Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Të kujtojmë përjetësisht, President Ibrahim Rugova!
E shtune, 21.01.2023, 07:44 PM
TË KUJTOJMË PËRJETËSISHT, PRESIDENT IBRAHIM RUGOVA!
Me
rastin e 17-vjetorit të kalimit në amshim
Nga
Frank Shkreli
“Sot
bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë, e kujtuam
me respekt Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugova, njeriun i cili krijoi
miqësi, ndërtoi aleanca dhe la trashëgimi të begatshme për brezat dhe Republikën
tonë. Presidenti Rugova është vizionari
i lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës, i cili mbetet udhërrëfyes i
yni për një Kosovë të fortë në rrugën euroatlantike. Qoftë i përjetshëm kujtimi
për të!” (Nga portali zyrtar i Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr.
Vjosa Osmani, 21 Janar, 2023
----------------------------------------------------------------------------
Kur
fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm
Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të
gjitha trojeve autoktone në Ballkan. Nepërmjet tre poetënve
imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai ka shprehur besimin e tij në një
Shqipëri e cila megjithë -- “errësitë e natës”, gjatë historisë së saj –
Koliqi, prapseprap, shpreson dhe beson se virtytet e mëdha tradicionale të Kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi
brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ai ka
shprehur besimin e tij së bashku me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet” -- në
një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të
reja dhe më të drejta të barabarta për të gjithë shqiptarët.
“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen
gjaku illyro-thrak i bijve të saj.
BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në
botë, i shënoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve
të palindun.
BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u
forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.
BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë
që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e
dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i
fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë
të Perëndisë e të Shqipnisë.
BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në
lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.
BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për
Të u bajten në dobinë e gjakut që për Të u derdh.
BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë
ka me sigurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e
kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të
së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”
Ky
është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, i shprehur nepërmjet poemthit
“Symfonija e Shqipevet”. Unë besoj se ky ishte edhe besimi dhe kredoja
filozofike e Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim
Rugovës. Prandaj po e sjell në përkujtim të Dr. Ibrahim Rugovës, në këtë
përvjetor të kalimit të tij në amshim.
Ky
është edhe Besimi në virtytet e mëdha tradaicionale të Kombit, që duhet të ketë
çdo shqiptar kudo, por sidomos elita aktuale politike në Shqipëri dhe në
Kosovë.
Qoftë
i përjetëshëm kujtimi i Ibrahim Rugovës!
Ambasadorët e
shteteve Perëndimore duke venë kurrora lulesh në kujtim të përvjetorit të
kalimit në amshim Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr.
Ibrahim Rugova