Shtesë » Historia
Jusuf Buxhovi: Dokumentet autetntike të Kongresit të Berlinit rrënojnë gënjeshtrën serbe për Kosovën dhe shqiptarët
E hene, 05.09.2022, 07:44 PM
Dokumentet autetntike të Kongresit të Berlinit rrënojnë gënjeshtrën serbe për Kosovën dhe shqiptarët
Nga
parathënia e librit “Kosova” VIII, në të cilën përfshihen dokumentet e
Kongresit të Berlinit si dhe një pjesë e atyre të Lidhjes Shqiptaret të
Prizrenit 1878-1881, ku flitet për nacionalizmin politik shqiptar si dhe
shfaqejen e shtetit shqiptar që e organizoi Lidhja Shqiptare më 1880
Nga
Jusuf BUXHOVI
Dokumentet
e gjithëmbarshme autentike të Kongresit të Berlinit dhe ato të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit – me ato përcjellëse nga burime të ndryshme, paraqesin
çelësin e interpretimit po edhe të vlerësimit të drejtë të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare në përputhje me faktorët e jashtëm dhe të brendshëm, që e ndikuan
drejtpërdrejtë nga shfaqja e saj si ideologji, që e vuri në veprim atë, bashkë
me të gjitha zhvillimet nëpër të cilat kaloi deri te shpallja e pavarësisë
kombëtar, më 28 nëntor 1912.
Mungesa
e këtyre dokumenteve në formën autentike dhe shfaqja e tyre e pjesshme dhe e
cunguar nga interpretime të ndryshme joshkencore por edhe të manipuluar nga
historiografia serbe, greke, bullgare, ruse dhe të tjera, që u shërbenin
platformave hegjemoniste të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kishin për qëllim
fshehjen e të vërtetës për shqiptarët dhe identitetin e tyre historik nga
antikiteti i e këndej, duke e paraqitur atë dhe autoktoninë e tij “të
mjegulluar në histori”. Në përputhje me këtë kërkohej që shqiptarët dhe çështja
e tyre të përjashtoheshin nga harta e re shtetërore, që kishte filluar të marrë
pamjen e re në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane nga Kriza Lindore e
këndej.
Me
shfaqen e lëvizjet nacionaliste të popujve të Ballkanit të mbikëqyrura dhe të
drejtuara nga Rusia, grekët, malaziasit, serbët dhe më vonë bullgarët, fituan
shtet e tyre kryesisht të mbështetura mbi faktorin fetar, me ç’rast një pjesë e
mirë e popullatës shqiptare që i takonte besimit ortodoks u përfshi në këto
projekte bile edhe si avangardë e tyre, siç ndodhi me arvanitasit në
revolucionin grek, ndërkohë që pretendimet e tyre hegjemoniste ndaj etnisë
shqiptare nuk u ndalën me kaq. Në përputhje me platformën e “Naçertanjes” e të
“Megaloidesë” dhe atyre bullgare, serbët, grekët dhe bullgarët vazhduan planet
e tyre për ta hequr nga rendi i ditës çështjen shqiptare, që një ditë, pa marrë
parasysh se çfarë do të mbetej prej saj, doemos se do të zinte vend në tryezën
e Fuqive të Mëdha Europiane.
Kështu,
Rusia, e cila brenda një shekulli kishte zhvilluar shtatë luftëra kundër
Perandorisë Osmane (nga ajo e Krimesë e vitit 1745 e deri te e fundit në vitin
1878 kur nga pjesa e Bullgarisë iu kishe afruar Stambollit dhe priste që të
vente nën mbikëqyrje edhe ngushticën strategjike të Bosforit),dhe me Traktatin
e Shën Stefanit, nga marsi i vitit 1878, ia kishte dalë të sendërtojë pjesën më
të madhe të planeve hegjemoniste në Ballkan, paralelisht me invazionet e saj
ushtarake, kishte zhvilluar edhe platformën ideologjike, të mbështetur në të
ashtuquajturën të “drejtë historike” të popullatës sllavo-ortodokse në këto
hapësira, të rrënuar nga pushtimet osmane, e cila duhej t’u kthehej.
Duke
shfrytëzuar qarqet kulturore të sllavistëve të Vjenës nga radhët e kroatëve dhe
serbëve, që Perandoria Habzburge i kishte orientuar për të hulumtuar
gjithanshëm të kaluarën e tyre historike në mënyrë, që të ndikonin zgjimin e
vetëdijes nacionale të sllavëve të jugut, që lëvizjet e tyre çlirimtare të
shfrytëzoheshin që ata të bëheshin pjesë e Perëndimit dhe jo e Lindjes, Rusia
ia kishte dalë që të fusë ndikimin e tyre vendimtar në këto qarqe shkencore dhe
hulumtuese kah platformat hegjemoniste shtetmëdha, të lidhura me pansllavizmin
dhe krishterimin ortodoks.
Në
përputhje me këtë politikë, studiues të shumtë rusë, diplomatë dhe klerikë të
ndryshëm, në emër të gjoja ndriçimit të trashëgimisë ortodokse në hapësirat
evropiane të Perandorisë Osmane, jo vetëm që ishin infiltruar në qarqet
sllaviste të Vjenës, por ia kishin dalë që disa nga bartësit kryesor të
sllavistikës në Vjenë (gjuhëtarë, historianë, etnografë, antropologë dhe
studiues të tjerë), t’i orientojnë kah kjo platformë, duke u kthyer kështu në
mentorë të një “shkolle të veçantë” - të një punëtorie të kishës ortodokse ruse
dhe degëve të saj serbe, bullgare dhe greke, që kishte marrë përsipër
fabrikimin e dokumenteve me anën e të cilave lëvizjeve nacionaliste të sllavëve
të jugut u shkruhej historia e sajuar në përputhje me programet hegjemoniste,
ndërsa të tjerëve (shqiptarëve) u krijohej anatema e “popujve të egjër” dhe pa
histori, madje!
Kështu,
falsifikimit i dokumenteve kishtare të niveleve më të larta, nga një mit i
rremë mesjetar,u kthye në “një shkencë”, ku u dizajnua “e drejta historike” e
Serbisë për Kosovën “djep mesjetar serb”. Me këtë rast, gjoja duke u nxjerrë në
dritë “dokumentet e heshtura dhe të panjohura” nga arkivat e kishave të
Kostandinopojës dhe të peshkopatave të tyre nëpër Ilirik dhe duke “u ndriçua
shkencërisht”, rrodhën “tapitë” e “mbretërive” deri te ajo “e perandorisë” së
Dushanit, e të ngjashme, që për referencë kishin “jetën kishtare serbe” nëpër
manastiret “serbe” të Dardanisë (të Graçanicës, Deçanit, Pejës e të tjera), me
“histori” e histori të sajuara rreth “shenjtorëve serbë” dhe monarkëve të
shumtë të kishës serbe e të ngjashme. Paçka se ato i takonin krishterimit
ortodoks, të përhapur në Dardani nga shekulli I e tutje dhe të zyrtarizuara nga
perandorët dardanë (Kostandini i Madh) dhe të përhapura më vonë nga Justiniani
dhe të tjerë deri në shekullin IX, kur Dardania dhe Iliriku në kuadër të
Bizantit, do të bien nën sundimin dyshekullor bullgar. Kohë kjo pra, kur disa
formacione fisnore sllave do të shihen në pjesën e Bosnjës së Mesme (Zahumle),
pasi që atje të janë vendosur, në shekullin VII e këndej nga perandori Herakli,
prej nga, në shekullin X fillon organizimi i tyre në zhupani, epiqendër kjo e
mbyllur dhe e kufizuar nga pikëpamja shoqërore në hapësirën midis Neretvës,
periferisë së Duklesë dhe lumit Drina në lindje.
E
vërteta historike se despotët rasienë Nemanjajt, sipas shumë burimeve bizantine
me origjinë tribale (fis ilir i lidhur me Dardanët), pa ndonjë lidhje të
qëndrueshme historike me formacionet sllave të Bosnjës, depërtojnë në këto
pjesë gjatë kryqëzatës së katër, në vitin 1192, pas ushtrive gjermane dhe
hungareze drejt Kostandinopojës, kur për herë të parë do të shfaqen në Nish dhe
prej andej do të vazhdojnë për në Ulpianë, Prizren e deri në Ohër, me ç’rast,
me feudalët dhe princat arbërorë të Dardanisë do të lidhin aleanca për ta
përvetësuar sa më shumë që të jetë e mundur hapësirë nga shtëpia e përbashkët e
Bizantit që po shembej, kjo as që do të ketë rëndësi për fabrikuesit e
kristobulave të manastireve “serbe” dhe “pronave” të tyre, që edhe sot e
gjithëditën mbllaqiten nga gjoja studiues nëpër univeristetet dhe insitutet
tona, siç nuk do të ketë rëndësi as autoktonia e shqiptarëve në Dardani dhe
Ilirik si dhe roli që kishin luajtur ato nga antikiteti, pastaj gjatë shtrirjes
së Perandorisë së Romë dhe shfaqja e Bizantit, ku Dardanët dhe Ilirët ishin
bartësit kryesor të saj e të ngjashme. Për falsifikuesit e shkollës ruse të
Jastrebovit dhe çirakëve të tij nga puntoritë e falsifikimeve të dokumenteve
kishtashtare në Odesë dhe Hilandar, që shfaqeshin “me tapi kishtare”, nuk kishte
rëndësi, po ashtu as fakti se çfarë ishte roli i Arbërorëve në fazën e fundit
të rrënimit të Bizantit si dhe i shfaqjes së Normanëve në Ilirik dhe i fuqive
të tjera katolikë,veçmas i Anzhuve, që kishin themeluar jo rastësisht më 1272
“Mbretërinë e Arbrit” dhe po ashtu kishin ndihmuar feudalët tjerë arbërorë
(Balshajt, Thopijajt, Kastriotët dhe Dukagjinët), që të zënë vend të
rëndësishëm në jetën shoqërore të Ilirikut në rrethanat e shfaqjes së Osmanëve
në këto anë, kur edhe ishin lidhur aleancat e para me Osmanët (Kastriotët,
Brankoviqët dhe të tjerët), të cilat do të vazhdojnë edhe pas pushtimeve
osmane, për t’u ndërprerë me largimin prej tyre të Skënderbeut, i cili, në saje
të luftës, për mbi një çerek shekulli, ktheu shtetin shqiptar në Ilirik.
Me
këso dhe këto falsifikime, gjithnjë të mbikëqyrura nga shkolla ruse,
historiografia serbe, bullgare dhe ajo greke, në shekullin nëntëmbëdhjetë
ndikoi politikën dhe diplomacinë e Fuqive të Mëdha europiane, e cila, nga
shfaqja e Krizës Lindore e këndej, kishte përcaktuar edhe hartën politike dhe
atë shtetërore të hapësirës europiane të Perandorisë Osmane në largim e sipër
në përputhje me “të drejtën e sajuar” historike të Beogradit, Athinës dhe
Sofjes të sponsorizuar nga politika ruse dhe interesat e saj hegjemoniste në
këtë pjesë.
Me
këto falsifikime, shumë prej të cilave historiografia jonë institucionale i
merr për "të vërteta" dhe si referenca i legjuitimon madje, politika
hegjemoniste serbe dhe ajo greke ia kishte dalë që të pushtojë hapësirat etnike
shqiptare dhe të ushtrojë gjenocide ndaj popullatës së saj (në vitin 1878 dhe
1912) duke sjellë para aktit të kryer diplomacinë dhe politikën e fuqive të
mëdha, siç kishte ndodhur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe
atë të Parisit më 1919, paçka se do të jenë disa nga vendet europiane
(Austrohungaria dhe pjesërisht Italia), që për interesat e tyre strategjike, do
t’ia dalin që të njohin, por edhe të pranojnë një shtet të cunguar shqiptar, i
cili shfaqej si digë kundër pretendimeve të mëtutjeshme hegjemoniste
sllavo-ruse në Ilirik.
Politika
me “tapi” të falsifikuara, nuk u ndal asnjëherë. Ato erdhën edhe deri te koha
jonë, edhe pse ato, me shtetin shqiptar, të përgjysmuar, të pranuar nga Fuqitë
e Mëdha Europiane, në vitin 1913 dhe, me shtetin e Kosovës, të shpallur në
vitin 2008, nuk ia dolën që të ndalin të drejtën etnike të shqiptarëve.
Edhe
përkundër kësaj përvoje të hidhur me pasoja të rënda për shqiptarët dhe të
drejtën e tyre, që të jetojnë të lirë dhe të pavarur, historiografia shqiptare
(ajo në Shqipëri dhe në Kosovë), nuk ia doli që të lirohet nga klishetë e
historiografisë hegjemoniste serbe, greke dhe asaj ruse si dhe dogma e “të
drejtës historike”, e vendosur në shekullin nëntëmbëdhjetë me falsifikime,
sajime dhe përvetësime ndër më flagrantet.
Ky
qëndrim antihistorik shfaqet edhe në raport me të ashtuquajturin “shtet
mesjetar serb” në Kosovë, që nuk ka ekzistuar. Duke u pranuar klishetë e
falsifikuara të historiografisë serbe dhe duke u anashkaluar kontinuiteti
historik i mbretërisë dardane si dhe realitete shoqërore dhe politike të
Bizantit në shthurje, historiografia shqiptare thuajse pa përjashtim te kjo
çështje, feudalët e thjeshtë, të panumërt asokohe në çdo feud, edhe më tutje i
mban për “mbretër” dhe “perandor” të një “shteti mesjetar serb”, që nuk kanë
ekzistuar, pos në dokumentet e sajuara në shekullin XIX nga kisha ortodokse
ruse dhe ajo serbe dhe greke!
Në
dekonspirimin e gënjeshtrës së Beogradit rreth përvetësimit të historisë me
anën e falsifikimeve të dokumenteve nga shekulli XIX e këndej, të atyre që kanë
çuar te krijimi po edhe pranimi i shteteve në Ballkan, veçmas i krijimit të
Serbisë së Madhe, Bullgarisë së Madhe po edhe të Greqisë të mbështetur mbi
elementin fetar (ortodoksinë, të shumtën nga elementi shqiptar), gjithsesi se rol
të rëndësishëm luajnë dokumentet autentike të Kongresit të Berlinit si dhe ato
të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), ngaqë ato janë zyrtare dhe si të
tilla, jashtë mundësisë së falsifikimit, me kusht që të paraqiten si të tëra,
ngaqë me anën e tyre sqarohen dy çështje fundamentale. Në njërën anë, ato që
kanë të bëjë me planet e Fuqive të Mëdha Europiane, që pamja shtetërore e
hapësirës evropiane e Perandorisë Osmane në ikje e sipër të komponohet në
përputhje me interesat e fuqive Perëndimore (Austrohungarisë, Gjermanisë,
Italisë po edhe të Francës dhe Anglisë), ku do të ketë vend edhe për shqiptarët
dhe një shtet shqiptar, pa marrë parasysh se a do të jetë i përmasave etnike
apo atyre të arnuara politike. Dhe, në tjetrën anë, dokumentet e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit, nxjerrin pamjen e nacionalizmit politik shqiptar, te
një organizimi që, krahas mbrojtjes së etnisë nga pushtimet e fqinjëve
(serbëve,malaziasve,grekëve dhe bullgarëve),kishte për kërkesë autonominë
politike në kuadër të Perandorisë Osmane (bashkimin e katër vilajeteve në një
të vetëm në formën e një Shqipërie Osmane, që do të mund të kthehej në Shqipëri
Europiane sapo të shembej Perandoria), ku ka burimin edhe shteti i parë
shqiptar, i themeluar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në vitin 1880, me të
cilin fillon rikthimi i shtetit shqiptar në Europë i shkëputur nga koha e
Skënderbeut.
Në
ndërtimin e të vërtetës historike për shqiptarët dhe nacionalizmin e tyre
politik që prodhoi shtetin shqiptar në fillim të shekullit njëzet dhe atë të
Kosovës në fillim të këtij shekulli, me çka, në një farë mënyre, rrumbullakohet
edhe koncepti i rilindjes kombëtare për një organizim të përbashkët shtetëror
sipas shtrirje etnike në kuadër të familjes euroiane dhe të qytetërimit
perëndimor, dokumentet autentike të Kongresit të Berlinit kanë një rëndësi të
veçantë, ngaqë me anën e tyre dekonspirohet gënjeshtra e kthyer thuajse në një
tabu se gjoja Fuqitë e Mëdha Europiane dhe Europa politike e shekullit
nëntëmbëdhjetë jo vetëm që nuk i ka njohur shqiptarët si popull dhe etni
historike, por, gjoja me injorimin, as që ka deshtë t’i trajtojë si të tillë,
me çka ata i kishte kthyer në peshqesh për vendet sllave (Serbinë, Malin e Zi
dhe Greqinë ortodokse).
Shfletimi
sado kalimthi i këtyre dokumenteve autentik në këtë vëllim, nxjerr në pah
gënjeshtrën e historiografisë serbe dhe të asaj ruse rreth “injorimit” të
shqiptarëve dhe çështjes së tyre, nga “mosnjohja” e shqiptarëve ose trajtimi
“si nocion gjeografik”, që gjoja kishte thënë Bizmarku, kur kjo nuk është fare
e vërtetë. Përkundrazi, në protokollet autentike të Kongresit të Berlinit, në
të gjitha seancat, edhe kur është folur dhe vendosur për “tokat e Perandorisë
Osmane” që do t’u jepen Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, vazhdimisht përmendet
termi “etni shqiptare” dhe “popull shqiptar”, edhe pse zyrtarisht, në përputhje
me qëndrimin e Perandorisë Osmane përcaktimet e popujve bëheshin mbi baza të
përkatësisë fetare, të kategorizuar në “milleti-osman”, ku përfshiheshin edhe
shqiptarët e besimit islam (pa marrë parasysh se në ç’masë ai ndikonte raportet
e brendshme shoqërore, të cilat dihej se i përcaktonte Kanuni dhe ato mbeteshin
autonome) dhe në “milleti-rum”për të krishterët, ku përfshiheshin edhe
shqiptarët e besimit ortodoks, të shkapërderdhur te kisha sllave dhe ajo greke.
Ky
realitet ndonëse zyrtarisht përjashtonte identitetin kombëtar, shqiptarët do të
angazhohen nga fillimet e Rilindjes Kombëtare që ai të përfillej, meqë vetëm
ashtu pengohej shkapërderdhja në taborre fetare dhe kurthi i tij, që kishte filluar
me të madhe të shfrytëzohej kundër tyre. Kështu që, si do të shihet edhe nga
letrat dhe peticionet që do t’i dërgohen Kongresit të Berlinit dhe qendrave
evropiane, lëvizja kombëtare gjuhën (shqipe) do ta kthejë në referencë të
përbashkët identitare, që përcakton kulturën dhe etninë. Faktori gjuhë shqipe
do të kthehet edhe në program politik të nacionalizmit shqiptar mbi të cilin do
të mbështeten kërkesat për autonomi shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që më
së miri do të pasqyrohen me themelimin e “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në
qershor 1878, prej nga, pas dy vitesh, ndonëse jetëshkurtër, do të shfaqet edhe
Qeveria e parë shqiptare, me të cilën u dëshmua se edhe shqiptarët kërkojnë
shtetin që u takon me të cilin sendërtojnë aspiratat e tyre kombëtare po edhe
ato civilizuese.
Se
identiteti gjuhësor, si bazë e identitetit kulturor do të kthehet në një
referencë të kërkesave politike që mund të quhen “reforma të brendshme” që
prekin vendimet e Kongresit të Berlinit, nuk ishte vetëm “mburojë” e shqiptarëve,
me të cilën ata do të mbështesin nacionalizmin e tyre si dhe lëvizjen
kombëtare, këtë e tregon edhe vetë Lëvizja Xhonturke nga vitit 1982-1908 si dhe
fitorja e revolucioni xhonturk në Ferizaj në gushtin e viti 1908, si platformë
e nacionalizmit turk, mbi të cilin do të mbështetet osmanizmi, që më në fund,
do të shfrytëzohet edhe nga Kemal Ataturku për ta themeluar shtetin modern
turk. Kështu, gjuha si platformë e nacionalizmit mbi të cilën u mbështetën
rilindësit kombëtar dhe koncepti i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte
kundërpërgjigjja më e mirë modelit fetar, sidomos të krishterimit ortodoks, që
u shfrytëzua nga nacionalizmi serb dhe ai grek për krijimin e kombeve mbi
përkatësinë fetare.
Megjithatë,
dokumentet autentike të Kongresit të Berlinit, që sjellën në këtë botim,
ndonëse jo në mënyrë decidive, me vendimin në artikullin XIII dhe XVIII, “që
Perandoria të fillojë reformat e brendshme politike”, ua hap rrugën kërkesave,
që shtronin shqiptarët për bashkim në një vilajet nga katër sosh që ishin, qëndrim
ky që në ato rrethana politikisht shfaqej më i pranueshmi. Kështu që, duke u
thirrur në vendimet për reforma të brendshme të Perandorisë, të shtruara nga
Kongresi i Berlinit, shfaqen edhe kërkesat e Komitetit të Stambollit për
“vilajetin shqiptar”, që do t’i dërgohen sulltan Hamidit, siç janë edhe ato të
Degës së Lidhjes nga Dibra, të gushtit të vitit 1878 dhe të Degës së Jugut, nga
Janina në dhjetorin e atij viti dhe pas një viti, që do t’u dërgohen Portë së
Lartë po edhe Fuqive të Mëdha në Memorandumin që ua dorëzuan Mehmet Ali Vrioni
dhe Abdyl Frashëri qeverive të Berlinit, Vjenës, Parisit, Romës dhe Londrës.
Madje, të kësaj natyre, por për herë të parë të përmendura drejtpërdrejtë, janë
edhe qëndrimet e lordit britanik Fitzmauricie drejtuar Konferencës së
Ambasadorëve, në Stamboll, në maj të vitit 1880, kur për herë të parë, gjithnjë
në përputhje me zotimet që i dilnin Perandorisë Osmane rreth reformave të
brendshme, u hap edhe çështja e një vilajeti autonom shqiptar. Edhe pse kjo nuk
u pranua, megjithatë, siç shihet edhe nga dokumentet e sjellë në këtë libër,
krijimi i vilajetit shqiptar brenda Perandorisë Osmane u hap si çështje
politike, që do të preokupojë edhe punimet nismëtare të Konferencës së
Ambasadorëve në Londër në mars të vitit 1913, kur u mor vendimi i “krijimit të
një Shqipërie autonome” nën suzerenitetin e Perandorisë Osmane, që pas pak do
të hiqet nga rendi i ditës, ngaqë Fuqitë e Mëdha Europiane e hetuan se kjo mund
t’i shërbente vetëm interesave të Rusisë.
Për
fat të keq, historiografia ideologjike shqiptare, që kishte ndërtuar konceptin
e shtetit komunist mbi armiqësitë me të tjerët, ku Europa, ishte kryesorja,
diskursin e “komplotit” evropian në Kongresin e Berlinit, të sajuar nga
historiografia serbe, jo vetëm që e kishte pranuar, por si të tillë e kishte
kthyer në një mjet propagandues për qëllime politike.
Edhe
pse kanë ekzistuar mundësitë që dokumentet autentike të Kongresit të Berlinit
të sigurohen dhe të interpretohen shkencërisht, historiografia e Tiranës po
edhe ajo e Prishtinës, në tërësi ka ndjekur interpretimin që këtyre dokumenteve
ua ka bërë Haxhivesilevi, Gopçeviqi dhe historianët tjerë serbë.
Kjo
rrugë do të ndiqet edhe atëherë kur ndikimi politik i Beogradit në formën e
shtetit komunist të përcaktuar prej tij, nuk do të jetë më as në Tiranë e as në
Prishtinë dhe kur Dokumentet autentike të Kongresit të Berlinit do të botohen
në gjuhën shqipe, në Prishtinë, në vitin 2008 “Kongresi i Berlinit 1878”, me
protokollet e plota origjinale në frëngjisht dhe gjermanisht, të botuar për
herë të parë nga Bundestagu Gjerman, në vitin 1978.
Ashtu
siç është ruajtur diktati i historiografisë hegjemoniste serbe rreth “shtetit
mesjetar” serb në Kosovë si dhe kishës ortodokse serbe në Kosovë në “Historinë
e Popullit Shqiptar” në botimin “e përmirësuar” të vitit 2002-2007 ku
“mbretërit” dhe “perandorët” e paqenë serbë do të vazhdojnë të “sundojnë”
Kosovën, njëjtë do të ndodhë edhe me diskursin “antishqiptar” evropian dhe
gjerman të Kongresit të Berlinit! Gënjeshtrat e Haxhivasilevit, Gopçeviqit dhe
Garashaninit do të vazhdojnë të citohen nga historianët shqiptarë, thuajse pa
përjashtim!
Krahas
mosinteresimit rreth dokumenteve autentike të Kongresit të Berlinit nga
druajtja se ato rrënojnë shumë nga “tempujt” e historiografisë ideologjike shqiptare
dhe autorët e tyre si dhe “titujt” shkencor dhe akademikë, që edhe sot e
gjithëditën u sjellin privilegje, gjë që përfillja e atyre nga versioni i
manipuluar i Beogradit u siguron “mbrojtje”, njëfarë “moskuptimi” i kuptueshëm
për këtë mendësi, vazhdon edhe me dokumentet autentike të vetë “Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit”. Jo vetëm te mbledhja e tyre nga burime të ndryshme si
dhe klasifikimi i tyre së paku arkivor, por edhe tek çështja e interpretimit të
tyre herë nga mosparja si tërësi, prej nga do të dilte edhe vlerësimi i plotë
objektiv i tyre, që edhe mund të jetë mospërputhës me atë të deritanishmin dhe
modelet e krijuara prej tij, e herë nga implikimet e politikës ditore nga frika
se paradigma e tyre mund t’i ndikojë disa procese, që lidhen me implikimin po
edhe përdorimin e religjionit te çështjet që besimi të kthehet në një identitet
parësor mbi atë kombëtar ose të heq fare atë nga rendi i ditës duke e
zëvendësuar me atë fetar, siç kishte vepruar Beogradi pas luftërave Ballkanike
dhe me vonë për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.
Edhe
te kjo çështje, qasja sado e tërthortë e dokumenteve të “Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit”, nga letrat e rëndomta dërguar Kongresit të Berlinit e deri te
Peticionet dhe Memorandumet, flasin qartë se edhe në rrethanat kur Perandoria
Osmane nuk njihte përcaktimin kombëtar por vetëm atë fetar (milleti-osman),
gjuha, kombësia dhe identiteti etnik shqiptar, theksohej kudo. Madje, edhe në
pjesën e atyre dokumenteve, ku theksohet besimi sulltanit dhe sheriatit si dhe
Perandorisë Osmane dhe kjo ishte fare e natyrshme në ato rrethana kur vetëm
Perandoria Osmane mund ta mbronte hapësirën etnike shqiptare nga copëtimeve e
fqinjëve, identiteti shqiptar shfaqet parësor. Përkatësia besimit mysliman, apo
të krishterë, ishte përcjellëse dhe assesi përcaktuese, siç ndodhte me kombin
dhe gjuhën e përbashkët.
Në
këto dokumente që sillen në libër, ndonëse të përzgjedhura nga një tërësi, që
së shpejti do të gjejnë vend në dy vëllime të tjera me një paraqitje komplete
dhe të përpunuar, veçmas te ato nga qarqet intelektuale të Stambollit, bie në
sy përkatësia e shqiptarëve e lidhur me antikitetin pellazg si dhe qytetërimin
perëndimor nga zanafilla. Në të gjitha këto deponime, gjuha shqipe shfaqet si
gjuhë “mëmë”, gjuhë e gjuhëve, gjë që thyen që të gjitha spekulimet rreth
propagandës hegjemoniste serbe dhe ruse për shqiptarët “pa gjuhë” dhe
shqiptarët “egjër” dhe “pa qytetërim”.
Kësaj,
gjithësi se do t’i ndihmojnë edhe disa nga shkrimet e gjuhëtarëve dhe
historianëve gjermanë (G. Majerit) dhe të tjerëve, që iu dërguan Kongresit të
Berlinit dhe Fuqive të Mëdha, por edhe shtypit të kohës, me të cilat do të
tumirën ato që shkruante Vaso Pasha në historinë rreth shqiptarëve dhe
Shqipërisë në frëngjisht, te Sami Frashëri në Enciklopedinë Osmane për
origjinën pellazge të shqiptarëve dhe kulturën e tyre të lidhur me antikitetin
apo edhe studimet lapidare të filologut të madh arbëresh Dhimitër Kamarda rreth
lidhjes së shqipes me pellazgjishten.
Dokumentet
autentike të Kongresit të Berlinit si dhe ato të përzgjedhurat rreth Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit dhe veprimtarisë së saj nga viti 1878-1881 kanë rëndësi
edhe për raportet e brendshme shqiptare si dhe zhvillimet që e përcollën atë në
rrethanat kur ajo, brenda tre vjetësh,ia doli që të përjetojë një emancipim të
brendshëm politik nga patriotizmi, siç ishte qëndrimi për mbrojtjen e vatanit
nga copëtimet, te organizimi politik, që u pasqyrua me luftën për mbrojtjen e
territoreve e deri te krijimi i Qeverisë së Përkohshme, me çka lëvizja
kombëtare mori fizionominë e një lëvizjeje shtetndërtuese, që e ktheu
Shqipërinë në historinë.
Edhe
këtu,në këtë zhvillim ndër më të rëndësishmit, doli në pah roli i Kosovës
(Dardanisë antike dhe mesjetare), si epiqendër kulturore dhe politike e botës
shqiptare, e cila do të ndikojë jo vetëm kohezionin e brendshëm të
kombëtarizimit, por edhe ato do të ndryshojnë kahun e atyre rajonale dhe më
gjerë, ngaqë Kosova u kthye në epiqendër të nacionalizmit shqiptar, por
njëherësh do të kthehet në synim edhe të hegjemonizmit serbomadh për ta
pushtuar atë, me çka, edhe politika e Fuqive të Mëdha do të fokusohet te Kosova
si një strumbullar ku do të barten po edhe do të përthyhen sferat e interesit
midis asaj austrohungareze dhe ruse, siç ndodhi gjatë dhe pas luftërave
ballkanike, kur u arrit kompromisi midis tyre që të krijohet një Shqipëri, por
e përgjysmuar, me çka, duke iu lënë Serbisë, ajo u sakrifikua, paçka se çështjen
e la të hapur deri te koha jonë, kur me shtetin e pavarur të Kosovës, iu dha
përgjigjja e duhur, një padrejtësie historike.