E merkure, 08.02.2023, 09:48 AM (GMT)

Faleminderit

Dorian Koçi: Feniksi që ringjalli lirinë e Kosovës përmes paqes

E shtune, 21.01.2023, 07:59 PM


Feniksi që ringjalli lirinë e Kosovës përmes paqes

Nga Dorian Koçi

Qëndrimet e brendshme dhe të jashtme të Kosovës në prag të shembjes së komunizmit dhe deri në vitet  e para të shekullit XXI  i përcaktoi në masë të konsiderueshme vizioni historik i Ibrahim Rugovës. Autoriteti moral i Rugovës në politikën e Kosovës në periudhën e 1999-2006  buronte nga udhëheqja e suksesshme që ai i kishte bërë betejës politike paqësore dhe ndërtimit të shtetit paralel gjatë shkatërrimit të autonomisë së Kosovës dhe shtypjes brutale të Drejtave dhe Lirive të Njeriut gjatë periudhës 1989-1999, për të arritur ringjalljen e Kosovës së pavarur. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992, ishin kredencialet e para të demokracisë liberale të shtetit të Kosovës. Më vonë, si kreu i shtetit gjatë viteve të para të pasluftës 2000-2006, me anë të tentativave intelektuale dhe paqësore ai u përpoq të përvijonte për shtetin e rithemeluar kufijtë e Kosovës dhe respektimin e minoriteteve, pra, si rrjedhim duke ndihmuar diplomacinë botërore të formulonte Pakon Ahtisari që i dha pavarësinë e plotë Kosovës. Ky program parashikonte strukturë kushtetuese që respektonte multikulturalitetin dhe kombësitë e tjera në Kosovë dhe në të njëjtën kohë ndërtimin e një Republike të Kosovës, të pavarur dhe jo domosdoshmërisht të bashkuar me Shqipërinë. Rugova ishte një sovranist i lindur, i cili respektonte identitetin si shumëllojshmëri identitetesh duke mos lejuar asnjë indentitet të mbivendosej mbi të tjerët.  Në të njëjtën kohë një nga parimet kryesore të politikës së jashtme të tij në këtë kohë ishte dhe mos përzierja në grindjet e partive politike në Shqipëri , Maqedoni dhe Mal të Zi, por mbështetje e plotë për kauzën kombëtare shqiptare. Gjithësesi edhe në këtë drejtim Rugova e modernizoi patriotizmin shqiptar , duke e kthyer nga një patriotizëm folklorik i shekullit të XIX në një patriotizëm evropian të shekullit të XXI.Në thelb të këtij patriotizmi kushtetues evropian sipas filozofit social Habermas qëndrojnë respektimi i të drejtave dhe liritë e njeriut dhe  ndërtimi i një demokracie funksionale. Politika e tij pacifiste nuk u kuptua nga shumica e shqiptarëve por në fakt ajo rezultoi të ishte një sfida morale përballë së cilës, nacionalizmi agresiv serb u zhvlerësua në arenën ndërkombëtare . Misioni i  tij politik i përngjau misionit të fundit politik të Pjetër Bogdanit, (që Rugova rizbuloi kulturualisht për shqiptarët në fund të viteve 80' të shekullit të kaluar), çlirimi i Kosovës nëpërmjet në aleance të ngushtë me Perëndimin. Për Rugovën orientimi perëndimor i Kosovës ishte dhe mbeti e vetmja barkë shpëtimi për lirinë e kombit të vet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora