E enjte, 03.10.2024, 05:17 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Harallamb Kota: 97 vjetori i Memorandumit të Beratit

E shtune, 23.04.2016, 05:58 PM


Disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Korfuzit, shpërtheu lufta botërore e viteve 1914-1918

97 VJETORI I MEMORANDUMIT TË BERATIT

30 prill 1919 - 30 Prill 2016

Paria e Beratit kërkon: “Shqipëria të Qeveriset nën Mandatin Amerikan”

- Presidentit amerikan Wilson lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, deklaron që “shqipëtarët janë të aftë për vetqeverisje”

- Më 29 janar 1916, në Elbasan mbritën trupat bullgare dhe një forcë ushtarake e përbërë nga fuqitë e Ahmet Zogut

- Krahasimi: Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Beratit dhe qëndrimet e befasuese të fuqive të mëdha

Nga Harallamb Kota, studiues i historisë

Xhonturqit  -Kundër Shqipërisë Sovrane

Në kryeqytetin perandorak po frynin erërat e një politike të re, në favor të ruajtjes së teritoreve perandorake dhe në dëm të çështjes shqiptare. Më 3 shkurt 1913, xhonturqit ndryshuan politikat e tyre lidhur me aleancat ballkanike e europiane dhe si përgjigje, Sebia bashkë me  Malin e Zi e prishën armëpushimin. Menjëherë ushtria greke sulmoi në drejtim të Korçës dhe pas disa ditësh luftimi u fut në qytet. Prej këndej, iu drejtua përsë dyti Janinës. Qyteti mbrohej nga trupat ushtarake osmane, ku bënin pjesë edhe ushtarë të rekrutuar shqiptar. Më 12 prill 1913 Shkodra kështjella madhështore e Veriut, i dorëzohet ushtrisë malazeze. Garnizoni osman e braktisi mbrojtjen e qytetit, pasi mori urdhër nga “Shteti Turk” i qeverisur nga “Triumverati i Turqve të Rinj”. Fuqitë e Mëdha e kishin caktuar Shkodrën brenda kufijve të Shqipërisë. Esad Pash Toptani –gjeneral në ushtrinë  osmane, i caktuar me detyrën e zv/komandantit për mbrojtjen e qytetit, me tu larguar komanda turke, e dorëzoi qytetin në duart e malazezve dhe me ushtrinë e mbetur, për të shpëtuar kokën e tij, u vendos në Tiranë.

Pushtimi i Shqipërisë

Disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Korfuzit, shpërtheu lufta botërore e viteve 1914-1918. Princ Vidi, i përballur me vështirësitë e brendshme, nuk ishte më zot i situatës dhe u largua. Largimi i sovranit në një moment kaq kritik e zhyti Shqipërinë në anarki. Qeveria greke përfitoi menjëherë nga kjo situatë. Ngaqë marrëveshja e Korfuzit nuk paraqiste më interes për të, ajo e hodhi poshtë. Venizellosi premtoi futjen e vendit të tij në luftë në krah të Antantës. Ushtritë greke depërtuan në Shqipëri dhe, në fund të vitit 1914, Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara dhe u trajtuan përfundimisht të aneksuara, ndërsa administrata ushtarake u zëvendësua nga administrata civile. Pas pushtimit të Korçës dhe Gjirokastrës prej Greqisë, Italianët më 31 tetor pushtuan Shqipërinë dhe u vendosën në Ishullin e Sazanit përballë gjirit të Vlorës dhe më 26 dhjetor 1914, edhe brenda në Vlorë. Ky pushtim shkaktoi zhdukjen e asnjanësisë shqiptare, vendosur  nga gjashtë fuqitë e mëdha në Londër më 29 korrik 1913. Sipas Nuçi Kotës, Doktor i Shkencave Juridike, diplomuar në Universitetin e Sorbonës në Francë, më 22 Maj 1915, “Italia, duke prishur aleancën e saj me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, u rreshtua në krah të Francës dhe të Anglisë.Ky ndryshim i qëndrimit italian solli si rrjedhojë një marrëveshje të fshehtë mes Qeverisë italiane dhe Qeverive franceze, angleze dhe ruse (paktin e fshehtë të Londrës), ku Italia zotohej: “Në rast se do të formohet në Shqipëri një “Shtet i Vogël Autonom dhe Neutral”, t’i ndajë krahinat veriore dhe jugore të Shqipërisë me Malin e Zi, Serbinë dhe Greqinë; pjesa e Shqipërisë së jugut, nga kufiri italian i Vlorës deri te Kepi i Stillos, do të jetë asnjanëse. Ky pakt i fshehtë, po të ishte zbatuar, do të kishte shënuar fundin e Shqipërisë, por nuk u zbatua. Presidenti Uillson, që nuk ishte në dijeni për këtë çështje, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u futën në luftë, iu kundërvu me të gjithë fuqinë e bindjeve të tij dhe, të paktën në këtë pikë, doli fitimtar”.

Synimet serbo- malazeze mbi Shqipërinë

Me të hyrë në Shkodër, komanda ushtarake malazeze u vu në kërkim të Çerçiz Topullit. Në mesditën e datës 14 korrik 1915, malazezët e kapën në pabesi Çerçizin, sëbashku me shokun e tij Muço Qulli. Kapedanët u arestuan si austrofil dhe u mbyllën në një gazermë. Disa orë më pas u arestua edhe Sejfi Vllamasi bashkë me Koço Kotën, të cilët u mbajtën të izoluar në kazermat e ushtrisë. Natën e 14 korrikut 1915, duke u gdhirë dita e 15 korrikut 1915, patrioti dhe trimi legjendar, heroi i Mashkullorës Çerçiz Topulli, me shokun e tij Muço Qulli, u nxorën nga qelia dhe u dërguan në fushë të Shtoit, afër katundit Golem për tu pushkatuar. Vrasja e kapedan Çerçizit tronditi anembanë patriotizmën shqiptare. Komanda malazeze, u informua dhe mori masat e menjëhershme për asgjësimin e organizatës Krahu Kombëtar dhe të Komitetit për Shpëtimin e Kosovës. Njësitet operacionale ushtarake malazeze ndiqnin maleve Isa Boletinin dhe  Ded Gjo Lulin, ndërsa në qytet filluan arestimet masive të figurave patriotike shqiptare. Po atë ditë që u vra Çerçizi, u arrestuan edhe shumë figura të tjera të patriotizmës shqiptare, Preng Pasha, Aqif pashë Elbasani, Sotir Peci, Luigj Gurakuqi, Fejzi Alizoti, Eshref Frashëri, Kristo Floqi, e tjerë. Mbajtja e tyre në qeli dhe në kazerma, po sillte frikë dhe panik në komandën malazeze. Si pasojë u vendos internimi i tyre në Mal të Zi, në Cetinjë. Duke qenë nën presionin e fuqive ushtarake austrohungareze, komanda ushtarake malazeze nuk mundi të marë masa ndëshkuese karshi patriotëve shqiptarë, por u detyrua t’i nxjerë nga burgjet në liri. Më 15 shtator 1915, ushtria austrohungareze shpartalloi trupat ushtarake serbo- malazeze.  Për patriotët shqiptar, të cilët kishin qëndruar në Cetinjë në pritje për tu rikthyer në Shkodër, kishte ardhë ora e lirisë. Pas disa bisedimeve të bëra me komandën austrohungareze në Cetinjë, ata u kthyen në Shkodër. Më 24 shtator 1915, forcat serbo-malazeze, me ndihmën e bashkëpunëtorëve esadist, shtinë në dorë Ded Gjon Lulin dhe e vranë në Sheshëz afër Oroshit të Mirditës. Ushtria autro-hungareze më 17 janar 1916 hyri në Shkodër. Megjithatë, fuqi të armatosura malazeze që mbanin nën terror shqiptarët dhe kryenin masakra ndaj tyre, ndiqnin nga pas Isa Boletin me trimat e tij që vepronin në mbrojtje të bashkatdhetarëve të tyre. Pas luftimeve të përgjakshme më 23 janar 1916, Isa Boletini u vra në Podgoricë nga ushtritë serbo - malazeze. Para se të mbyllte sytë, ka dhënë këtë porosi: “Mos më leni në duar të shkaut. Më hidhni në hon, se atje dëshiroj me u preh”.

Ardhja e ushtrive austro –hungareze në Shqipëri.

Qendra e Korps Komandës austro-hungareze dhe e administratës qendrore shqiptare u bë Shkodra. Ushtria austro-hungareze mori në dorë administratën e mobilizoi disa batalione me ushtarë. Prefektura drejtohej nga një gjeneral me autoritet civil dhe ushtarak. U mbyll zyra e post-telegrafës, u suprimua gjykata penale dhe mbetën vetëm gjyqtarët civilë. Më 29 janar 1916, në Elbasan mbritën trupat bullgare dhe një forcë ushtarake e përbërë nga fuqitë e Ahmet Zogut. Ushtria austro-hungareze marshoi nga Shkodra dhe u vendos në teritorin e kufizuar deri me lumin Shkumbin. Matanë Vjosës, në krahinën e Vlorës ishin vendosur ushtritë italiane, ndërsa në krahinën e Korçës hynë forcat Franceze. Ushtria serbe, e përqëndruar në Durrës zbarkoi në Korfuz. Në kushtet e reja të pushtimit, qeveria e Durrësit humbi teritoret administrative dhe pushtetin mbi ato teritore. Si pasojë Qeveria e Esad Toptanit, quhej e rëzuar dhe Pashai u largua nga Shqipëria. Me të mbëritur ushtria austriake, disa krerë shqiptar më  3 mars 1916, morrën inisiativën për organizimin e një kongresi kombëtar në Elbasan, për krijimin e një qeverie provizore në emër të Ëidit, me kryeministër Aqif pashë Elbasanin. Mbajtja e kongresit nuk u pranuar nga komanda  ushtarake austro-hungareze, me justifikimin që veprime të tilla nuk lejohen në kohë lufte. Në të vërtetë, Vjena kishte planet e veta dhe i kushtoi një rëndësi të posaçme administrimit të Shqipërisë në kohën kur mungonte qeveria e vëndit. Ushtria austro-hungareze që zotëronte teritorin shqiptar nga Shkodra deri në vijën e Shkumbinit, avancoi me shpejtësi në drejtim të Vjosës dhe maleve të Korçës. Disa reparte ushtarake austrohungareze të mbështetura nga vullnetarë matjan, lushnjarë e myzeqar, nën komandën e Zogut, zunë Vjosën,   ndërsa pjesa tjetër e ushtrisë e ndihmuar nga vullnetarë shqiptar nën komandën e Sali Butkës iu drejtuan Korçës. Organizimi austrohungarez i qeverisjes lokale, funksionoi shumë mirë edhe në prefekturën e Beratit. Më pas, me ndërhyrjen e Aqif pashë Elbasanit dhe me mbështetjen e ministrit të Punëve të jashtme të Austro-Hungarisë në Shkodër, komanda ushtarake bëri emërimet e prefektëve në Berat, Durrës, Elbasan, të nënprefektëve në Fier, Lushnjë, Mallakastër, Skrapar, Peqin, Gramsh dhe disa kryetar komunash, duke formuar një administratë legale shqiptare në vend të asaj të Esad Pash Toptanit. Krahas administratës civile, u krijuan dhe njësi vullnetarësh shqiptarë, për të siguruar rendin, qetësinë dhe për të marrë pjesë në operacionet ushtarake. Vullnetarët shqiptarë edhe pse nën komandën austro-hungareze, ruajtën ndjenjën kombëtare dhe interesin publik kombëtar.

Ardhja e ushtrive Franceze në Shqipëri

Në teritorin juglindor të Shqipërisë, që sundohej nga ushtria greke, papritur situata pësoi një ndryshim të madh. Në tetor 1916, një ditë në befasi të plotë, zbret nga gryka e Mborjes një fuqi ushtarake franceze prej 400 kalorësish, të cilët hynë në Korçë si pa gjë të keq dhe menjëherë u dhanë ultimatum autoriteteve greke që të largoheshin nga Korça e të tërhiqeshin në Janinë. Në Selanik ishte instaluar Esat pash Toptani me një fuqi të vogël milicësh, që përfaqësonte sipas tij, “Qeverinë Shqiptare” të emigruar. Në Selanik ishte instaluar edhe Venizelua me një fuqi ushtarake të përbëra nga civilë anadollak dhe ushtarë me veshje të regullta, që kishte krijuar sipas tij një “Qeveri Vorioepirote”, aleate me anglo-francezët. Në këtë kohë çetat shqiptare të organizuara nga austriakët dhe që komandoheshin nga Salih Butka e Themistokli Gërmenji, në marëveshje edhe me Francezët thurnin plane për ta çliruar Korçën të okupuar nga grekët. Më 8 dhjetor 1916, Themistokliu me shokë, me një fuqi të armatosur prej 3000 veta hyri natën në Korçë. Më 10 dhjetor 1916 u shpall “Republika Shqiptare e Korçës”.

Çështja Shqiptare pas përfundimit të “Luftës Parë Botërore”

Më 30 tetor 1918, përfundoi Lufta I Botërore. Koalicioni i Boshtit, ku reshtoheshin: Turqia e xhonturqve, Autro-Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania u mund. Ç’do të ndodhte me Shqipërinë?.  Lufta I  Botërore,  e varfëroi së tepërmi ekonominë shqiptare, vëndi u fut në kaos, ndërsa populli u zhyt në mjerim të thellë. Mijëra vetë vdiqën nga zija e bukës dhe epidemitë. Mjaft dyqane dhe ndërtesa u shkatëruan. Berati duke qenë qendër komande për ushtrinë austrohungareze, ishte bërë fushë luftimesh ndërmjet Italisë dhe Austrisë, me pasoja për ekonominë e prefekturës. Në krahinën e Korçës, kontrolli i grekomanëve dhe francezëve ishte tepër i lartë. Koço Kota i kthyer në Korçë në pragun e largimit të ushtrive austro-hungareze nga Shkodra, filloi organizimin dhe grumbullimin e korçarëve rreth vetes dhe shumë prej tyre i anëtarësoi apo i bëri simpatizant të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar”. Edhe situata në Dibër paraqitej e tensionuar. Një ushtri franceze ardhur nga Manastiri pushtoi Dibrën. Sipas marëveshjes së lidhur me qeverinë jugosllave, francezët me tu larguar nga Dibra, do ja dorëzonin qytetin Jugosllavisë. Për të mbrojtur krahinën e Dibrës, u mblodhën fuqi shqiptare të komanduara nga Isuf Elezi. Ndërkohë, një ushtri serbe vrapoi të hyjë në Shkodër dhe pas disa luftimeve me austriakët hyri në qytet, ku ngriti flamurin e saj. Italianët kishin mbritur edhe ata në dyert e Shkodrës. Konflikti i mundshëm midis italianëve dhe serbëve për të sunduar Shkodrën u zgjidh nga Komanda Aleate dhe qyteti ju dorëzua ushtrisë franceze, e cila erdhi duke marshuar nëpërmjet vijës Gjakovë-Malësi dhe Kosovë-Shalë-Shkodër. Me largimin e austrohungarezëve dhe ardhjen e francezëve, situata qeverisëse në Shkodër ndryshoi. Në kushtet e reja, organizata “Krahu Kombëtar” u shfaq me emërin “Komiteti Kosovës” dhe kryesohej nga Hoxha Kadri Prishtina. Krahu Kombëtar i kërkoi komandës franceze, organizimin e një Kuvendi  për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por sipas Sejfi Vllamasit,  koloneli francez Sardi de Fourtou nuk lejoi mbledhjen e një kongresi në Shkodër. Pas refuzimit francez, Fejzi Alizoti, Luigj Gurakuqi, Avni Dabulla e Preng Pasha, u nisën për në Lesh, e cila ishte zonë e okupuar nga ushtritë italiane, për të realizuar mbledhjen e kongresit në qytetin e Leshës. Por edhe italianët e refuzuan kërkesën e tyre.

Qeverisja e Shqipërisë nga “Komanda Ushtarake Italiane”

Pas largimit të Austro-Hungarisë, vëndi qe i pushtuar nga italianët, me përjashtim të Korçës dhe Shkodrës, që kontrolloheshin nga francezët. Ndërkohë u hapën zëra për shpërbërjen e Shqipërisë në favor të Greqisë dhe Jugosllavisë. Për normalizimin e kësaj situate, në 1 nëntor 1918, Myfit Libohova i kërkoi komandës italiane në Shqipëri, të lejonte ngritjen e një qeverie shqiptare nën përkrahjen e Italisë. Ministri i jashtëm i Italisë, Sonino, kërkoi të thireshin në Romë Turhan Pasha, Myfit Libohova dhe Mihal Turtulli për të biseduar për krijimin e një qeverie të re shqiptare nën ndikimin e tyre. Mehmet Konica dhe Myfit Libohova, pas kthimit në Shqipëri nga takimi në Romë me qeverinë italiane, e thirrën Kongresin në Durrës që ishte ende kryeqytet i Shqipërisë. Më 25 dhjetor 1918 u krijua qeveria shqiptare e kryesuar nga Turhan Pasha.

Konferenca e Paqes dhe fati i Shqipërisë

Pak ditë pas formimit të qeverisë së re shqiptare, në fillim të janarit 1919, mori rrugën për në Romë ish-kryeministri shqiptar Ismail Qemali, i cilësuar për politikën italiane si anti-italian. Sapo hyri në tokën italiane, Profeti i shqiptarëve, u prek nga një sëmundje e rëndë dhe nuk mundi të mbërijë në Romë. Vdekja e tij e papritur, e ardhur pas kongresit të zhvilluar në Durrës, përhapi dyshime se mund të ishte helmuar. Mosmarëveshjet politike të patriotëve shqiptar dhe qëndrimet armiqësore midis tyre në përzgjedhjen e aleatëve, kishin krijuar terenin e përshtatshëm për fqinjin tonë jugor lidhur me pretendimet e tij ndaj teritoreve të cunguara shqiptare në vitin 1913.  Si pasojë, në “Konferencën e Paqes” që po zhvillohej në Paris, qysh nga 12 shkurti 1919, ishte diskutuar problemi grek, që kishte të bënte me synimet e hershme të tyre mbi Shqipërinë Jugore. Një komision i posaçëm nisi të shqyrtonte kërkesat greke.

Komiteti i Shpëtimit Kombëtar

Rreziku që vinte nga fqinji jugor, diktoi nevojën e organizimit të popullit për mbrojtjen e kufijve të cunguar etnik dhe historik nga sulmet pushtuese të forcave ushtarake greke. Në shkurt të vitit 1919, u formuan në Berat dhe në disa qytete të tjera të kësaj prefekture “Komitete të Shpëtimit Kombëtar”. Koço Kota bënte pjesë në radhët e intelektualëve beratas dhe ishte një nga inisiatorët e krijimit të tyre. Komitetet e Shpëtimit Kombëtar, morrën përsipër misionin e organizimit të forcave vullnetare popullore brenda Shqipërisë dhe bashkëveprimin e veprimeve të tyre, me inisiativat politike të patriotëve shqiptar, që vepronin pranë kryeqyteteve të Fuqive të Mëdha dhe në sallonet diplomatike në Konferencën e Paqes që po zhvillohej në Paris. Komitetet e Shpëtimit Kombëtar, krijuan lidhje me Shoqëritë Atdhetare në Korçë, Bukuresht, Sofje, Aleksandri, Amerikë dhe kudo ku kishte shqiptar, për të ngritur dhe bashkuar zërin në mbrojtje të kufijve të cunguar etnik të Shqipërisë. Për realizimin e këtij qëllimi, dr.Koço Kotta në fillim të shkurtit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N.Kotta.

Amerikanët: Shqipëria e aftë për vetqeverisje

Për të qartësuar situatën lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, Presidenti amerikan Ëilson emëron konsullin e SHBA në Torino, Josef Haven, si delegat për të bërë hetimet e nevojshme në Shqipëri. Qeveria e Turhan Pashës dhe Komanda ushtarake italiane e mirëpritën ardhjen e tij dhe i vunë në dispozicion gjithçka mundën për mbarëvajtjen e misionit që konsulli kishte marë përsipër. Konsulli qëndroi disa ditë në Vlorë. Në shtëpi të Ali Asllanit, ai bisedoi me Qazim Kokoshin. Në takim morrën pjesë edhe gratë vlonjate. Konsulli Haven konstatoi i kënaqur që jo vetëm burrat por edhe gratë që mbanin kostume popullore shqiptare, u fjalosën me të, në gjuhën shqipe. Qazim Kokoshi i parashtroi konsullit amerikan, se shqiptarët dhe vlonjatët nuk pranojnë asnjë dominim Italian.   Pas Vlorës, në të gjitha krahinat e Jugut të Shqipërisë, ku konsulli udhëtoi dhe i shkeli fshat më fshat, konstatoi se popullsia autoktone ishte shqiptare dhe fliste vetëm në gjuhën shqipe. Në Tepelenë, n/prefekti Qazim Koculi, kishte mbledhur të gjithë fshatarët me kostume popullore shqiptare, të cilët demostruan për çështjen shqipatre dhe shprehën simpatinë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Gjirokastër komisioni i drejtuar nga Thoma Papapano dhe Jorgji Meksi, kishin organizuar një pritje të nxehtë. Populli i veshur me kostume popullore shqiptare, i lutej konsullit ti transmetonte presidentit amerikan Ëillson, se dëshira e shqiptarëve është që të jetojnë më vehte si kombet e tjerë.  Në Përmet pritja e organizuar nga patriotët Dhimitër Kacimbro dhe Koço Tasi, u bë më madhështore dhe populli i kërkoi konsullit që ti jepej Shqipërisë vetqeverim i plotë. Pritje madhështore u organizuan edhe nga populli shqiptar në Leskovik e Kolonjë. Pas këtij udhëtimi, konsulli amerikan Josef Haven i tha Mborjes: “Pretendimet greke janë krejt të kota”. Në zonën franceze të pushtimit, konsulli Josef Haven e filloi inspektimin nga Korça, ku qëndroi tre ditë. Autoritetet franceze të pushtimit, kishin ndaluar çdo manifestim popullor në favor të çështjes shqiptare. Korçarët, midis të cilëve kishte edhe nga ata që kishin qenë në amerikë dhe e flisnin mirë gjuhën amerikane, u paraqitën me shumë përfaqësi dhe kërkuan pavarësinë e Shqipërisë me të gjitha kufitë e saj, duke shfaqur edhe simpatinë e tyre të veçantë për Amerikën. Në vijim të misionit të tij, konsulli amerikan shkoi në Pogradec, ku nga takimi me major Mortier, u entuziazmua nga vlerësimi që ai kishte për shqiptarët. Mortier u shpreh kundra grekëve, serbëve dhe italianëve dhe kundra politikës franceze që i përkrahte ata. Pas Pogradecit, Konsulli amerikan Josef Haven shkoi në Delvinë, ku u prit nga n/prefekti Leonidha Frashëri, një nga patriotët më të dalluar shqiptar. Edhe këtu kërkesat e popullit ishin për pavarësinë e Shqipërisë. Në fshatin Himarë, u shfaqën disa persona për protektoratin Italian, ndërsa në Vuno populli i kryesuar nga vëllai i Spiro Kolekës, kërkoi me këmbëngulje vetqeverimin e plotë të Shqipërisë. Mbas disa ditësh konsulli amerikan Josef Haven, i shoqërua nga Tefik Mborja, inspekton Durrësin, Tiranën, Shkodrën dhe Krujën. Nga Kruja konsulli amerikan Erikson u kthye në Vlorë. Misioni i tij kishte përfunduar. Në raportin që përpiloi dhe ja dërgoi presidentit Ëillson, konsulli Josef Haven çfaqi mendimin që: “Shqipëria është një vend që qeveriset vetë, sepse i ka të gjitha elementet e duhura që i nevojitet për vetqeverim”.

Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Beratit

Qëndrimi i Presidentit amerikan Ëilson lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, dhe deklarimi i tij që “shqipëtarë janë të aftë për vetqeverisje”, nxitën besimin e popullit shqiptar tek politika proshqiptare Amerikane. Patriotët shqiptar në pragun e mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris, hartuan dhe paraqitën para Fuqive të Mëdha dy dokumenta historike të asaj periudhe: Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Korçës.  Nisur nga rëndësia historike dhe përmbajtja atdhetare e dy Memorandumeve, dokumentat po i citojmë të plotë.

MEMORANDUMI  ALEKSANDRISË

Shqipëria Natyrale

Adresuar: Konferencës Paqes në Paris !

Konferenca e Paqes, nuk i përfilli kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar, për të ruajtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të shtetit shqiptar dhe për të rishikuar kufijtë në favor të tij, duke përfshirë brenda tyre ato territore shqiptare që ishin shkëputur më 1878 e 1913.

Memorandumi i Aleksandrisë u pregatit në Kajro nga N.Kasneci e A.Zako Çajupi. Më 8 dhjetor 1918, Komisioni i zgjedhur nga Mbledhja P.Shoqërive Shqiptare të Egjiptit,  anëtar i të cilit ishte edhe Llambi N.Kotta, i mbledhur në shtëpinë e Filip Shirokës, e miratoi tekstin dhe e firmosi memorandumin. Memorandumi, i hartuar në favor dhe interes të mbrojtjes së të drejtave të shtetit shqiptar të pavarur dhe Sovran, nga ambiciet dhe synimet antishqiptare që shtetet shoviniste fqinje i kishin paraqitur Konferencës së Paqes, iu dërgua ambasadorëve të Shteteve Aleate, Anglisë, Francës, Italisë dhe SHBA me seli në Kajro, me lutjen që  ta dërgojë secili në Ministritë e Punëve të Jashtme të shteteve që përfaqësojnë dhe kësisoj të arijë në duart e delegatëve të tyre në Konferencën e Paqes. Krahas Memorandumit, Komisioni hartoi edhe telegrame, që ju dërguan: Presidentit të SHBA z. U. Uillson;  Ministrave të Punëve të Jashtme të Francës, Anglisë, Italisë e SHBA;  Shoqërisë “Vatra” në Amerikë, Shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër;  z.Mehmet bej Konitza në Londër, Pandeli Cale në Lozanë, Pandeli Evangjeli në Bukuresht, Kol Rodhe dhe Tefik Mborja në Romë, Kristo Luarasi në Sofje, Sotir Kotta në Korçë; filo-shqiptarëve Herbet në Londër, Miss Durham në Boston dhe Nerve në Paris. Dy anëtar të komisionit, Llambi N.Kotta e Leonidha Naçi shkuan në Skënderie për tu marrë vesh me vëllezërit shqiptar të atjeshëm.

MEMORANDUMI  BERATIT

Shqipëria nën Mandatin Amerikan

Adresuar: Shkëlqesisë së tyre Komandos Franceze në Shkodër !

Mbas punëvet të Gjirokastrës, të cilat u pregatitën e u bënë vetëm prej Mufid beut, jashtë dëshirës e mendimit të popullit, duke u bashkuar me vendimin e fundit të Guvernës Provizore në Durrës, e cila kundërshtoi rreptësisht protektionin Italian në Shqipërinë e lirë, e shohim të arësyshme edhe ne populli i Beratit të çfaqim pranë Shkelqesisë s’Uaj ndjenjat atdhetare, duke Ju lutur të kini mirësinë e të ia paraqitni Qeverisë Madhështore e Mirdashëse, kërkesat e popullit të qarkut të këtushëm. Me këtë rast shpresoim se do të pranoni nderimet e të përzemërta e të qiruara:

I-Populli shqiptar duke u mbështetur në parimet kombëtare qi u vunë në veprim, dëshiroi t’i njihen të drejtat e tij qi ka, për të rojtur në sinisië Ballkane i lirë e indepandant, pranoi nji qeveri provizore e dërgoi delegate të posaçëm në Konferencë të Paqes, vetëm për të mprojtur indepadancën e plotë e tërsiën toksore të Shqiprisë me kufit e sajë etnografike e kombëtare.

II-Delegatët shqiptarë qi u dërguen në Konferencë të Paqes, kanë në dorën e tyre nji program të nënshkruar e të pëlqyer prej të gjith antarëve të qeveris së Durrësit, qi ky program tregonë kompetencën e tyre dhe e përfytëron idealain e kombit shqiptar, qi ka për independencën të papërkufizuar për vendin e tië.

III- Në kioftë se shtetet e mëdhenj qi po mëshirokan për liriën e popujve të vegjël, e sidomos për ne shqiptarët qi jemi populli ma i vjetër e ma i famshëm dhe mjerisht më i piklluar e më i përgjunjëzuar i Europës; nuk mundet ti pushojnë intrigat e Ballkanit dhe në e shohin të domosdoshme qi shteti shqiptar të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë nadëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë. Shtojëm se ket deshirë e vërtetojën edhe dokumentat qi janë dhanë konsulit amerikan qi shetiti Shqipërinë.

Nenshkruesit e Memorandumit

Paria e Prefekturës Berat

Nëshkrue:

1-Hekur be Vrioni:             Kryepari i Katundariës

2-Zarif Aga Haznatari:       Kryetar i klubit “ B A S H K I M ”

3-Fevzi Ruli:                      Advokat

4-Themistokli Kassapi:      Notablë i krishter

5-Kostaq (Koço) Kota:       Inspektori i Arrësimit

6-Salih Gjuka:                     Direktori Arsimit

7-Adem  Shehu:                  Sekretari i Arësimit

8-Islam be Vrioni:               Notabël muhamedan

9-Melek be Frashëri:           Kapitanë,

10-Xhevdet Mehqemea:      Advokat

11-Zejnel be Prodani:          Notabël

12-Teki be Selenica:            Notabël

13-Zoj  Tonçi:                     Tregtar

14-Todi  Naska:                   Nëpunës  drejtësie

15-Bektash H.Berberi:        Zanatli

16-Gaqe papa Zaharia:        Direktori i Kancelarisë së Prefekturës

17-Emrullah Psarizi:           Sekretari i Perlimentares

18-Hajredin Kuçi:               Notabël

19-Andon Capo:                 Tregtar

20-Hysni aga Kafasi:          Këshilltari i Perlimtares

21-Nuri Osman Smundja:   Sekretari i Drejtësisë.

Nji kopje për Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

Nënshkrue Fevzi Ruli  d.v.

Berat 30.04.1919



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora