Shtesë » Historia
Albert Zholi: Qemal Stafa u vra në betejë, e vranë në kurth apo u vetëvra?!
E diele, 21.03.2021, 12:00 PM
Historia e rrallë e komunistit 22-vjeçar që u dënua nga Zogu dhe u vra pas pushtimit nga Italia fashiste
Qemal Stafa u vra në
betejë, e vranë në kurth apo u vetëvra?!
(Me rastin e 101-vjetorit të lindjes)
Përgatiti
Albert Z. ZHOLI
Sot
mbushen plot 101 vjet nga lindja e një prej heronjve të popullit nga më të
diskutuarit në historinë e heronove shqiptarë. Bëhet fjalë për komunsitin Qemal
Stafa. Ai u vra në 5 maj 1942 kur sapo kishte mbushur 22-vjecc. Por për vdekjen
e tij ende hidhen shumë hipoteza. Disa dëshmitarë thonë e futën në kurth, ish e
fejuara Drita Kosturi, ish e fejuara e cila kishte qenë me të kur ndodhi
ngjarja, ka dëshmuar për “Opinion” se Stafa kishte vrarë veten për të mos u
kapur nga policia italiane, disa të tjerë thonë se kishin future në kurth
shokët e tij të luftës duke e spiunuar tek italianët. Për këtë ngjarje, pas
cclirimit 5 Maji u kthy në simbolin e Ditës së Dëshmorëve. Pra kjo datë ka
lidhje me një ngjarje që lidhet me zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore, me Majin
e vitit 1942, kur në Tiranë u vra njëri prej militantëve komunistë të kohës,
Qemal Stafa. Ai ishte një ndër themeluesit e Partisë Komuniste dhe një prej
anëtarëve të grupeve komuniste të kohës që ishte proceduar nga Mbreti Zog në
vitin 1938 dhe për këtë arsye ishte bërë shumë i njohur. Më 1938-n ai ishte 18
vjeç dhe kishte arritur të bënte një qëndresë në gjyqet e monarkisë, ku kishte
deklaruar se ishte komunist. Qemal Stafa ishte bashkëthemelues i Grupit
Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i
Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Gjithashtu shkrues poezish
dhe sprovash letrare me pseudonimin Brutus, të cilat u përmblodhën në vëllimin
“Qortimet e vjeshtës”. Dita e vrasjes së tij është përdorur si simbolikë për të
përkujtuar Ditën e Dëshmorëve.
Një
jetë mbushur me ngjarje
U
lind në qytetin e Elbasanit, i biri i Hasan Ahmetit dhe Sabries së Veli
Dylgjerit. Familja me origjinë nga Zabzuni i Gollobordës kishte gjetur në
brigjet e Shkumbinit vendbanimin e ri, ku Hasani u lind. Si ushtarak që qe i
zoti i shtëpisë, detyra bëri që familja të shpërngulej për në Shkodër më 1923.
Emërohet Drejtor i Zyrës së Rekrutimit në Prefekturën e Shkodrës. Qemali i
vogël futet si nxënës në Kolegjin Ksaverian të Etërve Jezuitë duke e ndjekur
për tetë vjet derisa më 1933 me ligjin Ivanaj u mbyllën shkollat private dhe
kaloi në Gjimnazin e Shkodrës. Vitin shkollor 1934-’35 në gjimnaz dërgohet
Skënder Luarasi, i cili një vit më vonë do t’i jepte një temë hartimi rreth
disa vargjeve të “Vilhelm Telit” të Shilerit. Hartimi i Qemalit
gjashtëmbëdhjetëvjeçar bëri bujë, bashkë me nismën që ndërmorën grupi shoqëror
për të mbajtur kapele në vend të fesit. Pjesëtar në rininë përparimtare të
kohës me Xh. Brojën, L. Radin, A. Pipën, H. Tahën etj. Mbas vdekjes së të atit,
familja Stafa shpërngulet drejt Tiranës korrikun e 1936. Në fillim të vitit
shkollor ’36-’37 regjistrohet në Gjimnazin Shtetëror të Tiranës. Me organizimin
e Zef Malës, Qemali së bashku me Vasil Shanton, Gj. Lukën, T. Jakovën themelojnë
Grupin Komunist të Shkodrës. Vitin 1938 nisi gjuetia e arrestimeve prej
regjimit të Mbretit Zog, prej së cilës Qemali u arrestua natën e 24 janarit të
1939. Gjyqi i tij u zhvillua javët e para të shkurtit në bodrumin e Bashkisë së
Tiranës i mbrojtur nga av. Suat Asllani, gjyq në të cilin i pranon të gjitha
akuzat dhe dënohet me tre vite. Me rastin e vdekjes së të vëllait i jepet leje
që të shkojë për të pritur. Ndërkohë që ishte ndryrë në njërën prej qelive të
Burgut të Vjetër, i bëhet e mundur të dalë gjatë trazirave të 7 prillit.
Ngjarja
që komentohet dhe sot
Kandidati
për sekretar të përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e
Bije Vokshit në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtëpi sepse atje shkoi
Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të
nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë të marrë me
qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës.
Kontrata e qirasë së shtëpisë ishte bërë vetëm tri ditë më parë. Në rrethana të
pasqaruara mirë, Minxhozi u arrestua. I lidhur ai u detyrua të tregonte
shtëpinë ku strehohej Stafa, e fejuara Drita Kosturi, Kristo Themelko, Gjustina
Sata (Flora Dishnica) dhe kushërira e saj Marie Lezhja. Në raportin e saj për
këtë ngjarje, karabinieria nuk e përmend Themelkon. Të pestë personat kaluan në
atë bazë natën e 4 Majit. Në bazë kishte shkuar gjithashtu edhe Kristo
Themelko, një tjetër militant, së bashku me Isuf Keçin. Beqir Minxhozi kishte
dalë nga baza për të blerë ushqime dhe menjëherë ishte arrestuar. Në xhep ai
kishte edhe adresën e shtëpisë dhe policia bashkë me të ishin drejtuar për të
bërë kontroll. Nuk dihet arsyeja se përse u arrestua Minxhozi dhe ky mister nuk
u zbardh kurrë. Edhe pse Minxhozi vdiq në fillim të viteve 2000 nuk ka folur
kurrë për këtë çështje. Policia mbërrin në bazën ku ishin vendosur 5 ilegalët
dhe Drita Kosturi ishte e para që i kishte vënë re. Menjëherë kishin shqyer
derën e banjës dhe Qemali, Maria dhe Justina arritën të dalin, ndërsa Drita
arrestohet. Siç dëshmon ajo të nesërmen, pas arrestimit policia e kishte
njoftuar se Qemali ishte vrarë. Flora Dishnica në dëshminë e saj tregon se pas
daljes nga baza në momentin e arratisjes ishte plasja e një bombe ajo që bëri
që ata të kapeshin më shpejt. Sipas saj, në momentin e arrestimit, Qemal Stafa
kishte plagosur një polic në dorë dhe më pas policia kishte plagosur Qemalin po
në dorë. Ajo tregon se Qemali kishte arritur të ikte dhe nuk e kishin parë më.
Dëshmia
e Drita Kosturit përmbys versionin e 5 Majit. Sipas saj, Qemal Stafa i plagosur
nuk mund të largohej. Një fshatar i Tiranës me iniciale Y.B ka qenë i vetmi
dëshmitar që vonë është pranuar prezenca e tij. Sipas Kosturit, fshatari kishte
kuptuar se ai ishte një prej anëtarëve të rezistencës dhe i kishte propozuar
Qemal Stafës të ndryshonin rrobat në mënyrë që të shpëtonte, por ai nuk kishte
pranuar. Sipas dëshmisë, pa lënë asnjë amanet, ai kishte zbrazur armën në
trupin e tij për të mos rënë në dorë të policisë. Pavarësisht dëshmive, mister
i madh vijon të mbetet edhe fakti që këta persona që u bënë rastësisht në atë
bazë nuk u takuan më kurrë me njëri-tjetrin pas ngjarjes. Në njoftimin që
kuestori Pandeli Papalilo i dërgonte menjëherë pas ngjarjes Zyrës Mbretërore të
Policisë dhe Kuesturës së Tiranës shkruhej:
“Rreth
orës 14 të datës së sotme, gjatë një operacioni të papritur në një shtëpi që
ndodhet në rrugën Lumi, në afërsi të kolegjit muhamedan (medresesë)… agjentët
kanë hasur në rezistencë nga ana e disa personave që u orvatën të iknin për t’i
shpëtuar arrestimit. Janë hedhur kundër agjentave tri bomba dore të gjithë
eksplodonjëse.. dhe janë zbrazur shumë fishenjë revolver… Agjentat janë
përgjigjur me armë duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe
Sabire, lindur në Elbasan më 12.9.1921, student”. (AQSH, Fondi 555,
Viti 1940, Dosja 44/g, f. 37).
Vrasja
e Qemal Stafës e shokoi Partinë Komuniste. Kjo ishte humba më e rëndë e e saj
që nga themelimi. 7 ditë pas vrasjes Partia Komuniste nxori traktin në të cilin
mes të tjerave jepte variantin e saj.
“Në
Tiranë, në shtëpinë ku banonte bashkë me shokë të tjerë lufte Qemali u gjend i
rrethuar nga agjentët shpirtkazëm të barbarëve fashistë. Qemali i përcolli me
të shpejtë shokët nga një anë e shtëpisë dhe vetë qëndroi që t’u lejonte
shokëve të largoheshin sa më parë. Kur agjentët u afruan mjaft me bombat në
njërën dorë dhe me revolen në dorën tjetër hapi zjarr duke shtrirë dy prej tyre
të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur rëndë. Me këtë mënyrë e çau rrethimin,
doli jashtë dhe iku duke luftuar me agjentët e tjerë që po e ndiqnin. Por në
një luftë ineguale një plumb tradhtari e mori Qemalin sydragua. Pak nga pak
plaga iu ftoh, fuqitë iu prenë dhe ra në tokë.”
A
u spiunua Qemali?
Janë
disa fakte që hedhin dyshime të forta që baza ku ishte Qemal Stafa është
spiunuar. Madje nga vetë shokët e tij. Baza ku strehohej Qemal Stafa kishte tre
ditë që ishte marrë me qira dhe ishte e pamundur që policia ta zbulonte kaq
shpejt. Arrestimi i beftë dhe i çuditshëm i Beqir Minxhozit me të cilin policia
shkoi në shtëpi dhe e rrethoi është një tjetër fakt i dyshimtë. Po cilët ishin
ata që e zbuluan bazën? Tre janë personat ndaj të cilëve janë hedhur dyshime të
forta për zbulimin e bazës ku strehohej Qemal Stafa: Kristo Themelko, Beqir
Minxhozi dhe Enver Hoxha.
Jeta
plot mistere e atyre që ishin në vendngjarje
Të
gjashtë dëshmitarët qw ndodheshin atw ditw pranw Qemalit patën një jetë të
vështirë plot andralla, deri në krime. Nuk patën asnjë minutë jetë të qetë. Të
ndjekur, të persekutuar, të dyshuar dhe të larguar nga shoqëeia…
1.
Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës u arrestua menjëherë pas ngjarjes nga
milicia por pas tri javësh u arratis e doli partizane. Pas luftës u arrestua
nga regjimi komunist si armike e partisë më 1946 u dënua me vdekje, bëri
13 vjet burg dhe pasi u lirua u internua deri më 1988. Vdiq më 2006.
2.
Marie Lezha u arrestua gjatë rrethimit të shtëpisë nga milicia, por u lirua pas
disa ditësh dhe doli partizane. Pas çlirimit u internua disa herë, deri në
rrëzimin e komunizmit. Vdiq më 2009.
3.
Gjystina Sata, (Flora Dishnica) u arrestua gjatë rrethimit, por pas disa ditësh
u lirua. U martua me Ymer Dishnicën duke e ndjekur bashkëshortin në të gjitha
internimet e tij. Jetoi në Berat dhe asnjëherë nuk foli për këtë ngjarje.
4.
Kristo Themelko i vetmi që arriti të largohej nga rrethimi i banesës. Pas
luftës u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Komuniste. Por
karriera vijoi deri në 1947 se më pas ai u arrestua dhe kaloi jetën në burg dhe
internim deri më 1990. Vdiq në Tiranë më 1990.
5.
Beqir Minxhozi punonjës banke doli nga shtëpia për të blerë ushqime, por u
arrestua nga milicët dhe në xhep i gjetën letrën ku shkruhej kontratë e qirasë
së shtëpisë që kishte marrë. Mbi bazën e adresës që kishte shënuar aty policia
shkoi në shtëpinë ku ishte Qemal Stafa. Ai u lirua pas disa ditësh. Pas doli
partizan në zonën e Matit. Pas luftës u përjashtua nga partia nën akuzën se më
5 maj 1942 nuk ishte treguar vigjilent. Vdiq në vitin 2002.
6.
Isuf Keçi doli nga shtëpia për të marrë disa materiale. Kur u kthye shtëpia
ishte e rrethuar dhe nuk mundi të futej më. Pas disa javësh doli partizan. Pas
luftës u arrestua si armik, duke kaluar kalvarin e burgjeve. Vdiq më 1990, në
Tiranë.
Veprimtaria
letrare
Në
të gjallë të tij, Stafa botoi dy skica letrare me nënshkrimin e tij. Të parën
kur ishte 14 vjeç në një revistë për fëmijë, kurse të dytën, në 1939, në
gazetën zyrtare të Partisë Fashiste Shqiptare. Në 1962 u botua dhe një
përmbledhje me shkrime të tij, të botuara më herët. Pseudonimet ose inicialet e
shkrimeve të botuara në të gjallë të tij, janë të dyshimta. Megjithatë, edhe
një nga shkrimet që mund të konsiderohet i tij pa kundërshtime është ribotuar
disa herë me qëllime manipulative. Skica “Nanë” u botua për herë të parë në
revistën Vatra e Rinisë (10 shkurt 1935), një revistë për fëmijë.
Kushtimet
Në
1966 në Tiranë u krijua një këngë kushtuar atij: “Trim i fortë me yll në
ballë”. Në 1967, fshati Plasë i Korçës i ngriti këngën “Po më pesë maj më dyzet
e dy”. Në 1969, në Tiranë, u krijua kënga “Luftë e madhe asaj dite o Qemal”. Në
1970, Dukati i Vlorës i kushtoi këngën “Pesë maj u vra Qemali”. Në 1977, po në
Tiranë u krijua kënga “Qemal Stafa”. Po atë vit, Kutallia e Beratit krijoi
“Këngë për Qemal Stafën”. Një këngë me titullin e Kutallisë u ngrit dhe në
Tiranë, një vit më vonë. Në 1979, Delvina krijoi këngën “Erdh Qemali në
Delvinë”. Në 1980, një këngë e Vranishtit të Korçës titullohej: “Përmes flakës
ra Qemali”. Po atë vit, Tirana krijoi këgën “Qemal Stafa”, ndërsa Janjari i
Sarandës këngën “Krenari për mëmëdhenë”