësira të
theksuara. Në anën veriore të lokalitetit ka një toponim që quhet “Kovaçhanë”.
Në anën jugore ka qenë i mbrojtur me një hendek të madh toke. Emri i qytetit më
së pari përmendet me rastin e pushtimit nga ana e ushtrisë feudale serbe, aty
kah fundi i sh. XII.
Në sh. XIV
Ipeshkvia e Prizrenit ka poseduar 3 prona kishtare në Legen të Pollogut të Poshtëm. (Nga autorë të
ndryshëm, ky qytet emërtohet edhe si: Legjen, Legjan e Legjin apo me ndonjë
sufiks dhe prefiks tjetër), mirëpo deri sot kur shkruajmë këtë monografi, nuk
kemi arritur të gjejmë ndonjë toponim të këtillë në afërsi apo më larg (në
Sllatinë apo Leshkë). Një emërtim: Legjen, e hasim në një këngë të titulluar:
“Martesa e mbretit”, me ç’rast thuhet se qyteti Legjen ka qenë vendbanim latin
dhe deri këtu të çon rruga nga Vushtria
dhe Anamali. Madje, në një këngë tjetër
(kishtare): “Mbreti llatin dhe zarmi”, këndohet për tokën legjene, për të krishterët legjen, për
qytetin Legjen dhe për vajzat e tokës legjene.
Sipas këtyre
këngëve, ku përmendet qyteti në fjalë, thuhet edhe kjo: “Nën qytetin Legjan
shtrihet fusha e Legjanit. Qyteti ka “Derë Legjane” dhe kulla. Në qytet jeton
mbretëresha Legjane”.
Për Legjenin flet
edhe një burim bullgar, Todor Gerov në librin: Pri Shara. (Shih: në shtojcën
Kontribute).
Në vazhdim do të
pretendojmë të zbërthejmë domethënien e toponimit (ruronimit) L e gj e n. Sipas të gjitha gjasave,
emri që potencuam rrjedh nga një fjalë
hungareze: “Lenguel” që në gjuhën shqipe ka kuptimin: Fusharak, banor që jeton
në fushë apo në rrafsh. Me këtë rast
mund të intrigohemi, sepse këtu në mes Sllatinës dhe Leshkës kanë ekzistuar dy
qyteza, një në rrafsh (në antikitet) dhe tjetri në kodrinë (Te Kalaja), që në këtë rast është
antipod i Legenit. Sidoqoftë, për këtë qytet,qytezë apo vendbanim, qoftë edhe
virtual apo i sajuar në imagjinatën e njerëzve autokton, ne do të flasim dhe do
të glorifikojmë gjithçka që është e ndërlidhur me këtë emërtim, sepse Ushinski
në një rast thot: “Atje ku s’ka njohuri të sakta, jepen supozime, e, dhjetë
supozime janë nëntë gabime”, për të vijuar më tej:
Në fillim të
sh.XIX, mitet për qytetin e Legenit transformohen nga tradita gojore edhe në
krijimtarinë letrare, me ç’rast Legeni identifikohet me Tetovën. Megjithatë, ky
unifikim nuk mund të konsiderohet si i qëndrueshëm dhe nuk mund të argumentohet
me të dhëna plotësuese dhe bindëse. Kështu, më vonë, nga autorë të
ndryshëm, duke u bazuar edhe në
gojëdhënat e banorëve të Sllatinës dhe
Leshkës, e me këtë edhe shkrimet dhe krijimet letrare në lidhje me këtë, mund
të na “qetësohet kureshtja” për
ekzistencën e vendbanimit të dikurshëm të quajtur: Legen. Bile deri vonë
banorët vendas kanë bashkëjetuar dhe po
vazhdojnë të jetojnë mbi rrënojat e vendbanimeve të të parëve të tyre në kohëra
dhe periudha të ndryshme kohore, e, në këtë rast : “Mbi rrënojat e qytetit
përreth të cilit ka ujëra mineralë“, siç do të shprehet edhe Selishçevi.
Në këtë gamë
zhvillimesh, mjaft interesante dhe
sinjifikative është edhe gojëdhëna apo legjenda e Peshkut, që ndër banorët
sllatinasë është e gjallë, të cilën do ta paraqesim në vazhdim:
PESHKI XHI
KCI PI TAVE
Kur ka ardh Llatini* ktaune
(n’Legen),nji grue Te Kalipica ka kën tu fërgjau peshk n’tav.Vejn habieri se du hije
Llatini.Kjo thuët: Kur du mxhallet ki peshki xhi e këm n’tav,athere du mund ta
mare Llatini Legenin. Kur n’at dakik,peshki nxhallet ene,“pup” - e n’uj. Athiere ajo thuët: “Nëse vejn Llatini,
ne hije pi sejpri (pi ka bgjieshka,dmth.nga ana e Sharrit) se ka fusha Legenin sën e mer
kurri”. Ene ashtau buhët. Askiria hijn pi mas shpejne e marën viendin, ene
Llatini ka sunau me mija vjet ktaune.
Tregoi: Hadije
Salihi, lindur më 1927