Shtesë » Historia
Jusuf Buxhovi: Dinastia e Nemanjajve dhe Rasha
E enjte, 08.09.2022, 07:49 PM
DINASTIA E NEMANJAJVE DHE RASHA - PJESË E TRASHËGIMISË ILIRE-DARDANE
-Shkëputje
nga Pasthënia e librit “Dardania - antika, mesjeta”, ku bëhet fjalë për rolin e
Dardanisë në antikitet, në mesjetë dhe veçmas për falsifikimet e
historiografisë serbe, me anën e të cilave, bëhet përpjekje që me kovertimin e
Tribalëve në serbë dhe të dinastisë Nemanjite me origjinë ilire-tribale në
themel të gjoja shtetit mesjetar serb në Kosovës, të përjashtojnë Arbërorët nga
identiteti i tyre historik, kulturor dhe shoqëror politik në mesjetë, në mënyrë
që ata të mbesin të shkëputur nga vazhdimësia e tyre identitatare mbi të cilën
mbështetet gjeografia e sotme politike e shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe
Kosovës)!
Nga
Jusuf Buxhovi
Përqendrimi
te Dardanët si popull - shtrirja e të cilëve vërehet në kohën parahistorike dhe
vazhdon në atë historike në një hapësirën euro-aziatike (nga Iliriku në Trojë e
deri te mbretëria Hitite dhe Bryge), dhe te Dardania - si mbretëri nga shekulli
IV para erës sonë deri te shekulli I i erës sonë, ka për qëllim që korniza e
deritanishme historike të thellohet pikërisht mbi faktorët që pamjen e saj e
plotësojnë duke e nxjerrë në një dritë të re në përputhje me rolin dhe
rëndësinë që kishte në kuadër të zhvillimeve shoqërore, politike dhe kulturore.
Ky kundrim, në njërën anë, dimensionit të faktorit dardan në antikitet ia
rikthen rëndësinë që kishte në kuadër të asaj që nga autorët antikë shihej
“Illyrii ethnoi”(etnia ilire - si një etni e përbashkët e fiseve të ndryshme)
dhe në tjetrën anë, konfirmon rolin e Mbretërisë së Dardanisë, në kuadër të
mbretërive të kohës (Maqedonisë, Pajonisë, të Taulantëve, Molosëve e të tjerave
ilire) që luftonin mes vete për hegjemoni. Ndër këto lufta të ndërsjella, pa
përjashtuar këtu edhe aleancat me kundërshtarin e tyre kryesor – Romën,
gjithsesi ato midis Mbretërisë së Dardanisë dhe të Mbretërisë së Maqedonisë
janë më të gjatat dhe më domethënëse, ngaqë shpalosin raportet midis
fiseve-mbretëri që ishin model i botës ilire-trake dhe të helenizmit, që për
pak kohë e jetësoi Aleksandri i Madh në nivelin e një perandorie botërore.
Ndonëse kjo e dyta ishte jetëshkurtër, megjithatë la gjurmë të thella në
konceptin e perandorisë së Romës dhe të asaj të Bizantit, në të cilën, nga mesi
i shekullit të dytë para erës sonë e deri në mesjetën e vonshme, në kuadër të
“Illyrii proprie ditci” (Provinsës së Ilirikut), u përfshi edhe Dardania.
Në
përputhje me këtë realitet, faktori dardan në kuadër të “Illyri proprie dicti”,
edhe në rrethanat e statusit të qytetarisë romane dhe atij bizantin (romaios),
vazhdoi njësoj të jetë i pranishëm në dinamikën e ngjarjeve dhe të proceseve
shoqërore edhe politike, ndonëse në role të ndryshme. Me statusin e qytetarisë
romane dhe më vonë me atë të qytetarisë bizantine (romaias), Dardanët
përfshihen në strukturat qeverisëse dhe vetëqeverisëse, në ato administrative
dhe ato ushtarake deri në nivelet më të larta, prej nga edhe si cesarë do të
drejtojnë Perandorinë.
Natyrisht
se i ashtuquajturi “akomodim” tejet i suksesshëm në Perandorinë Romake,
shpeshherë i shpjeguar njëanshëm, nuk do të ishte i tillë pa faktorët që e
kushtëzuan atë, në radhë të parë ai etnik, që u pasqyrua nëpërmes strukturave
administrative autonome në të cilat u përfshi provinca e Ilirikut me rëndësinë
e saj tepër të madhe për mbajtjen e baraspeshës Lindje-Perëndim, ku do të
përqendrohet i gjithë sistemi ushtarak i Perandorisë bashkë me konceptin
mbrojtës kundër depërtimeve të barbarëve nga lindja (Hunëve, Avarëve dhe
Sllavëve).
Identiteti
autonom administrativ dhe fuqia ushtarake në rrethanat e “pax romanum” dhe ato
kur nga shekulli III pas erës sonë me dekretin e perandorit Karakalla do të
fitohet statusi i qytetarisë romake (civius romanus), qenë faktorët kryesor që
Perandorisë i mundësuan përballimin e krizave me të cilat ajo u ndesh nga
shekulli II e këndej pas erës sonë. Në këtë vorbull ngjarjesh Ilirikut do t’i
shtohet rëndësia, madje edhe atëherë, kur në shekullin V të erës sonë, nga
sulmet e barbarëve (paganëve), rrënohet pjesa Perëndimore e Perandorisë (Roma),
në themelet e saj do të qëndrojë Perandoria Lindore - Bizanti. Do të jenë
peran-dorët ilir-dardanë (Teodosi dhe veçmas Diokleciani, Kostandini i Madh dhe
Justiniani), të cilët, duke u mbështetur te Iliriku dhe faktori ushtarak dhe te
ai shoqëror e politik, në përballje me krizat dhe sfidat e vazhdueshme nga
sulmet e barbarëve (paganëve) nga veri-lindja dhe ato arabe dhe turke nga
jug-lindja, ia hapën rrugën kapitullit të ri perandorak – Bizantit, që edhe për
dhjetë shekujt e ardhshëm e mbajtën atë gjallë.
Këtu
dhe te kjo çështje ka mbështetjen qëndrimi se për Dardanët dhe në përgjithësi
Ilirët, Bizanti nuk ishte i huaj, siç shihet nga klishetë e njohura
historiografike të shekullit të kaluar dhe ato të tanishme me ngjyrime
ideologjike. Por, Bizanti ishte edhe pjesë e mendësisë së tyre, e vullnetit për
ngritje në përputhje me fuqinë që kishin nga koha e faktorizimit në Perandorinë
e Romës kur ia dolën që ta qeverisin dhe madje edhe ta drejtojnë atë. Pra, në
këto rrethana të identifikimit me të dhe fuqinë e saj, Dardanët si gjithë
Ilirët, morën pjesë aktive në të gjitha zhvillimet që sollën këtë proces
historik deri te pika më e lartë, realitet ky që do të bëjë që Perandoria
Lindore të quhet edhe “Bizanti ilir”.
Ndaj,
me të drejtë mund të thuhet se në Bizant, edhe në kuadër të statusit të
qytetarisë bizantine, ku shkrihej identiteti gjuhësor i popujve të saj
shtetformues (latinëve, helenëve dhe ilirëve), kanë burimin tre faktorët me të
cilat lidhet identiteti historik ilir-dardan, si bazë e atij Arbëror dhe
shqiptar:
-
identiteti i vetëqeverisjes vendore,
-
identiteti administrativ dhe
-
identiteti kishtar.
Identiteti
i qeverisjes autonome - ka të bëjë me njësitë e veçanta – civitates, të
përhapura në të gjitha qendrat e njohura në Dardani, Maqedoni dhe Epir.
Identiteti
administrativ - mbështetet mbi statusin e njësive të veçanta autonome -
civitates, të cilat i shërbyen perandorit ilir Dioklecian, që me anën e
reformave administrative, Iliriku të kthehet në provincën kryesore lindore mbi
të cilën do të mbështetet baraspesha lindje-perëndim e Perandorisë. Kjo rrugë
do të vazhdohet nga perandori Konstantin dhe nga Justiniani.
Dhe
identiteti kishtar, i ka fillet me pranimin e krishterimit religjion zyrtar nga
perandori dardan Konstandini i Madh. Kjo do t’ia ndryshojë karakterin edhe
Perandorisë, ngaqë religjioni kthehet në bashkëpjesëmarrës në drejtimin e saj.
Ekumenizmi kishtar forconte fuqinë ekumenike në të dy krahët e saj
(lindje-perëndim), me ç’rast Iliriku, ndonëse administrativisht i takonte
Bizantit, nga pikëpamja kishtare vazhdon të mbetet nën juridiksionin e Selisë
së Shenjtë. Perandori Justinian I, me një vendim të veçantë perandorak, lidhi
vikariatin e Dardanisë drejtpërdrejt me Selinë e Shenjtë. Qendra e vikariatit u
bart nga Thesaloniku në Prima Jusitniana, ku do të qëndrojë gjatë tre shekujve
të ardhshëm. Me këtë Dardania u kthye në një qendër shpirtërore, ku lulëzuan
artet, kultura dhe krijimtaria e gjerë shpirtërore me një shtrirje të gjerë
perandorake.
Këto
identitete, në kuadër të konceptit të qytetarisë bizantine, me të cilin doemos
se lidhet identiteti i mëtejshëm historik deri te ai arbëror nga shekulli XI e
këndej, nuk duhet të shihen të shkëputura nga ideja e Perandorisë së
universalizmit botëror, e pasqyrua te Troja, ku Dardanët, nga shumë burime
antike, shfaqen si themelues të saj, prej nga pastaj, pas rrënimit të saj, nga
fiset dardane Galabrët, Thunatët dhe të tjerët, ajo u bart në Perëndim, me
ç’rast u themelua edhe Perandoria e Romës, vizioni i së cilës e udhëhoqi atë
për shumë shekuj.
Mund
të thuhet se ishte po ky vizion që udhëhoqi edhe Aleksandrin e Maqedonisë deri
në Indi. Do të jetë po ky vizion që drejtoi edhe Pirro Molosin drejt Romës.
Dhe, sigurisht se i njëjti vizion do t’i shfaqet edhe perandorit Konstandini i
Madh, i cili pas njëzet shekujsh, kur ideja e universalizmit botëror do të
fillojë të shuhet në Romë, kryeqendrën e vet do ta bartë në Lindje, në
Kostandinopojë, afër Trojës, aty ku edhe dikur kishte lindur kjo ide botërore.
Nëse
mund të thuhet se Konstandini i Madh me vendosjen e kryeqendrës së Perandorisë
në Bizant si dhe me pranimin e krishterimit si një mjet që këtë ide ta fuqizojë
me besimin monoteist i cili pas shpërbërjes së sistemit skllavopronar paraqiste
mundësinë e fundit dhe të vetme që masat e gjera me iluzionin e botës së
përshpirtshme të përfshiheshin në këtë ide botërore, krijoi rrethanat për një
kthesë të madhe historike. Megjithatë, do të jetë pikërisht ideja e
bizantinizmit, pra fuqizimi jashtë mase i religjionit (ndarja e pushtetit me
krishterimin), që do ta rrënojë atë e me këtë do t’u hapë rrugë proceseve të
njohura që Perandoria në vend se të ketë një qendër drejtuese botërore, të
ndahet në dy sosh: në atë lin-dore dhe perëndimore, e ku ritet (ai katolik dhe
ortodoks) do t’ia përcaktojnë karakterin kësaj ndarjeje, që si do të shihet, do
të kthehet në një luftë qytetërimesh, të shumtën me pasoja tragjike edhe deri
te koha jonë.
Natyrisht
se edhe në këtë zhvillim të njohur historik, që nisi në shekullin IV, në kohën
e Perandorit Teodosi, me ndarjen administrative të Perandorisë dhe do të
legjitimohet në shekullin XI me ndarjen përfundimtare të kishave në atë të
ritit lindor (ortodoksisë) me qendër në Kostandinopojës dhe atë të ritit
perëndimor (katolicizmit) me Selinë e Shenjtë në Romë, prapë do të jetë Iliriku
arenë e drejtpërdrejtë e kësaj ndarjeje, që për aktorë kryesorë dhe aktivë do
të ketë barbarët e Lindjes (fillimisht Hunët, pastaj Avarët bashkë me Sllavët
dhe së fundit vetëm Sllavët), të cilët ndikuan ndryshimet shoqërore dhe
politike që përfshinë Perandorinë nga të dy krahët.
Ndër
këto ndryshime, të një natyre që vunë në lëvizje proceset e gjithëmbarshme,
gjithsesi janë ato që kanë të bëjnë me përfshirjen e kolonëve të rinj në kuadër
të strukturave të qeverisjes vendore (feudeve dhe zhupanive), që zunë të
kthehen në bashkësi autonome paralele, një asimetri pushtetesh, që më vonë,
ndikuan edhe në dobësimin e Perandorisë dhe edhe në rënien e saj.
Këto
zhvillime, të cilat janë të ndërlidhura edhe me procesin e krishterimit të
paganëve, në formën e zhupanive, filluan diku nga shek. X, nga pjesa qendrore
dhe ajo jugore e Ilirikut (në Zakhumle, Bosnje dhe deri në Diokle), në mënyrë
që nga fundi i shekullit XII dhe ai XIII për të vazhduar pastaj me dinasti
thuajse të pavarura.
Në
këtë konfigurim të rëndësishëm historik, me një pamje dhe rol të veçantë, siç u
pa, shfaqet zhupania e Rashës (Rasia) nga dinastia e Nemanjajve, e cila, nga
fundi i shekullit XII dhe fillimet e shekullit XIII e deri nga mesi i shekullit
XV shtrihet në pjesën më të madhe të Dardanisë antike, në Maqedoni, Epir si dhe
në bregdetin verior të Adriatikut.
Roli
dhe pamja e veçantë e Rashës del në pah po qe se nxirret nga kundrimet e
deritanishme të historiografisë serbe dhe asaj ruse si “qendër e shtetit
mesjetar serb” dhe njëherësh “si qendër e krishterimit ortodoks serb” për t’u
bartur te faktori dominues, i cili në Ilirik shfaqet pas rrënimit të mbretërisë
bullgare, në vitin 1018 dhe dominimit të saj në pjesën më të madhe të
gadishullit nga viti 860. Ndonëse me reformat administrative dhe ato kishtare
të perandorit Bazil II (Vasil) në Ilirik,vëmendja e forcimit të pushtetit
qendror u përqendrua te krijimi i tri themave të reja (të Nishit, të Dalmacisë
dhe Adriatikut, praktikisht, zhupania e Rashës, si strukturë autonome, i hapi
rrugë asimetrisë së pushteteve me çka shpejtë u kthye në faktor të rëndësishëm
shoqëror dhe politik në qendrën e gadishullit). Kësaj asimetrie i ndihmoi
pozicionimi gjeografik (rihapja e rrugës Diokle-Rashë që shpinte nga bregdeti,
për në Lindje), si dhe të roli kyç në garën e dy kishave (lindore dhe
perëndimore) për ndikim në pjesën, të cilën Kostandinopoja e shihte si “fillim
të Lindjes dhe fund të Perëndimit”, ndërsa Roma “si fillim të Perëndimit dhe
fund të Lindjes.
Në
këtë ndeshje të ashpër disa shekullore për hapësira dhe ndikim shpirtëror dhe
politik, Sllavët dhe Bullgarët në njërën anë dhe Rasianët tribalë në anën
tjetër, nga çastet e para të krishterimit, do të shfrytëzohen me të madhe nga
Kostandinopoja dhe Vatikani për qëllimet e tyre dominuese. Veçimi i Rasianëve
nga Sllavët si entitet shoqëror-politik edhe nga perandori Porfyrogenit dhe
Oribini madje, nuk është i rastësishëm, por në përputhje me realitetet
mesjetare, me ç’rast ata trajtohen si Tribalë - fis ky , që sipas shumë
burimeve antike i takojnë botës ilire. Kjo pohohet edhe nga shumë dokumentet të
rëndësishme bizantine, veçmas në veprën e perandorit Kantakuzini “Historia e
Bizantit”, ku Nemanjajt quhen Tribalë, ndërsa Rasha - Tribalia. Por, Nemanjajt
me origjinë Tribalë, ndërsa Rasha si Rascciene, jashtë çfarëdo lidhjeje me me
shtetin e imagjinuar serb mesjetar, shihen edhe nga Vatikani, Hungaria dhe
pjesa tjetër e botës katolike, dallimin ky që përshkon edhe një pjesë të
historiografisë serbe.
Pavarësisht
pamjes së Rasianëve si Tribalë nga shumë autorë bizantinë, apo si serb, siç
konvertohen nga historiografia serbe nga shekulli XIX e këndej, megjithatë,
Rasha dhe Nemanjajt, bazuar në dokumentet që u morën në shqyrtim, do të jenë
pranishëm në Dardani, pas ndarjes përfundimtare të kishave, më 1054, me çka si
hapësira e gjithmbarshme e Ilirikut, edhe ajo e Dardanisë, u kthye në një arenë
të ashpër të ndeshjeve të kryqit kundër kryqit, që si u pa Nemanjajt e
shfrytëzuan për shtrirjen e tyre hegjemone deri në Epir.
Por,
rivaliteti i kishave në Ilirik midis ritit lindor dhe atij perëndimor dhe
anasjelltas,që vazhdimisht u përqendrua të faktorët shoqërorë dhe politikë të
kohës, ku Nemanjajt ishin ndër protagonistët kryesorë të saj, krahas
dimensionit global, kishte edhe dimensionin e rivalitetit brenda vetë ritit
lindor, ngaqë kisha ortodokse, ndonëse nën ombrellën e Patrikanës së
Kostandinopojës dhe vizionit të shpallur ekumenik, meshën e drejtonte në gjuhën
greke dhe në sllavishten e vjetër kishtare (një amallgam i të folmeve të vjetra
të mbështetura mbi dialektin e sllavëve të Moravisë, rusishtes dhe
bullgarishtes), të drejtuara nga disa kisha (greke, bullgare, ruse dhe së voni
edhe ajo rasiane) me qendra të ndryshme, të cilat rëndom u nënshtroheshin
rrethanave shoqërore dhe politike, që dilnin nga raportet e luftërave të
brendshme ose të jashtme.
Natyrisht
se identitetet kishtare lindore ose perëndimore përcaktonin edhe identitetet
shoqërore dhe politike, qoftë edhe si të përkohshme si dhe pamjen kulturore
brenda tyre, ngaqë kishat, në garën dhe rivalitetin e tyre të vazhdueshëm për
hapësirë dhe besimtarë, luanin me kartën e “kurorëzimit”, me ç’rast një
zhupani, feudali vendor ose princi, që pretendonte pushtet edhe më të madh, ato
i jepeshin sapo të pranonte legjitimitetin e kishës (Selisë së Shenjtë ose
Patrikanës së Kostandinopojës). Ky “legjitimitet” kishtar doemos, në planin
shoqëror dhe politik kishte pasoja, ngaqë kartat kishtare dhe titujt e tyre u
shërbenin si alibi pushtimeve në emër të njërit kryq ndaj tjetrit.
Kështu,
nga shekulli X e këndej, në hapësirën dardane të Ilirikut, si më të
rëndësishmen e provincës, Selia e Shenjtë, ishte shumë e interesuar që me anën
e afrisë dhe lidhjes për vete të formacioneve shoqërore autonome, si formë e
asimetrisë së pushteteve, të depërtonte sa më thellë në hapësirën e Bizantit.
Me
bula (karta) të tilla do të stolisen edhe disa nga feudalët dhe princat arbërorë
nga shekulli X, pikërisht atëherë kur fillojnë shkëputjet e para nga statusi i
qytetarisë bizantine romaios i shpërfillur nga të gjithë, zhvillime këto që
pamjes shoqërore dhe politike i dhanë pamjen e një mozaiku të çrregulluar që i
hapi rrugë procesit të shthurjes së Bizantit.
Gara
kishtare për sa më shumë fuqi si dhe rivaliteti shoqëror-politik që u ngrit mbi
sfondin e saj, mori përmasat e një lufte të hapur çastin që fryma e ndarjes u
kthye në platformë të kryqëzatave të krishtera (tetë sosh nga fundi i shekullit
XI deri te XIV), ku si dihet, ajo e katërta, e vitit 1204, kur katolikët
pushtuan kryeqendrën e Bizantit dhe shpallën Perandorinë Katolike të
Kostandinopojës ndërsa Bizanti deri në vitin 1261 u strehua në Nike. Kjo
përmbysje Ilirikun dhe në veçanti hapësirën e Dardanisë, Maqedonisë dhe të
Epirit, e ktheu në një arenë ku formacionet autonome shoqërore-politike, që
drejtoheshin drejtpërdrejt nga Vatikani ose Kostandinopoja të marrin formën e
shteteve autonome. Ndër të tilla, në njërën anë, ishte “Despotati i Epirit” (1204-1262),
dhe në tjetrën “Mbretëria e Arbrit” (Regnum Albaniae) e Anzhuve (1272-1286).
Edhe
pse këto të dy formacione shoqërore-politike do të përfundojnë si pre e
konfrontimeve midis Bizantit dhe Perëndimit, nga shembja e të cilave, si dihet
do të përfitojë Rasha Nemanjane që në kohën e Stefan Dushanit (1332-1355)
zhupania e saj të krijojë pamjen e një “Ilyirikum Magnum”, megjithatë, u hapën
rrugë zhvillimeve që çuan te depërtimet e osmanëve në Ilirik dhe tutje në
Perëndim, me çka rivaliteti ndërkishtar, fillimisht legjitimoi logjikën e
vasaliteteve të feudeve të krishtera, po edhe të Bizantit (gjatë Paleologëve),
për të përfunduar me luftërat e osmanëve me të krishterët, të cilat, në vitin
1453, me rënien e Kostandinopojës,ia hapën rrugën pushtimit gjashtë shekullor
osman.
Në
këtë zhvillim historik, bota e Arbnit, hyri si edhe të tjerët. Por, me luftërat
e Skënderbeut (1444-1468), shteti i Arbrit ishte i vetmi ndër të krishterët e
Europës, që për një çerek shekulli, në luftë kundër osmanëve, u rikthye në skenën
historike. Fundi i tij i përgjakshëm, megjithatë, nuk i dha fund identitetit
historik të atyre që nga robëria gjashtë shekullore dolën si shqiptarë.