Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Fragment nga romani 'Zogjtë e qyqes'
E premte, 20.01.2023, 07:56 PM
Zogjtë
e qyqes
Fitues
i çmimit "Kadare" për vitin 2021
Fragment romani
Nga
Gani Mehmetaj
Bota
e grave të kolonisë ishte e veçantë dhe e larmishme. Të zhurmshme, punëtore,
kureshtare dhe të përkushtuara ndaj burrit, si nënat e tyre dikur, ato
përpiqeshin njëkohësisht që kotësinë e mbrëmjes ta kalonin ndryshe nga
obligimet e ditës. Gratë e lagjes e plotësonin kohën e lirë me thashethemnaja,
apo me lajmet e “radio Milevës”, sikurse i thoshte thashethemnajës milici
Zvonko. Ato përflisnin fshehtësi publike, aventura të bashkëkombësve tanë. I
thoshin me gjysmë zëri, të skuqura dhe të emocionuara. Kulmi i drithërimës i
mbërthente kur tregonin për aventurat e Plakut (Titos) duke mburrur burrërinë e
tij në shtrat, ndërsa u skuqeshin faqet. Likeri ua shthurte gojën.
-
Nuk kanë faj gratë që e duan, - fliste e përndezur Zorica. - E keni parë se si
duket - si kukull. Ta ka ëndja ta puthësh në buzë.
-
Si flet edhe ti! - ia kthente Saveta.
Ato
ofshanin dhe shihnin anash si t'i druanin dikujt që po i përgjonte, sepse
shkelnin kufirin. Emrin nuk ia thoshin kurrë, por Plak thërrisnin vetëm atë,
ndërsa bënin me kokë nga fotografia në dhomën tonë të ditës, ku e mbanim në
korniza të praruara. Ndonjëra nga gratë fliste edhe për aventurat e ministrit
të Brendshëm, Ranko e thërrisnin me përkëdheli dhe frikë. Prapë nuk ia thoshin
emrin. Për të thoshin se, nuk qëndronte prapa të parit të vendit me aventura.
Ministrin gruar gjithnjë e lidhnin me zyra të errëta, të veçuara, ku ai i thërriste
zonjat e njohura të kryeqytetit për t'u sqaruar ca gjëra, ua tregonte ndonjë
aventurë jashtëmartesore, a fjalë të thënë në vendin ku nuk duhej dhe në kohën
e papërshtatshme. Ua bënte me dije se ato fjalë a aventura do të mbeteshin
brenda mureve të asaj zyre, nga ku nuk dalin sekretet, nëse ato dinin ta
vlerësonin zemërgjerësinë. Ato pastaj, të skuqura dhe të përndezura para
gjahtarit të rrezikshëm, nuk i rezistonin, zhvisheshin të hutuara.
-
S'kishin pse t’i bënin ojna, ishte njeriu më i fuqishëm i shtetit, pas Plakut -
komentonte Zorica, që kishte qenë më herët kameriere në katundet e Shumadisë.
Ajo tregonte edhe aventurat e pushtetarëve lokalë të qytezave, ku kishte
shërbyer nëpër pijetore.
-
Janë gruarë të pafré, - thoshte, sa herë binte rasti për pushtetarët e vegjël.
Nëna
shpejt u mishërua në këtë rreth thashethemnaje, ku e ku i jepte mëlmesa
bisedës. Ndërkaq, infermiere në gjinekologji, dinte fshehtësi që ua nxisnin
fantazinë erotike. Gratë e lagjes nuk dinin sikurse nëna, për vajzat e reja të
mbetura shtatzëna pas një aventure të fshehtë, që shkonin të abortonin në
gjinekologji, sepse s'kishin ku e çonin foshnjën. Tregonte edhe për gratë që
mbeteshin shtatzëna, ndërsa burrat oficerë ishin në shërbim në një qytet
tjetër.
-
Mungonin pesë-gjashtë muaj... si do t'u thoshin burrave, e kam me ty, - u
thoshte nëna.
-
Janë ngjizur me frymën e shenjtë, - tallej Zorica dhe ia kriste gazit.
Gratë
shkriheshin. Kur ishte ndonjë emër i
njohur i qytetit, atëherë i pëshpëritnin njëra-tjetrës në vesh. Mua s'më
shihnin, motra nuk rrinte në dhomë si niste thashethemnaja.
Mbrëmjet
ishin interesante, secila sillte bohçen e vet të lajmeve. Natën tjetër i kishte
mbërthyer brenga pse gratë e shqiptarëve lindin shumë fëmijë. E citonin mjekun
- emrin e të cilit nuk e mora vesh, mbiemrin e kishte Bulatoviq - që thoshte
për lehonat shqiptare: “Pjellin si dosat”. Gratë e fqinjëve e tumirnin
vërejtjen e gjinekologut që e tregonte nëna, por unë nuk e kuptoja pse
brengoseshin për gratë e botës. Për herë të parë dëgjova fjalën “sterilizim”,
që e vinte në veprim gjinekologu Bulatoviq. Nuk dija kujt i thuhej dhe në
ç'kuptim. Pastaj kuptova se sterilizimin ua bënin grave që pjellin si dosat.
Kur më panë heshtën, ndërsa unë doja të dija ç'është ajo fjalë dhe pse e
fshihnin nga unë. Në kabinetin e biologjisë, arsimtarja Slagjana i sterilizonte
bretkosat para se t'i balsamoste, por më parë i dezinfektonte duart e veta. Po
gratë si i sterilizonin? I balsamonin pastaj, a si? Me sytë e mendjes shihja
gratë e sterilizuara e të balsamuara.
Bisedat
zgjateshin deri natën vonë. Gazi e të qeshurat shpërthyese nisnin pasi i pinin
disa gota liker a fërnet. Atëherë harronin sterilizimin e atyre që pjellin si
dosat dhe u shkëlqenin sytë nga biseda të tjera fjalësh me dy kuptime. Motra
Jadranka prapë bezdisej dhe ikte në dhomën e saj, unë rrija duke i ndjekur me
sy herë njërën, herë gruan tjetër.
Burrat
mbrëmjeve dilnin në kafenenë e lagjes, ktheheshin vonë, atëherë kur mua më
zinte gjumi. E dëgjoja babën kur kthehej me zhurmë, nëna ia tërhiqte vëmendjen
që ta ulte zërin.
Jashtë
kësaj atmosfere thashethemnaje, nëna tregonte rrëfime nga puna; lindje
foshnjash, lehona të brengosura, gëzime për të sapoardhurit në këtë botë. Një
mbrëmje, kur ishim vetëm unë e Jadranka, na tha:
-
E mbani mend gruan shtatzënë, që erdhi me ne në tren?
E
mbaja mend. Grua e këndshme, e trembur, që e mundonte tymi i duhanit, era e
hudhrave, rakisë së fortë dhe mishit të terur.
-
E ka lindur foshnjën e dytë, djalë. Më njohu sapo iu afrova, gjatë lindjes.
Nuk
më hiqej nga kujtesa, kur kokëmadhi mbështeste kokën në supin e saj të brishtë.
Ajo e trembur, përpiqej ta hiqte ngadalë nga vetja.
-
Po burri me kokë të madhe, ku mund të ketë shkuar? - pyeta kot.
-
Sigurisht e ka gjetur atë që kërkonte, prandaj e bëri tërë atë rrugë. - ma
ktheu nëna.
-
Ai ishte i babëzitur, ishte i dhunshëm dhe grabitqar. - tha gjyshi.
Ende
e kujtonte natën e udhëtimit në tren. Po të tjerët nga ishin shpërndarë? Tezja
në Fushë-Kosovë, ishte e kënaqur me shtëpinë dhe kopshtin e zarzavateve. Burri punonte në
stacionin policor. Djali i tyre, Rade, dy vjet më i madh se unë, nuk ishte i
këndshëm në shoqëri. Gjithnjë mburrej, tregonte aventura të pabesueshme se si u
përlesh me tre moshatarë të tij, dy shqiptarë e një jevg. Faqet e mbushura e
trupi i majmur dëshmonin për një oreks të papërballueshëm. Një copë mish të
terur të derrit, gjithnjë e mbante si cucëll me vete. Djali i vetëm i tezes
ishte i llastuar. Kur vinte te ne, bënte rrëmujë.
Ndërkaq,
halla qe vendosur më herët në qytetin Gj., jo shumë larg nga qyteti ynë. Na
vizitonte e gëzuar, duke na shtrënguar në gji mua dhe Jadrankën. Halla ishte e
lumtur në vendbanimin e ri, në lagjen e kolonëve, ku shumica ishin milicë e
zyrtarë të administratës së qytezës. Edhe burri i saj milic ishte. Vajza e
tyre, Biserka, ishte e këndshme me sy të zinj, fytyrë të bardhë dhe flokë
gështenjë. Më pëlqente kur vinte, plot kureshtje të mësonte për lagjen dhe për
qytetin tonë. Biserka, si të mos qe e kolonisë sonë, ngjante si engjëll që mund
të fluturonte çdo çast.
Vetëm
daja, vëllai i nënës, nuk erdhi me ne.
Atë e dërguan milic në Kroaci, por nënën e brengoste, sepse shkruante rrallë.
-
Kam hallin të mos përzihet me ndonjë ustashe, - thoshte ajo në merak, ndërsa
mendonte të mos martohej me ndonjë kroate, sepse në rrethet tona, ustashë ishin
kroatët.
Në
shkollë kishim mësuar se ustashët kishin qenë bashkëpunëtorë të armikut dhe
kishin formuar shtetin e pavarur kroat. Shteti i pavarur kroat kishte qenë
armiku ynë.
-
Pushteti popullor, - thoshte nëna, mu si mësuesi i historisë, - e kishte shpartalluar
shtetin e ustashëve. Armiqtë i vrau, disa ia mbathën përtej kufirit.
Nëna
nuk i donte as sllovenët. “Janë të ftohtë, të pazbërthyeshëm, nuk i kupton
njeriu çfarë mendojnë dhe me kë janë”.
Baba nuk komentonte asnjëherë.
Nga
kopertina e romanit në gjuhën frengjishte