Sport » Legjenda
Gjekë Marinaj: Biseda ime me Pele
E premte, 30.12.2022, 07:54 PM
Nga biseda ime me PELE (Edson Arantes do Nascimento)
Nga
Gjekë Marinaj, Texas 1994
Më
23 tetor të vitit 1940, Tres Coracoes, fshat i vogël ky në shtetin Brazilian të
quajtur Minas Gerais, nuk e festoi fare ditëlindjen e djalit të futbollistit
Joao Romos do Nascimento, ose Dondinho, po të përdorim emrin me të cilin ai
njihej në botën e futbollit. As Dondinho as Celeste (prindërit e Peles) nuk e
dinin se në atë ditë tetori ata i dhanë jetë ndoshta futbollistit më të mirë që
ka njohur bota deri në ditët e sotme. Për ta do të ishte më pak e vështirë të
mendonin se djali i tyre një ditë do të ishte një lustrues këpucësh i
shkëlqyer. Sepse, në fakt, Lustrues këpucësh ka qenë puna e parë e Peles (Edson
Arantes do Nascimento). Por ajo punë nuk do të zgjaste shumë për yllin e
futbollit botëror. Sepse tek luante me disa nga skuadrat amatore si Baquinho,
Sete Setembro dhe Ameriquinha, ish lojtari i mirënjohur brazilian Waldemar de
Brito zbuloi Pelen, 11-vjeçarin, që pas fare pak vitesh do të fillonte të
ngrinte peshë zemrat e tifozëve të futbollit në të gjithë botën.
Gjekë Marinaj: Çfarë
ndryshimesh emocionale shikoni tek vetja, nga koha kur ishit duke hyrë tek
ëndrra e futbollit, duke e përjetuar atë, dhe tani që jeni në të dalë prej saj?
Pele:
Ju e thatë në një mënyrë të re për mua. Po. Është e vërtet se unë e kam kërkuar
disi me ngut gjendjen tek ëndrra
futbollistike si dhe përjetimin e saj. Po kaq e vërtetë është se jam duke dalë
prej saj. Ajo që akoma nuk më besohet është pikërisht largimi fizikisht nga
fusha e futbollit. Në këtë aspekt do të dëshiroja që koha të më trajtonte më
mirë. Kohës, asnjëherë nuk ia kam pëlqyer bërrylat e saj të mërzitshme, atë
forcën shtytëse, atë plakjen graduale që të jep… Megjithatë, koha – kjo gjyqtare e drejtë pa flamuj e bilbile
arbitrimi, më bindi se isha dhe mbetem një njeri i zakonshëm në shumë kuptime.
Ajo po ashtu më bindi se, fare mirë, i duhej lëshuar vendi në fushë një
ëndërrimtari të ri, ashtu siç ma patën lëshuar vendin edhe mua idhujt e mi të
futbollit Brazilian.
Gj. M: Po të pyesësh
njerëzit e zakonshëm, tifozët e tu, shumë prej tyre do të dëshironin të kishin
të paktën një ditë jetë nga jeta tuaj. Si do e përshkruanit ju jetën e tuaj?
Pele:
Kam kaluar një jetë të bukur, nisur nga ato që kam kërkuar prej saj.
Eksperienca që kam pasur si futbollist është e papërsëritshme. Shpesh kam
fjetur në divan me një top futbolli në vend të jastëkut, kur isha fëmijë, dhe
jam zgjuar me lehtësinë shpirtërore më të madhe. Shpesh e kam ndier veten se
jetoj në një univers të ndërtuar veçanërisht për mua. Por, nga ana tjetër, jeta
ime e deritanishme i ka ngjarë edhe një orteku, i cili formohet nga zeroja me
dëshirën për t’u rritur, duke shkatërruar shumë gjëra që i dalin përpara. E kam
fjalën për ato gjëra të bukura që shijon një fëmije apo njeri i zakonshëm. Pra
sakrifica që kam bërë, që të jem plotësisht në shërbim të formimit tim si
futbollist, natyrisht, e ka bërë të vetën kur është fjala për qejfet personale,
përveç atyre që të sjell jeta e sportit. Sot, gjendem i ndaluar, si orteku që thashë
më lart, në fund të rrotullimit ku gjatë shkrirjes do të dalin më dukshëm në
pah ato që kam thyer dhe marrë me vete gjatë jetës sime të deritanishme, e cila
gjithmonë ka qenë në rrotullim e sipër.
Gj. M: Janë krejtësisht
të besueshme ato që thoni. Them kështu duke pasur në mendje fillimet e jetës
tuaj si lustrues këpucësh. Domethënë, ju keni kaluar nga njëri ekstrem te
tjetri. Ky mendim më çon te një pyetje tjetër, të cilën nuk e kam në listën e
pyetjeve që kisha përgatitur të bëja. Kur ktheni sytë nga fëmijëria çfarë
sjellë imazhi i saj tej ju?
Pele:
Në atë kohë ndoshta do të kisha kërkuar edhe më shumë prej fëmijërisë. Ngaqë
fëmijët nuk ngopen kurrë me lodra, lojëra, vizita turistike etj. Por sot, sot
nuk do të ndryshoja asgjë. Bukuria e fëmijërisë sime qëndron te surprizat dhe
njohja e jetës së vërtetë. Jam shumë i lumtur që nuk jam rritur si “çun
mamaje”.
Gj. M: Nëse dikush do ta
meritonte epitetin “Pele i dytë” kujt do t’ia pagëzonit pa derte këtë epitet?
Pele:
Çdo ndeshje futbolli që shikoj, e shikoj me sinqeritetin e një fëmije. Shpesh
herë gjej futbollistë si Maradona e Bebeto, të cilët së bashku me topin lëvizin
edhe çehren e fytyrës time, më tërheqin dhe më shtyjnë sa tek njëra portë tek
tjetra duke më zhytur thellë në emocione. Nga ky këndvështrim shoh që futbolli
është ai qiell në bukurinë e të cilit yjet janë art-plotë në botën e tyre
individuale, pa qenë nevoja t’i krahasojmë me njëri-tjetrin. Që të dal direkt
te pyetja juaj, për mendimin tim, nuk do të ketë kurrë një Pele të dytë; mund të
jenë më të mirë apo më të dobët, por jo një “Pele” tjetër...
Gj. M: Kampionati
Botëror i Futbollit ’94 do të fillojë garën në javën që vjen. Kush mendon se do
e fitojë atë këtë herë?
Pele:
Sikur ta dija do të ishte një gjë e mirë. Megjithatë ua kam frikën befasive.
Skuadrat Evropiane gjithmonë bien gjëra sa të bukura aq edhe tronditëse
(sidomos për ne tifozët braziliane) në takime të rëndësishme siç është Kupa
Botërore e Futbollit. Po të ma bëje pyetjen se kush do të dëshiroja të fitonte,
natyrisht, do të përgjigjesha që dëshiroj të fitojë Brazili. Porse kush do të
fitojë... Megjithatë, shpresoj të shohim një ekip që do e meritojë vërtet Kupën
e Artë nga të gjitha pikëpamjet. Më pëlqen shumë pastërtia në futboll.
Gj. M: Pothuajse të
gjithë sportdashësit shqiptarë dinë diçka për ecurinë tuaj në jetën e sportit.
Po ju, a dini diçka për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Pele:
Duhej të dija më shumë. Megjithatë, njoh Nënë Terezën, të cilën e admiroj
shumë. Po ashtu kam lexuar diçka edhe nga Kadareja. Për sa i përket futbollit
shqiptar, do të thosha se ka mundësi më të mira tani pas rënies së komunizmit.
Nuk duhet harruar, ama, se niveli ekonomik i një vendi ka të bëjë direkt me
nivelin e sportit të tyre. Shqipëria akoma nuk e ka marrë veten si duhet. Uroj
që në një të ardhme të shkurtër edhe futbolli shqiptar të jetë i nivelit më të lartë evropian.
Ps. Këtë intervistë me Pelen e pata zhvilluar në Teksas,
gjatë vizitës se tij zyrtare në prag të Kampionatit Botëror të futbollit 1994.
Edson Arantes do Nascimento - Pelé (1940-2022)