Speciale
Luan Rama: Çfarë përjetuan nga pushtuesit osmanë, shqiptarët që deshën të kthehen në krishterim!
E marte, 24.01.2023, 07:58 PM
Çfarë përjetuan nga pushtuesit osmanë, shqiptarët që deshën të kthehen në krishterim!
Shkruan:
Luan Rama
Tekstet
e shkruara nga Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), autor i librit “Historia e
Shqipërisë”, si dhe letërkëmbimet e tij që gjenden në arkivin e Misionit
Lazarist në Paris, kanë dorëshkrime që hedhin dritë mbi përpjekjet e
shqiptarëve në mesin e shekullit të XIX, që të islamizuar dikur kërkonin të
riktheheshin përsëri në fenë e origjinës: krishterimin.
Kjo
ishte tragjedia e tri fshatrave të veriut shqiptar (zona Mbishkodrës, drejt
Gilanit, një fshat shqiptar, tashmë i mbetur në Mal të Zi), që i tregoi
Perëndimit të asaj kohe këtë pjesë të identitetit shqiptar, të cilin njerëzit e
thjeshtë luftonin ta ruanin si gjënë më të shenjtë, duke e paguar dhe me jetën
e tyre.
Histori
rrëqethëse, e denjë për një film, dëshmon atë që pak evropianë e kishin kuptuar
në atë kohë, kur ata gabimisht e konsideronin Shqipërinë si tokë të Islamit.
Edhe pse me emra islamë, shqiptarët i ruanin ritet e kishës latine, festonin
festën e Shëngjergjit, Shën Markut etj. Madje edhe festat e tyre pagane, që
ishin rrënjosur në identitetin shekullor të tyre. Ritet e vjetra, kanunet dhe
besëtytnitë e tyre, ishin pjesë e një kulture pellazgjike dhe paralele të
“Homeriadës” së Homerit të madh, të cilën e kërkoi gjatë udhëtimeve të tij në
veriun shqiptar, Albert Dumont, në vitin 1871. Përse ata shqiptarë pranuan më
mirë kalvarin se sa tjetërsimin? Ja si e ka rrëfyer këtë ngjarje historike At
Faveyrial më 1 janar të vitit 1870, me atë shkrimin e tij të vogël, që vështirë
ta deshifrosh menjëherë.
Në
raportin “Kujtesë historike mbi familjet shqiptare të persekutuara dhe të
syrgjynosura për shkak të fesë, më 1845-1846”, At Faveyrial do të shënonte:
“Për këto shënime që duhej t’i plotësoja, mu desh të kem një korrespondencë të
gjatë me kolegët tanë dhe ‘motrat’ (‘suorat’) që ende janë gjallë, të cilat
ishin dëshmitare të fakteve që do të tregojmë. Tani që i kam këto dokumente, po
i rendis të gjitha. Për këtë do të përdor dhe disa fakte të përmendura nga
vepra e të ndjerit z. Hecquard, konsulli francez i Shkodrës, të cilat i
referohen aktorëve të asaj barbarie.
Sipas
kolegut tim Bonnieu, ja cili ishte shkaku fetar që bëri të nxisë mizorinë e
turqve. Një shqiptari, një kristiani të hershëm, që gjendej në Konstantinopojë
në vitet 1844 apo 1845, i kishin thënë se një epokë e re kishte filluar për të
dhe të krishterët e tjerë të Perandorisë Osmane dhe se liria e ndërgjegjes
ishte proklamuar. Këtej e tutje çdo njeri ishte i lirë të përqafonte fenë që
donte. Por, pse u përhap një lajm i tillë?
Kolegu
ynë nuk thotë asgjë rreth kësaj dhe sigurisht nuk dinte gjë. Por, nuk ishte si
shkak i Kartës së ‘Gul-bané’-së, pasi ajo ishte botuar që më 1839. Shkaku, të
paktën në dukje ishte ky: Më 1844, një armenian skizmatik, (ortodoks), i
quajtur Ovakim dhe që na ishte bërë mysliman, u kthye sërish në fenë kristiane.
Por, meqë u zbulua dhe u denoncua, ai nuk pranoi të rikthehej në mysliman dhe
atëherë e vranë. Nëse pas ekzekutimit trupin e tij do ta hidhnin në Bosfor, ky
fakt nuk do të bënte zhurmë. Por, atë e ekspozuan në mes të pazarit, çka ishte
një fyerje e madhe për kristianët. Ky akt i dyfishtë fanatizmi dhe talljeje e
ndyrë, e preku gjithë Konstantinopojën. Përfaqësuesit e opinionit publik,
ambasadorët dhe veçanërisht ambasadori i Anglisë, Lord Stratford Canning, i
bënë kritika të forta qeverisë turke. Ata madje kërcënuan për ndërprerje të
marrëdhënieve diplomatike nëse nuk premtonin se akte të tilla intolerance nuk
do të përsëriteshin më.
Dhe,
Abdul-Mexhidi premtoi dhe u angazhua se askush nuk do të vritej për punë feje.
Por, ja motivet për tu çjerrë maskat këtyre njerëzve të errët. Shqiptarët nuk i
vranë, por i internuan. Sidoqoftë, kur shqiptari që ishte në Stamboll u kthye
në shtëpinë e tij, ai tregoi për atë çka flitej ato kohë për fenë. Dhe, meqë të
gjithë në shpirt janë kristianë, ata u deklaruan hapur se çfarë janë në të
vërtetë…”!
Në
fakt, siç e shkruan dhe Faveyrial, për këtë histori kishte relatuar më parë
shkurtimisht dhe konsulli francez Hyacinthe Hecquard në librin e tij “Historia
dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme, apo Gegërisë”. Në enciklikën e
Benediktit XIV, e 1 gushtit të vitit 1754, kryepeshkopëve, peshkopëve,
priftërinjve dhe misionarëve shqiptarë u ndalohej të merrnin emra turq, për t’u
shpëtuar kështu taksave dhe profesioneve të mëdha që bënin në atë kohë osmanët
kundër tyre. Dhe, kjo urdhëresë bëri punën e vet. Shumë priftërinj e ndaluan
shndërrimin e katolikëve në myslimanë, dhe siç shkruan Hecquard, njëri nga ata,
që ishte dalluar më shumë ishte Antonio Markoviq.
“I
pajisur me durim dhe energji, ai arriti të bindë 120 familjet që jetonin në
famullinë e Gilanit të Malit të Zi, që të hiqnin dorë publikisht nga islamizmi,
duke u premtuar se do të përballonte së bashku me ata të gjitha persekutimet që
mund tu bënin turqit dhe se nuk do t’i braktiste kurrë, çfarëdo që të ndodhte”.
Por
le t’i rikthehemi tregimit të At Faveyrial rreth kësaj ngjarje që tronditi
opinionin publik dhe që shqetësoi kancelaritë e mëdha evropiane.
“Prifti
i quajtur Antonio Markoviq, i cili njihej prej tyre, i përkrahu në vendimin që
kishin marrë. Madje u premtoi se do t’i ndiqte kudo që do të shkonin. Sapo
vendimi u muar nga shqiptarët, ky vendim iu dërgua peshkopit të Prizrenit, i
cili më duket ishte z. Bogdanoviq. Figura e tij e rëndësishme nuk i bëri të
heqin dorë, por peshkopi ua bëri të qartë pasojat e një ndërmarrje të tillë. E,
megjithatë përfaqësuesit e shqiptarëve nuk u tundën nga e tyrja: ‘Ne jemi të
krishterë’, thanë ata, ‘çfarëdo që të na bëjnë, ne do të mbetemi të tillë. Nëse
do të shuhemi të gjithë, le të shuhemi, nëse duhet të vdesim, le të vdesim’!
Kur ata i çuan tek pashai i Prizerenit, shqiptarët dhanë të njëjtat përgjigje.
Më kot pashai i shau dhe i nxori në mes të këshillit, duke i fyer me tërbim.
Edhe
pse i qëlluan me gurë, ata mbetën në fjalën e tyre. Meqë shiheshin keq nga
turqit, veprimtaria e këtyre shqiptarëve bëri që ata të mbështeteshin e të
mbroheshin nga bashkëpatriotët e tyre të paditur. Shpejt, shumë prej tyre donin
ta ndiqnin këtë shembull. Pikërisht atëherë, harbimi i turqve s’pati kufi.
Autoritetet, në vend që të qetësonin gjakrat, i ndezën më keq ato.
Guvernator
i Përgjithshëm i provincës ishte atëherë Hafez-Pasha. Nuk e di nëse ai
qëndronte në Shkup apo në Prizeren. Por, zoti Hecquard shkruan se siç duket, ai
veproi pa u konsultuar me Portën e Lartë. Në fakt, nuk kishte pse të ndodhte
kështu, pasi një guvernator, sado i fuqishëm të ishte, nuk mund të internonte
kaq shumë familje, për më tepër nga Evropa në Azi. ‘Sido që të jetë, të hequr
me forcë nga shtëpitë e tyre, këto familje u çuan në Shkup’, thotë Hecquard. Që
andej, ku gjatë gjithë rrugës ata u keqtrajtuan nga shoqëruesit e tyre,
familjet shqiptare i hodhën nëpër qeli, ku u desh të duronin torturat dhe
urinë.
Plot
dhembshuri e besnikëri, At Markoviqi i ndoqi pas dhe bënte gjithçka për të
lehtësuar vuajtjet e tyre. Disa ditë më pas, pleqtë e fshatit u dërguan në
gjykatë që çështja e tyre të shqyrtohej. Pa u trembur fare nga turqit, të
gjithë deklaruan se ata ishin kristianë dhe dëshironin të vdisnin të tillë. Të
fyer nga kjo vendosmëri, Hafez-Pasha i Shkodrës urdhëroi që ata t’i torturonin.
Por, meqë nuk i theu dot, ai nxori një dekret dhe i syrgjynosi në Anadoll, duke
konfiskuar dhe pronat e tyre, të cilat u shitën në favor të arkës osmane, apo
siç thonë të tjerë, kanë shkuar me siguri në arkën personale të pashait.
‘Ishte
e pamundur të përshkruash trishtimin e madh të atyre familjeve të mjera, të
cilat ranë prehë e fanatizmit mysliman’, shkruan konsulli Hecquard.
Sipas
‘motrave’ tona Bernardine dhe Marie, nuk ishte vetëm një fshat që u deklarua i
krishterë, por tri fshatra. Sipas tyre, disa i mbajtën në burg që nga nëntori i
vitit 1845 gjer në shkurt të vitit 1846. Dhe, meqë torturat nuk e kishin
ndryshuar qëndrimin e tyre, Hafez-Pasha nxori dekretin e syrgjynosjes. Pra, të
burgosurit u vunë në rrugë: ata në këmbë dhe shoqëruesit e tyre në kuaj, ku
gratë ishin veçmas burrave dhe të trajtuar në mënyrën më barbare. Nga Shkupi në
Selanik, udha e të syrgjynosurve ishte e lodhshme dhe sjellja e zaptijeve aq
barbare, sa shumë nga malësorët vdiqën, disa në rrugë, të tjerët kur mbërritën
në Selanik. Katër gra lindën rrugës.
Në
portat e Selanikut, një fëmijë të sapo kishte lindur e hodhën në det. Ndërsa
priftin, të ndarë nga turma, ushtarët e kishin nisur drejt Konstantinopojës.
Një prift nga Syra, i cili sot është kolegu ynë dhe që quhet Leonardo
Vaccandio, atëherë ishte në misionin tonë në Selanik. I informuar se një numër
familjesh katolike shqiptare gjendeshin në atë han ku i kishin vendosur, të
privuar nga gjithçka dhe ku shumë prej tyre rrezikonin të vdisnin, nxitoi t’i
shikonte. Por, asgjë nga sa flitej nuk ishte e ekzagjeruar. Dhe ja pse ai shkoi
t’i tregonte për këtë konsullit të Francës dhe të Anglisë, miqve të tij, për
atë çka kishte parë e kishte dëgjuar. Konsujt i folën guvernatorit të qytetit
dhe meqë kjo ngjarje po bënte zhurmë në Selanik, ai nxitoi t’i hiqte që andej
të syrgjynosurit.
Njëri
sipër tjetrit ata i hodhën në një anije që do t’i çonte në Mudania, në detin e
Marmarasë. Duke parë këtë, shumë familje katolike, në kohën që prifti Vaccandio
bënte lutjet e tij, shkuan dhe mblodhën me nxitim një sasi ushqimesh, të cilat
i sollën në kuvertën e anijes. Por, me një barbari e mizori të pashoqe,
ekuipazhi i anijes i morri ato për vete. Pesë apo gjashtë ditë që këta
besimtarë qëndruan në Selanik, ata u vizituan nga prifti Vaccandio, i cili i
ngushëllonte dhe i ndihmoi përmes familjeve katolike që banonin atje. Dhe, kur
ata ikën, ai nxitoi t’i shkruante Monsinjor Hillereausë, vikarit apostolik në
Konstantinopojë. Ai në fakt donte t’i mbante në Selanik ata që ishin sëmurë,
por guvernatori kundërshtoi.
Me
gjithë kundërshtimet, me kurajo dhe i mbështetur nga konsulli i Austrisë,
Mikanoviq, një katolik i zellshëm dhe kolegu ynë hyri disa herë në atë han që
ishte kthyer në një lloj burgu. Ai i mblodhi të rrëfehen dhe u kujdes për ata
që po vdisnin, i varrosi të vdekurit dhe bekoi disa martesa mes tyre. Mëshira
dhe kujdesi i tij u bënë të njohura mes katolikëve të qytetit, ku atyre të
syrgjynosurve u sollën veshje, ushqime e shtroje për të fjetur, të nevojshme
për atë sezon të lagësht të pranverës, çka dhe mbrojti jetën e disave. Lidhur
me vuajtjet e tyre në atë kalvar, vetëm Zoti e di. Ata përjetuan gjithçka:
urinë, etjen, keqtrajtimet. Më pas një djaloshi i prenë gishtat e këmbëve, për
shkak se e kishin rrahur me shkopinj. Për një gotë ujë, osmanlinjtë u kërkonin
1 piastër ose 25 centë. Dhe më pas ndaluan tu jepnin ujë, meqë ata s’kishin më
para.
Uria
e etja bënë që fëmijët të lëshonin klithma të tmerrshme, aq sa marinarët nuk i
duronin dot dhe shumë prej tyre i hodhën në det. Kështu ndodhi dhe me një prind
që humbi dy fëmijët binjakë të moshës tetëvjeçare. Dhe një grua në agoni, e
hodhën gjithashtu në det, para se ajo të jepte frymën e fundit.
Kur
mbërritën në Mudania, njëmbëdhjetë prej tyre, që sapo kishin vdekur, i lanë në
breg, në një gropë. Të tjerët i hipën në një anije tjetër të vogël që të mund
t’i ngjiteshin lumit për t’i çuar në Muhaliq. Në kohën kur po i transportonin
nga anija, një shqiptar i quajtur Mici, me fe ortodokse dhe që gjendej
rastësisht aty, i njohu ata nga rrobat karakteristike që kishin veshur. Ai u
habit shumë që po i tërhiqnin për t’i hedhur në një barkë tjetër, sikur të ishin
trungje, apo cungje drush. I prekur në shpirt, ai morri menjëherë barkën e tij
dhe i çoi ata larg në Muhaliq, në atë vend tepër kënetor dhe shumë të pisët për
shqiptarët tanë që kishin jetuar gjithnjë në ajrin e maleve. Por, e tmerrshme
ishte se i hodhën së bashku në një ndërtesë të vjetër, aty ku në kohën e
kolerës vendosnin të vdekurit. Sapo i futën, djaloshi Mici iu afrua dhe së pari
u përgatiti një supë, pastaj u dha paratë e tij, gjersa asgjë nuk i mbeti në
kuvertën e tij.
Ndërkohë,
në Selanik, me urdhër të pashait, At Antonio ishte arrestuar sapo ishte kthyer
në kishën e tij. Por, vendosmëria e z. Mikanoviq, konsullit të Austrisë, arriti
ta shkëpus nga ata dhe me një anije ta nis drejt Stambollit. Meqenëse ishte
dalmat, pra një person që varej nga shteti austriak, ai shpresonte se zotit
Sturmer, që atëherë ishte Internonce, si përfaqësues i Austrisë do t’i mbronte
ata katolikë të mjerë, për të cilët, prifti françeskan ishte bërë një At
shpirtëror. Por, kjo nuk ndodhi dhe arsyet diplomatike e penguan z. Sturmer të
mbronte hapur kauzën fisnike të fesë dhe të njerëzimit. Madje, At Antonio u
burgos nga turqit”!
“Persekutimi
dhe syrgjynosja e 200 shqiptarëve në Muhaliç të Bursës në Bitini”, kështu e
titullon një pjesë të raportit të tij At Faveyrial që padyshim përbën një nga
tregimet më prekëse dhe më revoltueset kundër barbarisë, çka padyshim radhitet
ndër ngjarjet e tmerrshme që pa Evropa gjatë kohës së Inkuizicionit.
“Është
e pamundur të japësh një ide të gjendjes së mjerueshme dhe dëshpëruese në të cilën
ishin katandisur të syrgjynosurit shqiptarë, viktima të mizorisë së pashait të
asaj province. Ata janë në një fshat, në juglindje të Bursës, i cili quhet
Muhaliq, gati një orë larg liqenit të Apolonisë (në Turqi, L.R.). Unë i pashë
atje në mjerimin më të tmerrshëm, të zhveshur, lakuriq e gjithë zhele. Ajo
pamje më tmerroi. Nga 180 persona që kur kishin ikur nga vendi i tyre, nuk kanë
mbetur veçse 87 dhe në prag të vdekjes. Ata banojnë në një han të vjetër, që
pothuaj është një rrënojë, ku oborri është i mbushur me kocka kafshësh, që disa
tregtarë i dërgojnë në rafineritë e sheqerit, nëpër Evropë.
Ditën
e mbërritjes së tyre, ata ishin aq të lodhur e të dobët, aq të keqtrajtuar
gjatë asaj rruge të mundimshme, sa pesë prej tyre vdiqën menjëherë. Vdekja i dha
fund martirizimit të mundimshëm. Që nga 25 prilli e gjer më 3 maj, dita kur z.
Hillereau dhe unë patëm lumturinë të bashkonim lotët tanë me të tyret dhe tu
sillnim ndonjë ngushëllim për mjerimin e tyre, çdo ditë vdiste dikush.
Ishte
data 3 maj kur ne shkuam në Bursa, në sajë të z. Gjeorgjiaki, i cili ishte
agjent atje i konsullit të Anglisë. Ishte ora 7 e mëngjesit kur ne hymë në atë
ndërtesë të trishtë. O Zot! Ç’spektakël! Duke hyrë në atë han, ne pamë në mes
të oborrit një grumbull krijesash të të gjitha moshave dhe sekseve, nga
foshnjat e deri te pleqtë më të skajshëm, njerëz të kthyer në lakuriqësinë më
totale, ose të mbuluar veçse me ca zhele. Meqë kishin ethe, ata rrinin në diell
për tu ngrohur, duke bërë kështu që tu binin morrat që i hanin. Dhimbja dhe
dëshpërimi ishin skalitur në fytyrat e tyre të zbehta dhe të rreshkura.
Disa
i pashë që ishin plot plagë, të tjerë kishin këmbën apo dorën që u varej,
ndërsa një tjetër, anash, këmbët i kishte të gangrenizuara. Sapo na panë ata
nisën të ngashërehen dhe të psherëtijnë. Zemra ime gati u ça nga dhimbja. Nuk
munda t’i mbaj lotët. Ato lotë më bien ende, ndërkohë që po shkruaj ato që
pashë. Pastaj ne filluam të shkojmë në kthinat ku dergjeshin të sëmurët. Në të
parën ne gjetëm rreth 10 persona, burra, gra, fëmijë të shtrirë mbi pllakat e
gurit, të zhveshur lakuriq, mbuluar me disa copa thasësh me qime kali. I pari
që na dalloi ishte një plak, pothuaj në agoni. Ai u përpoq të ngrinte kokën.
Zoti Hillereau i tregoi kryqin. I sëmuri ia rrëmbeu nga duart, i ngjiti buzët
dhe e mbuloi me lotë. Pastaj, si të kishte marrë një forcë të mbinatyrshme, ai
kërkoi rreth tij mbi një morri leckash, zbuloi dy-tri fëmijë në prag të vdekjes
dhe i bëri të puthin kryqin, duke u bërë shenjën e shpëtimit.
Ne
dolëm nga ai vend i tmerrshëm për të hyrë në një vend tjetër akoma më të
tmerrshëm. Ishin aty po aq persona, por ata ishin akoma më keq dhe në agoni e
sipër. Nuk kishin as forcë për të klithur, e as fuqi për të ngritur kokën që të
shikonin ata që kishin ardhur t’i shikonin. Pas disa çastesh, ne pamë që midis
atyre të sëmurëve të pafat gjendej një kufomë që po kalbej. Ne vazhduam më
tutje dhe gjetëm edhe dy kufoma të tjera, çka na detyroi që para se të shkonim
më tutje, t’i nderonim ato viktima që të mund të kishin një varr. Pas kësaj
ceremonie të trishtë, ku grekët na dhanë një ndihmë të çmuar (sepse ata pranuan
t’i hapnin gropat, të mbanin të vdekurit dhe të na shoqëronin tri herë radhazi
në varreza), ne gjykuam tu japim Extrëme-Onction (kungimin), njerëzve më të
sëmurë. Por, për këtë, ata duhej të rrëfeheshin. Por, si? Ne nuk e dinim gjuhën
e tyre. Por, aty u gjet një njeri që dinte pak turqisht. Vendosa ta marr si
përkthyes…
Por,
me shfaqjen e të sëmurit të parë (ishte një vajzë 15-18 vjeçare), ai hezitoi
dhe më morri mënjanë. ‘Më fal Ati im’, më tha ai, ‘kjo është vajza ime! Ajo do
të ketë turp për të më rrëfyer dobësitë e saj. Por prit të thërres nënën e saj.
Ajo do e mësoj më kollaj se unë tundimin e shpirtit të saj’. Isha i befasuar
nga fjalët e tij. Pastaj u ktheva nga zoti Hillereau. ‘Eshtë tepër e
dhimbshme’, i thashë, ‘u mbyta nga lotët’. Këta engjëj të Zotit, martirët e
besimit, i kanë larë tashmë gabimet e tyre me lotë dhe dhimbje. A është e
nevojshme që ata të rrëfehen në kushte të tilla?
Megjithatë
i kërkova vajzës nëse ajo i falte me shpirt armiqtë e saj. Duke thënë këto
fjalë, jo vetëm ajo, por të gjithë të sëmurët që ishin në atë dhomë ngritën
zërin dhe thanë: ‘Zoti i faltë! … Po, Zoti i faltë! Ne kemi vuajtur shumë,
është e vërtetë dhe ne do të vuajmë akoma, por shkak janë mëkatet tona.
Persekutorët janë veçse instrumenta të Drejtësisë së Zotit. Pra, fali o Zoti
ynë për të gjitha ç’kanë bërë’.
Sapo
kjo falje publike doli nga gojët e tyre dhe që u përsërit pastaj në kthinat e
tjera, ne u dhamë kungimin të gjithë të sëmurëve. Dhe kur ne i bekuam këta
atletë të besimit me vajin e shenjtë, duke qarë, ne vazhduam drejt një vizite
të tretë.
Dy
vizitat e para ishin shumë të shpejta dhe emocioni ynë ishte aq i madh, saqë
gjithçka që kishim parë, dukej si një ëndërr. Tani duheshin parë vëllezërit
tanë në veçanti, të njihnim nevojat e tyre, dhimbjet e tyre, vuajtjet për t’i
lehtësuar ata. Midis atyre të pafatëve, pikasa një vajzë që mbahej më mirë se
të tjerat. Pothuaj gjithnjë, e ulur veçmas turmës dhe me fytyrë të kthyer nga muri,
ajo dukej se nuk kishte lidhje me fatkeqësinë e të tjerëve. Doja t’i thoja disa
fjalë ngushëllimi dhe të njihja gjendjen e saj, por interpreti ynë atë çast
mungonte dhe unë nuk e dija gjuhën e saj. Menduam se do kishte humbur prindërit
e saj dhe se nga vuajtja e madhe ishte bërë e pandjeshme për dhimbjet e të
tjerëve.
Në
një kthinë të keqe, diku më larg, mbi një tufë leckash të pista, gjetëm 4-5
fëmijë të kthyer në kufoma. Ata ishin braktisur nga të gjithë. Më i madhi i
tyre, çka dukej një vajzë, mund të ishte 11-12 vjeçe. Në vend të klithjeve dhe
lotëve të shumta, këta të mjerë nuk lëshonin veçse disa psherëtima. Nuk ishte
askush që tu jepte një pikë ujë. Kur ishim midis këtyre të syrgjynosurve
fatkeqë, papritmas dëgjuam një këngë ogurzezë që dilte nga goja e një gruaje në
delir, apo që ishte pushtuar nga një dëshpërim i tmerrshëm. Në fund të çdo
strofe, ajo qante disa minuta dhe pastaj rifillonte me një lloj tërbimi dhe me
një ton, kujtimi i të cilës më bën akoma të dridhem. Ne pamë gjithashtu gra të shastisura.
Na thanë se ato ishin bërë ashtu si rezultat i trajtimit të keq dhe i skamjes
së madhe. Njëra nga ato kishte një vështrim të fiksuar, ndërsa tjetra e
mbulonte fytyrën dhe dukej se turpërohej nga gjendja e saj.
Ajo
që na habiti pa masë dhe që na bëri t’i admironim, ishte se këta njerëz të
pafat dhe të dergjur në mjerimin më të madh, nuk na kërkuan as bukë, as veshje,
as para. Ata e shikonin veten në prag të vdekjes, si në fundin e vuajtjeve të
tyre. E megjithatë ata zvarriteshin drejt nesh. Por, ç’donin të shikonin?
Çfarë? Një medaljon të vogël të Virgjëreshës së Shenjtë, tespijet apo një kryq.
Dhe, duke marrë diçka nga gjërat e mia, ata ngjisnin buzët e tyre me përkushtim
dhe me një lumturi të dukshme. Të syrgjynosurve tanë të shenjtë u dhamë kungimin.
Por,
s’kishte mbaruar e tëra. U duhej dhënë buka e të fortëve, Saint-Viatique. Por,
atëherë një tjetër vështirësi na doli. Ku të gjenim në atë vend të tmerrshëm
një mjedis për të kujtuar Saints-Mystères. Pasi e menduam mirë, z. Hillereau
dhe unë vendosëm që meshën ta bënim fare mirë në oborr. Por, meqë na duhej një
tavolinë, grekët na e sollën një. Sa hap e mbyll sytë, një altar u improvizua.
Ndërkohë që abati Hillereau vishte petkun e duhur të priftit, unë afrova të
sëmurët dhe gjithë ata që mundnin të qëndronin jashtë pa rrezik, gjatë
‘sakrificës auguste’. Oborri ishte mbushur me kocka të panumërta që më kujtonin
atë që thotë Profeti. Pikërisht, këto skelete të mbetura, imazhi i vërtetë i
vdekjes, vëllezërit tanë martirë, u vunë në gjunjë gjatë gjithë meshës. Thirrje
të vuajturisht, psherëtima e ngashërime dëgjoheshin nga të gjitha anët.
Lotët
gjithashtu rridhnin me shumicë nga të gjithë të pranishmit, dëshmitarë të një
skene të dhimbshme. Pasi u bë bekimi i atyre që ishin rreth altarit
(Sainte-Communion), ne shkuam ta bënim këtë te ata që ishin të shtrirë tek
kthinat. Me të mbaruar meshën, unë u ktheva nga ata të syrgjynosur të mjerë,
duke u drejtuar fjalë ngushëllimi përmes interpretit tim. ‘A e dini’, u
thashë’, ‘se sa i mirë është Zoti me ju? Ai ka qenë gjithnjë pranë rrugëtimit
tuaj të syrgjynosjes, duke ju ushqyer me mishin e tij të adhurueshëm. Ai u
është përkushtuar dhe tani ju e mbani në zemrat tuaja. T’i jeni mirënjohës!
Duajeni dhe ju! Mos e fyeni kurrë! Kurajo vëllezër të dashur. Ngrijini sytë në
qiell. Porta për ju është e hapur! Sa më shumë të keni vuajtur, aq më të lumtur
do të jeni. Duajeni njëri-tjetrin, ngushëlloni njëri-tjetrin, kujdesuni
veçanërisht për vejushat dhe jetimët. Zoti do t’ua shpërblejë njëqind herë më
shumë’!
Pastaj,
duke u kthyer drejt asaj turme ortodoksësh, që dëgjonin këtë fjalim të trishtë
sa me vemëndje aq dhe me dhembshuri, u kërkova të vazhdonin veprën që kishin
nisur. I luta veçanërisht t’i varrosnin të vdekurit, pasi kjo ishte një vepër
që duhej bërë dhe që Zoti do ta pëlqente…
Qëndrimi
ynë në Muhaliq zgjati nga e shtuna në mbrëmje, më 2 maj, gjer të hënën në 4
maj. Pastaj ne u ndamë me zemrën e rënduar për miqtë tanë. Por vonuam të
ktheheshim në Konstantinopojë që të mund të informonim për këto tmerre
autoritetet e duhura dhe përmes ambasadës sonë të sugjeronim ndonjë ndihmë për
të syrgjynosurit.
Duke
kaluar në Bursa, ne i treguam për ato që pamë konsullit tonë, zotit Crepin dhe
atij të Anglisë, z. Sandisson, duke iu lutur që të përdornin gjithë influencën
e tyre pranë Portës Sublime, për t’i dhënë fund këtij persekutimi mizor.
Konsulli i Anglisë u tregua më i ashpër. Ai i shkroi ambasadorit të tij, lordit
Stratford Canning, dhe ishte ky ambasador që u ankua te Reis-Efendi, ose
ministri i Punëve të Jashtme”.
Faveyrial
shkruan se sipas shënimeve të “suorave” Bernardine dhe Marie, të cilat
shoqëronin superioren e tyre Lesueur në Muhaliç, ato pohojnë se lordi Canning
siguroi menjëherë nga Reis Efendi, ushqime, ilaçe, veshje dhe shtroje për të
syrgjynosurit e mjerë.
Në
librin e tij “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë”,
konsulli francez Hyacinthe Hecquard, i cili ishte marrë me këtë çështje në atë
kohë, pohon se të dëshpëruar në kulm me fatin e tyre, shqiptarët pritën për një
kohë të gjatë që sipas fjalës së dhënë t’i kthenin më së fundi në fshatrat e
tyre. “At Markoviqi”, shkruan ai, “i emëruar famullitar i tyre në këtë
vendbanim të ri, shkoi përsëri në Stamboll, ku në sajë të ndërhyrjes
këmbëngulëse të ambasadorëve të Francës dhe të Anglisë, arriti të merrte
dekretin që i riatdhesonte këta njerëz të mjerë me shpenzimet e Portës së Lartë
dhe që u rikthente pronat. Këto urdhra u vunë në zbatim. Një anije me avull i
çoi ata në Selanik, nga ku me një ferman të veçantë ata duhej të ktheheshin në
vendlindje. Nga njëqind e njëzet familje me mbi njëmijë persona që kishin qenë
në fillim, kishin mbetur veçse tetëdhjetë njerëz.