E enjte, 18.04.2024, 07:04 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Kastriot Dervishi: 1973/Dënimi i 16 vjeçares Laura Keçi

E hene, 11.05.2020, 12:08 PM


Trakti i shkruar nga Laura dhe pjesë e dëshmisë së saj në hetuesi

1973/Dënimi i 16 vjeçares Laura Keçi

Nga Kastriot Dervishi

Laura Gjeto Keçi, lindur në Shkodër më 28.9.1957, ishte nxënëse në shkollën e mesme “Jordan Misja” kur u arrestua dhe dënuar në moshën 16-vjeçare. E revoltuar nga trajtimi që i bëhej babait të saj si dhe nga ajo që po shihte në shkollën e mbërthyer nga nismat “revolucionare”, më 9.12.1972 hodhi në sallën e mbledhjeve të këshillit pedagogjik dy parulla me tekst të njëjtë, të nënshkruar nga “Zani i popullit” me këtë përmbajtje: “Shokë arsimtarë! Ju lajmërojmë se këto metoda që po përdorni ju për rritjen e kësaj rinie s’janë asgjë tjetër veç mësimeve për të ndjekur rrugën e servilizmit, të poshtërisë e të një mizerjeje”.

Disa muaj më vonë, ajo u arrestua më 8.10.1973, pas një truku të përdorur ndaj saj nga një person, të cilit i kishte shprehur dëshirën për t’u arratisur jashtë vendit. Ky njeri e kërcënoi të vetëdenoncohej në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, sepse përndryshe këtë veprim do ta bënte ai. Laura kështu veproi. Bën një deklaratë vetëdenocuese (për traktin dhe tendencën e arratisjes), por aspak tërheqëse e penduese nga ajo çfarë kishte bërë. Këtë e tregon edhe teksti i depozituar. Personi shtytës e ndjek nga prapa për t’u siguruar që po vetëdenoncohej apo jo. Pasi është siguruar për këtë, ka takuar sekretarin e Komitetit të PPSH-së së Shkodrës dhe i ka treguar gjithçka. Të njëjtën ditë edhe ai lëshon deklaratën rënduese kundër saj në DPB Shkodër. Deklaroi se e kish bërë këtë veprim në këmbim të një vendi pune.

Në deklaratën e vetëdenoncimit, Laura thotë: “Jam shumë e mërzitur nga kjo botë dhe çdo gjë më është mërzitur. Unë them se ky pushtet nuk më pëlqen për sa të më jetë jeta, këtë e them dhe kam për ta thënë gjithmonë”. Edhe gjatë kohës që ishte paraburgosur ajo u dëgjua të fliste kundër E.Hoxhës dhe M.Shehut, duke u bërë thirrje të paraburgosurve të revoltoheshin kundër regjimit. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Gjykata vërente se nuk kishte mbajtur qëndrim të mirë as në hetuesi, gjatë së cilës u pyet nga hetuesi Shyqyri Çoku.

Midis të tjerash, në vendimin e gjykatës thuhej: “Rinia e shkollë “Jordan Misja”, sikurse e gjithë rinia e vendit tonë është rini revolucionare, e cila ka ndërmarrë shumë aksione me karakter politik dhe edukativ. Megjithatë, e pandehura, duke qenë e pakënaqur për trajtimin që i bëhet të atit të saj, si person i dënuar për krime kundër shtetit, shpif dhe shtrembëron realitetin e vendit tonë; urrejtja kundër pushtetit popullor e ka shtyrë të pandehurën deri atje sa të fyej edhe udhëheqësit e partisë e të shtetit, të cilët janë njerëzi më të dashur të popullit tonë, sepse e drejtojnë atë me vendosmëri në rrugën e ndërtimit të jetës së lumtur, socializmit dhe komunizmit”.

Me vendimin nr.335, datë 27.12.1973, Gjykata Popullore Shkodër, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 4 vjet heqje lirie. Laura u lirua më 1.9.1977 nga Reparti nr.318 Kosovë, pasi kish vuajtur 3 vjet, 10 muaj, 23 ditë burgim. Ajo u nda nga jeta në SHBA ku jetonte me familjen, më 10.5.2020.

www.55news.al



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora