Mendime » Fetahu
Adil Fetahu: At Zef Pllumi - Rrno vetëm për me tregue
E hene, 02.01.2023, 07:57 PM
RRNO
VETËM PËR ME TREGUE
Kur mbrrijta në Shkodër, në
Kuvend të Arrës së Madhe, gjeta ata katër-pesë fretën; edhe ata u çuditën kur
shkova aty. Për ne, - thanë ata, - ashtë kohë e vështirë, prandaj mendou mirë.
-Betimin solemn, - u
përgjegja,- e kam ba për kohë të vështira e jo për bukë e mjaltë.
Në kuvend vorfnia kalonte
çdo cak. Shën Frnçesku vet ndoshta do të çuditej. Nuk kishim kurrnji të hyme
nga shërbimet fetare, se populli i frigsuem nuk shkonte në kishë. Çdo takim me
një meshtar katolik konsiderohej reaksionar, anmik, por edhe vetë e shkuemja në
kishë ishte (po nuk ishe i autorizuem) nji akt anmiqsor.
Superiori At Marin Sirdani
më thirri në odë të vet për dy fjalë. Ndigjo, more djalë, - më tha, - un e çmoj
vendosmëninë tande, por çdo gja ka masë; shka del jashtë mase është budallëk. E
kupton? Ti ke ardhë këtu në kohën ma t’keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e
sidomos na. Ktheu në katund, aty ku ishe, struku, mos fol, as mos i beso as
këmishës sate. Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë. Na pleqtë edhe
në ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni.
Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se
përndryshe njerzit do t’kishin me kenë gjithonë skllav të tiranve. Edhe kta do
t’vdesin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno
vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruan të tjerët,
mbarojmë na, mbaron edhe ti; të gjithë shkojmë si qeni n’rrush po nuk kje
dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë!
Nuk është fjala që po mbarojmë sot. E dijmë këtë. Na duhet të mbarojmë për
nesër e për shekujt e ardhshëm. E kupton këtë?
Fra Zef, unë jam sot për sot. Superior, por po të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm
për me tregue!
Mbas disa mintuash në nji
heshtje, unë fillova me i tregue jetën që kishem kalue atje në mal. Nuk asht
puna, i thash, te haeja, por strofulli im, i thash, atje nuk kishte kurrëfar sigurie:
i gjurmuem prej zagarëve e në shënjestër të gjuetarve. Nji njeri me shkollë në
katund nuk ka jetë; duhet të jesh analfabet që jetojsh. Vetëm në qytet
mund i bajsh dredha plumbit.
Edhe ai u mendua gjatë.
-Po, ke arsye: ashtu asht.
Do t’përpiqem me ba dishka. Mandej filloi e më tregoi gjendjen e vërtetë në të
cilën gjendej kisha në Shqipni.
- Kur kthei, më tha, - Enver Hoxha prej Moske duel nji
“Projekt-ligj mbi komunitetet fetare”. Porsa u botua ky, njerzit e qeverisë u
vunë në veprim dhe muarën kontakt me ne. Kur thomme ne, flitet për mue e për
Dom Ernesto Çoben. Gjon Jaku e mbron Dom Ernestin dhe mendon me i lshue në dorë
të tij të gjitha fatet e Kishës në Shqipni, mbasi ai asht nji njeri i butë, që
nuk mund t’i thotë “jo” kurrkujt, i thjeshtë dhe i pa eksperiencë dhe mendon se
me të Qeveria do të lozin si të dojë. Mirëpo, Tuk Jakova ka ardhë e asht takue
me mue. Unë atë e kam pasë nxanës në shkollën qytetëse – siç i thoshim dikur 6
klasave fillore. Asht kenë një nxanës
fukara i këputun. E çfarë notash mund të
priteshin prej tij, që nuk kishte kurr bukën e gojës me u ngi? Ti e din se na i
duam e i mbrojmë fukaratë. Unë si përgjegjës klase e kam kalue gjithmonë; atë
dhe tjerët. Pse, shkencëtarë do të baheshin ata me 6 klasë fillore? Unë i thash
Tukut se as unë, as Dom Ernesti nuk kishim gja në dorë, por vetëm Imzot
Bernardin Shllaku kishte këto kompetenca
me përfaqësue Klerin e Kishën, me firmosë akordet e marrëveshjet. Tuku në
nesret, bashkë me Qamil Gavoçin, që është kryetar i Komitetit Ekzekutiv, na
thirrën në zyrë të treve dhe Tuku na tha që Qeveria kërkonte vetëm një njeri të
autorizuem prej Kishës për me zhvillue bisedimet. Imzot Bernardini ashtu edhe
zëv.famullitari i Shkodrës, Dom Ernesti, më ngarkuen mue (At Marin
Sirdarin,v.j.) për me marrë kontakte me Qeverinë dhe me gjithë klerin, mbasi
marrëveshja ishte dypalëshe. Në takimin e parë që kam ba me Tukun i kam kërkue,
si provë të vullnetit të mirë, se don me të vëretë me ba nji marrëveshje rregulluese për të gjitha
çështjet fetare, i kam kërkue lirimin e një pjese të priftënve të burgosun, dhe
kthimin e disa tokave e ndërtesave që shteti i kishte marrë. Tuku më dha
premtime. U lirue nga burgu vetëm Dom Zef Bici, i cili ishte gjithnjë në
hetuesi e kështu i padënuem. Tash e me faljen e 29 Nëntorit 1949, kanë lirue
edhe At Rrok Gurashin, dom Ndoc Sahatçinë, At Marjan Prelën e At Leon Kabashin.
Sa për At Rrok Gurashin, ai dihet prej të gjithëve se është dorzue publikisht:
ka ba një gjygj si kanë dashtë këta. Na kanë turpunue. Për Dom
Ndocin flitet se edhe ai ka veprue keq. At Marjani ishte dënue tre vjet dhe i
kishin mbetë vetëm pak muej. Për At Leonin nuk dij shka me thanë.
Atëherë unë ia ndërpreva.
- Ndigjo, Patër Rroku e Dom
Ndoci, e din gjithkush se kanë dale me bajrak. Sa për Patër Leonin atë duhet ta
ketë kërkue P.Rroku për me u mshefë mbas tij, edhe mendon se me këtë do të
fitojë ndonji pikë, por besoj se nuk ia del. Pater Leoni asht shumë i mirë, por
ia len tehin mbarë gjithkuj; mos u ban merak për të.
- Shikjo, - më tha, - ndër këto dit ai projekt-ligj asht aprovue
si ligj edhe botue në shtyp. Asht një ligj i bamë enkas për ne katolikët; ata
kërkojnë që na të ndahemi prej Papës, ose përndryshej quhemi jashtë ligjit;
asht një ligj me të cilin duen me përligjë të gjitha krimet e bame deri tash
edhe ato të ardhmet. Un i kam thanë Tukut troç: na desim por prej Papet nuk
ndahemi!
- Je takue përsëri me Tukun?
– e pveta.
- Kam shkue në Tiranë në
shtëpi të tij; më ndali edhe për drekë, e kishte thirrë edhe nanën e vet që
rrin te Kola. Tuku asht baballëk: nuk ka sherr. Ai më parqiti nji projekt-statut
të Kishës Katolike të Shqipnisë. I dhash një sy: herezi fund e maje. E
pveta Tukun:
- Ndonji ortodoks e ka
përpilue këtë?
- Nuk e dij mirë, - më tha,
- por ata këshilltarët juristë të kryeministrisë.
- Nuk pranohet, - i thash.
- Menoju mirë! – më tha. –
Nuk është vetëm një fjalë goje.
- A mund të ketë komunistë
të vërtetë pa Moskën? Sikur të jeni pa Moskën, do t’ishit trockistë e titistë,
por jo komunistë. Nuk ka katolik pa Papë.
- Shko, më tha Tuku, - këtë fjalë do të ma thuesh
edhe ndër sy të tjerëve. Nesër n’ora 10 hajde në zyrë në Kryeministri. Qe këtë
letër, dhe më dha një pusullë që mos të më ndalonte kush.
Pak para se të delshëm prej
shtëpisë së Tukut, nana e tij më tha:
- Pater, a thue mundesh me
ma thanë një Meshë?
- E si jo, me gjithë qejf.
Por, kur bani me gjetë
paret, Tuku shtini dorën në xhep dhe më dha lëmoshen e i tha nanës së vet: leni
aty se i paguaj un.
- Jo, jo,- tha ajo, - ky
është njeti i em dhe më dha lëmoshën. Tuku atëherë tha:
- Kur vdiq baba, unë ishem tue luftue andej nga Korça e
Pogradeci dhe nuk mujta me marrë pjesë n’varrimin e babes. Unë nuk merrem me
kto punë, as nuk i dij, por detyrimet për prindët tanë as që mund të vehen në
diskutim. Ma së pari jemi njerëz, mandej komunista, - dhe i dha nanës së vet
lëmoshën e meshës që të ma jepte mue.- Po për udhëtim” – më pveti.
- Eh,pod p të marr nji
biletë.
- Qe paret e biletës; kto
hyjnë në shpenzime pune,- dhe më lëshoi në dorë një njimij lekshe. – Po të
paguaj, -tha, edhe ardhjen dhe hotelin për sot. Nesër nisesh?
- Po, nesër. - Në të
vëretetë nuk dojshëm me i marrë, e kishem të vështirë edhe me ia ktheye. Un u
gzova shumë për humanizmin e Tukut, por mendojshem edhe te fjalët që mund të
fliten se At Marini u kthye me pare prej Tukut. Unë nuk ia
ktheva; në të vërtetë ato janë nji shumë qesharake që nuk i nxjerrin as
shpenzimet e udhtimit.
Në nesre mora biletën për
udhtim mbasdite e ndërkaq me pusullën e Tukut u paraqita në Kryeministri. Aty
te telefoni dezhurn ishte nji vajzë që thurte me gjilpanë. Muer telefonin,
lajmoi, dhe mue më tha:
-Ulu shok aty, e prit deri
të thrrasin.
Unë nuk kishm dishir me u
ulë, por me ecë, se ishem në nervozizmin e pritjes
- Faleminderës, - i thash
asaj vajze, - por a kam leje të eci, se deri tash ishem ulun.
- Si të duesh.
Unë u vuna të lëviz n’at
hollin në fund të shkallve. Nuk ishte kurrnji tjetër që priste, përveç meje.
Ajo vajza shifej se ishte një fshatare e pagdhenun dhe nuk i njifte etiketat.
Lëvizja i lirshëm me nji nervozizëm të përmbajtun, kur ajo muer telefonin përsëri, më lajmoi që të
ngjitesha shkallve.
Në krye të shkallve më priti
nji njeri që më shoqnoi në koridorin e gjatë ku qëndronte nji ooficer. Shoqnuesi krisi në një derë, hini dhe lajmoi
ardhjen time. Në derë duel Tuku, më priti me përqafim. Kishte edhe dy persona
tjerë; m’i pezantoi. Ishin dy jurista këshilltarë të Kryeministrisë, ndoshta
ishin ata që kishin përpilue projekt-statutin e Kishës Katolike. U diskutue
rreth atyne pikave që për ne ishin të papranueshme. Në një çast të përshtatshëm
unë i përsërita fjalët të cilat ia kishem thanë Tukut një ditë përpara: se njashtu
si thoni ju se nuk ka komunizëm të vërtetë pa Moskën, ashtu thomi edhe na se
nuk ka katolikë të vërtetë pa Papen e Romës. Ata njiherë qeshën, por mandej
filluan me analizue këtë paralelizëm dhe mbrrijtën në konkluzionin se ky
përgjasim ishte vetëm në formën e jashtme, se përmbajtja ishte krejt e kundërt:
Papa i Romës përfaqësonte reakasionin e obskurantizmin, ndërsa Stalini –
revolucionin dhe përparimin e të gjithë njerzve. Aty vendosëm që unë të
mblidhshëm të gjithë klerin, ku të lexohej ky projekt-statut gjithashtu edhe
amendamenet që do të paraqiteshem unë n’emen të klerit. U kërkova që mos të
vinte ndonjë auktoritet qeveritar ose përfaqsues laik, sepse akordi në këtë
rasë e humbte vlerën juridike dhe
shndërrohej në një urdhën të vendosur me forcë. Edhe mbi këtë pikë, mbas shumë
propozimesh, ramë dakord që Kryeministria t’ia ngarkonte këto priftit të
Tiranës, posa të liruem prej burgu, Dom Zef Bicit, ose edhe Dom Mark Dushit dhe
kështu nëpërmjet tyne do të paraqitej mendimi qeveritar.
Kur u çuem, ata dy juristat
u nsën, ndërsa Tuku më vuni dorën mbi supe dhe më tha:
-Patër, e mundesh me ardhë
me mue e me i përsëritë edhe një ato fjalë?
-Po te kush?
-Shif, aty asht shoku Enver.
Hajde të shkojmë.
-Jo, - i thash.- Të lutem
mos më dergo te ai.
-Po kjo ka randsi të madhe
Pater!
-Tuk, të lutem! Nuk mundem.
Fol ti vetë me te. Un nuk mundem.
-Pater Marin, po ai i ka të
gjitha në dorë. Hajde, fol!
-Tuk, më fal: në kjoftë se
bahet vetëm si do ai, le të desim: tash
jemi plakë. Le të desim. Un nuk due me e pa!
…
__________
Fragment
nga libri i kujtimeve të At Zef Pllumit: “Rrno vetëm për me tregue”
(libri I, botoi: Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta” – Kolana e
Shkrimtarëve Françeskanë, Shkodër, 2020).
Zgjodhi për ju, Adil FETAHU
Titullin
këtij fragmenti ia vura unë, sipas titullit të librit dhe përshtatur
përmbajtjes së fragmentit, se në liber e
ka titullin: “Në gërmadhat e Kishës”.
“Rrno vetëm për me tregue” ishte “urdhëri” i Superiorit At Martin Serdani, që
ia kishte thënë At Zef Pllumit, në vitin 1949, sapo ky i fundit ishte liruar
prej burgut dhe ishte lajmërue në Shkodër, për të vazhduar shërbimin e klerit.
Libri ka shumë e shumë tregime tjera më interesante e rrënqethëse, për vuajtjet
në burg dhe në punë të detyrueshme, por e zgjodha këtë fragment për t’ua
sqaruar lexuesve si prej nga i paska mbetur titulli: “Rrno vetëm për me
tregue”, që ka domethënie të thellë.
Ju
preferoj lexuesve, ta lexojnë kompletin e tre librave të At Zef Pllumit: “Rrno
vetëm për me tregue”.