E merkure, 16.10.2024, 12:11 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Mehmet Prishtina: Çështja shqiptare në Londër

E marte, 09.08.2016, 07:51 PM


ÇËSHTJA SHQIPTARE NË KONFERENCËN E AMBASADORËVE NË LONDËR SHIKUAR NGA KËNDVËSHTRIMI I DIPLOMACISË BULLGARE

Nga PhD.UniVie. Mehmet Prishtina

Gjatë dy dekadave të fundit të shekullit XIX - dhe sidomos dekadën e parë të shekullit XX - Diplomacia bullgare angazhimet e saj i kishte përqendruar në dy drejtime: t’i luftojë dy projektet e mëdha të Serbisë dhe të Greqisë (‘Serbia e Madhe’ dhe ‘Megala Idea’). Ndërsa, angazhimi tjetër përqendrohej kryesisht në objektivat e politikës shtetërore për t’i ndjekur zhvillimet e çështjes së pazgjidhur shqiptare, e cila drejtpërsëdrejti ndërlidhej me revidimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, vendime këto që e ndanë Bullgarinë e Shën Stefanit në tri pjesë: në Bullgarinë vasale, në autonomi lindore të Rumelisë dhe pjesën e Maqedonisë-Odrinit, që kishte mbetur në juridiksionin e Perandorisë Osmane . Duke u nisur premisa se pjesa e Maqedonisë në vete ngërthente edhe trojet etnike shqiptare, ndërsa shqiptaret konsideroheshin populli më i vjetër i Ballkanit , por njëkohësisht edhe palë më e dobët krahasuar me Serbinë dhe Greqinë, diplomacia bullgare ishte shumë e interesuar për t’i ndjekur zhvillimet diplomatike të Fuqive të Mëdha rreth çështjes shqiptare në Ballkan.

Gjatë periudhës së fundit të shekullit XIX dhe dekadën e parë të shekullit XX, diplomacia bullgare mbante qëndrimin se për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve etnike ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve duhej të vlente një parim i pamohueshëm, i pakëndshëm dhe kushtetues, dhe ai parim, sipas tyre, ishte parimi i shumicës. Zbatimi i këtij parimi do të nënkuptonte që Bullgaria do t’i merrte të gjitha ato vise, të cilat janë të populluara me entitete shumicë bullgare, ndërsa të gjitha rajonet e populluara nga shqiptarët, të përfshihen brenda sferën nacionale shqiptare. Nëse një marrëveshje e tillë arrihej në mënyrë njerëzore dhe paqësore, mundësitë për një konflikt shqiptaro – bullgar do të eliminoheshin pa grindje dhe pakënaqësi (është e vetëkuptueshme nuk do të kishte ulje në tavolinë për t’u grindur lidhur me viktimat e ndërsjella të cilat do të imponoheshin nga nevoja që të mbahet llogari për kufijtë natyrorë gjeografikë). Në atë kohë, diplomacia bullgare konsideronte se shqiptarët nuk kanë se si të mos pajtohen me ketë mënyrë racionale për mundësitë e kufizuara reciproke në sferat e zgjedhjes nacionale, pasi që, jo vetëm se kjo ishte zgjidhje shumë e drejtë dhe e vetmja e pranueshme, por sepse, ata ishin më të dobët se bullgarët (për nga numri i përgjithshëm), dhe sepse do të kishin nevojë për ndihmën bullgare për të fituar lirinë e tyre kombëtare. Kjo nevojë për ndihmën bullgare u ishte paraqitur shqiptarëve, sepse ata do të duhej të luftonin në katër fronte: me xhonturqit - në tërë vijën kufitare, me grekët - në Epir, me serbët dhe malazezët në Fushë-Kosovë dhe Shqipërinë e Veriut dhe me peshkopatën greke në Shqipërinë Juglindore.

Nga qarqet diplomatike bullgare liferoheshin informacione mbi kalkulimet diplomatike të shteteve ballkanike rreth krizës së mundshme, që do të rezultonte nga shkatërrimi i Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim, më 28 tetor të vitit 1911 në Sofje, u takuan Kryeministrat e Serbisë dhe Bullgarisë, Milovanoviç dhe Geshov. Në këtë takim, ndër tjerash u diskutua edhe propozimi i kont Aehrenthal, i cili kishte humbur çdo shpresë për rimëkëmbjen e Perandorisë Osmane dhe për këtë arsye, për të qetësuar Ballkanin, e konsideronte të domosdoshme formimin e shtetit autonom shqiptar. Rreth propozimit të kont Aehrenthal për një Shqipëri Autonome, në këtë takim do të prononcohej ministri Milovanoviç, i cili këtë propozim e konsideronte shumë të rrezikshëm, pasi që ai parashikonte përfshirjen e Vilajeteve të Manastirit dhe Kosovës, dhe të pasurit shqiptarët për fqinjë, sllavët e Ballkanit e konsideronin si rrezik të madh për ta. Për këtë arsye, Milovanoviç do t’i propozoi kolegut të tij, Geshov, që territoret e banuara me shqiptarë të ndaheshin. Pjesët jugore të Shqipërisë dhe Maqedonisë t’i takonin Greqisë; pjesa verilindore përgjatë vijës tokësore Bregallnicë–Veles–Durrës t’i takonte Serbisë, ndërsa pjesa e mbetur t’i takonte Bullgarisë. Ndaj këtij propozimi ministri Geshov ishte përgjigjur me gjuhën diplomatike se për këto çështje duhet diskutim më i gjerë. Ndërkohë, në qarqet e ndryshme politike në Bullgari potencohej se, nëse gjatë bisedimeve Shkupi u lëshohet serbëve, atëherë bullgarët do ta humbnin çelësin e Maqedonisë.

Në këtë drejtim, shpeshherë diplomacia bullgare liferonte propozime konkrete për qetësimin e situatës në Ballkan dhe shmangien e një lufte të mundshme gjithëpërfshirëse nëpërmjet shtypit bullgar, gjë që do të mund të arrihej vetëm nëse Maqedonia fitonte autonominë. Megjithatë, vihet në dukje se kjo do të mund të arrihej vetëm nëse edhe Shqipëria do ta fitonte këtë autonomi të plotë.

Gjatë periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shpeshherë burimet e politikave zyrtare dhe akademike i sugjeronin popullatës maqedone që të solidarizohen me kërkesat e shqiptarëve për të fituar lirinë e dëshiruar dhe vetëqeverisjen kombëtare, pasi që këto zhvillime ishin edhe në favor të politikës bullgare. Aktivitet të jashtëzakonshëm zhvilloi edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Malin e Zi. Kjo politikë pozitive e ndjekur ndaj popullit shqiptar, do të ndërroi me kyçjen e Bullgarisë në aleancën ballkanike.

Diplomacia bullgare kishte informacione të duhura për zgjerimin gjithnjë e më shumë të lëvizjes kryengritëse në verën e vitit 1912. Po ashtu, disponimi gjithë-popullor kundër regjimit xhonturk, kishte bërë që çështja shqiptare të ngritët si problem evropian që kërkonte zgjidhjen përfundimtare. Këto ngjarje në trojet etnike shqiptare i përcillte me interesim të madh diplomacia bullgare dhe i vlerësonte ato si shumë serioze, me një karakter të thellë revolucionar e gjithë-popullor. Protagonistë të këtyre ngjarjeve ishin ish-deputetët e parlamentit osman dhe prijësit të Lëvizjes Kombëtare, siç ishte ish-deputeti i Prishtinës, Hasan Prishtina, i cili në shtypin bullgar paraqitej me virtyte të larta kombëtare, i qëndrueshëm dhe inteligjent. Diplomacia bullgare ishte shqetësuar me hyrjen e kryengritësve shqiptar në Shkup dhe i kishte kushtuar rëndësi të veçantë kësaj rrjedhe, duke potencuar se synimet e Shqipërisë Autonome kishin qenë shtrirja e saj nga bregdeti Adriatik e deri te rrjedha e majtë e lumit Vardar, duke përfshirë Shkupin dhe duke vazhduar më poshtë deri në Selanik. Këto synime të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, cenonin interesat e shteteve ballkanike dhe sipas diplomacisë bullgare këtu qëndronin arsyet për përshpejtimin e vënies në funksion të aleancës ballkanike.

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, diplomacia ruse ishte shumë e shqetësuar, pasi që ajo kishte investuar shumë në krijimin e aleancës sllave të Ballkanit për të ngadhënjyer ndaj Perandorisë Osmane dhe pas Luftës së Parë Ballkanike ndërmjet tyre kishin filluar përplasje të mëdha për territore. Bullgarët dhe grekët u zunë për shkak Selanikut; serbët dhe bullgarët për shkak të vijës kufitare të Vardarit dhe kufijve të Shqipërisë. Diplomacia ruse shqetësohej për konfliktin ndërmjet shteteve ballkanike, sepse informacionet me të cilat dispononte ajo tregonin se Austro – Hungaria stimulonte përçarjen e aleancën ballkanike si element kyç për të rritur ndikimin e saj në Ballkan. Ky problem do ta arrinte kulminacionin në konfliktin për territorin e Maqedonisë (pjesa dërmuese e të cilës ishin territore që i përkisnin Vilajeteve të Manastirit dhe Kosovës, që ishin të banuara me shumicë shqiptare), që asaj kohe ishte mollë sherri ndërmjet Bullgarisë, e cila i vlerësonte si territore të saja, dhe Serbisë, dhe që rezultoi të bëhet arsyeja kryesore që në qershor të vitit 1913 të filloi Lufta e Dytë Ballkanike.

Në Konferencën e ambasadorëve në Londër u diskutua për çështjen e kufijve të Shqipërisë. Me këtë rast, qeveria e Vlorës dërgoi një delegacion në Londër, i cili në fillim të janarit 1913 i paraqiti Konferencës një memorandum me anën të së cilit kërkohej që brenda kufijve të Shqipërisë të përfshiheshin të gjitha viset me popullsi shqiptare (vilajetet e Kosovës, Manastirit, Shkodrës dhe Janinës). Edhe delegacionet greke dhe serbo-malazeze kishin prezantuar qëndrimet e tyre lidhur me kufijtë e Shqipërisë së ardhshme autonome, ndërsa delegacioni bullgar ishte i mendimit se duhet sqaruar në aspektin historik dhe politik pikëpamjet e Bullgarisë.

Delegacioni bullgar i sugjeronte Konferencës së Ambasadorëve në Londër, se për kufijtë e Shqipërisë duhet të merren parasysh vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, e cila ishte thirrur në vitin 1876 në Stamboll me qëllim të hartimit të një plani reformash për Rumelinë (pjesa Evropiane e Perandorisë Osmane S.A, M.P), dhe është marrë, ndër tjerash edhe me caktimin e kufijve të krahinave të banuara me bullgarë. Sipas planit të rregullimit organik të elaboruar nga kjo konferencë, Bullgaria ishte ndarë në dy provinca të mëdha, njëra orientale me Tyrnovën si kryeqendër, tjetra oksidentale, që shtrihej deri në kufijtë e Shqipërisë, me Sofjen si kryeqendër.

Nëpërmjet këtij dokumenti, diplomacia bullgare propozoi në Konferencën e Ambasadorëve në Londër se për përcaktimit të kufirit të Shqipërisë duhet të merren parasysh vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, ku kufiri i Principatës së Bullgarisë me Shqipërinë është caktuar në përputhje me vendimet e Konferencës së Stambollit. Kufiri sipas propozimit të tyre fillonte aty ku bashkohen Veleshtiza me lumin Drini Zi dhe vazhdonte përgjatë këtij lumi deri tek kufiri lindor në perëndim të Ohrit, pastaj duke e vazhduar deri në Starovë në drejtim të majës së Gramosit.

Diplomacia bullgare dëshironte që çështja e kufirit dhe e Shqipërisë së ardhshme autonome, e hapur në Mbledhjen e Lartë të Ambasadorëve të atyre Fuqive të Mëdha që kishin marrë pjesë edhe në konferencën e Stambollit, të përcaktohej sipas përfundimeve të kësaj të fundit. Në fakt, diplomacia bullgare dëshironte që të rikonfirmohen vendimet e Konferencës së Stambollit të vitit 1876, me të cilat realizoheshin synimet ekspansioniste bullgare, që parashihnin territore të pastra të banuara me shqiptar.

Pasi u vë në dijeni për memorandumin e qeverisë së Shqipërisë për çështjen e kufijve, delegacioni bullgar kishte vendosur t’u drejtohet ambasadorëve pjesëmarrës në Konferencë përmes letrave diplomatike për t’i kundërshtuar të dhënat që ishin paraqitur në memorandumin e qeverisë shqiptare, në të cilat potencohej se:

“Autorët e këtij dokumenti i kanë lejuar vetes që të formulojnë pretendime për pothuajse tërë Maqedoninë perëndimore, pretendime këto që shkelin madje edhe parimet mbi të cilat është ngritur autonomia shqiptare - parimi i kombeve. Në të vërtetë, patriotët shqiptarë do të dëshironin t’i futnin në Shqipërinë e ardhshme edhe qytetet e Shkupit dhe Manastirit bashkë me territoret që arrinin deri te qyteti i Velejit dhe Prilepit!!!. Diplomacia bullgare vlerëson se pretendimet e delegacionit shqiptar janë joreale, dhe çdo kufi tjetër do të ishte jo vetëm në kundërshtim me të drejtën dhe me barazinë, por do të krijonte edhe marrëdhënie jo normale ndërmjet Shqipërisë autonome dhe fqinjëve të saj. Popullata bullgare e trevave që kufizohen me Shqipërinë nuk do t’i nënshtrohej kurrë një zgjidhjeje që i fut vatrat e tyre në Shqipërinë e ardhshme, gjë që është dëshmuar mizorisht në të kaluarën. Mes të tjerash në këtë shënim pretendohej se kombi bullgar, i cili gjatë luftës aktuale ka sakrifikuar njerëz dhe para, nga të cilat është varur autonomia e Shqipërisë, vetë nuk do të mund të pranonte një padrejtësi të ngjashme”.

Nga ky dokument shihet qartë se diplomacia bullgare, lidhur me çështjet që kishin të bënin me kufijtë e Shqipërisë, ndante pretendimet e njëjta sikurse shtetet tjera të aleancës ballkanike për aneksimin e territoreve të banuara me shqiptarë dhe për të realizuar projektet e tyre madhore.

Në fund të këtij shënimi të delegacionit bullgar potencohet se:

“Bullgaria dëshiron të vendos marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe miqësore me Shqipërinë e ardhshme. Prandaj, inkorporomi brenda Shqipërisë i një pjese të tokave bullgare do të ishte kundër këtij qëllimi. Ja arsyeja përse ne mbesim me shpresë të madhe se zotërinjtë ambasadorë të Fuqive të Mëdha do ta përmbushin një detyrë të re të barazisë dhe të pjekurisë politike, duke i pranuar të njëjtat parime që ishin bazë e punës së tyre në Konferencën e Stambollit”.

Në luftën e Parë dhe të Dytë Ballkanike, Serbia kishte arritur ta jetësojë projektin “Serbia e Madhe“ të Ilia Garashaninit. Në favor të këtij projekti shkonin edhe konstalacionet e Fuqive të Mëdha, të cilat dëshironin t’i shmangeshin një lufte gjithë përfshirëse në Evropë. Në këtë drejtim, ata pranuan status quo në teren, e cila korrespondonte me dhunë, masakra dhe shpërngulje të popullatës shqiptare nga trevat e saj etnike. Këto konsolidojnë shkaqet se pse në trevat lindore shqiptare shpërtheu kryengritja anti–serbe e shtatorit të vitit 1913, e cila morri përmasa aq të mëdha saqë i kishte shqetësuar autoritetet serbe, pasi që ajo dëshironte ti mbajë ato territore që i kishte fituar në terren, duke u mbështetur edhe në përkrahjen që kishte nga Rusia në sjelljen e vendimeve te cilat ia konfirmonin okupimin e trevave shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në fillimet e punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, diplomacia bullgare kishte për synim t’i realizojë qëllimet e veta territoriale në Vilajetin e Kosovës dhe Manastirit duke u mbështetur në diplomacinë ruse. Ndërsa marrëveshjen e Bukureshtit të datës 10 gusht 1913, jo vetëm që Serbia e mori territorin kontestues që ishte pikë e marrëveshjes për lidhjen e Aleancës Ballkanike, por edhe Greqia mori një territor të madh të Bullgarisë. Pas Luftës së Dytë Ballkanike, diplomacia bullgare kërkonte nga shqiptarët një aleancë kundër Serbisë dhe Greqisë, duke lënë përshtypje se ata janë te gatshëm të bëjnë kompromis me shqiptarët lidhur me kufijtë. Ndërsa, diplomacia serbe dëshironte të impononte vendimet e Bukureshtit, ku asaj i ishin bërë koncesione të mëdha edhe për territore të banuara me shqiptarë.

Pasi Serbia kishte ngadhënjyer në Luftën e Dytë Ballkanike, përveç që ajo mundi ta forcoi pozicioni e saj në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, asaj ju hap po ashtu rruga për t’i realizuar synimet e saj shekullore për ta okupuar territorin e luginës përgjatë lumit Vardar dhe të kufizohej me Greqinë. Me këto synime jo vetëm që cenoheshin trevat lindore të banuara me shqiptarë dhe dobësohej ndikimi Austro–Hungarez në Ballkan, por ngulfateshin edhe shpresat e Bullgarisë për të jetësuar projektin e Shën Stefanit. Për t’ju rikthyer synimeve të saj në Maqedoni, qeveria në Sofje mbështeste në mënyrë aktive lëvizjen nacionaliste maqedonase që dëshironte bashkimin e Maqedonisë me Bullgarinë. Lufta kundër Serbisë ishte objektivi i parë i kësaj aleance. Por, për ta bërë sa më të fuqishme këtë aleancë, duheshin zgjeruar radhët e saj dhe ata rekrutuan shqiptarë duke ju premtuar atyre rikthimin e territoret etnike shqiptare të vilajetit të Manastirit dhe Kosovës, pasi që shqiptarët ishin të gatshëm t’ju bashkohen të gjitha atyre forcave që kundërshtonin Serbinë.

Në këtë kohë, diplomacia serbe vlerësonte që prej fillimit të krizës ballkanike, Austro – Hungaria frikësohej që kjo çështje mund të merrte përmasa evropiane, sepse në këtë rast më e dëmtuara do të ishte vetë ajo. Po ashtu, ajo konstatonte se Austro-Hungaria gjatë kësaj periudhe i shfrytëzonte vendimet e Fuqive të Mëdha për qëllime të veta dhe angazhohej që ta përçajë Aleancën Ballkanike, duke kërkuar pavarësinë e Shqipërisë. Austro-Hungarisë i shkonte për shtati mobilizimi i shqiptarëve në kufij, dhe këtë e përdortë si alibi për t’i anuluar vendimet e mëhershme nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Gazeta “????????“(“Politika”) i interpretonte shkrimet e gazetave franceze të cilat raportonin nga Vlora dhe argumentonte lidhur me angazhimin e Austro-Hungarisë dhe Italisë për t’i lëvizur kufijtë e Shqipërisë në favor të përfitimeve territoriale të Serbisë dhe Malit të Zi. Fuqitë e Mëdha kishin kujdes që kriza ballkanike mos të merrte përmasa Evropiane, për shkak se nuk ishin të gatshëm për një luftë gjithëpërfshirëse dhe prandaj ishin të gatshme të pranonin situatën e krijuara në Ballkan.

Kryengritja shqiptare ishte drejtuar kundër Serbisë dhe Malit të Zi, të cilat me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, aneksonin territore të banuara me shqiptarë. Kryengritësit shqiptar ishin mirë të armatosur me mauzerë, mitraloza dhe topa të kalibrit të madh, gjë që sipas autoriteteve ushtarake serbe paraqiste dëshmi se Austria dhe Italia po i armatoste shqiptarët.

Sipas informacioneve me të cilat dispononte gazeta “????????“ (“Politika”), në Durrës po qëndronte oficeri i lartë i ushtrisë bullgare Markov, i cili kishte ardhur si përfaqësues i qeverisë bullgare për të hyrë në bisedime me prijësit e kryengritjes. Bazuar në këto informacione të gazetës “????????“ (“Politika”), Markov u kishte premtuar shqiptarëve përkrahjen e Mbretërisë së Bullgarisë, nëse ata ngritën kundër Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Oficeri u kishte premtuar shqiptarëve, se Bullgaria do t’ia dërgonte shtetit shqiptar një kontingjent të madh me armatim. Po ashtu, sipas këtij premtimi, atyre do t’ju dërgonin edhe artileri të rëndë dhe instruktorë për ta trajnuar armatën shqiptare në përdorimin e topave dhe mitralozave. Markov ishte takuar me shumë prijës të kryengritësve shqiptar dhe kishte tentuar që ta përvetësonte Esad Pashën. Sipas informacioneve të gazetës nga Vlora, ishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet VMRO-së dhe Isa Boletinit e Bajram Currit. Më tej thuhej se Jane Sandanski kishte arritur t’i bëjë për vete këta dy prijës shqiptar në luftë kundër Serbisë dhe Malit të Zi.

Në fund të nëntorit 1913, përfaqësuesi i Vjenës në Sofje u autorizua që t’ju deklaronte autoriteteve bullgare se ishte në interesin e Bullgarisë që të mos u jepte përkrahje manovrave të drejtuara kundër personit të Princ Vidit, dhe se ajo kishte një interes të natyrshëm që Shqipëria të bëhej një faktor, i cili duhej të llogaritej në të ardhmen në Ballkan. Ndërsa, në fillim të dhjetorit Vjena e Roma bënë demarshe edhe te kryeministri Radosllavov dhe te ministri i Jashtëm për të ndalur stimulimin e veprimeve të grupeve të armatosura shqiptaro–bullgare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora