Kulturë
Syrja Etemi: Shkupi dardan në dritëhijet e dokumenteve të kohës së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene
E shtune, 03.12.2022, 08:24 PM
SHKUPI DARDAN NË DRITËHIJET E DOKUMENTEVE TË KOHËS SË MBRETËRISË SERBO-KROATO-SLLOVENE
Shkruan:
Syrja Etemi
Në disponim të atyre pak burimeve të shkruara në gjuhën shqipe për kryeqendrën
e Republikës së Maqedonisë së Veriut - Shkupin, në cilësinë e pasionantit të
“mësueses së jetës”, në këto ditë torturuese të karantinës, do të pretendoj të
shkëpus pak kohë e t’u qasem shkrimeve
të autorëve të huaj në lidhje me të kaluarën
e këtij qyteti sa të zëshëm, po aq edhe të mbuluar me aureolën e
vagëllimtë e pështjellues. Kësaj radhe do të vë në spikamë disa dëshmi
materiale e të shkruara, që kanë të bëjnë kryesisht me Shkupin tonë të
“hazdisur”, përkatësisht në kryeqendrën e lashtë dhe të re që kundërmon aromë
dardane. Ajo që më ka rënë në dorë dhe që më ka lënë mbresa në përshkrimin dhe
prezentimin e të dhënave për këtë qytet, janë burimet që dalin nga literatura
serbo-kroato-sllovene që, për lajtmotiv kanë Shkupin. E, unë në këtë rast do
t’i azhurnoj e ezauroj dy prej tyre:
“NARODNA ENCIKLOPEDIJA” – Srpsko – hrvatsko - slovena?ka, 1925 dhe “TURSKI SPOMENICI U SKOPLJU” - GLIšA
ELEZOVI?,1925. Me këtë rast nuk do të lëshohem në vlerësimet dhe kualifikimet se, a janë ato shkrime të
vërteta apo jo, a i nënshtrohen metodologjisë dhe vërtetësisë së saktë
shkencore apo jo, por do të pretendoj që lexuesit shqiptar t’i ofroj materiale
të cilat mendoj se do të jenë me interes, sepse, që në fillim iu përmbajtja primesës: “Detyrë imja është ta
them të vërtetën e, jo t’i detyroj të tjerët të besojnë në të.” E, në këtë rast
e vërteta është se shkrimet e eksploruara janë origjinale e të akceptueshme,
ndërsa për përmbajtjen dhe vërtetësinë gjykoni vet…
Në shkrimin e parë
enciklopedik, kështu shkruajnë shkrimtarët:
“SHKUPI, kryeqendër
e Serbisë Jugore, seli e qarkut të Shkupit, gjendet në veriperëndim të rajonit
të Fushës së Shkupit, dhe është i shtrirë në brigjet e Vardarit aty ku
bashkohen Treska dhe Lepenci. Numëron 9.130 shtëpi me 69.269 banorë. SH. ka
kryesisht pozitë të rëndësishme gjeografike. Gjendet në mes të qarkut dhe në
vet Gadishullin Ballkanik, në arterien kryesore transballkanike dhe
vardaro-moravase, me të cilën këtu kryqëzohen edhe shumë rrugë tjera dytësore.
Shtrihet në një tokë shumë të gjërë e pjellore, që bën bereqet të bollshëm edhe për vendbanimet dhe rajonet përreth tij.
Për këtë, Sh. me këtë pozitë dhe pasuri mbetet një qendër e madhe kulturore,
bujqësore dhe politike.
SH. paraqitet në
epokën e parë historike të Siujdhesës
Ballkanike si kryeqendër e fisit ilir të Dardanëve. Është quajtur: S c u p i
, sipas të cilit ka mbetur edhe emri i sotëm i sllavizuar; por edhe nga emri i
lashtë dardan i këtij qyteti, që fare pak ka ndryshuar. Sh k u p, dëgjohet
edhe sot tek Arbanasët…”
Pra,
kjo paraqitje e fakteve për Shkupin si kryeqendër e fisit ilir të Dardanëve e
kështu me radhë, deri te realiteti apodiktiv se theksimi i tij nga shqiptarët
me emërtimin shqip: Sh k u p - është
mjaft indikative, fakte këto të cilët i anashkalon dhe shtrembëron
historiografia sllavo-maqedonase edhe
pas eksplorimit të dekadës së parë dhe të dytë të këtij shekulli, ku
historianët tanë shqiptarë - vazalë të pushtetarëve ku participojnë edhe partitë
tona politike, vazhdojnë gjumin dhe kllapinë e thellë, mu ashtu si kanë qejf
dhe i drogojnë padronët e tyre.
Të
vazhdojmë më tutje shfletimin e enciklopedisë:
“Në
fund të shekullit para Krishtit, bëhet kryeqytet i Provincës romake Dardania.
Me romanizimin e popullatës rezidente, shumica e qytetarëve të Sh. kanë qenë
veteranë të luftës. Shkupi dardan dhe romak është shtrirë në pjesën më të madhe
të qytetit të sotëm, në fushën ndërmjet fshatit Bardhoc dhe Zlokuçan aty ku
Lepenci derdhet në Vardar. Kështu në Shkupin e përparuar romak gati deri në
themel të shkatërruar nga tërmeti i vitit 518 pas Krishtit, sot akoma mund të
gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër-dhe me një mihje të vogël, sidomos në
Fushën e gjërë të Bardhocit, mund të zbulohen. Deri më tani këtu janë zbuluar
dhe eksploruar disa ndërtime romake dhe në muzeun e Shkupit janë ekspozuar disa
sarkofagë dhe gurë arkitektonikë.
Në vendin e Sh.
antik, perandori bizantin Justiniani I (527-565) ngriti Sh. e ri, të cilin e ka locuar në anën e majtë të
brigjeve të lumit Vardar në pjesën më të
madhe të Seravës, ku gjindet edhe sot. Justiniani e ngriti Sh. deri në
kulminacionin e qytetit perandorak duke e quajtur atë Justiniana Prima II. Në
të e vendosi selinë e vetadministrimit arqipeskopal me të njëjtin emër, e në të
cilin ka përfshi edhe pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik.
Justiniana
si kompleks arqitektonik, është i gjallë
dhe me pozitë të volitshme ushtarake, gjithashtu - me ujësjellësin e përkryer
urban, i murosur me një stil të admirueshëm bizantin, me rathë ornamental të
tullave dhe gurëzve të radhitur në muret që përshkojnë tërthorë Ultësirën e Thatë, në veriperëndim nga
qyteti, mbas kazermës së sotme ushtarake, dhe që përbëhet nga 55 abazhure
lustrues të shtyllave të larta, që mbajnë edhe kanalin e ujësjellësit që në
mbarë Sh. e sjellin ujin që nga bjeshkët e largëta të Malit të Zi. Shkupin
Justinian përshkruesit historikë e paraqesin si qytet të madh perandorak e të shëndritshëm, kurse pak më vonë me
ndryshimet që pësoi, emri i bukur i tij
sikur zuri të zbehet.
Sllovenët
filluan të paraqiten nën muret e Sh. aty kah fundi i shekullit 6 (gjashtë).
Kështu ata filluan të plaçkisnin, dhe pas shumë atakimeve dhe luftërave të shumta gati njëshekullore,
në fund të shekullit 7 (shtatë) pushtohet dhe në të u vendosën përfundimisht.
Pas një periudhe të bujshme prej tri shekujsh Sh. krejt nga fillimi i shekullit
9 u zhvillua në paqë, si një seli e re bizantine në Povardarje. Nga kjo
periudhë e fundit e administrimit bizantin në Sh. slloven i rëndësishëm është
manastiri Shën Pantelejmoni në fshatin Nerez, në Malin Vodno pas Sh., i ngritur
në vitin 1164 si varosh i një shenjtori nga familja perandorake bizantine e
Komnenëve.
Më
vonë Sh. pas pak kohe i bashkangjitet shtetit serb të Rashkës në kohën e Stefan
Nemanjës (1189), ai madje pas një shekulli përfundimisht i bashkangjitet
Sërbisë së Vjetër - në fillim të qeverisjes së mbretit Milutin (1282 deri
1321). Sh. që atëherë shumë shpejtë bëhet kryeqytet i shtetit serb. Mbreti
Milutin ndërtoi shumë manastire: Shën Mëria Trinia, Shën Gjergj Shpejti, Shën
Konstantini dhe Shën Jovani. Sidomos është i njohur manastiri i Milutinit, Shën
Gjergj i Shpejti, i cili gjendet në Seravë, në malin Verpin karshi qytetit. Ka
qenë i mbushulluar dhe pasuruar nga mbreti dhe rrethina e Sh. dhe ka shërbyer
edhe për fqinjët e rrethinës. Sh. në këtë kohë shndërrohet edhe në një
kryqendër të gjallë tregtare, ku panairin (vasharin) e tij e vizitonin
tregtarë vendasë, por edhe të huaj si:
Serb, madje edhe grekë, Shqiptarë, Vllehë, bullgarë dhe latinë (Raguzianë apo
Dubrovnikasë (S.E.), Dallmatinasë, Mleqiçë). Në Sh. gjendej edhe oborri i
mbretit Stefan Deçani (1321-1331).
Sidoqoftë,
përparimin më të vrullshëm Sh. e arrin në kohën e Car Dushanit (1331-1355). Në
fronin e tij “ në qytetin e shndritshëm dhe mbretëror Sh.”, me aktin (16/4)
1346 u kurorëzua vet mbreti Dushan si
mbret i parë serb, përderisa paraprakisht, në të njëjtin vit në Kuvendin
shtetëror në Sh. arqipeshkvia serbe shpallet për patriarkanë. Këtë vit Dushani
në Shkup i pasuroi edhe manastiret në Malin e Shenjtë apo Sv. Gora (Hilandar,
Esfigmen, Vatoped etj.). Një vit më vonë në Sh. u themelua mitropoliti “ i
fronit të parë Shën Trinia të qytetit të përshkënditur Sh. në vend të mitropolisë
së vjetër.” Car Dushani ka patur oborrin e tij” nën Sh.”, edhe atë në anën pas shpine të qytetit të Sh. - në Çahri”,
madje në anën lindore të kështjellës, në bregun ku janë xhamija e Sulltan
Muratit dhe Sahatkulla. Në kuvendin shtetëror në Sh. që u mbajt në maj të vitit
1349 u soll Zakoniku i Dushanit, vepër e rëndësishme e rregullimit të brendshëm
shtetëror të mesjetës. Në Sh. kanë patur fronin edhe mbreti Urosh (1355-1371) si dhe mbreti Vuk
Brankoviç (1377) e më vonë edhe Kraleviç Marko. Përkrah shumë manastireve në
rrethin e Sh., e veçanërisht në Malin e Zi, këtu më të njohur janë ato të
Mrnjaçeviçës: Manastiri i Markut, Shën Dhimitri në Sushicë dhe manastiri
Andreash: Shën Andria i Pari andej
Matkës - në Treskë.
Përderisa
në faqet e kësaj enciklopedie stisen të dhëna që glorifikojnë historinë e
“kohës së artë” të Shkupit e që ekskluzivisht
më tepër i atribuohen asaj që ka të bëjë me protagonistët sllavë, në
vazhdim do të shpalosim disa shënime tjera nga autorë tjerë që shkruajnë e flasin
për Shkupin, sidomos ato që kanë të bëjnë me ngjarje e ndodhi që i përkasin
periudhës osmane, e ku në veçanti jepen dëshmi mjaft indikative, sidomos për arqitekturën e stilit osman të Shkupit,
me ç’rast do të veçoja këtu disa shënime të autorit, Dr. Gliša Elezovi? në librin: “Turski spomenici u Skoplju” që flasin drejtpërdrejtë për një monument
kulti mjaft provokativ e mbresëlënës, si që është Burmali Xhamia.
Ky pasus është i
përkthyer nga Dr. Gliša Elezovi? në
librin: “Turski spomenici u Skoplju”.
Ja përkthimi në
gjuhën serbo-kroate:
Në pamundësi të
sigurimit të përkthimit direkt nga origjinali, punë e së cilës mbetet të bëhet
nga specialistët e orientalistikës, do të mundohem që t’i qëndroj besnik përkthimit
nga gjuha që përmenda më lartë:
“Kjo
xhami, për hir të Zotit që krijoi
gjithësinë e që mëshiron dhe falë mëkatet, ndërtohet nga Mehmet beu, prijatar i luftëtarëve për fe, të
cilët nënshtruan mushrishët (të pafetë) dhe (qafirët) devijuesit e fesë.
O,
Zot i madhërishëm që je ndër mëshiruesit më mëshirues, Ti neve na mëshiro! Të
falëmnderojmë që na mundësove ta
përfundojmë këtë bina në muajin zilhixhe të vitit nëntëqind të hixhrit!”
(D.m.th. muaji korrik i vitit 1495).