E diele, 27.11.2022, 12:03 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Përvjetorët e mëdhenj të kombit - Ushtria Çlirimtare e Kosovës

E enjte, 17.11.2022, 07:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Në konferencën shkencore të cilën departamenti ynë i filozofisë e mban çdo vit në Ditën Ndërkombëtare të Filozofisë, sot na nderoi me pjesëmarrjen e tij profesori i mirënjohur i filozofisë nga Kroacia, Lino Veljak. Profesor Lino është një mik i madh i Departamentit tonë të filozofisë, por edhe i Kosovës, po ashtu. Dhe këtë më së miri e tregon ky rast: në vitet e errta të paraluftës, sikurse dihet, regjimi i Millosheviqit e kishte mbyllur Universitetin e Prishtinës. Studentët dhe profesorët shqiptarë ishin dëbuar me forca policore nga objektet e tij. Për ta mbajtur gjallë universitetin, ne ishim detyruar t’i shndërrojmë shtëpitë private në objekte mësimore. Gjendja ishte tmerrësisht e rëndë. Financat e domosdoshme për të mbajtur funksional një universitet, ishin pothuajse inekzistente. Të mos flasim pastaj për kushtet tjera të domosdoshme për jetë universitare. Për më tepër edhe lidhjet akademike me botën ishin ndërprerë krejtësisht. Askush nga bota nuk kishte kohë të merrej seriozisht me katastrofën në të cilën na kishte degdisur regjimi serb.

Lino Veljak ishte ndër të paktit, që në ato ditë të zymta aparteidi e terrori shtetëror, pati guximin të vinte në Kosovë dhe të mbante ligjërata në bodrumet e shtëpive private të shndërruara në klasa universitare. Si student i filozofisë në vitin e parë të studimeve, pata pasur rastin të ndjek njërën prej këtyre ligjëratave. Por ato nuk ishin thjesht ligjërata. Ishin njëkohësisht edhe mbështetje për rezistencën tonë, mbështetje intelektuale e morale për të mos u dorëzuar e nënshtruar para gjëmës që na kishte goditur.

Pak muaj pas këtyre ligjëratave, në Kosovë shpërtheu lufta çlirimtare dhe profesor Lino foli fuqishëm për Kosovën kudo që kishte mundësi në shoqërinë kroate dhe jashtë saj. Sepse të tillë janë mendimtarët e vërtetë : ata janë miq besnikë të lirisë. Sepse, siç na mëson Scheling-u, liria është fillimi dhe fundi i filozofisë.

_________

Përvjetorët e mëdhenj të kombit

Prej vitit 1991 në Kosovë kishin ekzistuar disa grupe të armatosura, të cilat e kishin ndarë mendjen për kryengritje të armatosur kundër regjimit serb në Kosovë.

Si sot, 28 vjet më parë, me 17 nëntor 1994, këto grupe morën emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Brenda pesë vitesh ajo do ta bënte realitet ëndrrën ma sublime që e ka një popull: Lirinë.

Në fund të misionit të saj, historia mbajti shënim: UÇK-ja është guerilja më e suksesshme në historinë moderne.

Kët' shënim do ta mbajnë mend brezat që do të vijnë pas nesh, ndërsa ata që hodhën aq shumë baltë mbi emrin e saj, kushdoqofshin ata, ka për t'i mbulu pluhuri i përjetshëm i harresës. Sepse, herët a vonë, e vërteta triumfon mbi gënjeshtrën, sadoqoftë e fortë dhe e qëndrueshme ajo.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora