E enjte, 10.10.2024, 06:08 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Gani Mehmeti: Pasardhësi i Demë Ahmetit

E diele, 01.05.2016, 05:48 PM


PASARDHËSI I DEMË AHMETIT, HAMIT RAMA – POTOKU
(28. I. 1923 – 5. VII. 1957)

Nga Gani Mehmeti
Hamit Rama është pasardhës i drejtpërdrejtë i Demë Ahmetit të Reçicës.
Masakra në familjen e Demë Ahmetit në Mavriq, ishte pasojë e ekspeditës ushtarake ndëshkimore e planifikuar e ushtrisë serbe në kohën e kryengritjes së Parë serbe. Kujtesa historike shënon se Demë Ahmeti i fshatit Reçicë, ishte familje e pasur dhe e njohur. Demë Ahmerti kishte nëntë djemë dhe 30 anëtarë të familjes ishin të gjithë. Me rastin e sulmit të familjes, nga kjo familje shpëtojnë vetëm shtatë anëtarë të saj.
Gjenealogjia e tij deri tek Demë Ahmeti është:
Demë Ahmeti         Syla           lslami (Qorri)            Rama           Avdiu          Hamiti
Pra, me sa shihet është brezi i pestë pas Demë Ahmetit.
Në mesin e të shpëtuarve ishte edhe katragjyshi i Hamit Ramës, Islam Qorri. Islami fitoi epitetin   Qorri nga se e qorroi vetë Novica i Zi, kur kuptoi se ai do të shpëtonte sepse Dema me të tjerët kishin vrarë e prerë gjithë komitat  serbë.  E mjekuan nëna Mehremja dhe gjyshi, Demë Ahmeti. Kur u rrit Islami, Dema e vendosi në juglindje të fshatit Dvorishtë në një përrua, i cili përrua pastaj u quajt Prroni i Islamit. Mirëpo, pas ardhjes së kolonistëve serbë, këtë vendbanim, tani nga pasardhësit e Islam Qorrit, e quajtën Potok. Si Potok u regjistrua në administratën serbe pas vitit 1912 dhe ashtu u quajt e quhet edhe sot. Këtu,                                                                      këtë fshat, në një rrafshlartë të bukur e me horizont të gjerë e të hapur, nga ku e tërë Gryka e Mavriqit shihet si në pëllëmbë të dorës, u lind, u rrit dhe jetoi Hamit Rama.
Hamit Rama lindi në Potok më  28. I. 1923. Katër klasët e para të shkollës fillore  i kreu në Pollatë në gjuhën serbe, kurse katër klasat e tjera në Mitrovicë. Nga viti 1942 – 1945 kreu Akademinë Ushtarake në Jaltë (Ukrainë) në bazën ushtarake të Anglisë. Nga viti 1945 – 1946 ka punuar instruktor i ushtrisë angleze në Nish për të ndihmuar formimin e kazermës ushtarake  të Jugosllavisë në Nish. Nga fundi i vitit 1946 kthehet në familje dhe e kryen kursin e mësuesisë në Prizren. Punën në arsim e zhvilloi  nga viti 1949-1951 në Pollatë. Më 1951 u burgos dhe vuajti dënimin në burgun e Prishtinës, i akuzuar për vrasjen e një Hamit Rama, Potok serbi në Repë. Pas daljes nga burgu, pak kohë punoi në shitoren e fshatit Pollatë dhe më pas në Zyrë të vendit. Vdiq më 5. VII. 1957 .
Në vitin 1943, forcat ushtarake të Serbisë, sulmuan fshatrat  kufitare të komunës së Podujevës. Avdiu, babai i Hamitit, bashkë me shumë të tjerë dolën në mbrojtje të trojeve shqiptare, ku Avdiu në qëndresën heroike që tregoi  në luftë kundër forcave serbe ra heroikisht në kufirin e sotëm Serbi- Kosovë në vendin e quajtur Qafa e Trebisë.
Një familjeje të tillë atdhetare, i takonte Hamit Rama, i cili, që nga fëmijëria u vërejt se ishte shumë i shkathët në aspektin fizik dhe psikik. E mundonte pushtimi i huaj i tokave tona etnike.
Në vitin 1939 kishte rënë në një zënkë me serbin Radoje  Joviq i fshatit Repë afër kufirit Kosovë – Serbi. Në këtë zënkë e kishte vrarë serbin dhe e kishte mëshehur kufomën e tij në malin e afërt. Duke parë se mund të zbulohet, mbasi një bari i fshatit kishte rrëfyer, se e kishte parë kur e ka kryer veprën, në vitet 1940-1941 mëshihet në fshatin Selac te dajat e babit të tij. Ahmet Selaci, një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në anën e Shalës së Bajgorës. Gjatë asaj kohe daja  e dërgon në shkollë në Mitrovicë. Aty  e përvetëson alfabetin e gjuhës shqipe  dhe mëson  gjuhën gjermane. Në këtë shkollë përfitohej edhe në  pikëpamje ushtarake. Në kursin ushtarakisht shumë i dalluar dhe  bashkë me Sefë Oracën , një shok i tij nga fshati Shtedim, e caktojnë në njësitin e trupave  “SS” gjermane në qytetin Pirot në Serbi.
Duke parë që urdhëresat e forcave gjermane ishin tejet të ashpra  dhe tejkalonin  çdo të drejtë njerëzore, me gjashtë shokë të tjerë vendosin  të largohen nga këto njësite ushtarake gjermane. Në kujtesën e tij përshkruan   udhëtim tepër të mundimshëm dhe të rrënqethshëm  nëpër Bullgari dhe Rumani deri në Budapest të Hungarisë.  Këtu u dorëzohen forcave ushtarake angleze. Ushtarakët anglezë, kur ua marrin deklaratat, shohin se këta ishin djemë të rinj të shkolluar dhe shumë të përgatitur ushtarakisht.
Në bazë të një testimi paraprak i shpërndajnë tre në forca të luftës e tre i caktojnë për shkollim të mëtutjeshëm në bazat ushtarake angleze në Jaltë (Ukrainë), ku ishte baza ushtarake e Britanisë së Madhe. Njëri nga këta tre të caktuar për Jaltë ishte edhe Hamit Rama, i cili e kryen me sukses shkollën ushtarake në Jaltë dhe ishte avancuar  pas diplomimit me gradën Toger. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore më 1945, ushtria angleze e cakton  instruktor ushtarak në Nish, për të ndihmuar formimin dhe strukturimin  e APJ (Armatës Popullore Jugosllave) në këtë kazermë.
Hamiti, për detyrat që duhej t’i kryente, përgjegjësi i jepte atasheut  anglez në Ambasadën e Anglisë në Beograd.
Në kazermën e Nishit (1945-1946) shërbenin si ushtarë të armatës jugosllave një numër i madh i shqiptarëve. Përgjegjës për ushqimin e ushtarëve ishte një kapiten serb, i cili, pasi e dinte  se këta (shqiptarët) janë të besimit islam, e nuk e hanin ushqimin e derrit, ua përzien ushqimin të gjithëve, në mënyrë që shqiptarët të mbesnin pa u ushqyer e të uritur. Vlen të potencohet, se  që në kohën e mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, për ushtarët e besimit islam,, ushqimi ishte përgatitur ndaras prej të tjerëve. Kjo praktikë kishte vazhduar  edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në këto ditë kur  armata jugosllave kishte bërë një propozim, që ushqimi për të gjithë ushtarët të jetë i njëjtë. Mirëpo, kjo ende nuk kishte hyrë në fuqi  dhe nuk ishte dukur ende në fletoren Zyrtare të armatës, për t’u zbatuar pas 8 ditësh.
Shqiptarët 13 ditë e kishin refuzuar ushqimin. Hamiti, duke parë çfarë padrejtësie u bëhej shqiptarëve nga kapiteni serb, i shkruan atasheut anglez të Armatës Jugosllave, i quajtur Ivan Goshnjak.
Gjenerali Goshnjak intervenon  te komandanti i garnizonit ushtarak në Nish për rastin dhe urdhëron që ushqimi të përgatitet i ndarë, deri me një vendim tjetër i Armatës jugosllave. Kapiteni serb nuk e zbaton urdhrin e gjeneralit në takimin me oficerë që ishte në Nish. Ndër të tjera thot: “Instruktori anglez, Hamit Rama nuk ka pasur të drejtë të paraqesë ankesë, sepse ne këtë e kemi  kërkuar që të na ndihmojë në strukturat komanduese ushtarake , e jo të na tregojë si ta ushqejmë ne ushtrinë tonë, kjo është absurde”!
Të nesërmen Hamiti paraqitet  në kuzhinë në kohën e drekës. Kapiteni e fton dhe i thotë: “Eja e shiko si po e përziejmë ushqimin e ushtarëve, se unë jam mbret këtu, e jo ti|! Kapiteni dhe Toger Hamiti, përnjëherë i nxjerrin revolet. Hamiti ishte më i shpejtë në armë dhe e qëllon kapitenin me pesë plumba në kokë. Kapitenit serbë i shkrep një herë revolja, por për fat nuk e qëllon Hamitin.
Kapiteni  vritet. Ushtarët shqiptarë, pas masave të ndërmarra ushtarake mbas 15 ditësh greve të urisë, i kthehen ushqimit të rregullt dhe i shpëtojnë më të keqes.
Hamiti largohet dhe pas kryerjes së hetuesisë nga gjyqi ushtarak, pas 30 ditësh, dënohet me parapërjashtim nga puna, ndërsa  atasheu anglez në Beograd e degradon nga grada e nëntogerit në rreshter.
Marrëdhëniet  e ushtrisë jugosllave dhe të Shqipërisë që ishin të mira,  filluan të ftohen ose thënë shkurt u ndërprenë fare. Hamiti vazhdonte të punonte në këtë kazermë me gradë të ulur dhe me dënimin në parapërjashtim nga puna. Një ditë një nga oficerët e provokon Hamitin kur ishte  duke i hekurosur rrobat, duke i thënë: “Po i hekuros rrobat se po do të shkosh në Shqipëri, a!?” Nuk mundi ta duronte dhe e rrahu. Këtë moment, përfundimisht e largojnë nga ushtria, duke e zhveshur edhe nga gradat ushtarake.
Hamit Rama kthehet në shtëpi. Kishte mbetur pa shtëpi. Nga familja i kishte mbetur vetëm një motër – Halimja. E nisi jetën nga fillimi. E punoi shtëpinë, u martua me Fazilen e Gimollëve nga Repa. Kërkoi punë, por autoritetet e atëhershme  i thanë ti e ke kryer shkollën e ushtrisë, e për punë, në jetën civile, kjo nuk vlen, dhe, tek e fundit, nuk guxojmë nga KOS-i dhe UDB-a.
Hamiti dëgjoj se në Prizren është shkolla për mësues e hapur, ku drejtor shkolle ishte Mehmet Hoxha. Shkuan bashkë me Bislim Latifin e Pollatës dhe e kryejnë shkollën për mësues, atëherë kursin prej nëntë muajsh me sukses të shkëlqyeshëm.
Kur u kthye, u emërua mësues në shkollën e fshatit Pollatë në vitin shkollor 1949-1950. Punon dy vjet, pra edhe vitin shkollor 1950/1951, dhe, me të përfunduar viti shkollor, e arrestojnë për vepër penale: për vrasjen e serbit Radoje Joviq nga fshati Repë në vitin 1939. E vendosin në burgun e Prishtinës, ku drejtor i burgut ishte Nezir Luma.
U cilësua si kriminel për vrasje dhe i burgosur politik. Torturat në këtë burg ishin shumë çnjerëzore. Pesha e trupit, nga 83 kg, kishte rënë në 49 kg prej torturave.
Në qelitë  e këtij burgu e kishin sjellë edhe djalin e axhës së tij Rizahin, të cilin po e akuzonin  për të njëjtën vepër si Hamitin, se gjoja të dy bashkë në veprim e kishin vrarë serbin Radoje Joviq.
Hamiti pati fatin që në këtë qeli  të burgut të njihet  dhe të qëndrojë bashkë në burg me Sylë Mehmetin – Nikçin nga komuna e Pejës.
Duke i humbur shpresat se do të dilnin të gjallë nga burgu, Sylë Mehmeti, një veprimtar i shquar  i Grykës së Rugovës u thoshte të burgosurve: “Vllazën, kush të shpëtojë gjallë, posa të dalë nga burgu, po ua lë amanet  që të rrokni armët e t’ia ktheni këtij hyqmeti të poshtër, luftojeni deri në vdekje, në mënyrë që djemtë tanë  të mos vuajnë si ne!”
Hamiti e Rizahi nga ky burg dolën disa herë në gjyq dhe u shpallën fajtorë. U dënuan me nga 12 vjet burg të rëndë dhe konfiskim të pasurisë. Ndërsa familjet e tyre t’i dërgojnë në internim si masë mbrojtëse, gjoja edhe për edukim!
Qëllimi ishte i qartë , që t’i detyronin të shpërnguleshin për në Turqi, se në këtë kohë ishte hapur ky proces, ashtu siç kishte qenë edhe sa herë më përpara, qëllimi për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, ashtu po përpiqeshin edhe tani, që të shkonin shqiptarët në dru e të iknin për në Turqi..
Hamiti e Rizahi u ankuan në Gjykatën e Lartë të Jugosllavisë, u dhanë shumë para  me këtë rast. Ndihmuan njerëz të shumtë vullnetarisht, miq e dashamirë. Dhe, falë këtij organizimi Gjykata e Lartë e Jugosllavisë i liroi të dy nga aktakuza në mungesë të fakteve, pas tre vjet burgu të rëndë.. Do të thotë se ata u liruan në vitin 1954.
Hamiti vdes  më 5. VII. 1957, duke e lënë vetëm një djalë, Abdullahun, por falë dashurisë së madhe të nënës së tij, ani pse ishte shumë e re, pothuaj e porsamartuar, nuk ia ktheu shpinën djalit të saj të vetëm, e as ia la oxhakun t’i fiket burrit të saj Fazilja, e cila me devotshmëri, me dinjitet, me moral e punë të gruas e të burrit, me shumë mund e sakrificë, ia ndezi për çdo mëngjes oxhakun e shtëpisë së të shoqit, në një ambient malor e kodrinor në Mlëësi të Llapit, sikur në ambientin e Lokes te “andrra e jetës” të Ndre Mjedës. Fazilja arriti ta shkollojë djalin e saj dhe  të Hamitit, me çka kreu detyrën e saj princore të nnës dhe dëshirën e bashkëshortit të saj, pa i mbetur borxh pr asgjë, e cila, me krenari jeton edhe sot në moshë të shtyrë në fshatin ku u martua, në Potok. Tani, edhe pse në moshën 84 vjeçare, ndjehet e lumtur, kur birit të saj ia pa pesë djemë dhe nipin e ri të djalit. E me këtë, do të thoshim se nuk i ka shkuar huq mundi  pse e ruajti, e rriti dhe e shkolloi djalin  e saj, Abdullahun.
Hamit  Rama ka qenë edhe shenjtar. Shkrimin që e ka pasur Hamit Potoku, nuk e ka pasur askush në Mavriq e më larg. Tregonte Zeqir Islami-Potoku, që kishte qenë nxënës i Hamitit, i cili e përkujton me dashamirësi e dhembje.
Natyrisht, një meritë e veçantë, pas vdekjes së tij, i takon bashkëshortes së Hamitit, e cila, edhe pse e re, edhe pse vetëm me një djalë të porsalindur, nuk ia lë shtëpinë t’i fiket. Ajo, për dashurinë  që kishte pasur në burrin e saj – Hamitin ruan djalin e vetëm të tyre dhe për asnjë çast nuk e kishte lënë vetëm. Ajo, tamam si një malësore që përshkruhet edhe në përralla, e rriti djalin e saj e të Hamitit me dashurinë më të madhe që mund të ketë.
Hamit Rama, një njeri aq  i dijshëm, aq trim, aq kombëtar vdiq i ri, duke lënë boshllëkun e tij jo vetëm për vete, por për vendin e tij dhe gjithë shqiptarinë.


Fazile Gimolli-Rama basahkëshortja, e Hamit Ramës dhe biri i vetëm i saj, e cila e ruajti të vetmin fëmijë dhe Oxhakun Hamitit, Abdullah Rama në Potok.

Potoku,  shtëpia e Abdullah Ramës, birit të Hamit Ramës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora