Mendime
Fadil Sahiti: Për klasën e Shoqërisë së Mesme që nuk e kemi
E shtune, 05.11.2022, 08:50 PM
PËR KLASËN E SHOQËRISË SË MESME QË NUK E KEMI
Nga
Fadil Sahiti
Nga
tri klasat shoqërore, studimet sociologjike thonë se klasa e shoqërisë së mesme
(dy të tjerat janë të varfërit dhe elita) është promotori i zhvillimit të
përgjithshëm. Sa më e zhvilluar të jetë kjo klasë, aq më e zhvilluar është një
shoqëri.
Ka
përkufizime të ndryshme për klasën e mesme. Ndoshta pëkufizimi më standard
është ai që në këtë grup i fut njerëzit e zakonshëm, të arsimuar mirë, të cilët
zakonisht kanë punë të mira dhe nuk janë as të pasur e as shumë të varfër.
Mendohet se teoricieni i parë i mendimit politik që filloi të përdorë këtë term
është Xhon Loku, i cili në librin e tij Traktati i Dytë thekson se ky soj
njerëzish janë bartës të zhvillimit shoqëror. Ky është soji i njerëzve
industrialistë (ata që punojnë shumë) dhe racionalistë (që përdorin trurin e
tyre për të jetuar). Bota, thotë filozofi anglez, i përket këtyre njerëzve.
Perendia madje krijoi botën për ta dhe ata duhet ta udhëheqin atë.
Në
sociologji, grupet më karakteristike të klasës së shoqërisë së mesme janë
mësuesit, avokatët, mjekët dhe sipërmarrësit e vegjël. Këta janë njerësit që
kanë ndikim thelbësor në sistemin arsimor, ligjor, shëndetësor dhe ekonomik të
një shoqëre. Ky soj i njerëzve përcakton gjithashtu se çfarë lloj shteti do të
ketë një shoqëri. Nuk mund të ketë shtet të fortë pa mësues, juristë (gjyqtarë
dhe avokatë të mirë), mjekë të mirë dhe sipërmarrës të mirë. Në fund të fundit,
ky soj njerëzish përcakton etosin e një shoqërie; përcakton sistemin e vlerave
shoqërore.
A
kanë shqiptarët një shtresë së shoqërsë të mesme të etabluar? E vështirë për
t'u thënë. Kemi mësues, por nuk e dimë cilësinë e tyre. Pse? Sepse ne nuk kemi
krijuar një standard për të matur punën e tyre. Ne kemi juristë, kemi avokatë
dhe gjyqtarë, por nuk e masim kurrë punën e tyre. Kemi edhe mjekë, por nuk kemi
krijuar modelin e një mjeku të mirë. Shoqëria shqiptare funksionon pa sistem
vlerash, pa standarde matëse. E vetmja masë vlerësie është diploma dhe paraja.
Nuk duam të pranojmë që diploma është një letër, asgjë tjetër. Shoqëria
shqiptare është stërkequr rëndë. Ne, të gjithë intelektualë dhe jo
intelektualë, i përulemi autoritetit. Dhe, i vetmi autoritet për ne është
pushteti dhe paraja. Më shumë pelqejmë të identifikohemi me një politikan dhe
biznesmen të pandershëm sesa me një mësues, profesor, doktor apo avokat të urtë
dhe modest.
Si përfundim, një shoqëri pa një shtresë të mesme të mirë-formuar, vështirë se ka të ardhme të ndritur. Kështu si jemi kutandisur, nuk do t'arrijmë kurrë të identifikojmë këtë soj njerëzish. Për më tepër, ky soj njerëzish e ka të vështirë të jetojë në një mjedis ku mbizotërojnë antivlerat, kiçi, shundi; ndaj ikin. E kanë të vështirë të jetojnë në një mjedis ku mendimi i pavarur dhe kritik linçohet lehtësisht dhe paturpësisht.