E premte, 01.11.2024, 12:02 AM (GMT)

Faleminderit

Ndue Dedaj: Fran Çukaj, profesori emeritus i mirditorëve

E marte, 15.11.2022, 07:58 PM


FRAN ÇUKAJ, PROFESORI EMERITUS I MIRDITORËVE

NGA NDUE DEDAJ

Aty kah mesi i tetorit një burrë në moshë, me pamje aktori,  profesori ynë Fran Çukaj, kishte marrë autobusin e linjës Tiranë-Rrëshen, për të qendruar vetëm pak orë në këtë qytet, sa për të vënë një tufë me lule në varrin e ish-mikut të tij, Gjetë Doda, njeri i fisëm që biografia nuk e la të bëhej as nëpunës, edhe pse ia thoshte lapsit si llogaritar i zellshëm dhe leximi e shkrimi qe pasioni i tij. Kulla e Gjetës ishte në skaj të oborrit të Gjimnazit, ku qe mësues zotnia shkodran, që vinte pas shumë vitesh në Mirditë nga Nju Jorku, ku banon familjarisht. Donte të qëndronte më gjatë, por linjat e largëta nuk presin sa të shmallesh dhe me gurët e drurët e vendit ku ke rrojtur, edhe se nuk ishte vendlindja jote.

Fran Çukaj ka qenë njëri nga personazhet e qytetit të vogël dhe i krejt Mirditës për tridhjetë vjet, që kur e hodhi fati në këto anë, në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Edhe pse i diplomuar në Rumani në lëmin e shkencave biologjike dhe katedrat universitare kishin aq nevojë për të, martesa me një mbesë Mirakajsh, Lejlën do të përcaktonte rrugëtimin e tij në provincë, të cilës, megjithatë, ai i dha kuptim si rrallë ndonjë tjetër. Qe mësues i shkëlqyer i nxënësve, por dhe mësues i mësuesve si metodist i Kabinetit Pedagogjik të rrethit ku punoi gjatë dhe eksperimentoi në lëmin e mësimdhënies dhe metodave mësimore të përparuara. Kjo ishte karriera e tij pedagogjike, por po aq e rëndësishme qe dhe ajo artistike, pasi profesor Çukaj, siç e thërrisnin të gjithë, qe i pajisur me shumë talente krijuese, shkroi vetë drama, i vuri ato në skenë me trupën amatore të qytetit, duke luajtur dhe vetë si aktor. Mirëpo ky qe një shkëlqim i shkurtër, në fillim të viteve ’70, pasi burokracia partiake dhe shtetërore, sidomos pas plenumit IV të KQ të Partisë, nuk mund të pranonte asesi një biografikeqas si ai të luante në skenë.

Por Fran Çukaj bënte jetën e tij intelektuale, pa iu dorëzuar asnjëherë plogështisë dhe vetmisë. Librat ishin pasuria e tij më e madhe, lexonte në shqip dhe gjuhë të huaj, mbante shënime, përgatiste tema pedagogjike, psikologjike dhe edukative. Duke qenë i suksesshëm në fushën e trajnimit të mësuesve dhe me një komunikim model me njerëzit, i kërkuan të bëhej trajner i ekipit të futbollit të qytetit “Minatori” dhe puna e parë që bëri, vuri mbi tavolinë një turrë me libra nga fusha e sportit. Ai nuk i bënte dot punët e artit skenik me “vesh” dhe ato të sportit duke luajtur dorën në fushë, por pasi kishte ndërtuar më parë skenarët, skemat dhe projektet qe i jepnin sukses. Profesor Fran Çukaj ishte mentor për shumëkënd nga radhët e ekselentëve, ndër të cilët qe dhe e bija Adela. Njëherë e shihje me një tufë poezish të një letrari të ri në duar duke e promovuar, njëherë duke parapërgatitur nxënës konkurrues për në shkollën e lartë të aktorëve në Tiranë etj. Ishte inkurajues i çdo talenti dhe përpiqej që secili të gjente rrugën e tij. Si gjimnazist i Rrëshenit kam pasur rastin që profesor Frani të më mësonte se si të përgatisja një kumtesë që do të mbahej në një sesion social-pedagogjik, ku të gjithë të tjerët që do të kumtonin ishin të rritur. Desha disa herë të hiqja dorë, por ai me durim më bëri t’i shkoja deri në fund. Me atë rast dëgjova prej tij shprehjen “Jeta është luftë” dhe i kërkova të ma shtjellonte ngaqë më bëri shumë përshtypje. Edhe sot e kam në kokë atë shtjellim filozofiko-estetik të tijin. Atëherë nuk e dija se paskësha pas gjetur fiks njeriun e duhur për atë temë. Më vonë, kur punoja në Seksionin e Arsimit, kam pasur fatin të bashkëpunoja me Profesorin për disa vite dhe aty kam kuptuar karakterin e tij të palëkundur, dinjitetin, kurajon, forcën e argumentit, cilësi që nuk ishte e lehtë t’i mbartje në një shoqëri si ajo që kaluam. Njëherësh, ishte aq miqësor me njerëzit e thjeshtë, por dhe qortues me takt i bashkëpunëtorëve të tij më të rinj kur qëllonte ta ngrinin zërin me mësuesit gjatë vezhgimeve në shkolla.

Një ndihmesë të veçantë si metodist ai dha posaçërisht në shkollat e mesme bujqësore dhe bazat e tyre prodhuese, që kryenin disa eksperimente shkencore që lidheshin me pasurimin e tokës, bimët me rendiment më të lartë etj., duke bashkëpunuar me Stacionin Bujqësor të rrethit etj. Nga fundi i viteve ’80, kur zu të ndihej era e ndryshimit në Europë, profesor Frani pati hartuar një platformë nja njëqind faqe për të mësuarit krijues në arsimin parauniversitar, që shmangte skematizmin në orën e mësimit, duke i mëshuar vetëveprimit të nxënësit etj., që mesa di nuk u prit (lejua) në Ministrinë e Arsimit për ta paraqitur. Diskutimet e tij ishin impresionuese, nga trajtimi origjinal dhe mënyra aktoriale e të folurit, si në një rast në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, ku foli për lulet dhe nevojën e mbushjes me to të hapsirave publike, mjedisore dhe institucioneve, pasi lulet ishin të pakta nëpër klasa e zyra, sallone etj. Jo se lulet nuk kishin qenë në oborret shkodrane, tiranase, korçare etj., por ishin “zbehur” me kohën, duke u harlisur mbase vetëm në mjediset e “Bllokut” në kryeqytet.

Në marsin e vitit 1991 Fran Çukaj pati dhe një përvojë politike, pa qenë partiak, kandidoi për deputet i Partisë Demokratike, por nuk arriti të hynte në Kuvend. E vërteta është se Profesori nuk kishte nevojë për foltoren parlamentare, por parlamentarizmi shqiptar që po rikthehej nga vitet ’20-’30 kishte nevojë për të. Vetëm një vit më vonë mirditorët e bënë ndryshimin, duke zgjedhur deputet Zef Brozin. Frymën, idetë dhe qendrimet e tij prej demokrati të racës, Profesori i ka shprehur në analiza politike në shtypin opozitar etj., si dhe në një libër me refleksione nga jeta e tij dhe ajo shqiptare e tranzicionit. Politika nuk ishte vokacioni i tij, ai nga natyra ishte artist dhe pedagog, paçka se kohët e përmbysjeve të mëdha i thërrasin elitat kulturore në mbështetje, por jo duke u krijuar gjithë hapësirën e duhur për të kuontribuar.

...Por të kthehemi te ardhja e fundit e Profesorit para një muaji në Rrëshen. Në tekstin e tij përshkrues plot mbresa, ai sjell në kujtesë disa emra kolegësh, si Kin Baqli, Loredan Bubani, Andrea Nathanaili, Preng Cub Lleshi, Gegë Bardhoku, Mark Jaku, Gjergj Nezha, Zef Gjopalaj etj. Më herët ai ka shkruar me nderim të madh për një tjetër personazh të kohës në Arsim, Preng Gjok Prengën, një intelektual atipik, që dukej se nuk e lidhte asnjë antenë me kohën në të cilën rronte. Po ashtu Profesori përmend emra nxënësish që ka takuar apo iu ka telefonuar atë ditë, mirëpo ata janë aq të shumtë. Në kohën kur profesor Frani, më 1992, ishte emëruar Ambasador i Shqipërisë në Rumani, dy ish-nxënës të tij, intelektualë të spikatur të qytetit, mjeku stomatolog Llesh Çupi dhe ekonomisti i njohur Gjon Ndreja shtruan një darkë mondane përcjelljeje në Rrëshen, ku pata kënaqësinë të isha dhe unë.

Kur shkruan dikush për një kohë, kujtimet e bashkëkohësve kryqëzohen. Iu ktheva dhe unë retrospektivës. Njëzet e ca vite më parë, bashkë me Gjetë Dodën shkuam në Tiranë për një kafe me Profesorin dhe ai na priu për te shtëpia e tij në Laprakë. M’u kujtua ky rast kur dëgjova që Profesori kishte ardhur në Rrëshën për të vënë një tufë me lule në varrin e mikut të tij, që nuk kishte pasur kurrë një post në jetë, por vetëm barrën e persekutimit mbi supe. Si njëri, tjetri! Sot duket e pabesueshme të them se më është hequr vërejtje “shoqërore” që herë-herë mbasditesh rrija me Profesorin, më së shumti duke folur për letërsinë, në një kohë që ne paradite punonim bashkë nëpër shkollat e rrethit, në seminare, vëzhgime, kontrolle etj. Por nuk është vendi për t’u zgjatur me gjëra trishtuese të hershme.

Më mirë të “projektojmë” një rikthim të profesor Çukës në pranverë. A nuk e mbyllte ai shkrimin e tij me këtë pasazh poetik drithërues?... “E kam andërr një udhëtim: Rrëshen - Mërkuth, Rrëshen - Orosh dhe Rrëshen - Kaçinar. Do të më pëlqente ta shoh Tarazhin, Prosekun, Përlatin, Rrasfikun etj. Do t’më pëlqente nji ndalesë te kulla “Duka” apo bujtina “Marubi”. Kushedi sa herë më vijnë ndërmend shkamijt e lmuem prej rrahjeve të forta të ujit që zbret prej Mërkurthi në Kurbnesh!... Shkurt hesapi, Mirdita dhe Mirditorët ma mbushin mbi 70 përqind të kujtesës time. Ju dua shumë, ju falenderoj, ju jam mirnjohës. I çmoj shumë kolegët e mi me shumë vlera që erdhen prej gjithanej vendit për të zhvillua dijet e tyne në arsimimin e nxansave mirditorë”.

(Tani kujtohem se ky nuk është shkrimi im i parë për Profesorin. Ka qenë fillimi i vitit 1991 kur në gazetën “Mësuesi” pata botuar artikullin modest: “Pse shkruaj për Fran Çukën”, që qëllimisht e kisha titulluar ashtu asokohe, gjë që nuk ishte në stilin tim e aq më pak në natyrën e profesor Franit, që fjalën e ka si mademin.)

Së fundi, shpesh qëllon që për të bërë dikë “Qytetar Nderi” matemi shtatë herë e nuk presim asnjëherë. Dëgjuam këto të ditë të përmendej nëpër tavolina emri i profesor Franit për këtë titull, çka shpresojmë të bëhet nga Këshilli Bashkiak i Mirditës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fran Gjoka: Sejdo Harka, një jetë plot vrull, që pulson tek shkolla, gazetaria dhe arti e letërsia Dorian Koçi: Themistokli Gërmenji - Martiri i lirisë së shqiptarëve Albert Vataj: Marie Curie, e shenjta Mari e shkencës, e para grua e lauruar me çmimin Nobel Albert Habazaj: Ali Asllani, sa lirik i shquar, aq diplomat i zoti LDK: Lavdi jetës dhe veprës së kryetarit historik të komunës së Suharekës, Ukë Bytyçit! Ndue Dedaj: Prend Buzhala, në odeonin e letërsisë shqipe Albert Zholi: 19 vjet më parë, Nënë Tereza u shpall e “Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II Vlash Prendi: Vlerat universale të veprës së Prof. Mark Krasniqit Vlash Prendi: Atdhetari që u shkri për kombin Albert Vataj: Robert Elsie, njeriu ndaj të cilit nuk na mjafton mirënjohja Lekë Mrijaj: Mirënjohja, respekti, vlerësimi pedagogjik dhe intelektual për prof. Tush Dedaj asnjëherë nuk do të shuhet Sinan Gashi: Personalitete të huaja adhurues të shqiptarëve Albert Vataj: Azem Hajdari, vrasja që tronditi politikën shqiptare Ndue Dedaj: At Ambroz Marlaskaj, një korife i diturisë Fran Gjoka: Mark Tirta, emër i njohur i shkencës shqiptare dhe më gjerë Hasan Hasanramaj: Legjenda ma madhështore e këtij shekulli Aleks Kapllaj: Luiza, ti fitove për tana vajzat shqiptare Nexhmije Mehmetaj: Ndahet nga jeta Erica Bauhofer – Schader, mikja zvicerane e përkushtuar ndaj arsimit shqiptar Sali Berisha: 34 vjetori i martirizimit te poetit Havzi Nela! Edvin, kerko ndjese! Ardian Ndreca: Dom Ndoc Nikaj

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora