Kulturë
Gjon Keka: Përvjetori i lindjes së Dardanit dhe Europianit të Madh - Dr.Ibrahim Rugovës
E premte, 02.12.2022, 07:53 PM
Përvjetori i lindjes së Dardanit dhe Europianit të Madh - Dr.Ibrahim Rugovës
Nga
Gjon Keka
Dr.
Ibrahim Rugova ishte njeri-lider transformues, krijues dhe hartues i peizazhit
të përgjithshëm politik të vendit, gjë që i hapi rrugë mendimit, vlerësimeve
pozitive dhe ndryshimeve të dobishme në rrugën e ndërtimit të shtetit dhe
institucioneve të saj të ligjshme, si dhe të njohura ndërkombëtarisht, por edhe
të mbështetura nga demokracitë dhe ekonomitë e vendeve moderne më të zhvilluara
e me ndikim të madh në botë.
Në
sajë të gjithë kësaj, duhen vënë në pah disa nga vlerat e tij tejet lartësuese
të një politikani të shkëlqyer: durimi, aftësia dhe lidhshmëria rrënjësore me
paraardhësit tanë të vërtetë si dhe me kulturën shpirtërore e materiale të
kombit shqiptar. Presidenti Rugova ishte një njeri-lider brilant, me parime të
larta,elokuent, i durueshëm dhe mobilizues i përkrahësve të tij, por edhe i
popullit, nëpërmjet kujdesit dhe bashkëveprimit në përpjekjet e gjata të
proceseve historike të popullit të Kosovës, deri në çlirimin e saj e në
pavarësi.
Me
anë të kësaj ai tregoi se ishte një ndërmjetës shumë i aftë mes vullnetit të
popullit dhe komunikimit apo çuarjes së çështjes së Kosovës nëpër kanale diplomatike
ndërkombëtare dhe vendimmarrëse. Durimi i presidentit Rugova ishte themeli
moral i personalitetit të tij dhe i karakterit prej njeriu-lideri të lindur,
ndërsa në rrafshin politik durimi ishte arma më e fuqishme për ta çuar para
drejtësinë e të vërtetën, duke lëvizur në drejtim pozitiv të ardhmërisë së
popullit të Kosovës, si dhe proceseve të drejta të historisë, në përgjithësi të
kombit shqiptar, nëpërmjet faktorizimit të tij në Gadishullin Ilirik.
Kështu,
aspirata, thirrja, misioni, durimi dhe vizioni i presidentit e lidershipit
Rugova u mishëruan dhe u bënë dora ndihmëtare e historisë gjatë përpjekjeve të
vazhdueshme të popullit për liri, demokraci dhe pavarësi. Një lidership i
vërtetë me të gjitha cilësitë dhe virtytet e tjera të domosdoshme duhet të ketë
edhe këto dy cilësi e virtyte themelore të politikës, durimin dhe këmbënguljen,
në rrethana të përgjegjësisë historike dhe vendimmarrëse të kombit të tij.
Një lider vizionar dhe një Dardan i Madh sikur ishte presidenti historik Rugova janë të rrallë, që gërshetojnë në veten e tyre shpirtin atdhetar e themeltar dhe shpirtin europian.