E premte, 03.02.2023, 09:31 AM (GMT)

Faleminderit

Selman Etemi: Monsinjor Dr. Zef Oroshi intelektual i përmasave gjithëpërfshirëse kombëtare

E shtune, 26.11.2022, 07:58 PM


MONSINJOR DR. ZEF OROSHI INTELEKTUAL I PËRMASAVE GJITHËPËRFSHIRËSE KOMBËTARE

NGA SELMAN ETEMI

Figurat e ndritshme të kombit na janë dhe i kemi përgjithmonë vlerë të pamohueshme themeltare dhe identifikuese kombëtare, e sidomos të tillët që me intelektin dhe përgatitjen e tyre edhe shpirtërore i dhanë shoqërisë mundësinë e prosperimit dhe të të qëndruarit vertikal dhe besnik ndaj mostjetërsimit ideologjik dhe kombëtar. Pa të tillët intelektualë e idealistë të përbetuar kombi do përjetonte vështirësi rrethanore edhe më të vështira, nëpër të cilat kaluam më shekuj si etni kastriotike. Mirëpo, kjo shtresë intelektualësh, e që kombi i kishte pararojë më besnike, ishte më e përndjekura dhe e përsëkutuara, që fatkeqësisht pos armiqëve shekullorë krah së keqës ishte edhe sistemi komunist, i cili përndiqte, burgoste por dhe likuidojke bijtë më të çmuar të kombit. Dhe, me plot të drejtë mund të thuhet se, ruajtja e identitetit tonë pashkëputshëm nga trungu arbëror është vlera e pamohueshme e intelektualëve nacionalistë siç na ishtë edhe Monsinjor Zef Oroshi, i cili prej një intelektuali të pathyeshëm dhe shërbëtori shpirtëror, mbeti në përjetësinë e kombit.

Mirdita si burim i shumë vlerave për komb dhe atdhe, lindi, rriti dhe e krijoi nacionalist Mons. Zef Oroshin, që, përkundër përsëkutimeve dhe përndjekjeve, vetemsa e bënë edhe më këmbëngulës në përballje të drejtpërdrejt me armikun por dhe ndaj ideologjive imponuese.

Trimëria dhe besa shqiptare si virtyt i pandashëm mirditor, te Mons. Zef Oroshi që në fëmijëri kishin ndikuar në formimësinë e tij prej një nacionalisti të përbetuar, që në vijimësinë e të cilit u realizuan në përpikshmëri. Ai përgjatë gjithë jetës së vet u dëshmua mirditori thuaja më i spikatur dhe kundërshtues i pathyeshëm ndaj sistemeve dhe qarqeve antikombëtare, e gjithsesi, edhe atyre që qëllim kishin zhbërjen ideologjike e konfesionale rrënjësore shqiptare.

Në vitet e pjekurisë në moshë, u dëshmua edhe për luftë të drejtpërdrejt për çlirimin e vendit nga hordhitë sunduese qofshin ato okupuese apo ideologjike të sistemeve të kohës, por këtu Zef Oroshin e kishim të veçantin që, edhe me pushkë në dorë i doli në mbrojtje kombit dhe atdheut të vet.

Ky atdhetar i skalitur me flakën e pushkësh dhe kurrë i gjunjëzuar, ishte simboli edhe i përbashkimit ndërshqiptarë. Me edukatën e vet, por edhe me gatishmërinë dhe aftësinë ndikuese që kishte, mblodhi rreth vetes shumë nacionalistë shqiptarë më të spikatur.

Eruditi Mons. Zef Oroshi edhe pse i përndjekur dhe i larguar me dhunë nga vendi i gjenezës, reflektoi atdhetarizëm të pashoq për kombin e shumëvuajtur me shekuj.

Në vitin 1951, regjimi komunist i asaj kohe, pasiqë e survejonte dhe e përndjekte, e detyroi që me padashjen e tij, ta lë vendlindjen dhe të migrojë jashtë atdheut, për të cilin dha shumë. Kjo ndodhi pas pushtimit komunist të vendit, sepse Mons. Zef Oroshi çmohej nga Sigurimi i shtetit si njeriu me rrezikshmëri të madhe, dhe doemos përpiqeshin që ta arrestonin e mëpastaj edhe ta likuidonin.

Kohën përsa ishte i vendosur në teritorin jugosllav, por edhe në disa qytete të Daradnisë, e shfrytëzoi për ngritjen e tij studimore ideologjike dhe profesionale, të cilat mëpastaj për disa kohë i vazhdoi edhe në Itali, derisa edhe e përfundoi Doktoraturën si teolog, titull ky i dëshmuar me plot sukses në përiudhat e mëpastajme si meshtar i komunitetit shqiptar gjithandej.

Më vonë (1962) koha e sjell me vendosje  në SHBA, dhe menjëherë me autoritetin e tij prej një intelektuali nacionalist i përbashkoi shqiptarët, që me angazhimin e përbashkët t’i kontribuojnë të mirës kombëtare edhe në këtë tokë të largët.

Mons. Zef Oroshin e ndeshim si themeluesin e parë të Kishës së parë shqiptare katolike “Zoja e Shkodrës” në SHBA, faktikisht në New York, të cilës i shërbei me plot përpikëri dhe duke i përfshi rreth saj pjesë të madhe mërgimtarësh shqipterë. Edhe këtu na u dëshmu teologu dhe nacionalisti më i përbetuar i së mirës rrënjësore kombëtare, se krijoi dhe thelloi unifikimin e shqiptarëve nga të gjitha viset etnike, e që jetonin dhe vepronin në këtë mes. Një bashkëpunim shumë të vaçantë kishte me emrat më eminentë shqiptarë, që aktivitetin kombëtar e kishin ngritur në qarqet më të larta edhe në SHBA, për të cilët u bë krah i pashkëputshëm gjatë gjithë veprimtarisë së tij.

Në shumë faqe shkrimesh por dhe dëshmi gojore, ndeshim të dhëna bashkëpunimi të këtij poligloti me shumë dijetarë e prijës kishtarë dhe të tjerë, që për qëllim kishin edhe senzibilizimin e çështjes shqiptare, por gjithsesi edhe çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike.

Po veçojmë pakë emra nga shumë të tjerë, që kishin bashkëveprim dhe shkëmbim ideshë dhe korrespodenca: Halim Begenë, Xhevat Kallajxhiun, Rrok Malokin, Marash Ndoc Shkrelin, iman Isa Hoxhën, episkop Stefan Laskon, prof. Rexhep Krasniqin, Baba Rexhepin* e shumë të tjerë, emra këta që zënë vend në faqet e novelës së Mons. Zef Oroshit “Çohaja”.

Dhe, mund të themi se, të rrallë na janë këta trima të dëvotshëm, që përkrah shërbimeve edhe fetare të shquhen për veprat madhore shumëdimensionale në të mirën kombëtare. Këtë e bëri në mënyrën më të përsosur dhe shumë shembullore, por edhe jo pa  sakrifica dhe vështirësi që e përcillnin Mons. Dr. Zef Oroshin në çdo etapë kohore dhe vepruese.

Emri i këtij intelektuali me plot vlera kombëtare na është figura në mesin e më të shquarve dhe të dalluarve në historiografinë kombëtare, për të cilin u shkruan studime e monografi gjithëpërfshirëse për jetën dhe veprën e tij. Gjithashtu, mediumet më prestigjioze në trojet etnike shqiptare dhe në diasporë kanë shkruar më mijëra faqe studimi e prezantimi. Po t’i numërojmë na është e pa mundur, por po veçojmë disa emra që figurën dhe veprën e Mons. Zef Oroshit e bënë të shndritëshme dhe, sot e kemi në historiografine kombëtare si pjesë që i shton krenarinë Mirditës dhe mbarë trojeve shqiptare, si: Tomë Mrija, Leonora Laçi, Klajd Kapinova e shumë studiues e historianë të tjerë. Këta studiues reflektojnë dëshmi mbështetëse faktografike për figurën e Mons. Zef Oroshit; për vuajtjet, sakrificën, por edhe nga ana tjetër me një kujdes dhe mbeshtetje analitike na e prezantojnë si analitik, teolog të epur, filozof të përmasave shumëdimensionale, podagog i të gjitha shtresave, humanist e përbashkues i të gjithë faktorëve për kohën dhe rrethanën e çmuar për veprim, letrar e përkrahes i emrave më eminentë të asaj kohe, të cilët bënin gjithë të mundurën që kombi të prosperojë, dhe, njëherë e përgjithmonë të dilet nga zgjedha sundimtare, e cila përmbyste dhe kishte ngulfatur çdo burim që çonte kah prosperimi dhe e drejta shërbëtare ideologjike e konfesionale.

Studiuesi Tomë Mrijaj, i dalluar nga shumë të tjerë, emrin dhe veprën e Mons. Zef Oroshit na e ofron për lexuesin dhe gjithë të tjerët, me një konkretizim shumë real dhe tej mase bindës e bazik, në mbështetje faktografike. Publicisti, studiuesi dhe botuesi i shumë shkrimeve dhe dëshmive për kontaktet e drejtpërdrejta me këtë perlat tejet të ngritur intelektualisht, na e prezanton në mënyrën më origjinale dhe komplete, duke përfshi: luftën me armë në dorë bashkë me bashkëluftëtarët e vet, si shërbëtor shpirtëror i Kishës dhe prijës i besimtarëve; psikolog i përmasave të thella, me një publicistikë gjithëprfshirëse për figurat më me peshë kombëtare dhe konfesionale krishtere dhe më gjerë, letrar e përkthyes i dëshmuar me plot vepra shkrimore e letrare, si korespodent me vendin e origjinës, përbashkues të mërgatës aty ku jetonte dhe vepronte, shpirtmirë e shumë human, mendjemprehtë e i kompletuar me një diapazon diturishë shkencore, e gjithsesi kooperues e integrues i mergarës shqiptare në SHBA, por gjithsesi duke e ruajtur lidhshmërinë e tyre me gjenezën dhe vendlindjen. Veprimtaria e këtij eruditi ishte një ekspoze e shumë figurave më brilante të kombit, duke i prezantu ata bashkë me veprat e tyre në mënyrën më konkrete, bindëse dhe reale.

Pra, për të gjitha këto, studiuesi Mrijaj na del referuesi dhe përshkruesi më origjinal i kësaj figure emblematike fetare e kombëtare, se besueshmërinë e kësaj na bën pandashmëria e tij me Mons. Zef Oroshin, me të cilin një pjesë të aktivitetit dhe të përditshmërisë e kaloi me këtë elitar të pathyeshëm përgjatë gjithë kohës sa jetoi e veproi (në SHBA).

Këto të dhëna për shërbëtarin e grigjës shqiptare, të cilat po i paraqes në këtë referim të shkurtër, do ta bëjnë edhe më bindës pakë të dhëna, të shkëputura nga fryti letrar i studiuesit Tomë Mrijaj:

“Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve dr. Oroshi, la një emër shumë të mirë në fushën e publiçistikës e botimeve në gjuhën shqipe...

Në vitin 1960, përkthei dhe botoi “Visarthin   Shpirtnuer”, ... doracak me lutje shpirtërore     gjuhën (shqipe)...

Ishte ai, që shqipëroi librin: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”...

Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda...

Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston.

Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi gjente pak kohë të lirë ... e cila vazhdimisht i pushtonte mallin dhe i rizgjonte nostaligjinë e madhe për atdhelindjen...

Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar për atdhelindjen Oroshin, familjen e persekutuar dhe shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste”.

Punime monografike e studiuese që shëndrisin veprën dhe figurën e Mons. Zef Oroshit na janë të shumta, por po veçoj ato të cilat në mënyrëm më origjinale dhe shumë konkrete dhe bindëse e me plot faktografi reflektojnë për këtë prelat e intelektual të rrallë:

“Monsinjor dr. Zef Oroshi - Një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, Tomë Mrijaj

“Ngjarje Historike, të ndime, të pame e të jetueme”, Nikollë Melyshi

“Abati   i   Mirditës   Imzot   Frano   Gjini”, Tomë Mrijaj dhe Leonora Laçi.

Edhe studiuesi vlerëmadh Klajd Kapinova, në mënyrën shumë brilante reflekton për madhështinë, veprën dhe  gjenezën e këtij mirditori.

Më ishtë nder të i përbashkoj këto fjalë për njeriun intelektual të përmasave shumëdimensionale kombëtare; me parime që i ka burimzemre për çdo bashkëkombës, elitarin e shumë veprave dhe shkrimeve, klerikun zemërbardhë e përbashkues i të gjithë shqiptarëve pa dallime as krahinore e as konfesionale, për luftëtarin e paepur për çlirim nga sunduesi shekullor, humanistin e bëmirësin e pamatshëm gjatë gjithë jetës së vet, shërbestarin e Kishës dhe Kombit, mërgimtarin e stërvuajtur e me plot sakrifica përgjatë veprimtarise dhe jetës së vet.

Të tillët intelektialë na e ruajtën gjenezën dhe, na e bënë të mundur të identifikohemi shqiptarë autoktonë në trojet tona ilirike.

Monsinjor dr. Zef Oroshi na ishte dhe e kemi vlerën më brilante të shënuar në historiografinë kombëtare.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora