Shtesë » Historia
Jahja Drançolli: 110 vjet më parë, Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane
E diele, 09.10.2022, 07:41 PM
Jahja Drançolli:
110
vjet më parë, më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane.
Menjëherë pasuan Serbia, Bullgaria dhe Greqia, dhe më këtë filluan Luftërat
Ballkanike të përgatitura prej kohësh, të cilat zgjatën nga tetori 1912 deri në
korrik 1913. Me pushtimin e Kosovës, Maqedonisë dhe të Sanxhakut, kushtet në
këtë pjesë të Europës do të ndryshojnë rrënjësisht.
Luftërat
Ballkanike u bënë të njohura kudo për krimet kundër shqiptarëve të kryera
sidomos nga ushtria serbe. Ato përfshijnë ekzekutime masive, masakra të
popullatës civile, spastrim etnik, krishterim të detyruar dhe persekutim. Për
të hetuar krimin, Carnegie Endowment for International Peace formoi një
komision të posaçëm që u dërgua në Ballkan në vitin 1913 (Cfr. Dubravka
Stojanović, U spirali zločina: Balkanski ratovi). Duke përmbledhur situatën në
fshatrat shqiptare, anëtarët e komisionit konkludojnë: Shtëpi e fshatra të tëra
u shndërruan në hi, popullsia e paarmatosur dhe e pafajshme u masakrua
masivisht, akte të pabesueshme dhune, grabitjeje e mizorie të çdo lloji.
Sipas
raportit të komisionit ndërkombëtar për luftërat ballkanike “Numri i viktimave
në pjesën e vilajetit të Kosovës nën kontrollin serb në muajt e parë llogaritet
në rreth 25.000 persona. Ndërsa Kosta Novakoviq, një politikan dhe publicist
serb vlerëson numrin e përgjithshëm të viktimave gjatë viteve 1912 dhe 1913 në
të gjitha fshatrat shqiptare nën kontrollin serb në rreth 120.000 shqiptarë të
të dy gjinive dhe të të gjitha moshave (Kosta Novaković, Kolonizacija i
srbizacija Kosova). Qëllimi i krimit ishte të mbështeste kërkesat serbe me
"spastrim etnik" dhe manipulimi statistikor para konferencës së
fuqive të mëdha që do të përcaktojnë kufijtë e rinj (Howard Clark, Rezistenca
civile në Kosovë).
Ngjarjet
e luftërave ballkanike kontribuan shumë në shtimin e konfliktit serbo-shqiptar.
Pushtimi serb i Shqipërisë zgjati nga tetor 1912 deri më 25 tetor 1913. Pas
tërheqjes së ushtrisë serbe dhe krijimit të Principatës së Shqipërisë, e cila
përfshinte vetëm gjysmën e territorit etnik shqiptar, një numër i madh i
popullsisë shqiptare mbeti jashtë vendit të tyre. Pas aneksimit të Kosovës,
Maqedonisë dhe Sanxhakut, Serbia vendosi kufij të rinj midis vendbanimeve që
ishin përballur me njëri-tjetrin për shekuj me radhë. Qeveria serbe, në kundërshtim
me marrëveshjen e Konferencës së Londrës, duke ndaluar ardhjen e popullsisë nga
Shqipëria politike në tregjet e zonave të aneksuara, nën pretekstin e sulmeve
të shpeshta në zonën kufitare, do të bëhet një pengesë e madhe përintegrimet
shqiptare në kushte të historisë moderne!