E premte, 29.03.2024, 08:28 AM (GMT)

Kulturë

Hamza Halabaku: A i përngjet i biri të jatit

E diele, 07.05.2023, 06:09 PM


A I PËRNGJET I BIRI TË JATIT

Nga Hamza Halabaku

Ishin bërë më shumë se tre muaj që Leka nuk e kishte vizituar të motrën, e cila jetonte në fshatin Eshkë. Merrej me punët e bujqësisë dhe gjatë verës nuk ishte lehtë që në vlugun e punëve t’i bënte vizitë motrës që nuk ishte shumë larg nga fshati Rrafsh ku ai jetonte.

- Nesër, pasi t’i ofroj disa punë të ditës do t´ia bëj një vizitë Hanës. U  bë një kohë goxha e gjatë që nuk e kam parë, - i tha së shoqes pasi kishin nisur bisedën e zakonshme të pas darkës.

- Edhe ajo ka mund të na vizitoj neve, - ia kishte kthyer e shoqja.

- Po mirë e ke mori Dritë, edhe për atë si për ne është kohë vere, e para e punës. Pastaj, unë jam vëllai, e ajo është motra, oj Dritë e mirë. Po çka u bë me ty kështu!?

- Ti ke qenë krejt ndryshe! Tani, sa herë që e përmendi Hanën, reagimet tua po më duken pa lidhje.

- Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, e pas mbyllje së të pamës, një herë kam qenë, madje as një orë nuk më ka rënë të rri me Hanën!

- Ai ka qenë burrë punëtor, i shkathtë e i zoti i punëve të veta! Motra jote duhet t’i falënderohet të lumit Zot që ia ka lënë shtëpinë plot dhe me shumë të mira. Kush është si ajo me familjen e saj? Pasuri te këmbët e te kryet, si i thonë një fjale, - po fliste e shoqja e Lekës.

- Kam vendosur që nesër ta vizitoj motrën time dhe pikë. Nuk mund të më ndaloj askush. Dua të çmallem me motrën time. Po të ishte ajo në pozitën time, me siguri deri tash do të vinte dy-tri herë. Nuk është larg. Për një orë këmbë do të mbërrij deri në fshatin Eshkë, e le më me gjokun tim, që me vrapin e parë jemi para dyerve të Hanës! Bile edhe natën do ta kaloj atje. Ti shoh edhe nipat e dajës. Më ka marrë malli për motrën, po edhe për nipat më ka marrë malli shumë. Deri tash e kanë pas babanë, kish kush i mësonte. E tani, nuk e di a po mund të gjenden edhe pse ata janë burrëruar kaherë!

*

Pasi i kishte ofruar punët e asaj dite, e kishte lutur të birin, Shpendin që të kujdesej për ato pak punë të mbetura të asaj dite.

- Në mbrëmje mos harro të marrish perimet që të ka porositur nëna jote - i tha të birit.

- Do ta gëzosh nënën tënde. Asaj nuk i shkon dëm asnjë kokërr e gjërave që do të ia sjellësh në shtëpi. Nënën e ke nikoqire të mirë, ti e dinë këtë më mirë se unë, - i tha Shpendit.

Vetë i kishte vënë shalën kalit dhe ishte nisur ...

Në pasditen e vonshme kishte mbërri në fshatin ku jetonte e motra. Kur e pa Hana, që Leka me kalin e tij hyri në oborr, e lëshoj një zë të butë duke thirrur: “E lumja motra, kush më erdhi. Po ti ma hijeshove oborrin, o vëllai i motrës”. Me hapa të shpejtë u nis drejtë Lekës duke e lëshuar nga duart një zog të rritur pule që e kishte zënë për t´ia kthyer kunatës së saj meqë ishte bashkuar me pulat e saja. E përqafoj Lekën, si e përqafon motra të vëllanë dhe nga gëzimi që i erdhi ai, ishte përlotur pak. Ashtu dorë për dore mbërritën në odën e freskët dhe të shtruar mirë.

- Uh sa freski e mirë qenka, - foli i pari Leka.

- Mirë se të ka pru i madhi Zot, o vëllai im! E kanë rregulluar nuset e djemve, se për mua... Pas punëve të tjera të shtëpisë as nuk më bie në mend fare për odën.

- E di, e di, ti ke halle të tjera. Mos u merakos shumë. Tani djemtë janë të burrëruar dhe duke parë të tjerët mësohen vazhdimisht... Ti e dinë motra ime, si na thoshte baba: “Sheh rrushi rrushin, e piqet”. Mos u bëj merak. Këta, tani më janë burrëruar!

- Jo, jo, mirë është mirë, i falem Zotit të madh. Janë shumë të mirë, të sjellshëm e punëtorë këta, Zoti i bekoftë! - tha ajo për të bijtë me sjelljet e të cilëve ishte e kënaqur.

- Nuset, nuset o vëllai i motrës. Ato janë shumë punëtore që te tria, bile kjo e vogla, nusja e Bardhit, nuk e ka shoqen në mëhallë. Nuk e di, fati i Bardhit, është si flutur e bekuara. Është punëtore e madhe edhe e pafjalë. Nuk i ndihet zëri asnjëherë. Edhe këto tjerat janë të mira, por nganjëherë ndërrojnë ndonjë llaf pa pasur nevojë fare. Unë bëhem se nuk i dëgjoj...

- Ashtu është më së miri motra ime, edhe kur e sheh, bëhu që nuk e ke parë, edhe kur e dëgjon, kishe nuk ke dëgjuar. Është më mirë edhe për ty edhe për ato. Shtëpia nuk mbahet ndryshe...

Sa ishin duke biseduar motër e vëlla, u hap dera e odës e në derën krahë hapur u ndal djali i madh Gëzimi.

- Mirë se paske ardhur, daja ynë i dashur. Na e paske gëzuar nënën, por beso se edhe unë u gëzova që të pashë! Na e paske hijeshuar odën! Tani po shkoj t’i rehatojë bagëtinë, ato pak që na kanë mbetur e pastaj do të kthehem e bisedojmë shtruar. Na ka marrë malli shumë për ty, i dashur dajë! Tani vazhdoni muhabetin me nënën se ajo nuk le ditë pa të përmendur.

- Ani dajës, ani të pastë daja! Vazhdo e puno se ashtu daja të do edhe më shumë...

Pas pak çastesh të njëjtën sjellje po e bënte edhe vëllai i tij i dytë, Urimi.

E hapi derën e odës dhe sikur të ishte para ndonjë oficeri po rrinte në derë dhe i buzëqeshur po e përshëndeste dajën Lekë.

- Mirë se të ka sjellë i madhi Zot, o daja Lekë! Paske bërë mirë që na ke gëzuar neve, por nënën edhe më shumë. Disa herë të ka përmend gjatë kësaj jave. “Më mori malli për Lekën, më mori malli për Leken”,- thoshte nga dy-tri herë në ditë. “Uroj të jenë mirë të gjithë!”, - thoshte nëna. “Sigurisht Leka ka punët e tija se nuk e kishte lënë qe sa kohë pa u ngjitur deri në Eshkë”, - tregonte fjalët e të ëmës Urimi.

- Më fal dajo, - i tha Urimi dajë Lekës, që e donte shumë, - më duhet t’i presë pak dru, sepse ju duhen grave për kuzhinë e do të kthehem shpejt. Sonte do të rrimë deri vonë se për besë edhe neve na ka marrë malli për ty, o daja im më i miri, - kishte folur dhe ishte larguar nga dera e odës Urimi.

Kur erdhi Bardhi, biri i tretë i Hanës, hyri brenda, i zgjati dorën vëllait të nënës, e përqafoj duke ia hedhur dy krahët në qafë e duke e shtrënguar nga malli, respekti dhe dashuria që kishte për të. U ulë afër tij, e pyeti të ëmën, a kishte pushuar duke i thënë sa mirë që të paska gëzuar daja Lekë. Dajën e pyeti në detaje për shëndetin, familjen, për punët e shtëpisë e të fushës. Nuk i kishte shpëtuar as pyetja për të ardhurat e asaj vere e kështu me radhë. Pasi ishte çmallur me dajën e vet, i kishte kërkuar falje dhe kishte ikur edhe Bardhi për t’i kryer punët e mbetura të ditës...

Pasi kishte dalë Bardhi nga oda dhe motra me të vëllanë kishin mbetur vetëm, Leka e kishte lutur të motrën të mos hidhërohej, se do ti bënte një pyetje jo edhe të lehtë!

- Uh, vëllai im, po më pyet çka të duash, o i shtrenjti i motrës.

- Pash të madhin Zot, pa hidhërim motra ime e mirë, dua të di me kë i ke këta djem?!

- Uh të keqen motra! Pasha të madhin Zot, e pasha kryet tënd, me rahmetliun i kam që të tre - i tha me fytyrën të kuqe all e me buzët plot gaz.

- Po ku të shkoj mendja për këtë pyetje se?! Nuk kisha besuar asnjëherë se ti dyshon në mua!

- Edhe për mua nuk ishte pyetje e lehtë, motër e dashur, por vetë sjellja e tyre po më vë në dyshim. Po jemi si jemi, vëlla e motër. Nuk të jap për gjithë dynjanë... Tani sapo i pamë së bashku që të tretë. Si u sollën me ne. A e din ti çfarë babe kanë pasur, moj motra ime e dashur? Kishe kënaqësi kur rrije me te. Kishte qëndrim burrëror e ishte burrë fjale. Unë për vete e kam dashur shumë dhe kam pasur respekt të veçantë për të! Ishte kënaqësi të rrije me te. Krenohesha kur vinte në odën time... e këta trashëgimtarët e tij!? Nuk e di po gati asnjëri nuk kanë ngjashmëri me babën e vet.

Hana, me një buzëqeshje të lehtë e me fytyrën all, duke mos e fshehur buzëqeshjen që e mori kur e dëgjoj pyetjen e të vëllait, nisi ti tregoj për secilin.

- Të tretë i kam nisë e i kam rritë me rahmetliun. Po është një gjë tjetër interesante. Të parin, Gëzimin, e kam ndie të gjallë deri sa isha në stallë duke e mjel njërën nga lopët që i kishim atëherë...  Të dytin, Urimin, kam qenë duke pre dru në mes të oborrit, kur e dëgjova gjallë dhe e përjetova  lëvizjen e tij të parë... Ndërsa të tretin , Bardhin, me të tregu drejtë e me zemër të hapur, kemi qenë bashkë, gju më gju, me babën e tyre në odë duke biseduar për hallet e shtëpisë dhe, trakë, ai u ndie i gjallë. Me një kënaqësi të pa parë, e ndjeva lëvizjen e tij të parë!

Atë që e ndjeva gjallë kur isha duke e mjelë lopën, Gëzimin, i ka shumë merak kafshët shtëpiake. Ky tjetri, i dyti, për Urimin e kam fjalën, me kënaqësi pret dru, por edhe bënë mjeshtri me drutë që janë në oborr. Bënë bishta shati e sëpate, bënë edhe tërfurq, ulëse për neve anëtarët e shtëpisë, gdhend dërrasa e kështu me radhë. Nuk ndalet asnjëherë duke gdhend degë druri! Kurse Bardhi të gëzon kur e ke në odë! Në shtëpi është më i miri e më i maturi. E din kur dhe çka duhet folur.

Oh more vëllai im, po gishtat në një dorë janë, po nuk janë të barabartë! Ti mendo çka të duash, po para Zotit jam si kristali...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora