Mendime
Albert Zholi: Flet Prof. Lush Susaj
E hene, 23.01.2023, 07:50 PM
Flet Prof. Lush Susaj: Ja problemet në Shqipëri nga
korrupsioni tek përmbytjet dhe stoku i vajit të ullirit
- Tashmë korrupsioni është shfaqur në
trajtën e korrupsionit elektoral, legjislativ dhe ekonomik.
-Nga korrupsioni galopant pjesa më e madhe e shoqërisë varfërohet,
kriminalizohet, degradohet dhe dëbohet nga Shqipëria.
- Në Shqipëri,
sistemi i korruptuar është ndërtuar dhe ushqyer për vite me radhë me anë të
dhunës dhe imoralitetit të thellë shtetërorë e politikë
- Vihet re mungesa e theksuar e transparencës, etikës dhe
llogaridhënies publike.
- Përmbytja dhe dëmtimi i prodhimeve burojnë
nga injoranca dhe abuzivizmi me detyrën
-Përmbyjet e 19-20 janarit, janë fenomen njerëzor e jo natyror
- Buna, është ulur për shkaqe dhe ndërhyrje abuzive e
antiligjore.
- Në 46 km gjatësi të lumit Buna, nga
fondet dhe investimet për argjinaturat në terren duket që nuk ka mbetur asgjë.
- Nëse do të investohet realisht në grykëderdhje dhe mbi
argjinaturën e majtë të Bunës nuk do ketë përmbytje.
- Shqipëria, e ka konsumin për frymë të popullsisë nga
2,5 litra/frymë në vitet 1990, sot ka arritur në rreth 4 litra/frymë.
-Ndërsa Greqia e ka mbi 25 litra/frymë. E në këto kushte
e nivele, mendoj se nuk mund të flitet për prodhim të tepërt edhe sikur të
prodhohet 4-5 herë më shumë vaj.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Dhe pse flitet në vijimësi sërish korupsioni mbetet problem kryesor në vedin tonë. Madje ai tashmë është thelluar pasi shfaqet në disa forma. Qeverisja e gjatë e PS dhe përçraja e opozitës ka bërë që përgjegjësia mbi të të mbetet jetim. Këtë vit doli dhe një problem tjetër. Prodhimi i mbarë i ulirit ka bërë që vaji i ullirit shqiptar të mbetet stok. Madje aktualisht 1 litër vaj ulliri është i barabartë me çmim me një litër vaj luledielli. Pse? Këto përgjigje do t’i gjeni në këtë intervistë….
E kemi theksuar disa herë se korrupsioni është fatkeqësia më e madhe e
kombit dhe shtetit shqiptar, por cilat janë format e korupsionit në Shqipëri?
Këtu nuk e kam
fjalën thjeshtë dhe vetëm për korrupsionin me pronat, me pozicionet e punës në
administratën shtetërore, e as për fondet e vjedhura të investimeve dhe
projekteve. Përkundrazi, dua të rikujtoj faktin që burimi apo nëna e të gjitha
të këqijave për kombin dhe shoqërinë tonë, është korrupsioni politikë dhe
kriminalë, i kudogjëndur dhe shfaqur në trajtën e korrupsionit elektoral,
legjislativ dhe ekonomikë.
Në ËIKIPEDIA lexojmë që: “Fjala
krrupsion nënkupton çdo shkelje të detyrës së personave zyrtarë ose përgjegjës
në subjektet juridike dhe ekonomike, dhe çdo veprimtari e iniciatorëve apo
përfituesve të kësaj sjelljeje, e drejtuar si përgjigje ndaj një shpërblimi, që
drejtpërdrejt ose indirekt është premtuar, ofruar, dhënë, kërkuar, pranuar apo
është pritur për t’u marrë për veten apo për një person tjetër”. Në këtë
përkufizim ndërkombëtar, duket që e gjen veten çdo shqiptar, viktima të
përditshme të sjelljes korruptive e kakistokratike të administratës politike
dhe administrative të vendit. Nuk besoj që të ketë ndonjë shqiptarë apo ndonjë
mik të sinqertë të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, që të mos e ketë kuptuar
faktin që në këtë sistem të korruptuar politik e shtetërorë që është ndërtuar
në Shqipëri, me përjashtim të një pakice dallkaukësh, politikanësh dhe
administratorësh që pasurohen pa moral as meritë, ajo pjesa më e madhe e
shoqërisë vetëm sa varfërohet, kriminalizohet, degradohet dhe dëbohet nga
Shqipëria.
Në Shqipëri, sistemi i korruptuar është ndërtuar dhe ushqyer për vite me radhë me anë të dhunës dhe imoralitetit të thellë shtetërorë e politikë, nga ku buron degradimi shtetëror dhe trimëria e sundimtarëve në vjedhje dhe në abuzivizëm, sëbashku me paturpësinë dhe mungesën e theksuar të transparences, etikës dhe llogaridhënies publike.
-Çfarë sjellin këto fenomene?
Këto fenomene e pasoja, duket sikur e pamundësojnë
bashkëpunimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shtetit dhe politikës, si dhe
minojnë në mënyrën më të përçudnuar strukturën dhe themelet e një shoqërie.
Korrupsioni është përbindëshi që ka lindur e që po rritet nga heshtja dhe nga
mungesa e reagimit. Tashmë nga korrupsioni elektoral dhe format, që burojnë
prej tij, duket që kanë stopuar dhe bllokuar të gjitha kanalet dhe mundësitë e
dialogut shoqërorë, politikë, ekonomikë e kulturorë të vendit. Në këto kushte,
çdo shqiptar duhet të kuptojë që përballja dhe shërimi i shtetit dhe politikës
nga korrupsioni, është domosdoshmëria më jetike. Kjo pasi nga trashje e
mëtejshme e fijeve nepotike, korruptive dhe hajdutërore, përballja do të bëhet
gjithnjë e më e vështirë dhe më e kushtueshme. Lutemi Zotit që shërimi i
shtetit dhe politikës sonë të bëhet me reforma dhe me mjete demokratike, e të
mos degradojë kurrë më në konflikt të dhunshëm, nga ku dihet që përfitojnë
vetëm zyrtarët dhe segmentët e kriminalizuara të sistemeve të korruptuara.
-Ju rreshtuan disa mënyra të korrupsionit të cilat madje kanë sjellë dhe fenomenin e përmbytjeve. Ku egziston lidhja mes tyre, pra përmbytjeve, dëmtimit të prodhimeve dhe korupsionit?
Përmbytja dhe dëmtimi i prodhimeve burojnë nga injoranca dhe abuzivizmi me detyrën.
Edhe nga reshjet e dy ditëve të fundit (datat 19 dhe 20
janar 2023), në mënyrën më të panevojshme e të përsëritur, u përmbytën fushat e
Nënshkodrës, si dhe qyteti dhe ultësira e Lezhës. Kujtoj faktin që sipërfaqja e
përmbytur, është një territor i mirëstudjuar dhe me lartësi 2 – 9 m mbi nivelin
e detit. Në këto kushte, përmbytja është fenomen njerëzorë e jo natyrorë.
Aftësia ujpërcjellëse e shtratit të lumit Buna, është ulur për shkaqe dhe
ndërhyrje abuzive e antiligjore. Për pasojë, banorëve të kësaj fushe të begatë,
po u pamundësohet jetesa, e kjo për shkaqe korrupsioni dhe injorance
administrative me investimet dhe fondet e adresuara për kullimin dhe ujitjen, të
cilat nuk shkuan kurrë në destinacionin e duhur.
Kujtoj faktin që, pavarësisht nga dosjet fiktive dhe
demagogjia, në 46 km gjatësi të lumit Buna, nga fondet dhe investimet për
argjinaturat e vazhdueshme dhe për thellimin e grykëderdhjes dhe të shtratit të
Bunës, në terren duket që nuk ka mbetur asgjë. Në këtë mënyrë, kapaciteti
ujëpërcjellës i Bunës dhe kanaleve të kullimit, vetëm sa janë reduktuar, e në
këto kushte përmbytjet dhe katastrofat ekonomike do ta shoqërojnë shoqërinë dhe
shtetin tonë, përsa kohë që nuk ka menaxhim efektiv të fondeve dhe investimeve.
Sikur të mos mungonte korrupsioni 32 vjeçarë me fondet
dhe investimet në prita malore, argjinatura, grykëderdhje dhe kanale, po për
shkaqe korruptive, nepotike dhe antiligjore, janë lejuar edhe ndërtime të
shumta abuzive në shtratin e lumit dhe mbi argjinatura, të cilat ngushtojnë
shtratin dhe ulin kapacitetet ujëpërcjellës.
Në mënyrë korruptive është mbjellur dhe po ushqehet çdo ditë përmbytja dhe fatkeqësitë e tjera, të cilat janë dhe duhen quajtur me emrin që ato kanë, fatkeqësi korrupsioni.
-A ka zgjidhje reale për të mos patur
përmbytje nga lumi Buna? Cilat janë ato dhe pse nuk janë bërë?
Nëse do të investohet në grykëderdhje dhe mbi
argjinaturën e vazhdueshme të krahut të majtë të Bunës, le të punojnë
hidrocentralet dhe të bjerë shi sa të dojë. Buna nuk ka se si të dalë nga
shtrati, e fusha e Nënshkodrës, nuk ka se si të përmbytet. Pasi dihet që duke
filluar nga deti Adriatik e deri në Liqenin e Shkodrës, kemi të bëjmë me një
territor mbi nivelin e detit, e për fatin e mirë nuk jemi në kushtet e
Hollandës.
Për të mos harruar edhe faktin tjetër shumë të debatueshëm të këtyre ditëve, ku vetëm për shkak të korrupsionit, nepotizmit dhe të injorancës administrative, është krijuar situatë e pakuptimtë stoku për vajin e ullirit, njëri nga produktet ushqimore më të kërkuara në botë.
-Sa ullinj produkt i vjelur prodhohet
në Shqipëri? Po vaj ulliri dhe a është cilësor?
Kujtoj faktin që Shqipëria, e ka konsumin për frymë të
popullsisë nga 2,5 litra/frymë në vitet 1990, sot ka arritur në rreth 4
litra/frymë. Ndërsa Greqia e ka mbi 25 litra/frymë. E në këto kushte e nivele,
mendoj se nuk mund të flitet për prodhim të tepërt edhe sikur të prodhohet 4-5
herë më shumë vaj.
Kujtoj faktin që Shqipëria, nga një prodhim mesatar prej
10000-12000 ton vaj në vit (1987-1990), këtë vit ka arritur në rreth 20000
ton/vit, e që urojmë që ky prodhim të vazhdojë e të dyfishohet në të ardhmen.
Kjo për shkak se, mbetja e vajit stok nuk është për fajin e prodhuesve, e as
për fajin e natyrës, dhe as për shkak të mungesës së tregut. Përkundrazi, në
tregjet rajonale e botërore, ka një uri dhe kërkesë shumë të madhe për vajin e
ullirit. Ndërsa administrata jonë duket që fle gjumë, në vend që të negociojë e
të gjejë tregje dhe mekanizma për ta grumbulluar, amballazhuar dhe tregëtuar
këtë produkt të shkëlqyer të tokës shqiptare. Këtë mendim ma përforcoi edhe më
shumë një bisedë që ditën e djeshme (datë 19 janar 2023), pata me një punonjës
të një ambasade të një vendi dhe populli mik të sinqertë të Shqipërisë, e që
kërkonte vaj ulliri për ta dërguar në tregjet e vendit të tij. Ai me tregoi se
si ka bërë disa përpjekje dhe telefonata në Ministrinë e Bujqësisë, nga ku i
kanë adresuar për tek një drejtor (emrin e të cilit nuk ma tha), e ku drejtori
një herë ju ka thënë se tani për tani nuk flas dot sepse do të shkoj në një
mbledhje, e më pas ai nuk ua ka hapur më telefonin. Në këto kushte, punonjësi i
ambasadës ka udhëtuar vetë deri në Vlorë, në përpjekje për të siguruar një
kontratë për vajin e ullirit, e që për fat të keq, mora vesh që edhe aty nuk
është ra dakord për çmimin prej 4-5 euro/litër. Nevojat e këtij vendi mik të
Shqipërisë (dhe të vendeve të tjera të Europës dhe Azisë), janë shumë të mëdha,
e në këto kushte kërkohet vetëm një përpjekje e vockël shtetërore për ta
grumbulluar, subvencionuar dhe evaduar sa më parë prodhimin e vajit. Nga kjo
ndërhyrje do të mund të shpëtohen fermerët nga varfëria, fshatrat nga
shpopullimi dhe mijëra rrënjë ulliri nga prerja dhe abandonimi. Zgjidhja është
këtu në Tiranë, mjafton pakëz dëshirë, përkushtim dhe komunikim informues me
seksionet e ambasadave të vendeve mike e partnere të Shqipërisë. Unë shpresoj
në dëshirën e mirë të institucioneve për të luftuar injorancën, mefshtësinë dhe
korrupsionin. Besoj në reagimin kundër korrupsionit degradues, besoj në faktin
që sa më parë që të përballemi me të keqen e rritur nga mungesa e gjatë e
reagimit, aq më të lehtë e kemi rrugën dhe përspektivën e zhvillimit
Euro-Atlantik të shtetit dhe shoqërisë.
Zoti e ndihmoftë vetëdijen, zgjimin dhe reagimin
progresiv të kombit dhe të shoqërisë shqiptare!